Dokumentari “Mall për me këndue”

0
1192

Një dokumentar kushtuar Gac Çunit, muzikantit shkodran që mbylli sytë në moshën 30-vjeçare në burgun e Burrelit. Gac Çuni është kompozitor i këngës shumë të dashur për Shkodrën, “Kaçurrelat e tu”. Si u shua zëri i djaloshit shkodran në qelitë e burgjeve komuniste; dëshmia e vëllait dhe mikut të tij të qelisë, në çastet e fundit të jetës; si u kthyen në Shkodër këngët e Gacit, nga bashkëvuajtësit e tij. Historia dhe brenga e Gac Çunit për vajzën me kaçurrela.

Nga Luljeta Progni

Gac Çuni ishte një djalosh shkodran, që këndonte si askush tjetër në qytet. Ishte rritur në një ambient familjar e shoqëror ku muzika nuk mungonte kurrë. Në familjen e tyre miqtë priteshin gjithmonë me këngë.

Mbrëmjeve, bashkë me vëllain e tij, Lazrin, e shokët që i bashkonte muzika, Gaci merrte kitarën e këndonte. I këndonte lirisë, qytetit të tij të dashur, Shkodrës, i këndonte të bukurës, dashurisë.

Gac Çuni, lindi në Shkodër më 6 korrik 1926. Filloi arsimimin në shkollën “Skënderbeg” Shkodër, vazhdoi studimet për 4 vjet në gjimnazin e Jezuitëve dhe 4 vjet të tjera në gjimnazin e shtetit. Vitin e fundit u sëmur rëndë nga tuberkulozi, disa muaj para përfundimit të shkollës dhe nuk arriti të diplomohej. Pasi u përmirësua nga shëndeti, nisi punë si mësues në Malësinë e Mbishkodrës, në Kastrat.

E donin dhe e admironin të gjithë. Miqtë e tij tregojnë se ishte tip sportiv, i shkathët, i zgjuar, shumë miqësor, i paqtë, por mbi të gjitha me një pasion të rrallë për muzikën. Në moshë të re kishte mësuar t’i binte kitarës, e më pas ishte angazhuar në korin Scuola-kantorum të Kishës Françeskane.

blankGaci këndonte një repertor të pasur me këngë shkodrane, spanjolle e italiane, por kishte kompozuar edhe disa këngë frymëzuar nga muzika e bukur popullore shkodrane.

Ai krijoi vargje e melodi për qytetin e tij të lindjes, natyrën e bukur që e rrethonte, traditat e trimërinë e të rinjve shkodranë dhe dashurisë së dlirë. Skena e tij ishin rrugicat e Shkodrës e muza e tij vetë shpirti i qytetit. Gaci e shprehte çdo ndjenjë të bukur me këngë. Këndonte serenata rrugicave të bukura të qytetit përmes dritash të zbehta poshtë dritareve, ku shquheshin siluetat e vajzave të bukura që e prisnin çdo natë këngën e Gacit. Ato serenata që më së shumti i dedikoheshin njërës prej tyre… e poshtë dritares së saj, këndoheshin ëmbël, me pasion rinor e me zë dashurie për atë vajzë me kaçurrela.

Kënga pushoi natën e 1 shtatorit të vitit 1946 sepse Gaci ishte arrestuar atë ditë nga sigurimi i shtetit, në Radio Shkodra, ku kishte shkuar për të kënduar një prej këngëve të blanktij. Që prej asaj dite kënga e Gacit nuk u ndje më. Kaçurrelja nuk do ta dëgjonte përsëri zërin e ëmbël, rrugicat nuk do ta prishnin më qetësinë me tingujt e kitarës së tij, e prindërit nuk do ta kishin më pranë birin e tyre. E prangosën në moshën 20-vjeçare, për të filluar kalvarin e gjatë të torturave në qelitë e hetuesisë për më shumë se 15 muaj. Gac Çuni, bashkë me Ndrekë Temalin e Lorenc Dedën ishin shënjestruar prej regjimit, si shumë prej të rinjve shkodranë që nuk e donin regjimin komunist dhe u arrestuan brenda tri ditëve. Në procesverbalin e dosjes hetimore, Gaci shënohet të ketë thënë:

“Ne, në të vërtetë nuk kemi pasun nji grup t’organizuem, po kemi qenë nji rreth shoqërije me mendime të njajta. Kur mblidheshim shoqnisht flitshim për politikën e jashtme, se si nuk pranohej Shqipnija n’Lidhjen e Kombeve. Kemi bisedue me Paulin Ternakun kundra partisë, tue thanë se këta janë horra e tue fol kundra Enver Hoxhës e Koçi Xoxes, tuej thanë se këta janë teneqexhinj e nuk dinë me drejtue qeverinë.”

Mbi të u ngarkuan akuzat e zakonshme për veprimtari armiqësore ndaj regjimit dhe pas një procesi të gjatë nën torturat ç'njerëzore të hetuesve. Më 5 dhjetor 1947 gjyqi dha një vendim edhe 5 vjet më tepër nga sa kishte kërkuar prokuroria: 20 vjet privim lirie me punë të detyruar. Gjatë kohës të qëndrimit në hetuesi, aty ku kishte qenë Kisha e Françeskanëve, Gaci i sëmurë nga tuberkulozi, u shtrua në spitalin e qytetit ku punonte sanitare e motra, Maria. Doktor Karagjozi u tregua dashamirës ndaj tij dhe e lejoi Marien e të afërmit ta takonin Gacin herë pas here. Pasi e mori veten, e morën përsëri në hetuesi për të vazhduar me torturat e përditshme.

Pasi mori dënimin, Gaci u transferua në kampet e punës së detyruar të Maliqit dhe të Bedenit, Kavajë, bashkë me rreth 2500 të dënuar të tjerë, intelektualë, shkrimtarë, muzikantë, klerikë, profesorë me tituj në Universitetet Evropiane dhe tregtarë.

blankKushtet ishin aq të vështira saqë Sami Repishti do t’i quante bashkëvuajtësit e tij aty “kufoma lëvizëse”.

Bënin më shumë se 3 orë rrugë për të shkuar te vendi i punës, punonin më shumë se 10 orë të zhytur në baltë deri në brez e duronin fyerjet dhe torturat e togerëve injorantë.

Që vitin e parë më shumë se 60 të dënuar lanë eshtrat nën baltën e kënetave, përfshirë edhe inxhinierët që u shpallën grup sabotator e u pushkatuan në Maliq, ndër ta edhe Zyrika Mano, e cila ishte shtatzënë. Ndërsa qindra të tjerë u sëmurën rëndë dhe u zëvendësuan me të burgosur të tjerë politikë.

Në ato kushte, Gaci u sëmur përsëri dhe e larguan nga puna e vështirë e hapjes së kanaleve. Për pak kohë u kurua në spital, e më pas e dërguan në burgun famëkeq të Burrelit.

blank“Është natë prilli dhe Gaci është duke kënduar në qelinë e tij…zëri i tij i ka përpirë të gjitha klithmat prej torturash që gozhdojnë shpirtra të pafajshëm në ato biruca të errëta. Për një çast dhimbja largohet. Mendjet e shpirtrat enden të lirë ndër kujtime rinie. Ashtu, përmallshëm, vjen zëri i ëmbël, kënga e dashurisë për vajzën me kaçurrela, kujtimet e imazhit të saj të tretura si hije e largët në rrugicat e Shkodrës”. Në burg bashkë me shumë shokë të tjerë, do të përpiqeshin me mbinjerëzoren e tyre, për t’i mbijetuar torturave të pamëshirshme të xhelatëve komunistë, punës së detyruar në minierë dhe urisë... Por Gaci, kishte edhe një dënim më tepër; I ndalohej të këndonte!

Shpesh herë shokët i luteshin të këndonte për ta dhe Gaci ia fillonte këngës, edhe pse e dinte se do të përfundonte në birucën e izolimit.

***

Sapo ka hyrë prilli. I dhjeti që kur Gaci është mbyllur në qelitë e errëta. Shkodra me rrugicat e saj vazhdojnë ta presin. Edhe për 4 muaj do të rikthehej sërish në qytet sepse kishte përfunduar dënimin. Zëri i tij do të kthehej…

blankVëllai i tij Lazri kishte shkuar për ta takuar sepse nuk e dinte se së shpejti Gaci do të lirohej. Për shkak të disa faljeve, Gaci do të lirohej në pranverën e vitit 1956. Kur Lazri e mori vesh se do të lirohej i vëllai u gëzua shumë, por e pa të shqetësuar Gacin… kishte një hall të madh se nuk kishte tesha të bukura me veshë kur të lirohej…

Ja çfarë tregon nga biseda e tij e fundit me Gacin, vëllai i tij Lazri, në një bisedë radiofonike të viteve '90, me kompozitorin e njohur Zef Çoba.

"Shkova, dhe e takova. Më thotë: Tashti shkoi e shumta, mbeti e pakta.   Mor’ vëlla... Mir’po, u ngurru, nuk mujte me m'dëftu. I thashë: Më dëfto, ça ke?

M’thotë që: Sikur të dal,  nuk kam do tesha. Iu përgjigja: Kam unë, mos ki merak."

Donte të kthehej elegant, sa më i bukur e i gëzuar… kushedi sa kohë e kishe ëndërruar atë moment kur me kitarën në dorë t’ia niste këngës në krye të rrugicës te dugajt e reja… e atje në dritare do t’i dilte kaçurrelja…..

Po Gaci nuk ka shumë kohë. Është mbërthyer nga meningjiti dhe temperatura e lartë nuk i ndalet…. duhej vetëm një penicilinë që t’ia ulë temperaturën, por xhelatët nuk duan t’ia japin. Gacin e mban gjallë gëzimi se do të shkojë te shtëpia, të nana e kaçurrelja… E ka mundur dhimbjen për dhjetë vjet në ato biruca të frikshme torturash e s’ka se si të dorëzohet tani në fund për dy javë… por jo se trupi i ligsht i Gacit ka mbaruar… nuk ka më fuqi të mposhtë sëmundjen… është duke pirë cigare përbri shokut të tij të qelisë, Xhevatit. Papritur Gaci nis e mbështetet për mur deri sa rrëzohet përtokë, i lëshon duar e këmbë si të mos ishin të vetat… cigaren e ka në cepin e buzës. Xhevati shoku i tij i dhomës e sheh se Gaci po shkon drejt fundit.

blankJa si i tregon çastet e fundit të Gac Çunit, shoku i tij në qelinë e burgut të Burrelit, Xhevat Meta:

"Me Gacin kam ndenj' n'Burrel, n'një dhomë, gati 5-6 vjet, se ai vdiq përpara, para se me dal' ne. Ka kenë benjamini i dhomës, e kena dasht fort. Vdiq prej Meningjitit. S'kishim ku me i gjetë penicilinat se kushtonin 1 mijë lekë copa. S'kishim paré për me i ble'. Ka vdek' në duart e mia. Ka pas përbri edhe Arshi Pipën, e të tjerë, por sidomos Arshinë, se dhe ai e donte fort. U këput. Pa prit, pa mendu. Tue pi duhan ka kenë. Ma harroi edhe emrin.

Më pyeste: A je Xhevati ti, a jo?

-Mos u tall Gac!

E pashë... At’herë u shtri. U shtri e filloi... njihet i dekuni, se jena mësu atje me pa tu dek’. Shtrin duart e këmbët...

At’herë i thashë: Kujtoje Zotin se po t’ndihmon!

-S’di, tha. -Po të mësoj unë.

Unë mbaja mend “T’falemi Mari”, megjithëse jam musliman. I thashë: Unë po e lexoj, po e them me gojë, ti më ndiq! Mendoj se aty vdiq...

Kur e kam hap batanijen për me e vesh’, me e pastru,  me e la, me teshat që ato që kishte e të tjera,  që i falshin edhe shokët. E bamë si nuse... Veç ësht’ mbushur dhoma me avull. Katërdhet e katër mund ta ketë pas’ temperaturën. Kaq i sëmurë qe! Përnjiherë vdiq. Menjiherë e këputi. At’herë, mbasi e vesha krejt... I pata premtu’ ma përpara, me kohë, se e kishte afër me dal’ prej burgut, unë kisha shumë vjet me ba, i thashë: Gac, unë s’kam me dal’ gjallë, s’ma merr mendja se dal gjallë. Po t’jap një letër e çoja nënës. Ça të ket’ rujt tesha t’i fali ty se m’bahet qejfi.

Edhe e përgatita atë letrën. Kur vdiq, atë letër ia kam fut’ në xhep. I thashë: Merre me vete dhe jepja nënës atje, se edhe ajo do të ketë vdekur... Takoheni ndokund."

Tingujt e këngëve të tij të krijuara në burg, kanë ardhur prej kohësh në qytetin e Shkodrës, por Gaci nuk u kthye kurrë më në qytet…

Ata që i mbijetuan burgut të Burrelit i mësuan këngët e Gacit dhe i përçuan anembanë. Por një prej tyre, kënga “Kaçurrelat e tu”, ishte e parapëlqyera.

Ahmet Kopliku, një prej bashkëvuajtësve të Gacit, i përcolli notat dhe tekstet e këngëve të Gac Çunit tek Shyqyri Elezi, i cili ishte një këngëtar tjetër shkodran, që s’mund të këndonte në skenë, sepse tre vëllezërit dhe i ati ishin të burgosur politikë, por e këndoi këngën nëpër dasmat e gëzimet familjare. Sapo i ra në dorë kënga “Kaçurrelat e tu”, Shyqyri Elezi e këndoi në dasmën e parë dhe kënga u përhap nëpër qytet për t’u kënduar ashtu fshehurazi, por shpejt zuri vend mes këngëve më të dashura të qytetarëve shkodranë. Kënga u ngjit në skenën e vet dhe mbeti aty për t’u kënduar edhe sot me aq pasion e dashuri nëpër serenata, dasma e gëzime, si një ndër më të bukurat këngë për dashurinë./kujto.al

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here