Feti Dizdari, trajneri i kampionëve, i dalë nga burgjet komuniste

0
399
blank

Kampionit të paraluftës, Feti Dizdarit i vunë prangat sapo u kthye nga Ballkaniada e 1946-ës. Iu kthye atletikës si trajner duke i dhuruar Vllaznisë një epokë të artë dhe duke fituar nderimin e gjithë shkodranëve që e thërrisnin “Zotni Feti”, por regjimi komunist nuk e harroi kurrë dënimin e tij politik

 

“Në stadium e kena pas trajner, pas stadiumit e kena pas prind”, ka thënë atletja kampione dhe rekordmene, Shaqe Nika për Feti Dizdarin. Për ta përfshirë në sportin profesionist, pasi e kishte parë të zinte vendin e parë në krosin e shkollave, Feti Dizdari shkoi në shtëpi për t’u kërkuar prindërve të saj ta lejonin vajzën të vinte në ekipin e Vllaznisë. Ishte ky rituali i trajnerit të ekipit të atletikës së vajzave në Shkodër, në vitet ’50-’60, për thuajse çdo atlete të re. Për familjet shkodrane të atyre viteve nuk ishte e thjeshtë t’i lejonin vajzat të merrnin pjesë në gara, veshur me kostume sportive, në stadiume të mbushura thuajse vetëm me djem e burra. Por zotni Fetit, siç e thërrisnin në atë kohë kur fjala zotni ishte e ndaluar dhe siç e thërrasin edhe sot, gati 40 vite nga ndarja e tij nga jeta, askush nuk i tha jo. “Zotni Feti ishte trajner me inisiativë të jashtëzakonshme. Mendoj se sekreti i tij qëndron në ato raporte të jashtëzakonshme e të drejta që vendoste me prindërit, sportistët dhe të gjithë kolegët”, ka thënë për të, Mjeshtri i Sportit, Ahmet Nuti.

Ai shkonte në shkolla për të kërkuar talentet; pastaj trokiste në dyert e shtëpive të tyre për t’u kërkuar prindërve t’i lejonin të vinin në ekip; pastaj vinte trajnimi, shndërrimi i nxënësve në kampionë, por edhe në qytetarë të denjë. Ai kujdesej, si trajner, mësues dhe prind, për gjithçka kishte të bënte me ta nga ushqimi, te edukimi, deri te arsimimi dhe punësimi i mëtejshëm.

blank

Adile Dani, atletja me 59 medalje në kampionatet kombëtare dhe rekordmene në garën e 1500 metrave në vitin 1968, ka treguar në një intervistë se Feti Dizdari, u kujdes personalisht që ajo të kishte mundësinë të konsumonte çdo ditë dy racione në mensën e konviktit të pedagogjikes dhe në moshën 15-vjeçare, përsëri falë ndërhyrjes së Feti Dizdarit, ajo hyri në Artistiken e Shkodrës.

Veç ekipit të vajzave, Feti Dizdari trajnoi edhe djemtë në disiplinën e vrapit dhe në të dyja ekipet pati rezultate të shkëlqyera duke nxjerrë disa kampionë e rekordmenë kombëtarë.

Një rekord i pazakontë, siç vë në dukje dokumentari, transmetuar në Tv1 Channel, në vitin 2013, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Feti Dizdarit, është që për 15 vite me radhë, 1959-1973, ai e nxori Vllazninë e vajzave kampione kombëtare në atletikë.

blank

Ndoshta kur ia besuan këtë rol në vitet ’50, donin ta sfidonin duke ditur sa e vështirë ishte në ato vite të përfshije vajzat në sport, por kushdo që mund të ketë dashur ta shihte të rrëzuar, është detyruar të duartrokiste triumfin e tij, i cili ishte triumfi i një qyteti të tërë. Vllaznia, me trajner Feti Dizdarin, përjetoi një epokë të artë dhe ky njeri, me aftësitë profesionale dhe virtytet njerëzore hyri në zemrën e çdo sportisti dhe sportdashësi. E megjithatë, siç përmendet në dokumentar, në më shumë se 25 vjet pjesëmarrje ndërkombëtare të sportistëve të tij, ai vetëm dy herë u lejua t’i shoqëronte ata jashtë kufijve. Feti Dizdari ishte një ish-i dënuar politik dhe regjimi komunist, pavarësisht që nuk kishte interes të ndalte suksesin e tij si trajner, nuk e harroi këtë fakt.

Nga të dhënat e burimeve të ndryshme, del se Feti Dizdari, kampion kombëtar gjatë viteve ’30 në distancat 200, 400 dhe 800 metra, është arrestuar dy herë nga regjimi komunist.

blank
“Sportistë shkodranë, Ragip Lohja, Ahmet Ashikja, Qazim Dervishi, Ibrahim Dizdari e Feti Dizdari”, Arkiva Digjitale Shqiptare

Gjergj  Kola shkruan, në një biografi për Feti Dizdarin të publikuar online, se në 13 dhjetor 1944 forcat e mbrojtjes kontrolluan shtëpinë e Dizdarëve dhe arrestuan vëllezërit Feti dhe Fadil. Fadili nuk mundi të kthehej në shtëpi, pasi u vra nga komunistët. Fetiu u lirua në mesin e vitit 1945. Ky arrestim vinte pak vite pasi atë e kishin dënuar për pjesëmarrje në demonstratat kundër pushtimit fashist duke e internuar në Frashër të Përmetit. Vitet e mbetura të luftës, Feti Dizdari, i kaloi në Kosovë, ku ministri i Arsimit, Ernest Koliqi e kishte emëruar mësues të edukimit fizik në Normalen e Prishtinës dhe ku Fetiu dha kontributin e tij në formimin e sportistëve të rinj të Kosovës. Kur u kthye në Shkodër, e gjeti veten armik të komunistëve shqiptarë. Pas daljes nga burgu, ai arriti t’i kthehej sërish vrapit si atlet, duke përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Ballkanik të 1946-ës. Sipas Gjergj  Kolës, ekipi shqiptar i stafetës 4 X 200, ku merrte pjesë edhe Feti Dizdari, thyen rekordin kombëtar të paraluftës në këtë pjesëmarrje. Tashmë Feti Dizdari ishte thuajse 33 vjeç, por karriera e tij e atletit nuk përfundoi nga mosha, por nga arrestimi i dytë.

Më 23 dhjetor 1947 Gjykata Ushtarake e Shkodrës e dënoi me dy vjet heqje lirie për "faje kundër popullit dhe shtetit". Kampioni Kombëtar dhe përfaqësuesi i Shqipërisë në disa Ballkaniada, u çua të punojë në kampin me punë të detyruar të Bedenit.

Pas dënimit, Feti Dizdari kthehet sërish në Shkodër. Për fat, dënimi nuk vazhdoi jashtë burgut, pavarësisht që e kaluara nuk u harrua kurrë. Ai u emërua mësues i edukimit fizik dhe trajner i ekipit të femrave në atletikë. Këtu nis një epokë e re në karrierën e tij që do të ishte e artë për atletikën e Shkodrës. Çdo vit e më shumë, për vite me radhë, emri i Feti Dizdarit do të ngulitej në historinë e atletikës shkodrane dhe shqiptare, por edhe në kujtesën e qytetit të tij, si një trajner dhe njeri i shkëlqyer.

Feti Dizdari u shua në dhjetor 1985. Ndryshimi i regjimeve, solli edhe mirënjohjen e merituar ndaj tij. I janë akorduar disa çmime si “Qytetar Nderi” i Shkodrës, “Trajner Republike”, urdhri “Naim Frashëri i klasit I”, “Nderi i sportit shqiptar” deri te “Nderi i Kombit” që iu dha janarin e dy viteve më parë. Këtyre iu shtohet nderimi i sportistëve që ia kushtojnë gjithë suksesin trajnerit të tyre.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here