Nikoll Prenga: Ju rrëfej torturat e pathëna të burgjeve të diktaturës

0
216
blank

Tiranë, Elbasan, Reps, Skrofotinë, Spaç, Ballsh, Burrel, Qafë-Bari, Zejmen, Gjirokastër, Përparim...Nikoll Zef Prenga (Tuci) provoi punën e rëndë dhe dhunën e disa kampeve e burgjeve gjatë më shumë se 23 viteve të pandërprera të dënimit të tij. Kujto.al sjell rrëfimin e 89-vjeçarit i cili është dëshmitar i torturave dhe veprimeve monstruoze të gardianëve, që në Qafë-Bari, sipas Prengës, kanë arritur deri aty sa të tentonin të tridhnin disa prej të dënuarve

 

Nikoll Zef Prenga (Tuci), vuajti 23 vjet, 7 muaj, dhe 26 ditë burgim të pandërprerë, gjatë të cilave ndërroi rreth 15 vende të ndryshme dënimi, duke qenë kështu një njohës i rrallë i kampeve e burgjeve në të gjithë Shqipërinë, nga viti 1967 e deri në rrëzimin e diktaturës. U dënua dy herë. Për herë të parë, u arrestua në vitin 1967 dhe u dënua me 13 vjet heqje lirie për tentativë arratisjeje. Më 1981, teksa ishte duke vuajtur dënimin në kamp-burgun e Spaçit, u arrestua për agjitacion e propagandë dhe u dënua me 10 vjet burg. Në bashkim të dënimeve, iu dhanë 13 vjet e 8 muaj heqje lirie. U lirua përfundimisht më 10 janar 1991. Nikoll Prenga ka qenë i pranishëm në revoltën e Qafë-Barit në vitin 1984 dhe është dëshmitar dhe viktimë e torturave çnjerëzore ndaj të burgosurve.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri, kujto.al, ka biseduar me 89-vjeçarin, i cili ka rrëfyer kujtimet e gati çerekshekulli burg dhe torturat e pathëna që ushtroheshin nëpër burgjet shqiptare të diktaturës.

Zoti Prenga, ju u dënuat fillimisht me 13 vjet burg nga Gjykata Ushtarake Tiranë me veprim në Shkodër. Ku ju çuan pasi morët dënimin?

Mbasi u dënuam, nga hetuesia e Shkodrës, na transferuan me autobus në Tiranë, te 313-a. Atje ishte vendi i grumbullimit që vinin nga gjithë hetuesitë e Shqipërisë. Atje, ishin portë pas porte, të mbyllura me shul, plus porta kryesore. Na futën në kaush. Ishte një dhomë e madhe me krevate tek: diku krevate, diku flinim shtruar përtokë. Atje gjetëm një kolonel, Dilaver Radeshi që ishte para nesh, i dënuar 15 vjet.

Edhe më vonë, pas disa ditësh, na erdhi një i burgosur, i bërë kockë e lëkurë, nga Lushnja, kishte ca rroba, do gjëra... Edhe ky ishte Sytki Hoxha. Sytki Hoxha ishte bërë kockë e lëkurë. Edhe u mblodhëm të gjithë. Ai donte vetëm me pi duhan se s’kishte pirë duhan. Nga Gjakova ishte. Edhe kemi mbledhur të gjitha çfarë kemi mundur me i dhënë, hëngri, piu ujë, se atëherë kishte kërtolla (patate), nuk kishte 300 gramë bukë. Hëngri, u rregullua, u mbulua, u ul e fjeti atje përtokë, 24 orë s’i ka dalë gjumi. Mandej e takova Sytkiun në Burrel, kur ai ishte dënuar 5 vjet, i kishte vajtur 15.

Si ishin tre vaktet e ngrënies në 313-ën?

[Në mëgjes] kishim çaj. [Dreka] një supë me zarzavate, me atë silazhin e preshëve që ishin me krimba dhe dilnin në krye të kazanit dhe ne largonim krimbat edhe e pinim…çfarë të bënim?! Edhe darka.

Mund t’ju sillnin ushqime familjarët gjatë kësaj kohe?

Po. Në Tiranë më erdhi axha, më erdhën njerëzit e mi, kishin prurë do ushqime, por më thotë ai oficeri i rojës: Nuk gatuhet këtu. I thashë: Ne I hamë pa gatuar. Ishte mishi i thatë. Edhe porosita me na pru nja 5 bukë se ishte zi e madhe. Na pruri axha dhe nja 5 bukë, i bleu në Tiranë edhe do qepë, nga një kokërr qepë, i ndamë me të burgosurit…

Pas 313-ës, ku ju dërguan?

Ishim mbledhur nga gjithë Shqipëria, të paraburgosur që ishin dënuar nëpër hetuesira në Tiranë dhe nga Tirana, mandej, pas disa ditësh, nga fundi i gushtit, na çuan në Elbasan, te kampi i Elbasanit. Na futën brenda, pamë: ishte i rrethuar. Këtu pamë telat me gjemba për herë të parë, portat e fortifikuara, tri-katër porta…. Pasdite, kur erdhën punëtorët, që ishin 1200 punëtorë, të tërë me kasketa të bardha, ne që ishim atje u habitëm. Kishim me vete edhe një kolonel, gjeneral Dilaver Radeshi ishte burrë i mirë, po ishte dënuar dhe ai 15 vjet. Edhe punuam, na çuan në punë, me punu atje. Në këtë kohë, kishim vetëm 300 gramë bukë. Edhe në kaush në Tiranë, 300 gramë bukë, të tjerat kërtolla. Domethënë ne na mësoi Enver Hoxha me ngrënë se "kërtolla është edhe bukë, edhe gjellë".

Si ishte situata e përgjithshme në burgun e Elbasanit?

Ishte terror se Nevzat Haznedari kishte bërë disa vrasje, prerje, u ekzekutua Ali Maliqi, një burrë tepër i ditur, tepër i zoti, oficer i Naltmadhnisë, kishte qenë shumë burrë i mirë. E vranë para se me u liru. Edhe kampi kishte rënë në zi. Ishte vra, se u vra edhe një djalë i ri nga Vlora që desh me tentu me kalu telin. E motra duke e pritur atje në takim...

Mbetëm pa punë do kohë. “Rrini urtë se e di Zhulali sa lakra i vë kalit”, na thoshte, një oficer tepër, tepër i egër, tepër i rrezikshëm, por ne s’kishim çfarë të bënim, të burgosur ishim.

Si ndodhi që ju dërguan në Reps?

Tashti ne ishim në Elbasan. Na lanë nja 3-4 muaj pa punë se u mbyll fabrika e çimentos. E dorëzuam punën. Mbasandej, andej nga prilli i ’68-ës, na thonë para disa ditësh: Mblidhni plaçkat, qitini në oborr! I nxorëm zhelet të gjitha, fjetëm në dërrasa. Në Elbasan, ishin 3 kate, por Elbasani…kishin vra Ali Maliqin, ishte bërë terror, vranë edhe 3 të tjerë për hapjen e tunelit me dalë nga burgu. Atëherë, u nisëm, pas dy-tri ditësh, u nis karvani me të burgosur, Skoda të gjitha, ushtarë nga të katër anët, por ne u habitëm kur pamë gjatë gjithë rrugës prej atje deri në Spaç, në anë të rrugës që ishin tanksat, autoblindat e gjithë ushtarët ishin në gatishmëri, krejt Shqipëria, pse po lëviznin 1200 të burgosur, të lidhur me hekura, të lidhur me litar…ushtarë dhe policë kishim edhe në skodë.

Si ishte kampi i Repsit kur shkuat ju?

Kur pamë barakat atje, ato ishin baraka njëkatëshe, dykatëshe krevatet, edhe miniera ishte e tmerrshme, na u duk se na kishin çuar në një vend krejt acid, krejt ishte acid, por edhe uji që pinim, ishte me acid. Dhe këtë vend e kishte caktuar vetë Mehmet Shehu se “aty duan ata, në fund të kazanit”. Se ishte si me qenë një kazan.

Po kushtet në Skrofotinë kur shkuat më pas, si ishin?

U nisëm nga kampi i Spaçit, Repsit, rreth 70 persona të burgosur. Na lidhën, si gjithmonë, si ishte zakoni dhe na nisën. Ne nuk dinim nga shkonim, por kur kaluam në Tiranë, edhe atje pamë se ishim duke shkuar në jug. Edhe na çuan në Skrofotinë të Vlorës. Atje ishte kripore, që kishin punuar disa vjet të burgosurit, me e kthy në tokë buke. Ajo paska qenë kripore me rëndësi. Atëherë, pas pesë vjetësh që kishin bërë punë, puna shkoi kot dhe u kthyen, bënë kazanë. Deri në fyt ishte me ujë të kripur, që punonin njerëzit. Barakat ishin përreth në formë U-je dhe kishte një dalje me shku te puna dhe një dalje kur hyje nga komanda, sigurisht e blinduar. Na futën disa, për me trembë të tjerë, me punu prapë se prapë në regjim burgu, në një bunker. Se filluan njerëzit me u lodh e na futën në bunker. Kemi qenë 20 vetë në atë bunker, një varr për së gjalli.

Nga Skrofotina në Spaç, mandej në Ballsh dhe pastaj në Burrel. Ju kujtohet kur ju nisën për në Burrel?

Në vitin 1974, një ditë të bukur, në mëngjes herët, erdhën befasisht na nxorën nga ai bunkeri që ishte në Ballsh, një burg-bunker, ishim njëzet vetë. Na morën një nga një e na futën në autoburg. Në autoburg ishim unë, Dom Nikoll Mazreku, Padre Gegë Lumaj, një Mhill Gjinaj e shumë të tjerë dhe na lidhën me hekura në zero dhe duar pas shpine. Ato zhelet që kishim atje, i futën ata në makinë edhe kur kaluam Ballshin, filluan me na kullu gishtat gjak…Unë shihja shokët se veten s’kisha si me e pa. U mora lejë atyre që unë du me bërtit. Edhe bërtita në kupë të qiellit: “O kriminelë, a doni me na i zgjidhë duart e me na i sjellë përpara si është rregulli i transferimit? Atëherë, unë do bërtas deri atje ku do na çoni”. Atëherë e ndaluan autoburgun edhe na i liruan duart, na i kthyen përpara, edhe të tërëve po na kullonin duart gjak. Edhe mbërritëm në Burrel.

Qëndruat në Burrel rreth 5 vjet dhe më pas ju kanë rikthyer sërish aty në periudhën 1982-1983? Si e kujtoni burgun e Burrelit?

Unë kisha një palë opinga thesi që i kisha përgatit më përpara dhe një thikë me e pas, se në Burrel, unë s’kisha fuqi me përballu të keqen. E kisha futur mes opingave me thes dhe pata mundësinë me e fut brenda në Burrel. Kështu që kur hymë në dhomë, në atë dhomë, ato ishin për 18 vetë, ne na fusnin 32: 40 cm vend që duhej me njoftu njëri-tjetrin për me u rrotullu. Edhe kam kaluar disa vjet atje, kam…kena pas doktor Jetullah Gashin, nga Kosova, plot njerëz, Sytki Hoxha, nga Gjakova, i cili ka vdekur në Gjermani.

Si ishte ushqimi në Burrel?

Ushqimi ishte si mos më keq. Edhe ndonjëherë, kur na jepnin grosh, një herë në 15 ditë, atëherë ishte që mund ta haje…atë racionin, 600 gramë ishte, por nuk ishte asnjëherë 600 gramë. E hanin përnjëherë sidomos djemtë e rinj. Kur kishte ndonjë lëng groshi, ishte si një lloj feste për atë ditë kur kishim atë lloj gjelle.

Sa herë dilnit në ajrosje?

Në ajrosje dilnim dy herë, ishte për nga 1 orë: 1 orë paradite, 1 orë pasdite, por zakonisht 45 minuta, se na i hanin ata rojet.

Për në banjë, kur isha unë, e kishin liruar pak, se më përpara ka pasur qypa, për të kryer nevojat brenda qelisë. Kurse tani e kishin leju. Vetëm natën nuk ta hapte kurrkush, edhe me vdek aty... edhe kishim nga një pagure për ujtë e hollë edhe nga një gavetë me kapak për ndonjëherë që mund të kapte barku.

Ju ka mbetur diçka në mendje nga burgu i Burrelit?

Kur më kanë futur në një birucë mua atje, se dënoheshim herë pas here, ishin të programuara se kush do futej, edhe kam parë në mur dorën e Dom Simon Jubanit, e bërë me gjak. E kishte vënë në mur, edhe e kishte rrethuar dhe kishte shkruar: O Zot na ndihmo me na pshtu nga bisha e kuqe!

Po në Qafë-Bari kur keni shkuar?

Në ’83-shin, kam shkuar atje, ’83, fillimi i ’84-ës derisa ndodhi revolta e Qafës së Barit. Si vend ishte shumë vend i mirë, me pyje, pisha, i rrethuar, një krua me ujë, dimër e verë, ajo miniera, do ecnim lart, përpjetë. Ishte ajo zgarvella që futeshim brenda. Njerëzit dilnin të tërë të zinj prej pluhurit dhe qymyrit.

Si ishin kushtet për të burgosurit në Qafë-Bari?

Ushqimi diçka për ata të nëntokës, mirëpo derisa shkonte te ai që e hante, kalonte nëpër dorë të tjetërkujt, kështu që…kushtet mizerje dhe …sidomos, për çdo të shtunë, ai Edmond Caja organizonte me policinë dibrane, me atë Rizanë e do të tjerë që ishin specialistë të burgut të Bulqizës ordiner…edhe donin me i tredh djemtë e rinj.

Bëhej kjo në Qafë-Bari?

Po, po bëhej, e bënte Rizai, një polic atje, krejt ata policët e Dibrës.

Dikush që kishte qenë në burgun e Bulqizës, e kishte ditur edhe erdhën këto batanijet e reja dhe i bënë pantallona …të paktën të shpëtonin mos me i tredh. I tridhnin, i përdridhnin bo…

Si ishte puna në Qafë-Bari?

Në minierë punohej shumë, punonin të gjithë me thënë të drejtën, por trajtimi ishte skandaloz.

Ishte me vagona norma?

Me vagona, biles një herë u rrëzua një vagon e zuri një brigadier, që ishte atje në fund, edhe duke i thënë ata: mos rri aty! I ra vagoni, nuk pati faj kush.

Ju jeni një nga viktimat e dhunës së ushtruar pas revoltës në Qafë-Bari. Çfarë kujtoni nga ajo ngjarje?

Në ’84-ën, më 22 maj, na kanë torturu 4 orë në Qafë-Bari dhe prej aty, 4 orë deri në Pukë duke na rrah dhe makinat ecnin gjysmë ore rrugë për 4 orë dhe sambistat na qëllonin.

Dhe këmishat e ngjitura në trupat tanë. Dikush theu krahun. Ai djali nga Elbasani, që kanë qenë tre vëllezër, Ceni (Hysen Tabaku) theu krahun, sakatosur… Sokol Zefi, gjashtë policë i hipën përsipër dhe shumëkush shkruan dhe nuk e thotë të vërtetën se s’e ka pa. Këmishat të ngjitura në trup me gjak. Jashar Meka dhe Qemal Dema kur kam shkuar në Zejmen, kanë marrë lejë te ai, që ishte kryetar i zyrës teknike, ka qenë kryeinxhinier për Elbasanin, gjeolog, me ujë të vakët ma kanë hequr mua fanellën./kujto.al/gusht 2024

 

Vendet e vuajtjes së dënimit të Nikollë Prengës, sipas viteve:

1967-1968, Reparti nr.303 Elbasan

1968-1970, Reparti nr.303/1 Reps

1970-1971, Reparti nr.309 Skrofotinë

1971-1973, Reparti nr.303 Spaç

1973-1974, Reparti nr.309 Ballsh

1974-1979, Reparti nr.321 Burrel

1979-1981, Reparti nr.303 Spaç

1982-1983, Reparti nr.321 Burrel

1983, Reparti nr.302 Zejmen

1983-1984, Reparti nr.311 Qafë-Bari

1984-1985, Reparti nr.302 Zejmen

1985-1986, Reparti nr.303/1 Gurth Spaç

1986-1987, Konvaleshencë

1987-1988, Reparti nr.325/1, Kompleksi “Dinamo” Tiranë dhe një pallat

1988-1989, Reparti nr.327 Gjirokastër

1989-1990, Reparti nr.305 Përparim

1990-1991, Konvaleshencë

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here