Greblleshi për Greblleshin

0
1013
blank

Hamit Greblleshi, ishte një nga ushtarakët e vrarë gjatë masakrave të komunistëve në Tiranë para 17 nëntorit 1944. Tre vjet më vonë arrestuan të birin, shkrimtarin e ri të talentuar që nuk do të kishte më jetën dhe karrierën e ëndërruar e të merituar. E kishte kuptuar këtë kur në qelinë e burgut, shkruan poezinë “Qetësi”, një elegji për të atin e vrarë dhe fatin e vet

Ishin me dhjetëra nacionalistët, ushtarakët, por edhe njerëzit e kulturës e biznesit, që u vranë pa gjyq, në pragjet e shtëpive e në rrugët e kryeqytetit gjatë tetor-nëntorit 1944, para se komunistët të hynin në Tiranë. Ishte një gjueti e papërmbajtshme shfarosëse ndaj të gjithë emrave të shënuar në listën e zezë për idetë e tyre antikomuniste, nacionaliste dhe properëndimore, por që nuk u mbyll më 17 nëntor. Pikërisht se i vranë për idetë, të cilat sa janë individuale, aq kanë si fole e janë të përhapura në gjithë familjen, komunistët vazhduan, pas kësaj date, të godisnin edhe të afërmit.

Pas Jorgji Memës, viktimës së fundit para hyrjes në Tiranë, të vrarë më 16 nëntor, zhdukën në tortura, pak më pas, të atin, Trifonin dhe përndoqën krejt fisin; pas Muharrem Lleshit, dënuan dhe vranë në Pejë, në 1946-ën, të birin Sulejmanin; bashkëshorten e Akil Sakiqit, në vitin 1951, e pushuan nga puna si mësuese dhe e çuan të punonte në ndërtim, gjë që duhet ta bënte për të mbajtur me bukë fëmijët e mbetur jetimë pas vrasjes së babait...Kjo vorbull hakmarrëse përfshiu edhe Mustafa Greblleshin, publicistin dhe shkrimtarin e ri, të talentuar, që në tetor të 1944-ës kishte marrë një goditje të pashërueshme prej vrasjes së të atit, ushtarakut Hamid Greblleshi.

“Nata e 28 tetorit ishte caktuar nga Qarkori i PK për Tiranën si nata e vrasjeve të ushtarakëve të karrierës. Atë natë u pushkatua Hamit Greblleshi, nga një familje autoktone tiranase, mësues dhe më vonë, pasi kreu Akademinë ushtarake ne Stamboll, oficer i xhandërmarisë të shtetit shqiptar deri në vitin 1939, kur doli në lirim për arsye shëndetësore. “A mund të vritej një njeri që për tre muaj kishte shërbyer në detyrën e oficerit të prapavijës? – pyet Kujtimi, djali i Hamitit. – kjo pyetje na ka ndjekur tërë jetën qysh nga dita e vrasjes së babait tonë”. Hamit Greblleshi u arrestua bashkë me oficerët e tjerë që jetonin në rrugën e Tabakëve... e të tjerë që nuk u dihen as varret”, shkruan Uran Butka, për ngjarjet e atyre ditëve.

Megjithëse me zemër të thyer, Mustafai i ri, që kishte studiuar letërsi në Torino, që ishte bërë i njohur me romanin “Gremina e dashurisë” dhe që satirat, nën pseudonimin Liu i Cakut, i lexoheshin me ëndje në shtyp, do të vazhdonte punën deri ditën kur e arrestuan. U gjend në burg "pa e ditur as vetë pse" dhe kaloi aty rreth 19 muaj gjatë periudhës 1947-1949. Ishte vetëm 25 vjeç, por në atë çast mori fund jeta që kishte parashikuar. Dhe aty, në qelinë 79, shkruajti një poezi për të atin e vrarë, të cilit i tregon hapur brengat, siç nuk mund ta bënte më me të gjallët.

Qetësi

Të kam ardhur, o baba tinës rojeve

Kësaj nate në varr.

Se kam zjarr e kam mall të të pyes

Në u shkërmoqe e u trete.

Pabesisht ty me plumb të rrëzoi

Qeni i zi gjakatar.

Dhe pa varr, pa emër

Midis kombit që e deshe

Aq shumë, ti mbete.

Po më fal, o baba, se të flas e të thërras

Në univers pa e ditur ku je ti.

Më ke lënë, siç e di, fillikat.

Pa atdhe e pa gëzim.

Fli i qetë, o baba. Qetësi

Se drejt teje si erë po vij

Të të sjell si gur varri

Trupin tim të gjymtuar edhe shpirtin tim.

(Shkruar në burgun e Tiranës, qelia 79, viti 1948.)

Pasi doli nga burgu, Mustafai, punoi ca kohë si punëtor krahu dhe më pas, për vite të tëra, si bojaxhi. E pa emrin në botime të reja, vetëm në vitet ’60, pas një ndërhyrjeje të Nasho Jorgaqit, i cili e takoi Mustafa Greblleshin në krye të skuadrës së bojaxhinjve që kishin ardhur t’i lyenin shtëpinë dhe e ndihmoi për t’i botuar dorëshkrimet. Megjithatë, pavarësisht kënaqësisë që i solli, kjo nuk mund ta shëronte e as ta shpërblente shpirtin fisnik të shkrimtarit që e dinte se jetonte nën një regjim që i vrau të atin dhe miqtë si Myzafer Pipa e Qemal Draçini, që e burgosi atë vetë dhe shokët e vërtetë si Mitrush Kuteli dhe ku, meqë nuk mund të përdorte kurrë furçat, zgjodhi të ishte bojaxhi.

Në foto: Mustafa Greblleshi 

A.Çano/kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here