Kur dënoheshin bijtë dhe bijat e armiqve

0
170
blank

Nëse diktatura shpallte armik dikë, do të thoshte se i ngjiste një tipar i cili, në sytë e regjimit, ishte më i rëndësishmi. Gjithashtu, për regjimin, ky tipar ishte i trashëgueshëm. Kështu pasardhësit e të dënuarve politikë mbaheshin nën survejim dhe jetonin me kërcënimin e dënimit, që shpesh kthehej në realitet. Siç ka ndodhur me bijtë, bijat dhe të afërmit e disa të dënuarve të zonës së Përmetit

Nga Xhafer Sadiku

Në vitet që do të vinin, do të përdorej më tepër mënyra e arrestimit përpara popullit të brezit të dytë të familjeve të goditura nga sigurimi.

Rasti më tipik ishte arrestimi i bijve të Kolo Zoraq Stefanit (pushkatuar në vitin 1952-kujto.al), në fshatin Draçovë. Kështu, më 15 dhjetor 1975, sigurimi inskenoi një mbledhje të fshatit dhe arrestoi Foto Stefanin. Nuk kishte bërë asnjë faj, por duhej të arrestohej si hakmarrje për të vëllanë që kishte ikur në Greqi, për të cilin Foti nuk kishte pasur dijeni. Në fakt, që me largimin e vëllait atë e kishin vënë në përpunim paraprak, ndërsa brenda 13 ditëve, punëtori operativ, Frederiku, studio rrethin shoqëror dhe personat tek të cilët kishte besim Foti dhe realizoi me ta skemën e goditjes. Frederikut iu krijua “bindja e plotë se ky person nga dita në ditë mund të arratisej jashtë shtetit”, dhe u propozua menjëherë për goditje. Madje ishte rast i rrallë, që materialet u çuan në Tiranë dorazi, “u muar sanksionimi, u realizua goditja e tij”.

Sigurimi bëri kombinacione që të implikonte Fotin në një “grup”, sikur kishin pasur plan të arratiseshin në Greqi, madje u përdor edhe agjentura e birucave, por qëndresa e tij bëri që të dështonte kombinacioni në fjalë. Foti u dënua rëndë, ndërsa Varica Nakollari, një kushërirë e tij, u internua në fshatrat në brendësi të rrethit.

Të nesërmen e arrestimit të Fotit, më 16 dhjetor 1975, në një mbledhje të organizuar në Leskovik, u arrestua motra e tij, Evgjeni Ngjelo, e martuar atje. Atë e akuzonin për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Në fakt, regjimi klasifikonte si agjitacion dhe propagandë besimin te Zoti. Këtë kishte bërë Evgjenia: kishte mbajtur në banesën e saj një ikonë të Shën Mërisë. Bëri 7 vjet burg.

Ditët që Foti plotësonte dënimin prej dhjetë vjetësh dhe priste të lirohej, zbarkoi në burgun e Spaçit, Frederiku, punëtori operativ, së bashku me shefin e tij. Ata i propozuan të bashkëpunonte me ta, në të kundërt, i lanë të kuptonte se do të ngelej aty.

Me gjithë presionin, Foti refuzoi me përbuzje. Pas dhjetë vjet vuajtjesh nëpër burgje e liruan, për ta vënë përsëri nën kontrollin agjenturial-operativ të sigurimit.

blankTefta Tasi. Të njëjtën fat patën edhe bijtë dhe bijat e përmetarëve të dënuar që jetonin në rrethe të tjera. Këtu përmendim arrestimin dhe dënimin e Tefta Tasit, bijës së juristit dhe politikanit të njohur Koço Tasi (i dënuar me burg, bashkë me të vëllanë, xhaxhanë e Teftës, Akile Tasi- kujto.al). E lindur në Athinë më 1933, ajo ishte diplomuar për letërsi në Institutin e Lartë në Tiranë. Në vitin 1975 e internojnë në Grabian të Lushnjës, ku vihet në përpunim aktiv nga sigurimi (u internua familjarisht -shënim i kujto.al).

…Më 17 tetor 1979 e arrestojnë dhe më 27 dhjetor 1979 e dënojnë me 8 vjet burg për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

…Në vendimin gjyqësor, gjykata shprehet: “Ajo nuk e harron aspak të kaluarën, nuk i harron aspak pindërit e të afërmit e saj, të cilët megjithëse janë dënuar nga Pushteti ynë Popullor për veprimtarinë e tyre armiqësore, ajo ruan dashurinë e respektin e saj duke e konsideruar dënimin të padrejtë.

Maksim Rakipaj. Ndër të dënuarit e tjerë të familjeve të cilësuara kulak, ishte edhe Maksim Rakipaj. Ai u dënua në prill 1977, për agjitacion e propagandë, për t’u liruar në shtator 1984, pasi vuajti në burgjet e Ballshit, Spaçit dhe Qafë-Barit. Pas lirimit nga burgu, e lanë për muaj të tërë pa punë, për shkak të refuzimit të tij për të bashkëpunuar me sigurimin e shtetit.

Më herët, në vitet 1950, nga familja e Sabri Rakipajt ishte ekzekutuar Hysen Rakipaj. Ai nuk kishte pranuar të bëhej pjesë e skenarit të sigurimit, i cili inskenonte arratisje masive nga burgu të të burgosurve, për t’i ekzekutuar dhe mbjellë terror në popull.

Xhemal Lile dhe Muharrem Lile, nga Katundishta (Këlcyrë), u dënuan për agjitacion e propagandë. Në vitet 1960, ata u dëbuan nga Durrësi për t’u kthyer përsëri në vendlindjen e tyre, të persekutuar dhe përndjekur nga Partia dhe sigurimi.

Më herët, babai i tyre, Zenel Lile, pasi kishte bërë burg për pamundësi të pagimit të tatimit të jashtëzakonshëm, ishte larguar me familjen, për t’u vendosur në rrethin e Durrësit.

Krahas burgosjeve, një formë tjetër e luftës kundër “armiqve” ishte edhe internimi. Nëse një familjar dënohej, të afërmit e tij internoheshin. Kjo formë dënimi në Përmet u aplikua kryesisht në fshatrat që ndodheshin afër kufirit shtetëror.  Për këtë, sigurimi përcaktoi si të tillë fshatrat e lokalitetit Çarshovë. Nga këto katunde, që nga viti 1943 ishin larguar jashtë shtetit 58 persona, burra, gra e fëmijë.

Në relacionin e 20 dhjetorit 1960, kryetari i degës së punëve të brendshme Përmet, informonte ministrinë mbi masat që duheshin marrë, mbi propozimin për internim të familjeve ose individëve që u përkisnin familjeve që kishin të arratisur jashtë shtetit, të pushkatuar dhe familjet që ishin cilësuar kulakë.

Kështu, nga këto fshatra, gjatë viteve 1957-1960 u internuan: Vangjeli Niko Kristali, e cila kishte jashtë shtetit bashkëshortin, të larguar qysh më 1943; Andrea Ninin dhe të bijtë Spiro Nini dhe Kristo Nini, internuar familjarisht, për shkak të largimit të të birit të Andreas në Greqi; Agathi Bletën e internuan pasi kishte tre djemtë të larguar; Filip Karajani, i cili kishte fisin të larguar në Greqi; Llazi Bili kishte të larguar babanë, vëllanë, dajot dhe xhaxhanë.

Për aktivitet “armiqësor” u internuan: Koço Kristidhi, Miço Çuka, Koço Kolo Nika, Bektash Ago, Koço Mandi dhe Sotir Kola. Më 1962, nga kjo zonë u propozuan për t’u internuar edhe katër familje të tjera.

Në vitet që do të vinin do të internoheshin të tjerë bij e bija të familjeve që regjimi i kishte listuar si armike.

 

Marrë nga "Skenarë të përgjakur Përmeti 1943-1990", Xhafer Sadiku, botim i ISKK. Autori ka përdorur burime nga arkivat zyrtare. Emrat e disa të përndjekurve politikë, në shkrimin e autorit, ndryshojnë nga varianti zyrtar, por janë lënë si i ka shkruar autori.

Fotoja kryesore: Foti Stefani

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here