Një mjek e humanist si doktor Aleksandër Kalivopulli!

3
1794
blank

Si e përballoi epideminë nga malarja në vitin 1920...Mjeku i talentuar që braktisi katedrat e Athinës për t'i shërbyer popullit të tij. Regjimi komunist e klasifikoi si "armik i popullit" dhe e dënoi me 18 vjet burg. Mjeku i famshëm nga Bularati që i dha fund jetës me grevë urie në burgun e Burrelit

Nga Luljeta Progni

Është një rrugë në Gjirokastër me emrin: “Rruga Doktor Kalivopulli”. Është doktori i famshëm nga Bularati, që studoi në Greqi dhe u kthye prej andej me grada shkencore duke refuzuar komoditetin e të qenit pedagog, fituar për shkak të aftësive të tij të jashtëzakonshme gjatë studimeve. Është një ndër mjekët shqiptarë që ka zënë vend të nderuar në histori.

Në çdo kohë, mjekët shqiptarë kanë dalluar për profesionalizëm dhe përkushtim. Edhe sot, këto kohë të frikshme të pandemisë që ka pushtuar botën, mjekët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit po dallojnë në përkushtimin e tyre për të mundur Covid-19, përkrah kolegëve të tyre të nderuar në të gjithë botën. Por çfarë bie në sy është fakti se shumica e mjekëve shqiptarë shërbejnë jashtë atdheut të tyre. Është normale lëvizja e profesionistëve e njerëzve të thjeshtë nga vendi në vend, për shkak të lëvizjes së lirë në BE e vende të tjera, por për Shqipërinë kjo lëvizje ka shkaktuar mangësi të mëdha sepse sot ka mungesë të theksuar në personel mjekësor.

blankKa qenë një kohë kur mjekët e pakët shqiptarë, shkolloheshin jashtë, por refuzonin të qëndronin në komoditetin që iu ofronin universitetet dhe ktheheshin në atdhe për t'iu shërbyer shqiptarëve të varfër e të rraskapitur. E tillë është historia e doktor Aleksandër Kalivopullit që nis në vitet 1920.

Ishte viti 1920, kohë epidemish në Shqipëri ashtu si dhe në vende të tjera. Doktor Aleksandër Kalivopulli sapo ishte kthyer nga studimet në Greqi nga ku vinte me grada shkencore si një ndër studentët më të shkëlqyer në mjekësi. Kishte refuzuar të drejtën për pedagog që e kishte fituar për shkak të gradave shkencore dhe ishte kthyer në atdhe për të shërbyer si mjek sepse vendi kishte shumë mangësi për mjekë.

Shërbimi shëndetësor në Shqipërinë e asaj kohe ishte shumë i varfër. Si kudo në Shqipëri, edhe në Gjirokastër kishte probleme të mëdha me sistemin shëndetësor. Dr.Kalivopulli do të duhej të shpëtonte jetë njerëzish që ishin pushtuar nga malarja. Doktori nga fshati Bularat vendosi të shërbejë pikërisht në zonën nga e kishte origjinën për t'i ardhur në ndihmë njerëzve të asaj krahine.

Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes ngjitëse, malarjes, doktori i ri kreu disa studime për përhapjen e sëmundjes dhe arriti rezultate te mira te publikuara edhe në Manualin Statistikor Shëndetësor të vitit 1928. Ai ia doli të ndalë përhapjen në masë të sëmundjes së malarjes, duke shpëtuar qindra jetë njerëzish në Bularat, por edhe në të gjithë Gjirokastrën.

Por e ardhmja e tij nuk do të ishte aq e qetë në atdhe. Gjatë pushtimit fashist, doktor Aleksandër Kalivopulli u internua në Penobil te Italisë, si antifashist. Pas një viti internim, u kthye në atdhe dhe vazhdoi punën si mjek në spitalin e Gjirokastrës, por kishte edhe një klinikë private në shtëpi, ku ndihmonte komunitetin pa pagesë.

Bashkëkohësit e doktor Kalivopullit kanë rrëfyer vite më vonë se ai ishte profesionist i përmasave evropiane dhe kishte një logjikë të fortë profesionale në përcaktimin e diagnozave dhe mjekimin e të sëmurëve. Për çdo vendim që duhej marrë, vendosej me mendimin përfundimtar të dr.Kalivopullit.

blank

Doktor Kalivopulli ishte asokohe shefi i Pathollogjise në Gjirokastër. E ndeshim kontributin e tij në rrëfimet e të internuarve në kampin e Tepelenës. Aziz Ndreu, i mbijetuar i atij kampi, që shërbeu për katër vite si infermier, ka rrëfyer se si doktor Kalivopulli ka shëruar me dhjetëra raste të sëmurësh që vinin nga kampi i Tepelenës. Aziz Ndreu ka rrëfyer se doktor Kalivopulli përpiqej ilegalisht të jepte ilaçe për të sëmurët e kampit të Tepelenës atje ku kishte plasur tifoja e dizenteria në vitin 1949-1950. Por përveç ilaçeve ai përpiqej të ndihmonte ata edhe me ushqime e veshmbathje.

Të mbijetuarit e kampit të Tepelenës nuk e harruan kurrë ndihmën që morën nga doktor Kalivopulli, doktor Kazika, doktor Vasili e doktor Lluka Dhimolea. Megjithëse rrezikonin shumë të përfundonin në burg, ata kurrë nuk reshtën se ndihmuari gratë dhe fëmijët e internuar në kampin famëkeq të Tepelenës, atje ku humbën jetën qindra prej tyre. Dr. Kalivopulli qëndroi në krye të pavijonit të Pathollogjisë në Gjirokastër, deri një ditë para arrestit, më datë 3.07.1960.

Arrestimi

U arrestua atë natë korriku të vitit 1960, me akuzën si armik i pushtetit popullor dhe i partisë. Ishte njeriu që kishte shërbyer me përkushtim e vetëmohim në çdo situatë të vështirë për popullin e tij. E megjithatë, regjimi komunist e klasifikoi si armik i popullit. Atë natë Gjirokastra heshti dhe frika e përshkoi gjithë qytetin me shpejtësi. Ishte kaq e paperceptueshme për ta që njeriu që i kishte shërbyer me aq përkushtim popullit po shpallej armik i popullit.

Regjimi diktatorial zhvilloi disa gjyqe me dyer të mbyllura derisa me skenare mashtrimi arritën t'i provojnë “fajësinë”. Më 1 maj të vitit 1962, pas dy vitesh hetuesi e tortura, doktor Kalivopulli u dënua me 18 vjet burg dhe konfiksimin e pasurisë.

Doktori i famshëm i Gjirokastrës vazhdoi të shërbejë në profesionin e tij me aq mundësi sa kishte nëpër burgjet e kampet e Shqipërisë duke iu gjendur pranë bashkëvujtësve të tij të burgosur.

Bashkëshortja dhe dy djemtë, Kristo, Sokrati dhe vajzat, Klea dhe Sofia, e takuan për herë të fundit më datë 13 shkurt të vitit 1964. Vetëm pak ditë më vonë, doktor Kalivopulli shpalli grevën e urisë, si protestë ndaj kushteve të rënda të burgut. Ai e dinte se nuk do të mund të përfitonte asgjë nga kjo grevë dhe ashtu ndodhi. Më datë 27 shkurt 1964, pas 13 ditësh në grevë urie, dha shpirt në qelitë e burgut të Burrelit.

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

3 KOMENTE

  1. Thjesht,nje sqarim! Gjyshi im Aleksander Kalivopulli, i ka kryer studimet ne Greqi, ne Athine! Por ju falenderoj, qe i kujtoni keta njerez qe vertete jane heronj te heshtur! Shpetojne me mijra jete, dhe mbeten ne kujtesen e njerezve te thjeshte! Kete po bejne edhe sot ne keto kushte te kesaj pandemie, te gjithe ata mjeke ne Shqiperi, dhe gjithe boten! Ju falenderojme!Zoti na ndihmofte!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here