Letra e nënës së Barbara Orgockës drejtuar E. Hoxhës: Edhe nazistët ishin më tolerantë në kampet e shfarosjes

0
257
blank

Burgosja e Barbara Orgockës në Shqipëri, solli shqetësim edhe për familjen e saj në Poloni. Ata nuk reshtën përpjekjet për ta liruar atë. Më 18.2.1971 i ngarkuari me letrat e popullit në KQ të PPSH-së, i dërgon MPB-së letrën e nënës së Barbaras drejtuar E.Hoxhës. Zëvendësministri Feçor Shehu. Me shkrim të keq lë këtë shënim: “Kjo letër është e diktuar dhe me qëllime të ulëta. Çudi! Si nuk ia mori mendja, megjithëse të gjitha i ka bërë vetë por kontrabandën... “. Shënon se do ta bisedonte me ministrin. Barbara këtë kohë vuante dënimin në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. E kishin masakruar fizikisht dhe shkatërruar mendërisht.

blank
Barbara Orgocka ne Poloni

Letra:

Shokut Enver Hoxha, sekretar i parë i Komitetit Qendror të PPSH-së.
Ju drejtohem për herë të dytë në lidhje me çështjen e vajzës sime të quajtur Barbara Gluc Orgocka, e cila gjendet në Shqipëri që nga viti 1956, e dënuar nga gjyqi shqiptar me burgim të përjetshëm, për arsye që për mua deri tani janë të paditura.
Ashtu siç ju kam shkruar dhe në lutjen e parë datë 18.8.1970, për mua është e rëndë që të pajtohem me atë që vajza ime mund të ketë kryer ndonjë veprimtari kundër popullit shqiptar. Disa herë jam drejtuar me lutje pranë përfaqësisë shqiptare në Varshavë për të vizituar vajzën time. Deri tani nuk kam marrë asnjë përgjigje.
Unë njoh nënë së cilës Hitleri, i urryeri nga gjithë bota, i liroi djalin nga burgu, ndërsa vajza ime jeton në Shqipërinë e lirë. Njerëzve të burgosur në kampet e shfarosjes së hitlerianëve u lejohej që familja t’u dërgonte pako ushqimesh. Kurse unë jo vetëm që nuk mund t’i dërgoj një kothere bukë, por as të shkëmbej disa fjalë me anën e letrave. Ju deklaroj se bashkëshorti im, babi i vajzës sime, ka qenë disa vjet rob lufte në kohën e pushtimit dhe unë isha e lirë t’i dërgoja pako dhe letra.
Ju lutem juve që të më jepni mua vajzën dhe fëmijët e saj, sepse ajo nuk kishte mendje fëmijësh. Edhe njëherë nuk besoj se ajo mund të kryente veprimtari armiqësore kundër popullit shqiptar në atë masë sa ajo të dënohej me dënim kaq të lartë. Fëmijët e vajzës sime, që të dy të lindur në Poloni, vajza i ka regjistruar në pasaportën e saj konsullore. Ju lutem juve në mënyrë të përzemërt mbi këtë që të m’i lejojnë të vijnë pranë meje në Poloni, meqenëse unë, në kohën më të madhe të jetës sime, ia kam përkushtuar edukimit të tyre. Zemra më çahet nga sikleti se unë nuk kam të drejtë në fakt as të shihem me ta.
Ju lutem të më falni që ju shkruaj polonisht, por nuk kam asnjeri që të ma përkthejë, kurse në Tiranë ka polakë të cilët flasin në radio. Ne ata dëgjojmë. Veç kësaj, për t’ju shkruar juve në gjuhën polake, nuk kam pengesa. Edhe një herë, në mënyrë të ngrohtë, ju lutem që lutjes sime t’i jepni një përgjigje pozitive”.

 

Në foton kryesore: Vasil dhe Barbara Orgocka 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here