Parada e “heronjve” komunistë shkakton indinjatë tek ish-të përndjekurit politikë

0
608
blank

Në prag të 75 vjetorit të Çlirimit, më 29 Nëntor, qeveria dhe pushteti vendor kanë vendosur në bulevardin kryesor të Tiranës, fotot e disa partizanëve për të përkujtuar luftës Nacional-Çlirimtare. Por mes tyre, ka shumë emra që shkaktojnë indinjatë të thellë tek shtresa e të përndjekurve politikë në diktaturën komuniste, pasi kanë qenë drejtpërdrejt përgjegjës për vrasjen e shqiptarëve që i dolën kundër komunizmit në vitet e para.

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë bëri sot një notë protestë publike, ndërsa zemërimi i të afërmve të të vrarëve nga regjimi komunist, ka pushtuar rrjetet sociale.

Drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa, e ka cilësuar absurde vendosjen e portreteve të komunistëve, pikërish në atë Bulevard, ku u vendosën portretet e klerikëve të vrarë nga komunizmi.

“Kur erdhi në Tiranë Papa Françesku, qeveria vari në Bulevard portretet e martirëve të kishës katolike. Sot, qeveri-bashkia ka varur në të njëjtin bulevard, portretet e atyre gjoja heronjve, që i ekzekutuan martirët, jo vetëm të kishes katolike. Madje, të veshur dhe me uniformën e Sigurimit, si ky këtu poshtë. Pushtët e Enverit ngordhin për kohën e Stalinit, jo për Europën!”- shkruan Tufa.

Ndërsa studiuesi Kastriot Dervishi ka risjellë në vëmendje, dokumente dhe dëshmi që hedhin dritë mbi të shkuarën e errët të njërit prej “heronjve” që qëndron varur në Bulevard me veshjen famëkeqe të Sigurimit të Shtetit, Nuri Luçi.

“Në vitin 1948, i prerë në besë, rrethohet dhe vritet Frano Miri, bashkë me Zef Ded blankPërvukën. Pas vrasjes, kufomat e tyre çohen në Gurëz, për të frikësuar popullin e zonës, e madje u varrosën në bregore, jo në varrezat e fshatit, ku fshatarët nuk ngurronin të vinin natën, lule dhe kurora. Për këto veprime, u lajmërua kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Krujë, Nuri Luçi, i cili urdhëroi të nxirreshin kufomat nga varret dhe të hidheshin në breg të lumit Mat. Ashtu u bë. Natën, policët zhvarrosën kufomat dhe i çuan në një gropë në breg të lumit”. (dëshmia e botuar në gazetën “Panorama”, 16 korrik 2012, pushkatimi i 12 burrave që ndihmuan Abaz Kupin. Rrëfimi është i Gjyste Mirit.)

"Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë ndjehet e provokuar dhe e fyer nga vendosja në bulevardin ''Dëshmorët e Kombit'' të portreteve të terroristëve komunistë, autorë të krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocid nga Bashkia Tiranë, në kuadër të përkujtimit prej tyre, të 75-vjetorit të pushtimit komunist të Shqipërisë. Personat në fjalë po trajtohen nga shteti shqiptar si dëshmorë të Atdheut, ndërkohë që nuk plotësojnë asnjë kusht të ligjit për të pasuar statusin e dëshmorit dhe në shumë raste, janë autorë të vrasjeve të dëshmoreve të vërtetë të Atdheut.

Ne të përndjekurit politikë antikomunistë të Shqipërisë e konsiderojmë këtë akt, si një përpjekje zyrtare të radhës të Bashkisë Tiranë dhe qeverisë shqiptare për restaurimin historik të diktaturës komuniste dhe promovim publik të terrorizimit komunist në Shqipëri. Në këto kushte, ne i kërkojmë institucioneve të shtetit shqiptar, të reagojnë në përmbushje të ligjeve dhe detyrave të tyre kushtetuese, për të ndaluar këtë rikthim pas të vendit, jo vetëm aspektin historik.

Nderimi i autorëve të krimeve komuniste, nuk përbën vetëm një fyerje për viktimat e tyre, por edhe një rrezik të kthimit në model të terrorizmit komunist, që mund të sjellë pasoja shumë negative, për të tashmen dhe të ardhmen e kombit dhe popullin tonë. Akte të tilla politike janë të papranueshme për një vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për anëtar i BE-së"- thuhet ndër të tjera, në notën e protestës të shpërndarë nga kryetari i kësaj shoqate, Nebil Çika.

Ndërsa analisti Agron Gjekmarkaj shkruan se ky është një paradoks i madh dhe një atentat ndaj humanizmit dhe ndaj viktimave të regjimit.

"Në qiellin e “Dëshmorëve të Kombit” do të duhej të ishin edhe nacionalistët që dhanë jetën, e mbi të gjitha, ata qindra e mijëra që pësuan gijotinën e pas luftës, të gjithë ata që në emër të lirisë, luftuan tiraninë! Paradoks i madh, të rënët që sot i kanë portretet lart të varura në re, luftuan për lirinë e na erdhi tirania!!

Ndërsa vendosja në qiell e atyre që kanë lyer duart me gjak, të njohur e të vertetuar si kriminelë, është një atentat ndaj humanizmit dhe ndaj viktimave të regjimit! Një provokim i flligtë! Nuk nxirren dot nga ferri ku i ka futur mizoria që bënë vetë, duke i varur me konop në “parajsen” e Edi Ramës, pemëve të Tiranës! Sa më lart t'i ngrenë, po kaq trishtueshëm na bie mbi kokë hanraku i Diktaturës! Kjo është sy shkelje! Ju mos më lëshoni se nuk ju leshoj, pa për krimet hallall!

Kryeministri kërkon ndihmë nga idealistët e vdekur, për të mbajtur pas froten e komunizmit, e bën pa skrupuj, e bën shpesh, e bën sa herë t'i nevojitet! Por nuk është i vetëm në këtë hipokrizi! Shoqëria në vetvete s’ka bërë asnjë akt emancipimi ndaj së kaluarës! Koka dhe shpina e saj janë përkulur me shpresë se dekadat e zbusin peshën e krimeve dhe të fajeve! Ende ajo nuk ështe e gatshme të pranojë një Kryeministër apo President nga radhet e të persekutuarve politikë!"- shkruan ai në një analizë në gazetën Panorama. /kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here