Krishti komunist? Përgjigjet fatale të Aleksandër Lipes

0
194
blank

Në vitin 1938, u drejtoi një shkrim atyre që adhuronin materien. Më 1944, i tha Enver Hoxhës se nën qeverinë e tij, nuk do të kishte as liri, as demokraci. Në vitin 1946, u arrestua, u dënua dhe u ekzekutua. Sot, në ditën e lindjes së klerikut Aleksandër Lipe, kujto.al sjell një pjesë nga shkrimi i vitit 1938, bërë publik nga Lekë Tasi dhe një pjesë të bisedës me Hoxhën, siç e ka sjellë në librin e tij, Kosta Lipe

 

Mendimin e tij për komunizmin Aleksandër Lipe e kishte shprehur hapur që në vitin 1938 kur kishte publikuar në revistën “Predikimi”, shkrimin “Për ata që adhurojnë materien”.  Kishte folur hapur për të këqijat e tij, edhe kur komunizmi po i afrohej Shqipërisë dhe kjo përbënte rrezik. Si rezultat, Aleks Lipe do të ekzekutohej më 1946.

I lindur më 12 janar 1895, në Kaludh të Përmetit ai u përgatit si prift-mësues dhe u mor me mësimin e shqipes të djemve dhe vajzave të Përmetit dhe fshatrave përreth, për t’u bërë më pas një klerik me ndikim në popull, që trajtonte problemet e përditshmërisë nën dritën e Ungjillit. Gjatë pushtimit italian u bë organizator i revoltave antifashiste dhe për këtë u internua në Itali, së bashku me antifashistë të tjerë. U liruan pas 11 muajsh pasi Papa Aleksi i shkroi Papës se ishin dënuar padrejtësisht vetëm se kërkonin lirinë e njerëzve dhe të vendit të tyre. Pas kthimit nga internimi, ai vazhdoi të paralajmërojë popullin e Përmetit, për të keqen që pritej nga komunizmi. Këta i ofruan disa herë t’u bëhej bashkëpunëtor, por ai refuzoi. Në librin “Papa-Aleksi, Aleksandër Lipe (Kalludhi)”, Kosta Lipe sjell një bisedë mes klerikut dhe Enver Hoxhës, të zhvilluar në fillim të majit 1944, ku Hoxha i kërkon Lipes të marrë pjesë në Kongresin e Përmetit që do të zhvillohej pas disa ditësh.

“Unë nuk të premtoj për të marrë pjesë në kongres, unë s’përpiqem për karrierë; për mua ka rëndësi të bëhen ato që thoni, se populli shpreson në premtimet tuaja, prandaj e keni me vete…Premtimet tuaja, janë sot për një jetë të lirë për popullin, për një shtet demokratik, për një shtet që do të dalë me votën e lirë të popullit, që të gëzojë frytin e djersës së tij, duke patur ndihmën e shtetit. Jo, Enver, nuk do të bëhen ato që premtoni sot. Ju si parti keni programe të reja, të marra nga teori të reja. Ju do të jeni në qeveri dhe do të ndërtoni një jetë kolektive, ku njeriu s’do të jetë zot i vetes se nuk do të ketë asgjë të tijën. Njerëzit duan të jetojnë me shpresë që të kenë një ekonomi të tyre. Popullit duhet t’i jepet e drejta, të jetë pronar i pasurive të tij që ka dhe atë që punon, të mos shfrytëzohet siç është shfrytëzuar gjer më sot nga pasanikët, që djersën e tij ta gëzojë me familjen e tij. Në qeverinë tuaj populli do të jetë nën urdhrat e saj, s’do të ketë të drejtë të bëjë atë që I duhet secilit, por atë që do t’i thuhet. Njerëzit s’do të jenë të lirë, sdo të kenë të drejtë të venë në asnjë vend të botës. Kjo nuk është demokraci, as liri”, i ish përgjigjur Aleksandër Lipe, siç citon Thoma Shkira në punimin “Tipologjia e “armikut të popullit” dhe sjelljes së regjimit ndaj klerit ortodoks në Shqipëri (1944-1990)”, librin e Kosta Lipes.

Sigurisht një përgjigje si kjo nuk mund të harrohej.

Aleksandër Lipe u arrestua më 9 Shkurt 1946 bashkë me disa përmetarë të tjerë, dy muaj pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, ku përmetarët kishin votuar tërësisht kundër. U çuan në burgun e kalasë së Gjirokastrës, ku u mbajt deri në përfundim të gjyqit, më 13 qershor të atij viti. U dënuan për tradhti të lartë, At' Aleksi me vdekje, shtatë të tjerët me burgime të gjata. Akuzat ishin të sajuara. Arsyeja e vërtetë ishte antikomunizmi i tij i shprehur që në vitin 1938 dhe i pamaskuar as më vonë.

“Kështu, përtej çdo akuze që iu bë, shkaku real i dënimit dhe ekzekutimit ishte vendosmëria e tij në mbrojtje të së vërtetës së Krishtit kundër mashtrimeve materialiste të përhapura jo vetëm tek naivët, por mjerisht edhe më gjerë”, shkruan Lekë Tasi. T

asi ka arritur të gjejë shkrimin e Alkes Lipes të botuar te “Predikimi”, organ i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në vitin 1938 dhe e ka publikuar me korrigjimet e nevojshme gjuhësore, me rastin e 70-vjetorit të ekzekutimit të Aleks Lipes, 8 vite më parë. Kujto.al po e sjell më poshtë një pjesë të këtij shkrimi, ku janë ruajtur paragrafët ku Lipe mohon tezën që përmendet herë pas here se Krishti ishte komunist.

Për ata që adhurojnë materien

Krishti komunist? Jesu Krishti, me predikimet dhe mësimet që u jepte njerëzvet, shpesh herë gjente rast dhe në mënyrë paravolike i përcëllonte shumë ashpër të pasurit. Këta, mund të thotë njeriu, i kishin plasur buzën, prandaj thoshte: “Ata që kanë pasuri është shumë zor të hyjnë në mbretërinë e qiejvet”. Edhe vetëm nga këto fjalë, si duket, lindi në botë ideja se Jesui mori nismën drejtpërdrejt kundra kapitalit, dhe kështu, të gjithë ata që predikojnë idetë e reja të komunizmit, këto fjalë i përdorin si flamur për përhapjen e ideve të tyre krejt të gabuara. A ishte me të vërtetë Krishti komunist? Ka mundësi të besohet se Krishti i pranon ato dogma në emër të të cilave kryetarët e ideve kryengritëse të komunizmit të famshëm, duan t`i imponojnë botës parimet e tyre dhe të përmbysin – bashkë me të tjerat – edhe bazat e saja ekonomike mbi të cilat është bazuar që kur u krijua e deri sot?

Ndër gjith sa përmban Ungjilli, një ide e tillë kurrë s`justifikohet.

Që Jesu Krishti nuk ushqen mendje të mirë për të pasurit dhe që me paravolit e tij, kurdoherë i godit keq dhe iu kërcënon mundime dhe humbje të përjetshme në jetë e ardhme, kjo është e vërtetë. Por në Ungjillin e Tij, idera të tilla si e mësipërmja, as që shkruhen gjëkundi; bile as pëshpëritja m`e voglë nuk ndihet në të, se gjoja bota duhet të kthehet në komunizmë me forcë që të shpëtojë prej tiranëve të ekonomisë së saj. Krishti na kujton se pasuria – dhe sidomos ajo që vihet me padrejtëesi – zakonisht është një pengim i rezikshëm për njerëzit që duan të arrijnë në gradën e përsosur të idealit dhe të moralit. Prandaj kur një pasanik i vajti dhe e pyeti, “Mësonjës, ç`të bëj që të fitoj jetën e përjetshme?” Ay e përcolli duke i dhënë këtë porosi: “Shko, shite pasurinë edhe eja pas meje”.

Pushteti i përjetshëm i idealit qëndron përherë mbi materjen që kalbet.

Apostojtë, burrat e lartë dhe gjithë edukatorët e botës, mrekullitë e tyre historike nuk i bënë me anë të materjes, por me fuqinë e idealit. Ata që janë përkushtuar me mish e me shpirt për një mision të lartë, duhet të jenë të çlirët nga çdo lithkë me botën, dhe atëherë mund të bëhen stavroforë (kryqmbajtës) të detyrës së tyre.

Atëhere bota medoemos do t`i pasonjë sepse ka besim. I beson se besimin e sheh të realizuar në vepra të gjalla. Mendimin e çlirimit me vetëdashje prej çdo lidhjeje materiale për hir të një shërbimi ideal më të lartë, e bënë të tyren të krishterët e parë, të cilët çdo gjë që kishin e shitnin me vetdashje dhe çmimet e mbledhura i vendosnin në një arkë të përbashkët, me qëllim që të mundnin të rronin të lumtur dhe të kënaqur nga pikpamja ekonomike si ata që kishin dhe ata që s`kishin. 

Platoni ka qënë i mendjes se bashkimi pasurisë është gjeja ideale për shtetin.

Domethënë se Krishti dhe nxënësit e Tij, ndonëse si virtyt më të naltë predikonin çlirimin me vetëdashje prej lidhkave me materjen, megjithqë i përbuznin keq pasurinë dhe pasanikët që pasuroheshin me padrejtësi, të cilët sillen si kuaj të tërbuar kundrejt bashkënjerëzve të tyre, por kurrë s`folën, as që ishin të mendjes se duhet me doemos bashkim pasurie në botë. Një gjë të tillë vetëm Platoni e pretendonte. Ay thoshte se “bashkimi i pasuris ësht gjëja më ideale për Shtetin”, edhe këtu vetëm bazoheshin kryetarët e famshëm të idesë komuniste, që nga Marksi e deri te Lenini e Trocki, të cilët e vunë në zbatim si teori në demokratinë e re Ruse!

Pasuria simbas mendimit të Jesu Krishtit – në vetvehte nuk ësht një gjë e mirë as gjë e keqe. Pasuria ësht e mirë ose e keqe analogjikisht me përdorimin që t`i bëhet. Krishti megjithëse e përbuzte mamonanë (kupto: paranë), por s`besohet kurrë që të ishte i mendjes ta dënonte pasurinë krejtsisht. Se kur pasuria përdoret mirë prej atyre që e kanë, bëhët gjë e mirë e përgjithshme. Kemi vënë re në Historinë e botës gjatë shekujve të kaluar, se veprat e mira, për të mirën e përgjithshme që kanë bërë pasanikët inteligjentë të çdo kombi dhe shteti, kanë mbetur shenja të gjalla të shkruara me ngjyrat më të shkëlqyera prej pendës së historianëve.

Kurrë nuk do t'i mungonte gjë botës po t’u shkonte pas ideve të Atij që sakrifikoi jetën në Kryq për shpëtimin e saj. Çdo hidhërim dhe fatkeqësi që shihet sot në botën njerëzore duhet ta dimë se janë të gjitha pasoja të buruara ngaqë njerëzit i janë dhënë me mish e me shpirt Mamonait; bënë perëndi krijesën e jo Krijuesin. Kanë hyrë thellë në këtë kaos të ndyrë njerzit – dhe sidomos të rinjtë – sa për qefin e tyre të tërbuar, edhe Krishtin duan ta numurojnë me Platonin, Marksin, Leninin, Stalinin, Trockin e të tjerët si këta. Por Krishti ësht gur i triçiptë; cilido pra që përpjek kryet në të, i thyhet; dhe kujtdo që i bie ne krye ia thyen.

Atë Aleks Lipe, Përmet

Shënim: Teksti "Për ata që adhurojnë materien" është botuar nga Lekë Tasi dhe është marrë me shkurtime nga perqasje.com. Fotoja: Foto e Dhimitër Vangjelit, viti 1929. Marrë nga faqja Albanian Historical Society

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here