Dëshmia/Nuri Çeloaliaj: Dy breza në burg, sepse nuk punuam për ata

0
206

Babanë dhe xhaxhallarët e tij i arrestuan dhe burgosën disa herë. E njëjta gjë ndodhi edhe me bijtë e tyre, përfshirë Nuriun, duke qenë që as ata nuk pranuan të kalonin në anën e komunistëve. Nuri Çeloaliaj tregon burgjet e dy brezave dhe përndjekjen që vazhdoi deri në rrëzimin e diktaturës 

Z.Nuri kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?

Unë kam lindur në 14 korriku ‘43, në fshatin Dukat, në një familje... ne e quajmë familje e pasur. E pasur, por në fshat, por familje e mesme sepse kur i bën yzmet punës tënde e kur nuk të bëjnë të tjerët yzmet, nuk je dhe aq i pasur. Mbaroi lufta edhe ndaj nesh, si fshat ballist, aq më shumë që luftuam kundër atyre, filluan raprezaliet pas 45’-ës. Arrestuan të parin xhaxhain dhe e shpunë në Beden të Kavajës, edhe në Gjirokastër, atje në kala.

Si e quanin xhaxhanë?

Axhem Imer Çeloaliaj. Më vonë, bëri disa vite burg ai. Doli ai, arrestuan xhaxhanë tjetër, bëri edhe ai disa vite burg. Pastaj, babain e arrestuan dy-tri herë se kishte marrë pjesë në luftën e Dukatit, po asnjëherë nuk e dënuan dot se u tha ai: “Unë s’vajta të luftoja në Tërbaç, unë mbrojta vendin tim. Ju erdhët, s’dola unë jashtë fshatit të luftoja njeri”. Më vonë, pastaj nga ’46-a, na sekuestruan shtëpitë e fshatit që kishim, shtëpi dykatëshe. Kishim edhe në fshat, edhe në fushë dhe e bëjnë shkollë në të cilën kam mësuar dhe unë vetë atje. Dhe vazhduan ato... Na lanë në shtëpitë e fushës që i kishim për behar, për të mbledhur misër e grurë e bereqet kështu. Më vonë pastaj vjen ushtria dhe na heqin edhe prej andej e na çojnë në një kasolle bagëtish me kashtë. Edhe na lanë në ato kasollet. Na morën toka, bagëti, ara, të gjitha, e na lanë me krahët e punës. Më vonë, u rritëm dhe ne, u martuam.

Ju, kur ju arrestuan?

Më thërrasin mua të parin, në ’76-ën, kur isha bërë me shumë fëmijë e isha 35-36 vjeç. Më thërrasin: “Ti je njeri i afërt, ti je njeri i mirë, do të na shërbesh neve”- shefat që ishin këtu në Vlorë. Si e panë që unë nuk u binda, më thanë mua: “Dëgjo këtu: ti ke nevojë për ne, ne nuk kemi nevojë për ty. Ne donim të të jepnim dorën, ti s’do”. Pas një viti, më arrestuan. Kishin arrestuar më parë kunatin. Edhe më thotë ai operativi, këtu në zyrë, në Degë... më thotë mua: “Hë, më mirë këtu apo me ne?”. “Më mirë këtu”,- i thashë. “Po ti qenke kriminel”,-më tha mua.- armik i pandreqshëm”. Nejse, u dënova, vajta në burg.

Si ndodhi arrestimi?

Unë vija nga Fieri, isha për hesapet e mia, çfarë kisha shitur, mall... Kur zbrita unë nga makina, Gaz-i më ndiqte. Kishte ardhur në Dukat, s’më kishte gjetur në Dukat, i kishte thënë gruaja që “është në Fier se ka çuar disa fara qepe për të shitur”. Ata kishin vajtur atje dhe sa zbrita unë, më thanë: “Hajde”. Më futën në brenda, andej-këtej. “Në emër të popullit, je i arrestuar”! Siç e kanë këta: "për agjitacion e propagandë".

Ku ju çuan pas arrestimit?

Në hetuesi direkt, në Vlorë.

Sa kohë qëndruat në hetuesi?

Gjashtë muaj.

Për çfarë ju akuzonin?

Po më akuzonin se “ke sharë udhëheqjen”, “ke sharë Enver Hoxhën”, ke thënë që: “Ky, ata të kolltukut i vrau, shokët e tij, me Beqir Ballukun etj.” Qesha unë. “Po pse qesh?” -më thanë mua. “Po nuk keni ditur të ndërtoni akt-akuzën mirë -u thashë unë.- Se unë i biri i një kulaku të më vijë keq për Beqir Ballukun që qe shok me Enverin?” “Jo po ti je maskara-më thanë mua-ti je armik i poshtër”. Bënë atë gjyq me dyer të mbyllura.

Kush ishte hetues?

Hetues ishte, ka vdekur… një Ilo Papa. Kryetar dege ishte Lami Peqini.

Si ju trajtuan në hetuesi?

Shumë keq.

Çfarë ju ka mbetur në mend nga ajo periudhë?

Shumë, shumë keq në mënyrë barbare. Jo ky kryetari i Degës, ai as nuk më ka ngacmuar fare, është treguar shumë burrë me mua. Ndoshta ai, ishte si... punë e tij, por të paktën ishte burrë mbi të gjitha. Po ai Ilo Papa që ka vdekur. Ai burrë i poshtër shumë. Shumë negativ njeri.

Çfarë ju bënin?

Çfarë nuk më bënin! Me majën e asaj... kërcinjtë gjak, me grushta në bark, në kokë. Lloj-lloj masakrash gjatë gjithë kohës sikur të isha gjerman (nazist), sikur nuk isha shqiptar unë. Edhe si panë ashtu që unë nuk pranoja, më tha ai kryetari i Degës: “E mora vesh kush je ti, e mora vesh..." Tamam si burrë.

Kush dëshmoi kundër jush?

Dëshmitarët ishin të gjithë dëshmitarë fals, të përgatitur, fals. Çfarë thoshte njëri, thoshte edhe tjetri, atë që u kishin thënë ata, ata atë thonin. Njërëz të përdorur nga Sigurimi i Shtetit ishin dëshmitarë.

Si u zhvillua gjyqi?

Një gjyq me dyer të mbylluara. Po më ka bërë një gjë përshtypje: se gjyqi mbaroi atje se thoshin dëshmitarët, unë kundërshtoja ato të miat e së fundmi më futën brenda. Por më tha një polic: “Pse u dënove ti?”. E shikova kështu e nuk i dhashë përgjigje. “Ta them unë -tha ai, që më kishte dëgjuar mua.-Ky është dënuar se ka bërë mirë". Qesha unë. “Pse qesh”? –më tha mua ky që tha kështu se ky kishte dëgjuar akt-akuzën që më ishte bërë. “Po që the një të vërtetë”- i thashë unë. “Dëgjo-më tha mua- unë thashë një të vërtetë dhe ata që të akuzojnë ty, ti nuk u ke thënë se unë të shikoj se çfarë njeriu je ti”,-tha-, po të them diçka-tha- me atë biografi që ke ti aq të keqe, kulak armik, vrarë, të fusin brenda e të nxjerrin dhe të pushkatojnë kur të duan. S’e kanë problem fare për ty.”

Sa vjet ju dënuan?

Nëntë vjet për agjitacion e propagandë.

Ku ju çuan pas vendimit?

Në Tiranë, pastaj në Spaç të Mirditës.

Spaç, në çfarë viti shkuat?

’77. Gushti i ’77-ës në Spaç. Atje pastaj iu nënshtruam punës. Puna po ishte e detyruar se je i dënuar me punë të detyruar, të rehabilitohesh me punë. Kur marr vesh unë, kaluan disa kohë, kur dëgjoj më thonë mua që kanë arrestuar edhe Dilaverin (Çeloaliaj), kushëririn e parë timin, kur më thonë më vonë edhe Mislliun (Çeloaliaj) vëllain tim, kur më thonë edhe kushëririn që ka vdekur, Sezaiu. “Po këta qenkan qepur pas nesh- thashë- e gjithë familja në burg. Po mendojnë që kemi njerëz, familje ne, a s’kemi”. Domethënë të betuar për të eliminuar domethënë. E pse bëhej e gjithë kjo luftë? Vetëm e vetëm se nuk punohej me ta.

Me familjen tuaj, jashtë, çfarë ndodhte?

Mirë që kisha lënë 5 fëmijë, po unë kisha lënë edhe vëllanë, kisha vëllezër, po ky vëllai ishte edhe një çikë i shkolluar. Kur ra dhe ky, ra dhe kushëriri, thashë unë: “Oho, me çfarë do të ushqehen këta fëmijë, çfarë do të bëjnë?”. Një grua në kooperativë, babai ishte plak, unë isha i ndarë më vete. Një tmerr! E ndjeja veten shumë ngushtë.

Çfarë mbani mend nga burgu i Spaçit

Burgu i Spaçit, më i rëndë nga çdo burg tjetër se veç vuajtjeve dhe torturave, atje kishte një gjë që: i sëmurë apo jo, do të veje në punë dhe në qoftë se nuk bëje punën, të tërhiqnin zvarrë. Edhe ishte një shef kooperative që thoshte: “ata që s’bëjnë punë, i bini në barrelë, i bini në kamp me barrelë, të vdesin atje në birucë”. Domethënë “të punosh se s’bën, se je armik i popullit”. Çfarë të them unë? Çfarë nuk kishte atje! Atje... edhe kafshët nuk jetojnë dot aq shumë, 50-60 vetë në një dhomë, tre kate dhoma, s’mbaje ajër.

Ishin krevatet me tri kate?

Me tri kate. Ajër nuk kishte. Galeria, si mos më keq!

Po gardianët si silleshin me ju?

Ata zbatonin urdhin. Urdhri ishte i prerë. Urdhri ishte: O normën, o në barrelë! Kur thotë komandanti, operativi, ai shefi, komisari, çfarë do të bënin ata? Ata, për atë punë, mernin para. Ndërmjet tyre kishte njerëz të egër, por kishte edhe burra të mirë, me thënë të drejtën, se duhen thënë gjërat ashtu siç janë.

A kanë ardhur të afërmit t’ju takojnë në burg?

Me thënë të drejtën, vinte një herë në vit, gruaja. Ndonjëherë, ndonjë nga vëllezërit... Dy vëllezër ishim brenda, ku do të vinin më para ata?! Ky kunati, brenda.

Çfarë ju ka treguar më pas gruaja për vështirësitë?

Gruaja ishte bërë... kishte mbaruar fare. Një lodhje, jo vetëm lodhja fizike, po edhe lodhja psiqike: “E shoqja e armikut”, “armiqtë e betuar të pushtetit”, “S’është vetëm burri yt, po edhe kunati yt, po edhe vjehrri yt, por edhe kunati tjetër". Të gjithë në burg. Luftë, nuk besoj se do të bëhej aq luftë, edhe gjermanë të ishim. Një luftë e paparë, e pamagjinueshme!

A ju erdhën fëmijët në burg?

Jo të gjithë, me thënë të drejtën. Ai i vogli, jo. Kur jam liruar nga burgu, në 11 nëntor të ’84-ës, një djalë që më ka vdekur, e kam gjetur këtu. Më pritën në Vlorë, nuk e njoha djalin përfundimisht.

Sa vjeç e latë dhe sa e gjetët?

Po e lashë 10 vjeç e gjeta 18, 19 vjeç . Nuk e njoha. “Po ky, o Petrit”?-se e quajnë Petrit vëllain e vogël. “Po është filani”- tha. Po ai më ka vdekur, e quanin Kristi.  

Si rodhi jeta juaj pasi dolët nga burgu?

Me thënë të drejtën, atje në Dukat, kishte shumë njerëz që kishin qenë shumë nëpër burgje, kulakë, armiq.

E ndjenit që Sigurimi i Shtetit ju survejonte?

Po, po, këtë e ndjenim. Vetëm kishim një gjë ne: se pavarsisht se si erdhën, frikë nuk kishim, se nuk është se bënim gjë kundëra shtetit. Ne punonim, gërmonim, ne shkonim në punën më të rëndë. Se duhet të bësh ndonjë gjë, që të kesh frikë.

Ju punuat në bujqësi. Fëmijët çfarë pune bënin?

Po fëmijët akoma nuk ishin bërë për punë se ishin në shkollë. Në bujqësi edhe ata. Filluan të rriten, në bujqësi, në vaditje, në prashitje.

Nuk iu dha mundësia të vazhdonin shkollën?

Shkollë, në asnjë mënyrë, absolutisht.

Si i përjetuat ndryshimet politike në vend?

Me shumë entuziazëm! E kemi përjetuar shumë mirë. Ne ishim nga ata të parët që e donim atë, po me thënë të drejtën, fëmijët ishin të pashkolluar, u hodhën dhe dolën jashtë. Mbetëm ne të moshuarit.

Nga arkiva e familjes Doko/ Kujto.al 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here