Kujtim Luzaj, ikja e një qëndrestari

0
471
blank

Pas 47 vitesh persekutim të pandërprerë dhe dy dënimesh të njëpasnjëshme me burgim, jeta e Kujtim Isuf Luzajt do të rridhte e qetë në emigrim, pas vitit 1992, kur do të mund të bashkohej me të atin Isuf Luzaj, pas gjysëm shekulli ndarje me të. Pjesën e  fundit të jetës e kaloi në SHBA, deri kur mbylli sytë me 1 dhjetor 2020 në San Diego.  

Pak ditë më parë u nda nga jeta  Kujtim Luzaj, nji prej qëndrestarëve dhe kundërshtarëve të regjimit komunist, i biri i filozofit të madh Isuf Luzaj, jeta e të cilit sikurse edhe e gjithë familjes së tij kaloi për gjysëm shekulli në persekutim të pandërprerë. I lindur me 18 qershor 1940, Kujtimi ishte 4 vjeç kur i ati Isuf Luzaj u arratis nga Shqipëria, duke lënë në atdhe bashkëshorten Drita me katër fëmijë të mitur. Falë aktivitetit të pandërprerë antikomunist të profesor Luzajt në emigrim familja e mbetur në Shqipëri u shenjestrua  dhe u vu nën vëzhgim të rreptë, që nga ditët e para të regjimit komunist e deri ditën kur u përmbys. Barra më e rëndë në familje i qëlloi bashkëshortes së Luzajt, Dritës, e cila edhe pse vinte nga familja e pasur Mezinaj e Vlorës, u detyrua që gjithë të bënte punë nga më të rëndomtat e mundueset, për të ushqyer fëmijët e saj.

Kujtimi mbaroi shkollën fillore  në Ujin e Ftohtë, ndërsa tetëvjeçaren  dhe shkollën e mesme në Vlorë. Ishte viti 1960, që do të shënonte një goditje tjetër shumë më të fortë në jetën e tij. Ai tenton të arratiset, duke kaluar kufirin në Pogradec, ku kapet nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Arrestohet  dhe dënohet nga gjykata  me 10 vjet burg.  Ishte në burgun e Burrelit, kur e ridënojnë pa asnjë shkak, me akuzën për agjitacion e propagandë, duke e mbajtur në burg edhe për 4 vite të tjera.

Pas daljes nga burgu, regjimi i dha një tjetër goditje, duke mos e lejuar të banonte në Vlorë, por në internim në fshatin Qishbardhë. Pa iu përkulur regjimit, aty krijon familjen e tij të re, duke u martua me Merjeme Çeloaliajn, që vinte nga një familje po ashtu nacionaliste nga  Dukati. Në familjen e tyre erdhën njëri pas tjetrit edhe tre fëmijë, të cilët sikurse edhe prindërit u dëtyruan të kalojnë vitet më të bukura të jetës në persekutim.  Si vajza Hyrija, që trashëgonte emrin e gjyshes së Kujtimit, ashtu edhe dy djemtë Ndriçimi dhe Drisanti, studiuan në Itali dhe Amerikë, duke realizuar atë çka të atit i ishte mohuar nga regjimi.  Menjëherë pas rënies së regjimit Kujtim Luzaj emigron fillimisht në Itali e më pas shkon në SHBA në Çikago, ku banonte edhe i ati prof. Isuf Luzaj, ku jetuan bashkë me të dhe dy vëllezërit, Muhametin dhe Dalanin dhe motrën e tyre të vetme Elisabetën, deri në vitin 2000, kur babai i tyre u nda nga jeta.  Pas vitit 200, Kujtimi zhvendoset në Kaliforni ku jeton për 5 vite me xhaxhain Ifraimin, që kishte ardhur  nga Argjentina. Në 2005 edhe Ifraimi ndërron jetë dhe Kujtimi së bashku me vëllezërit dhe motrën u kujdesën ti sjellin eshtrat në Kaninë ku prehen edhe sot së bashku me të atin Isuf Luzaj.

Kujtim Luzaj u nda nga jeta me 1 dhjetor 2020 në San Diego, në SHBA./kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here