Dokumenti i 1946/ Maman Saliu e Mihallaq Ziçishti: Si e vramë Mirash Noshin

0
751
blank

Mirash Qepuri, ishte një djalë i ri 35 vjeç nga katundi Ker i Dukagjinit. Komunistët e vranë një ditë tetori të vitit 1946.

Mirashi ishte arratis gjatë raprezaljeve të komunistëve pas kryengritjes së Postribës. Por, siç dëshmon ky dokument i Divizionit të Mbrojtjes së popullit, ishte arrestuar e më vonë pushkatuar nga komunistët. Sipas një dëshmie të dhënë në vitin 2015, nga Ëngjëll Gjok Lula, Mirashi dhe vëllai i tij Marku, ishin pushkatuar pse kishin strehuar At Anton Harapin. Fillimisht kishin marrë e torturuar vëllain e madh Markun, të cilin e kishin gjetur më pas të vdekur, e më pas kishin arrestuar Mirashin. Fatin e Mirash Noshit (Mirash  Qepuri), na e zbulon ky dokument, ku vetë drejtuesit e lartë të operacionit komunist, Maman Saliu dhe Mihallaq Ziçishti, njoftojnë se si e kanë vrarë atë.

Fillimisht e kishin arrestuar dhe pas disa kohësh, e kishin lënë të lirë (siç duket nën vrojtim) dhe meqë ai ndihmonte të arratisurit, e kishin arrestuar sërish. Pas arrestimit, siç shkruajnë Maman Saliu dhe Mihallaq Ziçishti, “ai kishte dasht të ikte. Kështu që e vramë). Ky ishte fati i Mirash Noshit. Prej tre djemve të Nosh Qepurit, vetëm djali i vogël kishte shpëtuar pa u vrarë. Ai ishte dënuar fillimisht me vdekje, por i ishte kthyer dënimi në 25 vjet burg. Më poshtë “kujto.al”, e sjell të plotë dokumentin, ku zbulohet vrasja e Mirash Noshit.

Ushtria Kombëtare Shqiptare

Divizioni Mbrojtjes Popullit

Komanda e Qarkut

Shkodër

Nr.77/290

Vdekje fashizmit

Liri Popullit

Shkodër, më 16/X/1946

Landa: Mbi frasjen e një t’arrestuari

Komandës së Divizionit Mbr.Popullit

Tiranë

Ju njoftojem se me datën 15/X/1946 u vra në Prekal nga njësiti I atyeshëm I quajturi Mirash Noshi nga katundi Ker i Dukagjinit.

I përmenduri ka qenë i arratisur dhe ishte dorëzuar këto ditë dhe lënë i lirë përkohësisht, mirëpo me sa u konstatua ky vazhdonte përsëri punën e korrierit të ilegalëve, u arrestua në Prekal dhe gjatë shoqenimit ka dasht të ikte dhe kështu u vra.

Komisari Politik

Kapiten

Maman Saliu

Komandant I Qarkut M.P.

Major

Mihallaq Ziçishti

blank

Burimi:AMB,  F. Diviz. Mbr. Popullit., V. 1946, D. 62

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.