Dokumenti i 1946/ Të arratisurit, faji i vetëm “Nuk u dorëzohen komunistëve”

0
412
blank

“Kur do të demaskojmë në popull reaksionarët, duhet të dalin përgjegjësat, si Fiqiri  Dine, Hysni Dema, Dan Kaloshi, Cen  Elezi, Bilal  Kola etj, por të mos harroni që të theksoni se të gjithë ata që janë në mal, janë fajtorë qoftë se s’kanë bërë gjë, por që nuk dorëzohen....”

Kjo qarkore e shpërndarë në ditët e para të gushtit 1946, në Dibër e Mat, për gjithë strukturat partiake komuniste atje, është shembulli më i pastër se si i eliminuan kundërshtarët e komunizmit, duke përdorur çdo mjet sado të ulët. Qëllimi i vetëm dhe i patundur i komunistëve ishte asgjësimi i kundërshtarëve politik dhe prerja e çdo ndihme që ata mund të merrnin në popull, gjatë kohës së vështirë të arratisë së tyre në mal.

Propaganda e komunistëve kundër tyre ishte një prej armëve, ndërsa dredhitë, mashtrimi, spiunimi, kërcënimi dhe dhuna e hapur në popullsinë e pafajshme ishin disa prej mënyrave të tjera.

Në një varg dokumentesh të verës së 1946, zbulohen pothuajse gjithë metodat kriminale të ndjekura në Dibër e Mat, për të eliminuar aty kundërshtarët politik të komunistëve, faji i vetëm i të cilëve ishte se dikur kishin qenë “bajraktarë” apo se “ishin kundër regjimit komunist” dhe “nuk dorëzoheshin e të binin në burg”.

Për të zbuluar se me ç’mjete punonin komunistët, për të luftuar kundërshtarët, lexoni më poshtë dokumentin e zbardhur nga “Kujto.al”.

 

KOMITETI QARKOR I P.K.SH.    PËR PESHKOPINË

Nr. 43/6 Res.

Peshkopi më 3-8-946

GJITHË KOMITETEVE TË PARTIS TË N/PREFEKTURAVE DHE KOMITETIT QARKOR TË RINIS K.SH.

K Ë T U

Të dashur shokë!

Çështja e reaksionit qëndron një problem me rëndësi për qarkun t’onë. Ju e shihni se me përjashtim të Matit ku atje qëndron më ndryshe, gjendja ka ndryshuar shumë. Janë vrarë, kapur dhe dorëzuar me dhjetra të arratisur, armiq të popullit dhe që akoma vazhdon ky rithmë.

Këto rezulltate janë frutet e një pune të gjithëanshme, të operacioneve që bënë forcat e Mbrojtjes, të rjetit informativ, i mobilizimit t’organizatës dhe të popullit në këtë drejtim. Sot ne kemi situatën në dorë. Për ta mbajtur këtë duhet ta shohim konkretisht si u arrit kjo gjendje dhe çduhet të bëjmë. Sukseset dhe enthusiazmin që është krijuar në popull e organizatë ta shfrytëzojmë për suksese të reja deri në likuidimin e tyre. Është për tu theksuar që të mos kënaqemi dhe të flemë mbi dafina, pse çdo tërheqje nga ana t’onë është një sukses për mbeturinat e rreaksionit për të marrë vehten ose për tu riorganizuar.

Parrulla t’onë është për likuidimin e gjithë të arratisurve. Përpara kësaj gjendje cilat janë detyrat t’ona:

Né dhe i gjithë populli duhet ti shikojmë këto suksese si rrezulltat të punës t’onë. Prandaj organizata duhet ti popullarizojë sidomos pjesëmarrjen e popullit në këtë veprim. Të dalë e kjartë se populli nuk u jep bukë, i kap vetë p.sh. Mahmut Kaloshin, Isa Xhetatin etj. dhe si rrezulltat të punës t’onë agitative duhet që populli t’armiqësohet me elementat e arratisur dhe miqt e tyre dhe të shikojë se çdo gjë e keqe u vjen prej tyre.

Duhet ta njohim mirë rreaksionin, prej kujt përbëhet. Reaksioni është ana e kundërt e interesavet të popullit. Ay është i pa pajtushëm me punën e popullit prandaj né duhet ti gjejmë ku e ka burimin. Kundërshtarët t’anë në qarkun t’onë janë mbeturinast e bajraktarëve dhe të parive të mbështetur në njerzit e privilegjuar të regjimit anti-popullor të Zogut si oficera e mercenarë të ndryshmë. Duhet të kini kujdes se bashkë me t’aratisurit kanë shkuar edhe njerës prej popullit të lidhur me ta nga miqësira ose nga forca e zakonit që janë të një randësi të dorës dytë. Këtu del çështja e diferencimit. Kur do të demaskojmë në popull reaksionarët duhet të dalin përgjegjsat, si Fiqiri  Dine, Hysni Dema, Dan Kaloshi, Cen  Elezi, Bilal  Kola etj. por të mos harroni që të theksoni se të gjithë ata që janë në mal janë fajtorë qoftë se s’kanë bërë gjë, por që nuk dorëzohen.

Në qoftë se ndonjë don të dorëzohet le të vijë të paraqitet në pushtet ose në Mbrojtje pse vetëm në këtë mënyrë do të lehtësojë fajin e bërë. Ju nuk duhet t’u luti ose të bëni konçesione. Ju i njohni gjithë t’aratisurit e N/Prefekturës t’uaj. Për se cilin bëni një politikë si mbas personit. Kur është i dorës dytë ndërmjetësoni duke dërguar ndonjë njeri të afërt ose mik të tij për tu dorëzuar, por që ky veprim s’duhet të tregohet si kur i lutni. Ku kini mundësi shfrytëzoni armiqësit personale të tyre për të patur rezulltate.

Né mund të ndihmojmë S.S. Shtetit duke zbuluar strehusit e tyre dhe elementat e dyshimtë që janë besnik të tyre.

Sukseset që kemi patur dhe që do të kemi janë rezulltati i një lufte të ashpër që bëjnë forcat të ndihmuar nga populli. Prandaj duke u treguar grushtin kundërshtarëve, të punojmë që ata të kapitullojnë para forcave të mbëdha të pushtetit t’onë.

Këto ditë do të rifillonjë nji operacion dhe njëherë më i madh se ay i pari. Organizata e Partisë duhet ta çmojë këtë punë, të mobilizojë të gjithë forcat e popullit në këtë drejtim.

Ky problem duhet të mbahet shumë konspirativ dhe ngarkohet me përgjegjësi direkt komiteti dhe veçanërisht sekretari.

Ju duhet t’a shtroni këtë problem si mbas udhëzimevet të dhëna me gojë dhe si mbas kësaj letre. Na njoftoni mënyrën e të shtruarit dhe mbi zhvillimin e punës.

Shtojmë që kur mobilizohemi në një drejtim nuk do të thotë të arrojmë problemet e tjera si çështjen e rindërtimit, realizimin e planit, zgjedhjet e reja të Frontit që duhet të jenë bërë mbrënda Gushtit si mbas urdhëzimeve që do tu japim më von.

PËR KOMITETIN QARKOR TË P.K.SH.

(Gaqi Nesho)

(firma, vula)

blank

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here