Emin Bakalli, inxhinieri duarartë, 14 vite në burgjet e komunizmit

0
893
blank

Emin Bakalli ishte një inxhinier duarartë, edukimi i të cilit në shkollën teknike të Fulltz-it, iu kthye në barrën më të rëndë ndëshkimore të jetës së tij. Pas instalimit të regjimit komunist ai do të vuante burgjet e diktaturës duke u akuzuar si anëtar i grupit të intelektualëve teknik të shkollës amerikane.

Emin Bakalli lindi më 11 shtator 1912 në një familje autoktone dhe intelektuale tiranase. Pasi kreu shkollën e mesme “Harry Fulltz” në vitet 1934-1939 punoi ne Ministrinë e Punëve Botnore. Në vitin 1938 filloi studimet e Larta për Inxhinieri në Gjermani dhe i perfundoi ato në vitin 1943 duke u diplomuar “Inxhinier Hidro-elektro-mekanik”. Si një intelektual e specialist i formuar dhe njohës i mire i gjuheve gjermane, angleze, frënge dhe italiane pas kthimit të tij në atdhe deri në vitin 1946 punoi përsëri në Ministrinë e Punëve Botnore. Ai u burgos nga regjimi komunist me akuzën si “Anëtar i grupit tekniko-intelektual të shkollës teknike Harry Fulltz” dhe kaloi 14 vjet në burgjet e diktaturës.

blank Në foto: Shkolla teknike amerikane
Djali i tij Agim Bakalli, dëshmon sot, se i ati e nisi rrugëtimin e tij të vuajtjeve që në kohën kur Agimi ishte ende foshnjë 10-muajshe.
"Unë kam qënë 10-muajësh, imagjino tani pa koshiencë, fëmijë fare, kur babën e arrestojnë.Vijnë e arrestojnë në shtëpi edhe historia e kohës të komunizmit e ka përcaktuar si grupi i intelektualëve i shkollës teknike amerikane. Ishin të vetmit për t’i vënë emrat, për të gjetur sinonime, përcaktime të habitshme. Edhe dënohet. Fillimisht dënohet me vdekje, pasandeja i ulet dënimi nëse do ta quaj kështu, me 101 vite, pra me burgim të përjetshëm siç quhet sot, edhe ia zbresin pastaj kur bëhet gjyqi më 1947. Ai u arrestua në fund të 1946 dhe në fillim të ’47 është bërë gjyqi, mbas 6 muajsh hetuesie", dëshmon Agim Bakalli.
Ai rrëfen se gjatë 6 muajve të hetuesisë, i ati u mbajt në Burgun e Tiranës, pranë rrugës që sot quhet “Mine Peza”.
"Historinë e tij të hetuesisë dhe të burgut mua m’i kanë thënë vetëm shokët e babës kur vinin këtu që ishin bashkë në burgun e Burrelit, por edhe mbas vdekjes kur erdhën për ngushëllim. Ata më tregonin se "ç’ka hek Emini, por vetëm se ka qënë i fuqishëm, që i ka përballuar ato tortura që ia ka ba një nga hetuesit më të poshtër që ka pas hetuesia shqiptare, Paskal Andoni, ka qënë i tmerrshëm..." - tregon Agimi për torturat e 6 muajve hetuesi të të atit.
Pas zhvillimit të gjyqit, seancë pas seance, dënimi përfundimtar iu ul në 20 vjet dhe pas dënimit ai dërgohet në kampin e punës së detyruar në Maliq.
Agimi dëshmon: "Menjëherë sa e dënojnë e çojnë përkohësisht në Maliq, në tharjen e kënetës së Maliqit. Është koha kur mbas 3-4 muajsh që ai ishte atje i pushkatojnë një nga shokët e vet, Mirush Përmetin. Njëkohësisht dënojnë edhe grupin, ka qënë Abdyl Sharra, ka qënë drejtori i tharrjes së kënetës së Maliqit, një personalitet, i mbaruar me studimet jashtë, me origjinë nga Vlora, edhe Kujtim Beqiri, edhe ky një personalitet i shkëlqyer, me studime të mbaruar në Vjenë, të tre këto i pushkatojnë atje"
Pas mbylljes së punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, Emin Bakallin e lirojnë për pak kohë dhe e si inxhinier specialist për elektirikun e vënë të udhëheqë punimet gjatë ndërtimti të bllokut të banimit që u quajtën ëm vonë "Pallatet Agimi". Një ngjarje e bujshme e ndodhur aty, ku një grup të burgosurish tentojnë tëe arratisen përmes nëj tuneli të hapur poshte lumit të lanës, bëhet shkak për ta burgosur sërish.

Ngjarja siç e rrëfen Agim Bakalli kishte ndodhur kështu:

"Një grup të burgosurish gërmojnë poshtë aty, sepse vendi ku rrinin ishte brenda telave me gjemba për punimet e "Pallateve Agimi". Ata gërmojnë dhe doli një tunel poshtë Lanës, për me dalë matanë edhe për me u arratis. Baba nuk ishte pjesë e këtyre që punonin kështu, por ishte pjesa tjetër që u morr me ndriçimin e tunelit. Aty një person, ishte nga këto të cilët ishin pjestarë të grupit që hapnin tunelin, ky i kishte spiunuar. Menjëherë pas kësaj ngjarje babën e dënuan përsëri edhe 25 vjet të tjera dhe mbas kësaj e kanë çuar në burgun e Burrelit.
Deri në këtë kohë, familja Bakalli kishte mbijetuar me vështirësi në Tiranë. Agimi e kujton largimin e parë nga shtëpia si një dramë tjetër që i shtohej jetës së tyre....
"Kur kam qënë 6-vjeç, na kanë heq për herë të parë nga shtëpia. Me thanë të drejtën në atë kohë nuk dinim ku të shkonim. Me nënën kemi shkuar në Peshkopi. Nga Peshkopia me kuaj, kemi kaluar Drinin, s’kishte ujë lumi Drin në atë kohë, për fat ishte verë, edhe kemi shkuar atje në fshat dhe kam bërë një vit shkollë. Klasën e parë e kam bërë në atë fshat. Mbas një viti atje u kthyem në Tiranë. Sigurisht s'kishim shtëpi edhe kemi ndenjur te lagjja e Dibranëve. Kemi ndenjur në bodrumin e një shtëpie, ku aty hynte uji. Pas pak vitesh qëndrimi atje, jo që kishte zënë shtëpinë, ajo iku nga shtëpia, edhe ne menjëherë me mamën, jemi futur në shtëpi. Kemi ndenjtur 6 muaj, atje në shtepinë tonë..."

Nga e gjithë fëmijëria, Agimi mban mend vetëm ato 6 muaj në shtëpinë e tij. Pjesa tjetër e jetës do i kalonte në shtëpitë e botës, në kushte të vështira mbijetese. Internimin e tij dhe të nënës nga Tirana për në fshatin Gërman të Burrelit Agimi e kujton me detaje:
"Bie dera në orën 8 e gjysëm të darkës, bam, bam, bam! U ngrit mama dhe sheh një grup ushtarësh, një makinë e zezë, m’u përpara derës, edhe një officer; “Me urdhër do largoheni nga shtëpia dhe jeni të internuar në një vend tjetër”. Për çfarë arsye?- pyeti mama. Nuk na dhanë arsye...", tregon Agimi, ndërsa shton: "Ushtarët hynë ngarkuan çfarë kishin për të ngarkuar; plaçka. Na kishin caktuar si vend internimi fshatin Gërman të Burrelit. Në Gërman në atë kohë kishin filluar uzinat e ferro-kromit dhe ato donin fuqi punëtore".
Kësisoj, fati i kishte bashkuar të gjithë familjen në Burrel ata jashtë si të internuar dhe babanë në burg. Agimi tregon se gjithë vitet që kaloi në Burrel përjetoi ndarjen e dhunshme me të atin. Regjimi kishte bërë gjithçka që ai si fëmijë ta perceptonte largësinë dhe ndarjen me babanë në kushtet nga më absurdet.
"Unë e kam parasysh si sot burgun e Burrelit. Po të më pyesi njeri a mund ta përshkruaj? E përshkruaj me hollësi, me detaje sesi ka qënë sepse katër vjet luaja rreth e rrotull, me kalamajtë, me shokët e moshës, luaja rreth e rrotull burgut të Burrelit se edhe fusha e futbollit ishte nja 20 cm larg burgut..", tregon ai, ndërsa vijon të rrëfejë takimet e rralla brenda në burg me të atin.

blankNë foto: Agim Bakalli

"Ne shkonim atje, prisnim pak jashtë me mamën, që kishte ato ushqimet dhe veshjet që mund t’i çonte. Pastaj dilte roja, thoshte; hajde! Shkonim në një oficer atje i hapte dhe i shikonte çfarë kishte aty te ushqimet që i kishte prurë nëna. Masandej na çoshin në një vend edhe këtë ia vlen për me e treguar domethënë sepse i ka brenda edhe vuajtjen, edhe emocionet, edhe reagimet, le të themi, jo të moshës, më tepër sesa baba që na ndante. Kurrë se kemi takuar, s’i kemi dhënë dorën, se ishte një distancë, baba ishte atje brenda, i ndarë me hekura të trashë të farkëtume edhe ne ishim jashtë por prapë të ndarë me hekura, kurse në mes shëtiste një ushtar. Domethënë unë babën, për aq vjet derisa jam bërë 16 vjeç se kam takuar ndonjëherë në burg, si kam dhënë dorën. Këto ishin të përmuajshme".

blankNë foto: Emin Bakalli, pas daljes nga burgu

Ishte viti 1961, kur Emin Bakalli lirohet nga burgu i Burrelit dhe e gjithë familja do të bashkohej në Tiranë. Vitet më të frytshme të jetës i ksihte kaluar në burg. kishte humbur pothuajse gjtihë fëmijërinë e djalit të tij, të cilin e ksihte lenë veçse 10 muajsh kur ishte arrestuar herën e parë dhe e gjente tashmë, pas më shumë se 15 viteve burg, pothuajse në fund të adoleshencës.

Agimi, 16-vjeçar, mundohej të ecte në hapat e të atit. Kishte nisur shkollën teknike, njësoj si i ati dikur,  por pa patur shpresa që do të arsimohej ashtu siç ai do të dëshironte, sepse përndjekja dhe persekutimi do të vijonin njësoj për familjen edhe pas daljes së babait nga burgu. Vetë Emini, pas lirimit, do e kalonte pjesën tjetër të jetës në kushte tejet të vështira. Gjen punë si elektriçist dhe hidraulik në administratën e shkollave dhe siç tregon Agimi: "Me një biçikletë, dhe një çantë me vegla, shkonte në çdo shkollë të Tiranës, kudo ku kishte difektet elektrike apo hidraulike". Edhe pse fliste gjashtë gjuhë të huaja, regjimi ia kishte kufizuar në ekstrem mundësitë e punës dhe jetës./kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here