Beqir Ajazi dëshmon si u verbuan nga uria 400 të burgosur në kampet e Kavajës

0
2118
blank

Dëshmi mbi jetën në kampin e Lekajt në Kavajë, 1948:  “Gjatë punës në atë kamp të mallkuar, bën krye një fenomen që nuk kishte ndodhur më parë. Një pjesë e konsiderueshme e të burgosurve, sidomos e atyre që nuk kishin kurrfarë ndihme nga familjet, zunë të verboheshin krejtësisht, në kohën kur nuk kishte diell. Shokët dhe miqtë e tyre, i merrnin këta të mjerë për dore që në orën katër, kur bëhej zgjimi dhe nuk i lëshonin, vetëm se kur të lindte dielli dhe të shndriste tërë botën. Vetëm atëherë u vinin sytë këtyre të mjerëve. Në 1200 veta, numri i këtyre të verbërve specifike mund të arrinte padyshim në 400 veta”.

Nga jeta në kampet  e para të punës së detyruar, ku të burgosurit politikë shfrytëzoheshin si skllevër nga regjimi komunist, vijnë disa dëshmi të mbledhura në vite, të një rëndësie të veçantë, pasi janë dëshmi të dorës së parë, ku ish-të burgosurit japin detaje të hollësishme për punën, jetën dhe vështirësitë në këto kampe.

Një dëshmitar i vyer i kësaj periudhe është edhe Beqir Ajazi, i ndarë nga jeta në vitin 2017, por që dëshmitë e tij janë publikuar në librin e studiuesit Kastriot Dervishi “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste”. Nga dëshmitë e tij kemi shkëputur dy fragmente ku ai flet në detaje për jetën në dy kampet e punës së detyruar në Kavajë, kampin e Bedenit dhe atë të Lekajt, të cilët funksionuan në vitin 1948.

Për kampin e Bedenit, Beqir Ajazi shkruan:

"Pjesa më e madhe e të burgosurve të Tiranës, politikë dhe ordinerë, u dërguan këtë vit në Kampin e Bedenit të Kavajës. Aty kishin sjellë dhe të burgosur nga Berati dhe nga Vlora. Kështu që ishim bërë aty afro 1.200 veta, sistemuar në disa kapanona që karkasën e kishin prej druri, mbulesën prej katramaje dhe anash ishin veshur me rrogoza. Qëllimi i kësaj pune ishte që të bëhej një kanal vigan për rrëzë kodrave të Bedenit, i gjatë 7 kilometra, i gjerë sa të shkonte lirisht një (makinë tip) "Skoda" në fundin e tij, përfundim i këtij kanali dilte në kënetë të Zhabjakut. Kjo e fundit do të thahej nga ne, kurse ujërat  e kanalit  do t'i hidhnin në Shkumbin kullimet e kodrave, si dhe makrrosat dhe qelbësirat e kësaj kënete.

blank

Puna aty ishte e organizuar në brigada, që kishin një efektiv prej 150-200 të burgosur secila. Komanda e kampit, ngrinte dhe frynte normat me qëllim që të justifikonte dhe normat e atyre të shumtëve që nuk punonin. Kamandanti i Kampit ishte një toger Hysniu nga Labëria.

Në pamje të jashtme, ky njeri të jepte përshtypjen e një mësuesi ose të një intelektuali të panjohur diku në ndonjë fshat të humbur. Mbante dhe syze. Mjerisht, ky ishte një gjarpër shullëri që të qukte…

Për të kulluar kënetën e Zhabjakut, na kishin caktuar 40 veta djem të rinj dhe të fortë. Kishin sjelle aty dy barka të vogla me lopata, na vendosnin në dy rreshta, sipas dispozitave të inxhinierit dhe në mes tonë qëndronin dy barkat. Duhet të hapnim një savanele.  Megjithëse dija shume fjalë të huaja, kësaj nuk ia kisha ditur kuptimin. Po ketë do ta mësoja në praktike. Duhej të zhvisheshim vetëm në  brekë të hynim në kënetë, në vendet e caktuara nga inxhinieri dhe duke respektuar spangon që ishte vënë breg më breg, do ta kërkonim vendin me këmbë dhe të ngulnim belin në llucën dhe në kalmuqin e fundit të kënetës. Si ta kishim mbushur belin, duhej ta nxirrnim nga uji dhe ta shkarkonim në barkë. Ditën e parë e patëm shumë të vështirë, se na nguleshin shushunjat nëpër kofshë…”.

Po atë vit, Beqir Ajazi së bashku me shumë të burgosur të tjerë që kishin qenë fillimisht në kampin e Bedenit do të zhvendoseshin në një tjetër front pune, në kampin e Lekajt në Kavajë, për të cilin Ajazi rrëfen:

"Më fund u vendos që do të iknim nga Bedeni, se do të na çonin në Kampin e Lekajt. Rruga e trenit Durrës-Rrogozhinë, para se të hynte në këtë të fundit, kalonte nëpër disa kodra të vogla me përbërje krejt zhur. Prandaj dhe ky vend quhej pikërisht Zhurje. Kjo hekurudhë i ishte besuar rinisë, për ta ndërtuar me punën e saj vullnetare. Sipas planit të rrugës, niveli i trasesë në këto kodra duhej të ulej deri në kuotën që e donte treni. Kjo ulje e kodrave, nëpër atë zhurishte të mallkuar, ishte shumë, shumë e vështirë, për të mos thënë, e pamundur, sidomos për rininë vullnetare. Kështu që e kishin parë të udhës të na dërgonin neve, sepse mbi ne, veç dëshirës për ta bërë vendin me hekurudhë, vepronte dhe forca e dajakut, pa përjashtuar këtu komponentët e tjerë. Gjatë punës në atë kamp të mallkuar, bën krye një fenomen që nuk kishte ndodhur më parë. Një pjesë e konsiderueshme e të burgosurve, sidomos e atyre që nuk kishin kurrfarë ndihme nga familjet, zunë të verboheshin krejtësisht, në kohën kur nuk kishte diell. Shokët dhe miqtë e tyre, i merrnin këta të mjerë për dore që  në orën katër, kur bëhej zgjimi dhe nuk i lëshonin, vetem se kur të lindte dielli dhe të shndriste tërë botën. Vetëm atëherë u vinin sytë këtyre të mjerëve. Në 1200 veta, numri i këtyre të verbërve specifike mund te arrinte padyshim në 400 veta.

Ndonëse në mënyre sekrete, ashtu siç i bëjnë komunistët gjërat edhe më të vogla,  Komanda e kampit kishte alarmuar Kavajën dhe Ministrinë. Për këtë erdhi një komision mjekësor nga Kavaja. Që nga ajo ditë, kampin tonë e gëluan zarzavatet e sidomos qepët e njoma dhe të thata, te cilat duhej t'i hanim pa pushim dhe pa racion. Seksioni i tregtisë së Kavajës "rroftë sebepi"  pastroi nga kalbësirat të gjithë dyqanet e rrethit dhe i solli aty te ne. Natyrisht, zarzavatet e tjera të kalbura ose në kalbëzim e sipër, na i zienin në një kazan gjysme fuçie, u hidhnin brenda një shishe gjysme kiloshe vaji dhe na i servirnin t'i hanim në pikë të zhegut.

S'do mend se nga ngrënia e këtyre kalbësirave, të shumtë ishin nga ne, që i kishte zënë barku i keq, me rrezik dizenterie. Ndër këta fatkeqë, ndofta dhe më rëndë se të gjithe, isha dhe unë.

blank

Në fillim e durova me shpresë se do të më kalonte vetvetiu, po meqë sëmundja ime sa vinte e rëndohej, infermieri më dha tri ditë pushim. Mirëpo, tetar Meçani ishte dhe më i fortë nga infermieri dhe nuk të linte pushim, po të nxirrte, po të që nevoja, edhe me dajak. Kështu, hiq bark tmerrësisht dhe dil gjithë ditën në punë dhe ha zarzavate të kalbëzuara, erdha e u bëra kockë e lëkurë. Kishte shumë mundësi që të kisha kaluar në dizenteri dhe kjo, në kushtet e atyshme, do të thoshte vdekje. Infermieri i shkretë, atë që kishte mundësi, e bënte. Më linte pushim. Më tutje ai nuk kishte kurrfarë kompetence".

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here