“Ju flet Tirana”…Zëri i parë i radios shqiptare, i dënuar me burg

0
196
blank

13 shkurti është Dita Ndërkombëtare e Radios, e vendosur për të kujtuar krijimin e Radios së Kombeve të Bashkuara me qendër në New York. Ndërsa në Shqipëri, Radioja e ka ditëlindjen në 28 nëntor, kur, më 1938, në 26-vjetorin e Pavarësisë, nisi transmetimin Radio Tirana. Zëri i parë që u dëgjua përmes sinjalit të radios ishte ai i drejtorit të saj, Gjergj Bubani. Po ai Gjergj Bubani që më 1945-ën do të dënohej me 15 vite burg dhe më 28 shkurt 1954, do të shuhej i sëmurë dhe i rrethuar nga heshtja, pavarësisht kontributit të jashtëzakonshëm në fushën e letrave, gazetarisë dhe publicistikës

 

Kishin kaluar vetëm katër muaj e pak ditë që kur Gjergj Bubani kishte nisur për herë të parë transmetimet e radios shqiptare me fjalët “Ju flet Tirana”, kur në prill 1939, do të artikulonte, në disa gjuhë të huaja, një fjali tjetër që do të mbetej në histori: “Shpëtoni Shqipërinë se po pushtohet nga Italia fashiste”. Historia e deshi që drejtori i parë i Radio Tiranës dhe themeluesi i Radios së Jashtme, të bënte edhe thirrjen më të fortë, siç quhet në një artikull për 85-vjetorin e Radio Tirana International në faqen zyrtare të medias publike, që ky sektor ka transmetuar në historinë e tij.

blank
Gjergj Bubani, në fund, në të djathtë. rtsh.al

Sigurisht që Gjergj Bubanit nuk i ishte besuar rastësisht drejtimi i radios së parë shqiptare. Ai ishte një intelektual, poliglot, që kishte studiuar dhe punuar për disa vite jashtë Shqipërisë dhe kishte rreth 20 vite përvojë në publicistikë, si një nga gazetarët dhe drejtuesit më të spikatur të gazetave e revistave, brenda dhe jashtë vendit.

“…mendoj se kronisti i parë i Radio Tiranës duhet të ketë qenë Gjergj Bubani. Ai është i njohur si drejtor i parë i Radio Tiranës, që në hapje të saj… Gjergj Bubani, edhe duke qenë drejtor, zinte shpesh vend pranë mikrofonit dhe fliste për probleme të caktuara që shqetësonin shoqërinë shqiptare…Gjergj Bubani, djalë i shkathët dhe pasionant, i shkolluar edhe vetë jashtë Shqipërisë, diti të ofrojë intelektualët e paktë dhe patriotë të kohës… Me sa duket, drejtori Gjergj Bubani, njeri me vizion, por edhe organizator i zoti, i dekretuar si drejtor i Radios që në muajin korrik, kishte marrë masa dhe ishte përgatitur që nëntori i përurimit të mos e gjente bosh. Kështu mund të shpjegohet fakti që qysh javën e parë të transmetimeve radiofonike nuk kishin të reshtur ligjëratat e profesionistëve të ndryshëm”, ka shkruar gazetari dhe ish-drejtori i Radio Tiranës, Agron Çobani në librin e tij “Ju flet Tirana”, cituar nga Kliton Nesturi në një shkrim të botuar në gazetën “Panorama” me rastin e dekorimit të Gjergj Bubanit, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, pesë vite e ca më parë, në 80-vjetorin e themelimit të Radio Tiranës.

blank
Përshëndetja e Mbretit Zog në përurimin e Radio Tiranës, nëntor 1938

Gjergj Bubani u lind në vitin 1899, në Boboshticë të Korçës. Ai kreu Liceun Francez në Korçë dhe më pas, vazhdoi studimet e larta për Kimi në Athinë. Pas studimeve, u vendos në Rumani. Bubani filloi të botonte që në moshën 20-vjeçare, por me vendosjen në Rumani, publicistika u bë angazhimi i tij kryesor. Punoi për të përjavshmen kombëtare shqiptare “Shqipëri' e Ré”, botuar në Konstancë. Në janar 1922, nxori një periodik me titullin “Dodona”, ndërsa në mars 1926, për pak kohë revistën “Zëri shqipëtar”. Punoi edhe si sekretar i konsullatës shqiptare në Konstancë e Sofje. Në vitet 1932-1933, qe redaktor i së përkohshmes “Kosova” që doli për 32 numra në Konstancë, si një organ që mbronte çështjen e Kosovës në ato vite. Më vonë, kjo me siguri do i llogaritej për faj. Më 1936, Bubani mori drejtimin e gazetës “Drita” në Shqipëri. Pena e Bubanit, i cili shkruante me disa pseudonime, ku ndoshta më i njohuri është “Brumbulli”, la shenjë në letrat shqipe të periudhës mes luftrave duke hapur rrugë të reja për gjithë letërsinë dhe publicistikën e atyre viteve. Ai shkroi poezi dhe u mor me përkthime, gjithashtu. Kishte ardhur koha, kur Gjergj Bubani do të emërohej drejtor i radios së parë shqiptare që nisi transmetimet në 28 nëntor 1938.

I arrestuar i Gestapos

Nuk kishte si të bëhej më sfiduese detyra e tij, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Bubani duhej të drejtonte organin më të rëndësishëm propagandistik të kohës kur vendi ishte i pushtuar. E megjithatë ai arriti ta kryejë këtë detyrë me dinjitet. Në shkrimin “Gjergj Bubani, nga emërimi prej Zogut tek arrestimi nga Gestapo”, Kliton Nesturi sjell një dëshmi të një prej folëseve të para, Vitori Xhaçka, për drejtimin e radios nga Gjergj Bubani në ato vite të vështira. “Gjergj Bubani ishte njeri me një vitalitet të jashtëzakonshëm, me kurajë e dëshirë për të punuar në maksimum. Ishte një patriot i vërtetë, që la Bukureshtin për të punuar për Shqipërinë. Ditën që zëri i Radio Tiranës buçiti në të tërë Shqipërinë, ne kishim një program të bukur me këngë patriotike, të udhëhequr nga Jorgji Filçe. Unë këndoja si soliste, kryesisht këngë popullore, deri me 1939, ditën e pushtimit fashist. Gjergj Bubani e priti me indinjatë të jashtëzakonshme këtë pushtim. Menjëherë buçitën këngët patriotike. Ai, pa pasur asnjë druajtje nga qeveria e nga askush, na ftoi të këndonim këngë patriotike… Atëkohë erdhën në Radio italianë, si punonjës e teknikë. Ne kishim një program me këngë popullore. Ata i thanë Gjergj Bubanit: ‘Ne duam këngë italiane e jo shqiptare’. Ai u përgjigj me vendosmëri e zemërim: ‘Kjo është Shqipëria, është Radio-Tirana e nuk është Radio-Roma’. Kështu u krijua mes tyre një farë zemërimi. Megjithëkëtë, ne vazhduam me këngë patriotike e me këngë popullore”, ka thënë Vitori Xhaçka Xhomo. Aq i zëshëm u bë qëndrimi antifashist i radios shqiptare, sa më 18 tetor 1943, gjithmonë sipas të njëjtit shkrim, pushtuesit e rinj nazistë, arrestuan gjithë punonjësit e Radios, me në krye Gjergj Bubanin, të cilët arritën të shpëtonin vetëm falë ndërhyrjes së ministrit Mihal Zallari.

Ky në radio ishte kapitulli i fundit i karrierës së shkëlyer të Gjergj Bubanit. Ajo do të ndërpritej përfundimisht nga komunistët, të cilët, në antitezë të pastër me dëshminë e mësipërme, e arrestuan, ende pa përfunduar lufta dhe e gjykuan si armik e kriminel lufte.

I dënuar, përjetësisht, i komunistëve

Më 13 nëntor 1944, Gjergj Bubani, u arrestua në shtëpinë e tij, në rrugën “Fortuzi”, ashtu si shumë persona të tjerë që u vunë pas hekurave në ato ditë, pa një mandat arresti. Ai u gjykua dhe u dënua në të ashtuquajturin Gjyq Special, në prill të vitit 1945. Në aktakuzën e formuluar më 12 shkurt 1945, tre muaj pas arrestimit, ai u akuzua “se asht bërë vegël e propagandës armike (si agjitator, propagandist dhe publicist) me anë të radios dhe fletoreve. Ka shkruar artikuj për okupatorin dhe kondra luftës së popullit. (Drejtor i Radioemisionit, Drejtor i Radios, redaktor i gazetës «Bashkimi i BRUNGAJ Gjergj (Jorgji) Bubani 205 Kombit»)”.

Në Fjalorin Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist, të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit për Gjergj Bubanin shkruhet: “Ndonëse nuk e pranoi akuzën, dhe megjithëse tre dëshmitarë dëshmuan se Gjergj Bubanin e njihnin si simpatizant të lëvizjes qysh në fillimet e saj, ai u dënua me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave civile e politike. Kështu, më 20 nëntor 1945, Komiteti Ekzekutiv i K.N.Ç. të Nënprefekturës së Tiranës vendosi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij të luajtshme. Një tjetër urdhër sekuestrimi u dha edhe gjashtë muaj më vonë, më 8 maj 1946, kësaj radhe nga Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës Qendër Korçë.”

Nga një letër që i dërgon së motrës dhe kunatit në Bukuresht, më 4 qershor 1946, ku i flet fare pak për veten dhe më shumë për djemtë, Dionisin dhe Loredanin, që më vonë do bëheshin emra të njohur në fushën e botimeve dhe bashkëshorten “Sofija, e gjora, është mjaft e pikëlluar, por e përballon mjaft mirë. As që e besoja aq të aftë...”, mësohet se ai ndodhet, në atë kohë, në Burgun e Ri të Tiranës. Fjalori Enciklopedik i ISKK, një burim zyrtar mbi viktimat e komunizmit, shkruan për Gjergj Bubanin se vdiq në burg, më 1954 dhe kjo e dhënë përmendet thuajse në të gjitha shkrimet kushtuar figurës së tij, por në një intervistë të botuar në gazetën “Panorama” pak ditë pas ndarjes nga jeta të Loredan Bubanit, vitin e kaluar, mësohet se Gjergj Bubani nuk ka qenë në burg kur ka ndërruar jetë. “I sëmurë, në gjendje të rëndë shëndetësore, e nxorën, pasi kishte bërë gati dhjetë vite dënim, duke e lënë në mëshirë të fatit, ashtu siç ndodhi edhe me shumë bashkëkohës të tij. Deri kur më 1954, ndërroi jetë në moshë shumë të re, 55 vjeç”, ka thënë djali i vogël i Gjergj Bubanit.

Gjergj Bubani u nda nga jeta më 28 shkurt 1954. Kontributi i tij në media nuk u përmend deri në fund të diktaturës. Gjurmët e tij ishin gjurmë të një profesionisti të shkëlqyer dhe patrioti që binin ndesh me dënimin e tij si armik, ndaj zgjidhja e vetme ishte të mos përmendej fare. kujto.al

Shënim: Në foton kryesore: Stafi i Radio Tiranës, shkurt 1939. Gjergj Bubani, ulur. rtsh.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here