Internimi që i solli dy burgosje Uran Kostrecit

0
873
blank

Përveç dënimit kryesor me burgim në vitet 1961-1981, të cilën e vuajti plot 19 vjet, 10 muaj, 8 ditë, Uran Kostreci u internua nga regjimi komunist. Praktikisht e vetmja kohë  “e lirë” e tij mbeti ajo midis viteve 1981-1983 kur punoi punëtor në ndërmarrjen e ndërtimit Elbasan. Partia u kujdes që Urani të mos shihte ditë të bardhë. Me vendimin nr.16, datë 3.12.1983 të Komisionit të Internimit dhe Dëbimit, u internua për 5 vjet për arsye politike. Për të, në vendim thuhet:

“Urandrini Fuat Kostreci, i datëlindjes 1938, lindur e banues në qytetin e Elbasanit, shtresë e varfër, me arsim të mesëm, punëtor, beqar, i dënuar me kombësi e shtetësi shqiptare.

Të internohet për 5 vjet kohë në fshatin Kurtaj të Rrethit të Elbasan, për arsye se Urani, në vitin 1961 është dënuar 15 vjet heqje lirie e gjatë vuajtjes së dënimit është ridënuar me 2 vjet e 8 muaj më vonë, meqenëse ka tentuar të arratiset nga burgu, është ridënuar 8 vjet të tjera. Në vitin 1981 është liruar nga burgu e përsëri nuk mban qëndrim të mirë dhe është në kontroll të organeve të Sigurimit. Babai i tij Fuati ka qenë roje finance dhe pas çlirimit është dënuar me 10 vjet heqje lirie për veprimtari armiqësore”.

blank

Ky internim i solli Uranit dy dënime të tjera. Ai u arrestua së pari më 14.1.1984, i akuzuar për largim pa leje nga internimi. Me vendimin nr.23, datë 7.2.1984, Gjykata e Rrethit Elbasan, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 18 muaj heqje lirie. Pasi e kreu këtë burgim në 1 vit, 5 muaj dhe 11 ditë burgim, ai u lirua më 25.6.1985 në Repartin nr.305 Përparim dhe u rikthye te vendi i internimit.

Pas disa muajsh, Kostreci provon sërish të largohet nga internimi më 4.2.1986. Për të mos u vënë re, nuk shkon në Elbasan, por merr drejtimin e Tiranës. Pas disa ditësh i endur rrugëve të kryeqytetit, pa u vënë re nga askush, niset me tren në drejtim të Vlorës, me synim që pas takimit me disa miq të arratisej jashtë vendit. Në tren pikaset nga një civil, i cili e dorëzon në Degën e Punëve të Brendshme Fier. Arrin të largohet nga kjo degë, por nuk mund më shumë se u arrestua më 16.2.1986. Gjykata e Rrethit Elbasan, si edhe herën e parë, në bazë të nenit 117 të Kodit Penal, e dënoi maksimalisht me 3 vjet burgim, të cilin e vuajti në Repartin nr.305 Përparim. U lirua më 14.2.1989. Ishte 51 vjeç. Kish hyrë në burg në moshën 23 vjeçare.

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here