Fëmijët e kampeve të internimit, dhuna dhe uria nuk ua fshiu dot buzëqeshjen!

0
695
blank

Një moment nga jeta e fëmijëve në kampet e internimit në Lushnje. Foto e Rudina Demës dhe shoqeve të saj, shkrepur në vitin 1956…

Kjo foto e rrallë e vitit 1956, zbulon një copëz nga jeta e fëmijëve shqiptarë në kampet e internimit. Pas largimit nga kampi i Tepelenës, në vitin 1954, shumica e familjeve të internuara u vendosën në fshatrat e Lushnjes, si: Savër, Grabjan, Gradisht, Plug, etj. Mes tyre, ishte edhe familja e Hysni Demës, një ushtarak karriere i arratisur nga Shqipëria, që në ditët e para të vendosjes së regjimit komunist. Familja e tij, bashkëshortja  dhe pesë fëmijët i “shëtitën” pjesën dërrmuese të kampeve, për afro gjysëm shekulli. Ky moment në fotografi tregon një ditë në një prej kampeve të internimit në Lushnje, ku duken fëmijët që mbartin kovat me ujë. Edhe pse kishin kaluar fëmijëri jashtëzakonisht të vështirë, mes urisë dhe sëmundjeve, në kohën e kampeve me tela me gjemba, tek fëmijët nuk ishte shuar sidoqoftë entuziazmi i moshës. Ata qeshin në këtë foto, duke dëshmuar se edhe në ato kasolle me baltë dhe në klimën e kënetave, jeta mund të dukej e bukur!

Fotografia i përket një prej vajzave të Hysni Demës, Rudina Dema, e cila që kur ishte foshnje pak muajshe, e nisi kalvarin e gjatë të vuajtjeve nëpër kampet e internimit. Ajo  është një dëshmitare e fortë e  viteve të regjimit komunist. Pas fotografisë me shkrimin e  saj, Rudina ka shkruar në atë kohë:

Kemi dalë në vitin 1956, ditën e Bajramit. Shoqet janë: Rudina, Agetina, Elisabeta, Sonja, Shpresa, Bardhylja, Shpresa. E kam kujtim nga të gjithë shoqet e kampit.

blank

blank

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.