"Kur e rrëmbyen babain isha 7 vjeç, ajo natë ishte fundi i fëmijërisë sime"

0
4384
blank

Fundi tragjik i Akil Sakiqit, si u zhduk nga diktatura e eshtrat e tij nuk u gjenden kurrë. Jeta e vështirë gjatë diktaturës e dy fëmijëve jetimë, Emeli 2-vjeçare dhe Orhani 7-vjeçar. Kalvari dhe persekutimet e vuajtjet gjatë diktaturës të nënës së tyre Nevrezit e cila ndërroi jetë me brengë të madhe në zemër që nuk ia gjeti dot eshtrat bashkëshortit

Nga Marsida T. Najdeni

Nuk e di përse sa herë mendoj për çiftin Sakiqi, Akil Sakiqin dhe Nevrez Këlliçin, më kujtohet kënga e të madhit Muharrem Gurra... "Kur dy zemra dashurohen njëra tjetrën e kërkojnë. Zogjt e qiellit nuk menohen s'bashku çerdhen kur nërtojn." E pra dhe çifti Sakiqi u njohën aq bukur me njëri-tjetrin, por vazhduan u kërkuan dhe kur vdekja e parakohshme i ndau. Nevrezi dhe Akili kishin ndërtuar folenë e tyre, e cila dhe pas 1001 peripecirave i rezistoi dhunës, fitoi vetëm dashuria e tyre. Dashuri që vazhdon tek Orhan Sakiqi dhe motra e tij e ndjerë Emel.

JETA RINORE E NEVREZIT
Nevrez Këlliçi lindi në vitin 1915 në Tiranë në gjirin e një familjeje qytetare tiranase tepër të njohur në rrethin e Tiranës dhe tutje. Kjo familje i kishte dhuruar Shqipërisë intelektualë si Masar dhe Mytesim Këlliçi, Reshat e Qemal Këlliçi etj.. Vetëkuptohet se ajo u rrit me një frymë intelektuale, prandaj në moshën 15-vjeçare mbasi kishte mbaruar shkollimin plotor në Tiranë, babai në vitin 1930 e regjistroi në Shkollën Amerikane të Kavajës. Më pastaj, ajo ndoqi Shkollën e Dakos, ose Instituti Kirjazi, nga ende egziston ditari i Nevrezit plot kujtime. Kjo shkollë për vajza ishte hapur në vitin 1922 në Kamëz nga motrat Qiriazi, që mbetën mikeshat e Nevrezit deri në fund. Ndërsa si shkollim dhe më të detajuar Nevrezi kreu dhe Institutin Nana Mretneshë. Mbas 5 viteve studim në moshën 20-vjeçare, në vitin 1935, doli me titullin mësuese. Duhet të kemi parasysh se vajzat shqiptare të brezit të Nevrezit me një studim deri në atë moshë nuk përbënin kurrsesi shumicën. Nevrezi ishte dhe mbesa e shqiptarit të parë studiuar në Kembrixh të Anglisë, kreytarit dhe prefektit Rexhep Jella. Ai do ta merrte shpesh herë nëpër evente dhe mbrëmje. Ishte koha e monarkisë, ishte fryma për emancipimin e femrës shqiptare. Nevrezi si njohëse e mirë e italishtes, anglishtes, edhe frengjishtes, i shërbente mirë kauzës për frymën e re dijedashëse të femrës shqiptare.

blankJETA RINORE E AKILIT
Akil Sakiqi lindi në vitin 1908 në gjirin e një familjeje të njohur nga Dibra e Madhe. Babai i Akilit, Rakipi, ishte tregtar, i cili kishte emigruar në Stamboll herët qysh në vitin 1885 ku dhe kishte vënë pasurinë e tij. Babai i Akilit bleu pasuri të patundshme 1400 ha tokë në Janicë në afërsi të Selanikut plus dhe vilë shtëpi. Sot shteti grek nuk ia njeh familjes Sakiqi pronat. Kështu Akili kreu shkollimin në Liceun Francez të Selanikut, për ta përfunduar në Liceun e Korçës ku fatkeqësia e deshi të ishte shok shkolle me djallin Enver Hoxha. Kurse studimet e shkollës së lartë në Akademinë Ushtarake të Romës, në degën e Rojes së Financës. Me ardhjen në Shqipëri si fillim në Tiranë dhe me gradën e togerit ai shërbeu deri në vitin 1938 në Shkodër. Ndërsa në vitin 1939 do të transferohej në Durrës si zv/komandant batalioni. Këtu e gjeti dhe 7 prilli i pushtimit italian, ku ai do të ishte pjesëmarrës në luftën që u bë në brigjet e Adriatikut. Kapitullimi i Italisë fashiste do ta gjente me shërbim ushtarak në Tetovën e shqiptarëve. Ishte periudha kur në qytete si Tetova e përreth ishin hapur shkollat e para shqipe, bashkimi i trojeve etnike ishte një ëndërr e prekshme. Nuk i kishte mbetur gjë tjetër Akilit veç të rikthehej në Tiranë pranë familjes.

VITI 1935 DHE NJOHJA E NEVREZIT ME AKILIN
Nevrezi e bukur, plot hijeshi dhe elegancë, me një ëmbëlsi e zgjuarsi ishte në mbrëmje me një mikeshën e saj nga familja Dilo. Kjo e fundit po e ngacmonte jo pak shoqen e saj, e cila kishte për zemër një djalë me origjinë nga Dibra e Madhe. Në këtë mbrëmje ndodhej aty dhe Akili, i cili i dëgjon vajzat duke folur frëngjisht e duke qeshur me energjinë e rinisë. Dilo e ngacmonte Nevrezin duke i thënë si ajo e imagjinonte të lidhej me një "malok", por Akili ia pret batutën me një frengjishte të hollë e të kultuar, që i vuri vajzat në siklet. Orhani ma tregoi këtë histori në konfidencë, por unë i kërkoj ndjesë që e ndava këtu. E ndava për të vetmen arsye për të treguar se kur dy zemra dashurohen njëra-tjetrën e kërkojnë. Dhe foleja që Nevrezi dhe Akili ndërtuan së bashku lindi dhe u skalit vetëm nga dashuria.

TERRORI I KUQ MBI TIRANËN NË VITIN 1944
blankAkili ishte i sigurt se s'kishte bërë kurrë asgjë kundra atdheut. Nuk qe marrë kurrë me politikë. Si ushtarak i kishte shërbyer detyrës. Ai ishte patriot, krenar për prejardhjen e tij, kishte mbrojtur Shqipërinë me pushkë, e madje ishte përpjek deri në Tetovë për Shqipërinë etnike. Kështu nuk ia merrte mendja kurrë se më 26 tetor të vitit 1944 terroristët e kuq, guerrilasit partizanë, erdhën dhe e rrëmbyen me dhunë nga familja. Në sy të gruas dhe fëmijëve atë e lidhën dhe e tërhoqën. Bashkë me dy shokë të tjerë u pushkatuan në bregun e lumit të Tiranës. Ende sot eshtrat e Akil Sakiqit nuk janë gjendur. Faji i tij, siç shkruan dhe djalli Enver Hoxha në librin "Vitet e Rinisë" ku e përmend Akilin si shokë shkolle, ishte se qe me ide perëndimore. Sa dhjetëra e dhjetëra shokë e shoqe të Liceut të Korçës përfunduan të pushkatuar prej psikopatit Enver?! Orhani 7-vjeçar e kujton natën kur i rrëmbyen babain si fundin e fëmijërisë së tij.

PERIPECIRAT E NEVREZIT ME 2 FËMIJË JETIMË
2 vite mbas zhdukjes se Akilit, s'kishin më asnjë lajm nga ajo mbrëmje e tmerrshme e 26 tetorit 1944. Kishin dëgjuar për terrorin e kuq të 26 tetorit deri më 16 nëntor, vrasjet e shumta nëpër biruca hotelesh, brigje lumenjsh, rrugicave të Tiranës, kudo vetëm terror, që paturpësisht do ta quanin më 17 nëntor si "çlirimin" e Tiranës. Jo më kot dhe unë sot po e postoj këtë shkrim. Mëkat për ju që më 2021 festoni masakrat e të kuqëve. Nevrezi shpresonte mos Akili ishte ende gjallë, se dikush apo mbase shteti do t'kishte ardhë t'u thoshte se e kemi vrarë. Bashkë me Nevrezin shpresonte dhe Orhani 9-vjeçar, i cili ende sot mbas afro 80 vitesh ruan radion e babushit.

Shtëpia e tyre ishte marrë peng. Një oficer i Ministrisë së Brendshme, vjen dhe i thotë Nevrezit, se pjesa e përparme do t'i jepej motrës së tij, se nga sot e tutje ajo dhe fëmijët e saj duhej të hynin nga mbrapa te dera e druve. Kështu familja nga Jugu falë oficerit dhe zyrës së strehimit u bënë me shtëpi me pamja nga fusha e Shallvares në zemër të Tiranës. Orhani kujton se kur luante me top me djalin e familjes që u kishte hyrë në shtëpi, ai gjithë inat do ta quante Orhanin e vogël "tradhtar", gjëra që sigurisht i kishte dëgjuar në familje. Kështu Nevrezi me fëmijët jetuan me frikën e përgjimit. Ndonjë fjalë e tepërt mundej vetëm të përshpëritej sepse siç tregon Orhani "e kishim veshin në derë".

blankNjë ditë tetori të vitit 1951, mesuesen e afro dy dekadave, Nevrezin do ta thërriste drejtori i shkollës në zyrë duke i thënë se e kërkonin në seksion. Ajo e dinte se çfarë e priste. I ndalohej mësimdhënia, duke i thënë se partia nuk mund ta lejonte të edukonte brezin e ri me frymën e saj. Kësaj akuze Nevrezi do t'i përgjigjej: "Nga klasat e mia kanë dalë qindra nxënës që më takojnë dhe sot. Pastaj unë kam dhënë fjalën e besës në mënyrë të ligjës së nënpunsave. Ishte betimi që bënin arsimtarët, shkruar kjo në dekretin e emërimit si mësuese nga ministri Mirash Ivanaj. Ç'është kjo frymë? Dashuria për atdheun, për diturinë, kjo ka qenë fryma ime. Tani më ndryshoi fryma?" Përgjigjja që do të merrte nga seksioni: "Ne e kuptojmë frymën ndryshe nga ju të borgjezisë."

Muajt e parë për të mbijetuar shiti çfarë i kishte mbetur nga shtëpia apo ndonjë gjë tjetër e vlefshme. I vinte turp dhe e mbulonte fytyrën me ferexhe kur dilte t'i shiste. Pastaj u fut punëtore ndërtimi në ndërrmarjen "21 Dhjetori". Madje Nevrezi ka punuar si punëtore ndërtimi në godinën e Komitetit Qendror (sot Kuvendi). Ohrani tregon se nuk do ta harrojë kur një ditë e pa të ëmën duke fërkuar granilin e shkallëve. U detyrua të punonte punë të këtilla për të rritur dy fëmijët. Dy fëmijë shembullorë si Emeli, e cila mbeti pa baba vetëm 2 vjeçe dhe Orhani vetëm 7-vjeçar. Nëna e tyre i edukoi me dashuri për babain, u tregonte për të dhe e mbajti kujtimin e Akilit gjallë tek fëmijët duke ia gdhendur dashurinë ndaj të atit. Me rritjen e tyre të parakohshme do t'i bëheshin krah nënës. Nevrezi vdiq mbas rënies së sistemit, por me brengë të madhe në zemër që nuk ia gjeti dot bashkëshortit eshtrat.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here