Armiqtë e mëdhenj të fshatit të vogël

0
237
blank

“Jetuan në varfëri duke qenë të pasur, u grabitën duke qenë të ndershëm, u dhunuan duke qenë të pafajshëm”. Xhafer Sadiku sjell historinë e përndjekjes së banorëve të fshatit të vogël të Përmetit, Shelq, të cilët u shtypën me të gjitha mënyrat nga regjimi komunist, u shpallën kulakë e u burgosën për vite me radhë. Keqtrajtimi u përhap deri te natyra e fshatit, të cilit iu prenë pemët dhe iu mor uji i çezmave

Nga Xhafer Sadiku

 

Fshati Shelq është ndër fshatrat më të vegjël në rrethin e Përmetit, aq sa pas vitit 1944, nuk kishte më shumë se 15 familje me rreth njëqind banorë. Me gjithë numrin e vogël të banorëve, në këtë fshat regjimi komunist do të realizonte shtypjen më të egër dhe përçarjen më të madhe. Megjithëse banorët e këtij fshati që u persekutuan kishin dhënë kontribut të çmuar në luftë për mbrojtjen e atdheut, regjimi komunist nuk i mori në konsideratë. Nga gjashtë ish-partizanët që kishin dalë nga ky fshat, tre u cilësuan kulakë. Nga shtatë ish-komunistët e brezit të vjetër të këtij fshati, asnjë nuk kishte qenë partizan.

Nga 74 familje të cilësuara “kulak” që kishte rrethi i Përmetit më 1951, tre ishin nga ky fshat. Nga 14 familjet që iu shtetëzuan bagatitë më 1948, dy ishin nga ky fshat, përkatësisht e Xhafer Shelgjit dhe e Sadik Arshimit.

Familja e parë që u shpall publikisht kulak në rrethin e Përmetit, qysh më 1950, ishte ajo e Xhafer Shelgjit. Më 1951 u cilësuan kulak edhe familjet e Sadik Arshimit (Lakos) e Et’hem Hysenit (Kamani). Një vit më pas, Xhaferi vdiq dhe titullin “kulak” e trashëguan të bijtë.

Dalan e Hajdar Xhaferi, ishin ndër të parët në rreth që u vunë nën kontroll agjenturial nga sigurimi që nga viti 1948, pasiqë cilësoheshin si të prekur nga reformat. Në buletinin e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit theksohet se pronari Hajdar Shelgji kur u shtetëzuan bagëtitë i ka thënë të deleguarit: “Këtë do ta mbaj mend sa të rroj, por nuk do të qëndrojë kështu puna, s’dihet se si do të vijë koha, t’jua shpërblej, nuk ma kish bërë ndonjë qeveri tjetër përveç juve”.

Raporte të shumta të organizatës së Partisë, të informatorëve të sigurimit tregojnë për kontrollin e rreptë që u bëhej për vite me radhë. Bashkëpunëtorët e sigurimit “Torino” dhe “Ylli” u aktivizuan në drejtim të tyre, madje edhe të tjerë. Dalanin e dënuan me 13 vjet burg, ndërsa të vëllanë e mbajtën nën kontroll për vite me radhë.

Në një raport të seksionit të sigurimit, për Hajdar Xhaferin, lexohet: “Aktiviteti i tij armiqësor edhe gjatë këtij viti ka komentuar në agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe sistemit të kolektivizimit të bujqësisë. Në drejtim të tij kemi patur të dhëna nga 2-3 burime agjenturiale, burime këto që e nxjerrin të kjartë aktivitetin e tij armiqësor. Gjithashtu siguruam edhe prova legale dhe propozuam për goditjen e tij, por nuk u aprovua sepse nuk delte i kjartë qëllimi i goditjes. Me gjithë atë, prapë do të dalim me propozim për ta goditur, sigurisht duke sqaruar më hollësisht qëllimin…”

Me gjithë refuzimin e Drejtorisë së Sigurimit për ta arrestuar, seksioni i sigurimit në Përmet këmbëngulte ta arrestonte dhe dënonte.

Izolimi i tyre është i hekurt. Jaupi, baba pa djalë, e dinte që në varrimin e tij nuk do të shkonte asnjëri. I la amanet të nipit ta priste në mes dhe ta shpinte në varreza. I kërkuan ndihmë kryetarit të këshillit, por ai refuzoi. Nipi nuk e mbajti “amanetin”: në varreza e shpuri me fëmijët dhe e varrosi sipas zakonit. Asnjeri nuk shkeli as atë ditë, as më vonë, asnjëherë…

Në vitin 1964, seksioni i sigurimit në Përmet propozoi përsëri për të arrestuar Hajdar Xhaferin, por edhe këtë radhë drejtoria përkatëse e sigurimit në Tiranë, nuk e aprovoi. Dukej qartë hakmarrja e njerëzve të sigurimit në Përmet dhe komunistëve të fshatit kundër familjes, e cila më 1914 i kishte mbrojtur.

Në luftën kundër tyre, sigurimi shfrytëzonte ndonjë person me “biografi të keqe”, i cili, për të rregulluar biografinë e tij, shprehte në këtë formë “besnikërinë” ndaj pushtetit, në mënyrë të veçantë “Torino”.

Me rritjen e brezit të tretë të familjes, sigurimi i regjistroi si kontigjente armike, i vuri nën kontroll operativ dhe përpunim aktiv. Kështu, njëri prej tyre u kontrollua për 15 vjet me radhë nga sigurimi, madje sikur të mos mjaftonin agjentët nga fshatrat përreth apo nga Këlcyra, në drejtim të tij aktivizuan me kombinacione edhe agjentë të dërguar enkas nga Tirana.

Një tjetër të ri 15-vjeçar, të kësaj familjeje, e demaskuan përpara popullit se gjoja u kishte thënë dy personave se “do të vijë koha ime”.

Spiunët e sigurimit shpifnin për ta dhe i provokonin. Në një rast të tillë, falë teknikës operative, seksioni i sigurimit në Përmet vërtetoi se bashkëpunëtori i tyre me pseudonimin “Vrojtuesi”, ishte provokator e shpifës.

Sadik Arshimi (Lako), pasi e cilësuan kulak, e dënuan dy vjet burg për pamundësi të shlyerjes së detyrimeve të dyfishta. I kishte shlyer një herë! Dy vëllezër i kishte pasur partizanë: Shefitin dhe Refatin. Refati kishte vdekur pas lufte, në Tiranë, në rrethana të dyshimta. Në kulmin e luftës kundër kulakëve, i vdiq vëllai tjetër, Sabriu. E dërguan në spital, në Gjirokastër, por nuk u kthye më; mbeti pa varr! Edhe kur ia hoqën cilësimin kulak, gjithnjë u trajtua si i tillë. Në listat e regjimit figuronte si i tillë, madje edhe pas vdekjes!!! Deri në rënien e regjimit!

Et’hem Hyseni (Kamani) që në moshë të re, 16-vjeçare, kishte marrë pjesë në luftën e Vlorës. Një vëlla e kishte patur partizan ndërsa tjetrin, Rushanin e vranë komunistët pasi që ishte me Ballin. Pas luftës, Et’hemin e thirrën në seksionin e sigurimit në Këlcyrë, ku e torturuan. Në vitin 1974, kur u ashpërsua lufta e klasës, e izoluan përsëri, por këtë herë në moshë të kaluar. U detyrua të largohej përgjithnjë nga fshati, për të mos u kthyer kurrë më.

Xhemal Kamani. Me shpifjet e bashkëpunëtorit “Torino”, sigurimi vuri në përpunim aktiv edhe Xhemal Kamanin. Seksioni i sigurimit propozoi për ta goditur, por nuk u aprovua për arsye se ishte i shtyrë në moshë. Pas vitit 1959, u këshillua dhe u hoq nga përpunimi. Më 1967, u thirr përsëri në Degën e Punëve të Brendshme të Përmetit dhe u “këshillua”, për shkak se ishte shprehur kundër prishjes së objekteve të kultit dhe ndalimit të besimit fetar. Edhe në këtë rast, agjenti “Torino” kishte qenë vigjilent në drejtim të tij.

Regjimi nuk kishte urrejtje vetëm për njerëzit, por edhe për natyrën e bukur të fshatit. Gjatë regjimit komunist, u prenë dhe u shkulën nga rrënjët korijet e bukura të Shelqit, me lisa gjethegjerë, vetëm e vetëm se pjesa më e madhe ishin prona të “kulakëve”. U shfarosën lisat e mëdhenj në Bregun e Shelqit, u mor uji i çezmave të famshme dhe u dërgua në Rodenj. Fshati u bë fushë eksperimentale e regjimit komunist.

Shënim: Pjesa është marrë nga libri Skenarë të përgjakur (Përmeti 1943-1990), Xhafer Sadiku, botim i ISKK.

Fotoja: Ilustruese

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here