1945/Udhëzimi i Gjykatës së Lartë Ushtarake për konfiskimet e pasurisë

0
588
blank

Për të gjykuar “krimet kundër shtetit”, d.m.th. veprat politike, regjimi komunist ngriti sistemin e gjykatave ushtarake. Pasi funksionuan në fillim gjykatat e tre korpuseve, në vitin 1945, ato ia lanë vendin gjykatave ushtarake të qarqeve. Mbi këto, si organ epror, ishte Gjykata e Lartë Ushtarake, e cila funksionoi deri në vitin 1951, për t’ia kaluar kompetencat Gjykatës së Lartë.

Elementi kryesor i asaj kohe në dënimet e dhëna, ishin konfiskimet e pasurisë. Të gjitha vendimet shoqëroheshin me konfiskime të çdo lloj pasurie, të tundshme e të patundshme. Këto gjyqe kishin krijuar për shtetin një pasuri marramendëse. Nënkolonel Gaqo Floqi ishte kryetar i Seksionit Juridik të Gjykatës së Lartë Ushtarake. Ai u bë më pas kryetar i parë i kësaj gjykate. Mund të thuhet se ishte ideatori i organizimit të gjithçkaje të kësaj gjykate. Në hapat e parë të funksionimit të gjykatës, ai kërkon marrjen e masave të shpejta për të mos u vërejtur raste të shpëtimit të pasurive të tundshme.

***

blank

Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare

Tiranë 7.7.1945

Qarkore, gjithë këshillave gjyqësore ushtarake, Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit e për njoftim Inspektorisë së Përgjithshme të UNÇL

Është vënë re me keqardhje se nuk janë respektuar normat e ligjit nr.40, mbi disa dispozita të përgjithshme rreth konfiskimit të pasurive të personave që arrestohen prej organeve të Mbrojtjes së Popullit ose këshillave gjyqësore ushtarake dhe nga një moszbatim i ligjit nr.40, botuar në “Gazeta zyrtare”, nr.5, datë 23.1.1945, si konsekuencë ka rrjedhur që:

1-Komitetet ekzekutive të këshillave nacionalçlirimtare të prefekturave e nënprefekturave, duke mos patur dijeni mbi personat që arrestohen, nuk kanë sekuestruar pasuritë e tyre. Kështu që rrethi familjar ka mundur të fshehë sendet e paluajtshme si mobilie, gjë të gjallë, etj. për t’iu shmang konfiskimit në dëm të arkës së shtetit.

2-Që pasuritë e paluajtshme e këtyre personave janë prishur, mbasi familjarët e personave të arrestuar kanë mundur të shkatërrojnë dyert, dritaret dhe në disa raste dhe pullazin e shtëpisë.

Pra duhet me shpejtësinë më të madhe që kur një person i pandehur arrestohet, në rast se pasuria e tij sipas ligjit së posaçëm i konfiskohet, të lajmërohen komitetet ekzekutive të këshillave nacionalçlirimtare të prefekturave ose nënprefekturave, të juridiksionit me të cilin ka vendbanimin personi në fjalë.

Gjithashtu porositen gjithë këshillat gjyqësore ushtarake që gjithë vendimet që përmbajnë konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme t’i dërgohen nga një kopje komisionit për konfiskimin e pasurive, konform, dispozitave të nenit 8, paragrafi I të ligjit nr.40, d.m.th. të vërtetohet sekuestrimi i pasurisë bërë prej komitetit ekzekutiv sipas dispozitave të nenit 2 të ligjit në fjalë.

Shënim: Në foton kryesore, gjyq ushtarak, marrja në pyetje e Gjon Shllakut.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here