Përndjekja e familjes së Eqerem bej Vlorës në diktaturë

0
408
blank

Copëza kujtimesh dhe dëshmi dhënë në media nga Ajnisha Vlora, vajza e Eqerem Vlorës, që kishte baba një nga intelektualët më të spikatur shqiptarë, por që diktatura komuniste, ia ndaloi ta njihte.

 

 

Eqerem bej Vlora, veprimtari i çështjes kombëtare, intelektuali i kalibrit ndërkombëtar, politikani, shkrimtari, historiani, zotëruesi i 11 gjuhëve, mbartësi i disa titujve dhe ndereve shkencore, “beu i fundit”, apo “personaliteti më inteligjent… në Shqipëri”, siç e quan diplomati Pietro Kuaroni, gjatë diktaturës, ishte thjesht një “kolaboracionist” që, i larguar nga Shqipëria, nuk pati mundësi as për një korrespondencë normale me familjen.

Ai u ngarkua me fajin e posteve ministrore në qeveritë e periudhës së pushtimit fashist dhe nazist, ndërkohë që e kish nisur aktivitetin diplomatik e politik si funksionar i Perandorisë Osmane dhe më pas i Shqipërisë, që xhaxhai i tij, Ismail Qemali, e shpalli të pavarur. Për këtë “faj” të Eqerem Vlorës, regjimi komunist do dënonte bashkëshorten dhe të bijat, edhe pse më e vogla ishte më pak se një vjeç, kur i ati u largua përgjithmonë nga Shqipëria më 1944. Eqerem bej Vlora u nda nga jeta 20 vjet më vonë në Vienë, atje, ku në kapërcyell të shekujve paraardhës, kish kryer studimet liceale dhe universitare, të cilat i kishte kompletuar me një doktoraturë në drejtësi në Stamboll. Ndërsa familja e tij vuajti pa reshtur dhe vetëm vajza e vogël, Ajnishaja arriti të shihte përmbysjen e regjimit që i përmbysi jetën një prej familjeve më të pasura në Shqipëri, si gjithë të tjerave të asaj sëre. Ajo arriti të shihte të plotësuar, para se të shuhej në mars të 2018-ës, edhe amanetin e të atit për t’u prehur në Shqipëri, kur eshtrat e tij u kthyen në atdhe në vitin 2014.

Sot, kujto.al, po sjell disa nga dëshmitë që kjo grua që vuajti padrejtësisht, por nuk u shfaq kurrë hakmarrëse, ka lënë për jetën në diktaturë të familjes së saj të përbërë vetëm nga gra, pas largimit të të atit.

“Ku do shkosh?- i tha mamaja, kur u ndanë në atë që sot është Ambasada e Vatikanit. Unë do të iki, por do të dërgoj dikë për t’ju marrë,- i tha ai. Dhe dërgoi tri herë makina për t’i marrë familjen, por asnjëherë nuk arriti të na marrë. E vetmja mundësi ishte Riaz Vlora, por ai preu damarët në burg”, e ka kujtuar Ajnisha Vlora në një intervistë për Roland Qafokun në “Debati në Channel One”, më 31 gusht 2015, ndarjen, që rezultoi e përjetshme, me të atin. Eqerem Vlora u vendos fillimisht në Itali ku punoi si gazetar në Rai Uno e më pas në Vjenë, ku vazhdoi të punonte si gazetar me kohë të pjesshme.

Kur u largua, ai e sistemoi bashkëshorten, Hadije Vrionin, një nga gratë më të bukura të kohës; vajzën e madhe, Shehzaden e thirrur Lajla, 12 vjeçe, të lindur në Romë dhe më të voglën, Ajnishanë te shtëpia e së motrës në Tiranë, te ish-ambasada kubaneze, por ato nuk do të qëndronin gjatë aty.

“Na nxorën nga shtëpia e hallës sime, duke lënë plaçkën të gjithë. E dolëm në rrugë vetëm me rrobat e trupit. Vajtëm në Babrru, ishte një mikeshë e nënës. Po atje na diktuan, e na çuan në Durrës. E aty na ndoqën. Shkuam në Rrogozhinë, në fshatrat e Kavajës. Çdo bënte një grua me dy fëmijë jetimë? Megjithatë nëna ime u bë e fortë dhe gjeti një shtëpi me qera. Atëhere disa shoqe të motrës sime Lajla, i thanë babait për këtë vuajtje. Ai nisi të na dërgonte rroba e lekë... Plaçkat vinin për ne si këpucë e rroba. U mbyll edhe ajo gjë nga regjimi. Ai i niste pakot me emrin e dy shoqeve të vajzës së tij dhe përdorte dy shkrime. ...Më vonë u detyrova të hyj në fermë. Por paga ishte e ulët, na dilte vetëm për bukë. Motra ime ishte 11 vjet më e madhe se unë, por ishte e sëmurë nga zemra. E kishte fituar nga largimi i babait. Pas shtatë vitesh, më vdiq motra. Ajo u sëmur si pasojë e tronditjes”, kujton jetën e dhimbshme Ajnishaja në këtë intervistë të fundit. Motrës së saj, i ishte dashur të punonte në ndërtim, por edhe të qëndiste për t'i shitur të nesërmen punimet, në mënyrë që të mbijetonin.

Edhe Ajnishaja u sëmur rëndë nga puna prej një viti e gjysmë në fidanishte, por Zoti e desh që ta kalonte këtë moment kritik. “Pasi u sëmura, me komision më futën në poçeri. Atje bëja pikturat dekorative të porcelanit. Babai im kishte një miqësi në Durrës. Dhe ai person i kishte lënë amanet djemve: Do ju mallkoj nëse nuk i bëni një nder vajzave të Eqrem Bej Vlorës”, ka treguar ajo.

Megjithëse nuk u mungoi dashuria e njerëzve me zemër të ndjeshme e deri diku kurajozë, ato vazhdonin të jetonin të survejuara dhe nën kërcënimin e një dënimi më të rëndë, ndërkohë që varfëria i shoqëroi për vite me radhë. Mamaja e Ajnishasë, e cila edhe vetë vinte nga një familje e dëgjuar siç ishte ajo e Vrionasve dhe kish jetuar në disa vende perëndimore, pas martesës me Eqerem Vlorën, e pa veten në borxhe e duke siguruar të ardhura nga shitja e plaçkave që  dërgonte i shoqi.

“Mamaja vdiq në vitin ’84”, ka thënë në një intervistë të mëparshme për gazetën Panorama, Ajnisha Vlora. Në këtë intervistë, dhënë gazetares Ani Jaupaj, ajo ka treguar se punoi në repartin e qeramikës së ndërmarrjes artistike deri sa doli në pension, ndërkohë që u martua dhe krijoi familjen e saj, e cila jetoi në Kavajë deri në rënien e regjimit komunist.

Kur më pas, udhëtoi jashtë Shqipërisë, ndryshe nga shumë bashkatdhetarë, Ajnishaja do sillte në mendje, si të njohura, objekte dhe imazhe, për të cilat nëna dhe motra i kishin treguar, pasi i kishin hasur kur jetonin të lira. Ndërsa në Shqipëri do shihte të vlerësohej sërish figura e të atit, edhe pse shumë prej trashëgimisë e tij, siç ishte biblioteka me mbi 14 mijë vëllime, iu mor përgjithmonë prej duarve plaçkitëse dhe shkatërruese të regjimit komunist.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here