Edmond Caja, xhelati që torturoi të pafajshëm në burgun e Qafë-Barit, sot qytetar i “nderuar” gjerman

0
2024
blank

Padia e ish-kreut të burgjeve të diktaturës ndaj Fatmira Dines, bijë e familjes së persekutuar ashpër nga regjimi komunist. Dëshmia e ish-policit Urim Gjata dhe dy dëshmi të tjera për revoltën në burgun famëkeq të diktaturës, atje ku xhelati komandant burgu, lau me gjak të burgosurish, koridoret e oborret e atij kampi.

"Në mes të kampit, i lidhur, qëndronte Anastas Dhami nga Pogradeci. Edmond Caja së bashku me Ludovik Calin, me pinca i shkulin mustaqet. Thirrjet dhe dhimbjet e Anastasit mbuloheshin nga të qeshurat dhe jargët e kriminelëve me uniformë. Thoma Jergolatit i thyen këmbën. Ludovik Cali dhe krimineli Edmond Caja filluan të qëllojnë me çizmet e meshinit me thumba hekuri, mbi viktimat gjysmë të vdekur, të shtrirë në sheshin e kampit".

Kishin kaluar pak ditë nga revolta e 22 majit të vitit 1984, në burgun e Qafë-Barit, kur komandant toge Edmond Caja do të shfaqej me entuziazëm e ngazëllim në ambjentet e mensës së këtij burgu. Kishte urdhëruar mbledhjen e të dënuarve në atë sallë, ku do të komunikonte një lajm shumë të rëndësishëm. Në heshtjen që kishte pllakosur mbi të burgosurit që qëndronin me kokë ulur e në pritje të shkopinjve e shkelmave mbi ta, nisi të dëgjohej zëri i frikshëm i Edmond Cajës.

Dëgjoni vendimin e gjykatës:

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të të pandehurve, vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë, vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj. Pasi kishte lexuar me gjithë gëzimin monstruoz listën e vdekjes blankdhe burgosjes, për ata fatkeqë që gjendshin aty pa bërë asnjë faj, xhelati Edmond Caja kishte lëshuar edhe ulurimën kërcëuese për të tjerët: A ka ndonjë trim tjetër që do matet me ne? Pas pak ditësh, në qershor të vitit 1984, dy të rinjtë e dënuar me pushkatim, do të ekzekutoheshin përms gjymtimeve monstruoze të panjohura e të padëgjuara në gjithë përvojën monstruoze të xhelatëve e diktatorëve të regjimeve totalitare nëpër botë. E ka rrëfyer Visar Zhiti në kujimet  tij për vuajtjen në burgjet komuniste. Sipas dëshmisë së tij, Sokol Sokolit e Tom Ndojës, pasi u pushkatuan, ua nxorën edhe sytë për t'i përdorur gjoja për kërkim shkencor.

Karriera e përgjakur e Edmond Cajës

Për shkak të devotshmërisë së lartë për të luftuar “armiqtë e popullit”, Sokol Sokoli e Tom Ndoja të pushkatuar, si dhe shumë të tjerë të burgosur, komandanti i togës në burgun e Qafë-Barit, Edmond Caja, do t'i besohej një detyrë më e lartë shtetërore. Pak kohë më vonë, ai u emërua drejtor i burgut të Qafë-Barit dhe pak kohë më pas, regjimi komunist e emëroi Edmond Cajen, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve të Shqipërisë.

Në atë detyrë, Caja qëndroi deri sa u përmbys regjimi komunist, të cilit i shërbeu me aq devotshmëri. Pas vitit 1992, kur ishte përmbysur diktatura, Edmond Caja shkoi në Gjermani. U largua ndoshta edhe përmes kërkesës për strehim politik në Gjermani. blankEdmond Caja është prej 26 vitesh në Gjermani, si qytetar gjerman. Atje jeton edhe sot, i pashqetësuar nga e shkuara kriminale, “i nderuar” si sipërmarrës e pikërisht për këtë status të ri të tij, ai ka bërë një padi pranë drejtësisë gjermane. Edmond Caja padit shtetasen Ermira Dine, për prishje të imazhit, sepse ajo ka rrëfyer atje të vërtetën e karrierës së tij të përgjakur, gjatë kohës së diktaturës komuniste.

Ermira Dine do të përballet së shpejti me Edmond Cajen në gjykatën gjermane. Me shumë gjasë, Edmond Caja do ta fitojë këtë gjyq, sepse Ermira Dine nuk ka shumë fakte për t'i ofruar gjykatës gjermane, përveç dëshmive që vijnë nga të dënuar, viktima të dhunës monstruoze të Edmond Cajes.

Dëshmi për krimet e Edmond Cajes

Xhaferr Kalbaj

“Na çuan në kampin famëkeq të Qafe Barit, një ditë dhjetori të acartë e me dëborë të vitit 1986, mua bashkë me Agron e Naim Lalën, vëllezër, nga Borshi i Sarandës dhe një djalë tjetër të gjatë nga Kuçi i Vlorës, i cili quhej Fred, por shokët e tij Naimi e Agroni e thërrisnin Feto. Ishin dënuar, si dhe unë, për të njëjtën akuzë dhe ishin arrestuar grup bashkë.

blankSapo na zbritën nga makina autoburg, na plasën brenda rrethimeve të atij kampi të llahtarshëm. Ishte një i ftohtë, siç di të bëjë vetëm në malet e Tuçit të Pukës, i ftohtë i cili na hynte deri në palcë. Një skuadër policësh, të cilët mbanin uniforma kapterësh të ushtrisë, na u vërsul menjëherë në fyt, duke na rrahur me shkopinj druri dhe duke na rënë me këpucë ushtarake në kërcinj të këmbëve. Pasi na zhveshën lakuriq në mes të acarit e dëborës gjoja për kontroll, tek ne erdhi një oficer i veshur me uniformë të policisë me qillota, çizme lëkure e me rrip kraheqafë. Ishte Komandanti i kampit, Edmond Caja nga Kuçi i Vlorës, por me banim në Tiranë. Pas shpinës së tij, rrinte gati për terror, shefi i policisë së kampit Ludovik Cali, një malësor prej Balldrenit të Lezhës. Filloi rrahja e pamëshirëshme ndaj nesh. Më shumë rrahën Fredin, sepse komandanti Edmond Caja i thoshte se na fëlliqe Kuçin e Vlorës. Ishte koha pas Revoltës së Qafë-Barit. Nuk kishte kaluar veçse 2 vite e 6 muaj nga pushkatimi i trimave Sokol Zefi (Sokoli) e Tom Ndoja, si dhe mbytja nën tortura e ish-ushtarakut të specializuar jashtë shtetit, Sandër (Sadri) Sokoli.

Marrë nga: kujto.al

Visar Zhiti

Dënimi i revoltës

Ra çanga, hekur mbi kokë. Na mblodhën në mensë prapë. Ai myzeqari aty, ku e kishim lënë, i palëvizur, kështu dukej. Mos duan të përsëritim rebelimin? Prapë erdhi ai oficeri nga Jugu, zëvendës-komisari a ç’dreqin ishte, që iu rrokullis kapela me yll e iu ngatërrua nëpër këmbë si mace, si ideologjia e vet, thuaj. Policët me shenja plagësh. Gjysma kokësh të lidhura me fasha, copa krahësh të thyer. Komunikim. Zëri i komisarit donte të ngjante i fortë, i patundur dhe vetë po rrinte drejt si ato tabelat e qitjeve. Batare armësh. Diktatura e proletariatit e shtypi revoltën e armiqve… dhe… gjyqi i popullit… heshti. Uli sytë mbi letër, pa syze… Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të të pandehurve… na u mor fryma, emra, emra… vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj… po e të pushkatuarve? E Sandër Sokoli… me kokën që i varej supeve, e hodhën mbi të tjerët në makinë, kufomë, kockathyer dhe të lidhur… firmat e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Pukë, më 3.06…

Marrë nga:

“Ferri i çarë”, libri i Visar Zhitit në kujtim të 29-vjetorit të masakrës

Urim Gjata, ish-polic në Pukë

Më 20 maj 1984 regjimi u trondit, të dënuarit e ndërgjegjies, të vdekurit për së gjalli, akoma nuk kishin vdekur. Ata, si një vullkan, shpërthyen duke sfiduar diktaturën, dhimbjet blankdhe torturat çnjerëzore. Ata, me çdo mjet, kërkonin të shembnin diktaturën, megjithëse të ndarë nga bota brenda telave, ata tronditën një sistem të tërë. Ai mëngjes grumbulloi të gjithë bashkëvuajtësit e diktaturës, nuk ish i pa qëllimshem. Rrahja dhe tortura para syve të tyre, të dy shokëve të tyre, bëri që grupit të parë të vogël, t'i bashkohen me shpejtësi të gjithë. Thirrjeve të para ju bashkuan furishëm me zërat e tyre, të gjithë të dënuarit. Poshtë komunizmi. Poshtë diktatura. Poshtë diktatori. Liri demokraci. Flamuri kuq e zi për herë të parë valëvitej në duart e tyre, pa yllin si simbol të bollshevizmit dhe diktaturës. Thirrjet: ''Jemi shqiptarë, nuk e duam komunizmin, nuk e duam diktaturën, nuk e duam diktatorin! Duam lirinë, duam demokracinë!'',  po mbushnin me jehonën e tyre bjeshkët e malësisë. Në ballë të turmës së të dënuarve, qëndronin Tom Ndoj, Sokol Sokoli, Petrit Bazelli, Anastas Dhami, Nue Pisha, Kosta Gjordemi etj,  të cilët me zërat dhe fuqinë e tyre, tmerruan kriminelët e diktaturës, që të zverdhur si mehit, nuk dinin çfarë të bënin. Ata që i dhunonin çdo ditë, fluturuan mbi telat me gjemba, si frikacakë të ndyrë që ishin, në largimin e turpshëm të tyre nga brenda kampit, forca të shumta i mbronin nëpërmjet breshërisë së plumbave nga jashtë. I tmerruar me pistoletë në dorë, komandanti i burgut Ludovik Cali, jepte urdhëra sa majtas djathtas. E vetmja fjalë e tij ishte: Zjarr mbi armiqtë e popullit dhe të partisë sapo të prekin telat. Forcat ushtarake të kampit, por dhe ato të ardhura me shpejtësi nga Puka dhe Tirana me helikopter, rrethuan komplet zonën, snaiperët zunë pozicionet në të gjitha pikat kryesore, a thua kishin të bënin me ndonjë bandë të armatosur apo me disa njerëz gjysmë të vdekur, që thërrisnin brenda telave: Liri, demokraci! Ushtarakë të zverdhur dhe të tmerruar me gishtin në këmbëz, prisnin urdhërin për të qëlluar mbi këta njerëz brenda rrethimit çnjerëzor. Zëri i çjerrë i Edmond Cajes jepte urdhër: Zjarrrrrrrrrr mbi armiqtë, zjarrrrrrrrrrrrrrrrrr, dhe krismat filluan të shtohen pak e nga pak. Zjarr kundër një turme të paarmatosur brenda telave me gjëmba, zjarr ndaj disa njerëzve kockë e lëkurë që kërkonin lirinë, zjarr kundër bashkëatdhetarëve të tyre. Zjarr kundër atyre që ishin lënë brenda rrethimit për disa ditë pa ujë, pa bukë. Sokoli bërtet i pari: Largohuni vëllezër, futuni në kapanone, largohuni nga sheshi, na futën në grackë,po na vrasin, largohuni. Por tashmë ishte shumë vonë, sheshi i burgut kishte filluar të merrte ngjyrën e kuqe. Të plagosur hiqeshin zvarrë. Britma nga të katër anët, “Mos, mos qëlloni vëllezër, mos qëlloni, jemi vëllezër mosss. Jemi shqiptarë, mos na vrisni mosssssss mossss mossss. Por kush mund të dëgjonte më. Ludovik Cali rrëmben automatikun e një polici dhe nga taraca e oficerit të blankrojes, harxhon gjithë karikatorin drejt grupit të të dënuarve. Nga helikopteri hapet zjarr pa pushim, nga kodra përballë gjithashtu. Pak nga pak, thirrjet për ndihmë dhe britmat brenda rrethimit po mbuloheshin nga zhurma e armëve pa pushim. Kishte edhe nga ata policë apo ushtarë që kur dëgjuan thirrjet, ulën armët dhe nga sytë e tyre filluan të binin lot, lot por asgjë më tepër nuk kishin se çfarë të bënin. Ndryshe do të ishin dhe ata pjesë e atyre që bërtisnin për ndihmë brenda telave të pambrojtur.

Midis britmave dhe të plagosurve që tërhiqeshin zvarrë, duke sfiduar vdekjen, një grup të dënuarish, si Petrit Bazelli, u futën për të ndihmuar mes plumbave, për t'u ardhur në ndihmë shokëve të tyre të mbetur në shesh, Anastasi, Nuja, Toma, Kosta. Minoritari Thoma Jergolati hapi lavanterinë për të strehuar shokët e plagosur. Mjeku i kampit, serbi Drang Vujoshevi dhe ky një i dënuar politik, mundohej të mjekonte sa të mundej për të shpëtuar nga vdekja viktimat e kësaj masakre të paparë dhe dëgjuar ndonjëherë. Ato pak lule të fillim Majit brenda rrethimit të kampit, që këta njerëz i ujisnin çdo ditë, filluan të skuqen tani me gjakun e tyre. Kriminelët me uniformën e shtetit nuk pyesnin më, ndaj armiqve të partisë ishte derdhur jo vetëm urrejtja dhe druri, por tanimë dhe plumbat pa kursim. Dhe më në fund u hapën dyert e rrethimit, i pari Ludovik Cali, shefi i Sigurimit të kampit, dhe më pas menjëherë krimineli Edmond Caja, filluan të qëllojnë me çizmat e meshinit me thumba hekuri, mbi viktimat gjysmë të vdekur, të shtrirë në sheshin e kampit. Bastardët me uniformën e policisë, Kola, Prenga, Marashi, Ahmeti, Bastriu të shoqëruar nga të tjerët, filluan të thyejnë kockat e të dënuarve. Masakër, një masakër e paparë. Kriminelë dhe viktima, kriminelë të armatosur deri në dhembje dhe viktimat lakuriq, pa bukë, pa ujë, pa mbrojtje. Masakër kundrejt vëllezërve të tyre të pambrojtur, masakër kundër njerëzve kufoma. Zinzhirët e qenve të policisë dhe telat me gjemba u vunë menjëherë në punë. Gjithë të dënuarit, me plagë dhe pa plagë, u lidhën këmbë e duar me zinxhirë, ndërsa qentë e kufirit, ndërsuleshin mbi trupat gjysmë të vdekur, duke i copëtuar me orë të tëra. Rreth e rreth malet ishin mbushur me forca ushtarake, që nuk lejonin askënd të afrohej dhe të shikonte çfarë ndodhte. Dita e nesërme do të ishte më makabër, mbas asaj të parës. Të lidhur me zinxhirë, të torturuar çnjerëzisht, pa gjumë, pa bukë, pa ujë, zvarrë pjesëmarrës në shesh, për të parë atë çka do i priste dhe ata. Mbas një torture çnjerëzore, të dënuarin Tom Noin e vendosin mbi dy trupa pishe dhe krimineli Ludovik Cali e thyen në mes, duke i sjellë një vdekje makabre. Ndërsa shokun e tij, heroin Nue Pishën, mbas torturave, e dënuan me vdekje, duke e pushkatuar ditën tjetër. Në mes të kampit, i lidhur, Anastas Dhami nga Pogradeci, provonte një tjetër torturë çnjerëzore, Edmond Caja, së bashku me Ludovik Calin, në mes të sheshit, me pinca i shkulin mustaqet. Thirrjet dhe dhimbjet e Anastasit mbuloheshin nga të qeshurat dhe jargët e kriminelëve me uniformë. Thoma Jergolatit i thyen këmbën, dikë e trodhën... po po, të gjitha u zhvilluan në kampin e Qafë Barit dhe në birucat e policisë.

Marrë nga: https://urimgjata.wordpress.com/2014/05/05/71/comment-page-1/

blank

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here