Bajram Yzeiri në tetor ‘91: Nuk jam i komunales që të gjej eshtrat e ish-të burgosurve

0
610
blank

“Ministria e Rendit nuk është komunale që të hapë varret, të gjejë eshtrat dhe t’ua çojë qytetarëve, se po e tha kështu atëherë nuk është mirë”.

 

Në një mbledhje të Këshillit të Ministrave me 5 tetor 1991 është diskutuar për herë të parë që shteti duhej të ofronte asistencë për të gjetur eshtrat e ish-të burgosurve politikë vdekur në burgje apo pushkatuar gjatë regjimit komunist.

 

Në atë mbledhje, kryeministri Ylli Bufi, ka përmendur një vendim qeverie që kishin nxjerrë për disa probleme që kishin të bënin me ish-të burgosurit politikë. Bufi ju bën thirrje në këtë mbledhje drejtuesve të dikastereve qendrore që të vepronin “me shumë përgjegjësi për ato çështje”.

Por ministri i Rendit Publik,  Bajram Yzeiri tregon hapur se nuk është dakord me nismën e qeverisë madje është i revoltuar që ministrisë që ai drejton i janë ngarkuar detyra pa pasur ai dijeni.

“Po bëhet dy herë rresht, që nxirren vendime qeverie, ngarkohet Ministria e Rendit pa qenë ministri ose njëri nga zëvendësat duke vënë detyra. Unë i shikoj të nxituara këto gjëra. Edhe intervistën e sekretarit të Këshillit të Ministrave, që tha se Ministria e Rendit të gjejë eshtrat dhe t’ua çojë nëpër shtëpira nuk e kuptoj. Ministria e Rendit nuk është komunale që të hapë varret, të gjejë eshtrat dhe t’ua çojë qytetarëve, se po e tha kështu atëherë nuk është mirë.

 

Prandaj në këtë drejtim ne kemi ngritur një komision në Ministrinë e Rendit dhe ato dokumente që ka Drejtoria e Burgjeve po shikohen e do t’ia përcjellim listën Ministrisë së Drejtësisë, sepse vetëm nga kartotekat gjyqësore, dokumentat do t’u përcillen komiteteve ekzekutive. Janë thirrur tërë drejtuesit nga rrethet, janë dhënë porositë se si do të veprojnë, por gjithmonë brenda detyrave tona, jashtë kuadrit tonë, ne nuk bëjmë”.

Ky reagimi i ish-ministrit të Rendit, paralajmëron gjithë sa do të ndodhte në Shqipëri për 3 dekada me radhë.

Vjeshta e vitit 1991 shënoi përballjen e parë të shtetit shqiptar të sapo dalë nga regjimi komunist me ish-të burgosurit e atij regjimi që kërkonin të rehabilitoheshin në shoqëri. Presioni ishte i madh e shumëkush mendoi se secili do të gjente të afërmit e zhdukur gjatë regjimit, apo se do të dëmshpërblehej për vitet e burgut politik, por koha dëshmoi se procesi i zbulimit të eshtrave të të zhdukurve do të zvarritej pa fund, dhe nuk u bë kurrë realitet në Shqipëri. Të dënuarit u mjaftuan me nga një vertetim për burgun politik e luftuan për 30 vite pa arritur ende të marrin dëmshpërblimin e burgut, pa pretenduar më tej të gjejnë drejtësi për krimet që iu shkaktuan për 45 vjet.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here