Dokumenti 1946/ Dy kampet e internimit, ku gra e fëmijë vuajnë në uri dhe epidemi 

0
290

Dokumentet 1945-1946, ku jepen detaje të hollësishme për statistikat e internimeve dhe për kushtet e tmerrshme, ku mbaheshin mbi 2175 të internuar, mes tyre gra e fëmijë, mes  urisë e mungesës së ilaçeve… 

Si nisën internimet e para të familjeve të të gjithë kundërshtarëve të komunizmit në vitin 1945 - 1946 në Shqipëri? Deri atëherë, askush nuk i njihte metodat sovjetike të deportimeve si shenja hakmarrjeje, po më shumë si presion e masa shtrënguese ndaj kundërshtarëve politik.

Të parët që ranë pre e hakmarrjes ishin familjet dhe të afërmit e të arratisurve politik, por edhe të atyre që kishin guxuar të braktisin rradhët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Largimi i tyre nga ushtria quhej dezertim, edhe pse lufta kishte përfunduar me kohë. Dhe dezertimi po ashtu, kishte pasoja të rënda për të gjithë familjen e dezertuesit.

Në një dokument të arkivave të Ministrisë së Brendshme, të marsit 1946, jepen detaje të hollësishme për internimet e para dhe statistika të të internuarve, në të gjithë Shqipërinë.  Po ashtu, jepen hollësi për kushtet e tmerrshme të jetesës së të internuarve, epidemitë e sëmundjeve, si edhe faktit që internimet po praktikoheshin si masë presioni për t'i detyruar të arratisurit të dorëzoheshin, apo ushtarët që të mos dezertonin.

Më poshtë Kujto.al, e sjell të plotë dokumentin, ku flitet për internimet e para në Shqipëri  dhe dy kampet e internimit në Berat dhe Krujë.

***

Internimet

Masa e internimit është shtruar që në muajin maj 1945. Kjo masë përmblidhte familjet e dezertorëve nga ushtria dhe të të arratisurve politik e ordiner.

Për ushtarakët që dezertonin, merrej menjëherë masa, i internohej e gjithë familja dhe i konfiskohej pasuria. Për të arratisurit politik e ordiner, deri në atë kohë, nuk ishte marrë ndonjë masë për familjet e tyre. Në atë kohë, u shtrua marrja e masave për ta. Për të arratisurit politik, në fillim u shtrua marrja e masave për elementët përgjegjës e komandantët e grupeve të armatosura. Kjo u bë me qëllim presioni ndër të tjerët dhe pati si përfundim dorëzimin e një numri të arratisurish. Para marrjes së masës, ju jepej një afat dorëzimi prej dhjetë ditësh.

Masa internimi janë marrë edhe për familjet e atyre që arratiseshin në Greqi.

Më vonë, pas 5-6 muajve, për dezertorët, të arratisurit brenda e në Greqi është caktuar që t’i internohet vetëm kryefamiljari; gjithashtu është prapsuar urdhri i konfiskimit të pasurisë. Si afat dorëzimi për dezertorët dhe të arratisurit brenda, jepet 20 ditë, kurse për ata jashtë shtetit (Greqi), një muaj. Masa e internimit vazhdon.

Në marrjen e masave të internimit janë bërë dhe gabime. Është marrë i ungji, kushëriri dhe e gjithë familja. Kjo ndodhte më tepër nga veriu, ku në një shtëpi rrinë dy-tre familje bashkë. Kur u konstatua një gjë e tillë, atëherë u bë një shqyrtim i listave të të internuarve dhe u liruan ata që ishin marrë gabim. Nga ana tjetër, iu shkrua seksioneve që të mos bënin gabime të tilla, duke ju përcaktuar se cilët duhej të internonin. Një gjë e tillë ndodhte kur internohej e gjithë familja.

Si vend internimi, u caktua Berati për Shqipërinë e Mesme e të Veriut dhe Kruja, për ata të Jugut.

Gjendja e të internuarve ka qenë e është e vështirë. Buka nuk ju jepej në rregull, vend-banimi jo, as zjarr, as mbulesa.

Nga kushte të tilla jetese, nga papastërtia si dhe nga mungesa e barnave ka pasur ndër ta, epidemi të ndryshme dhe kanë vdekur. U kërkua nga Ministria e Shëndetësisë që të ngriheshin dy ambulanca. U ngritën, por mungonin barnat.

Edhe gjatë rrugës nuk janë trajtuar mirë. Janë lënë 2-3 ditë në një prefekturë, pa bukë, përjashta, gjë që ka bërë përshtypje dhe në popull. Kjo ka ndodhur në Gjirakastër, në Elbasan e gjetkë.

Në Krujë e Berat  është ngritur nga një zyrë e mbrojtjes që interesohet për regjistrimin e kontrollin e tyre.

Gjatë kësaj kohe, janë internuar e liruar vazhdimisht. Janë liruar kur janë dorëzuar, kapur ose vrarë të arratisurit e tyre. Gjithashtu, në rastin e faljes më 28 nëntor, u liruan 552 veta.

Më poshtë, po paraqisim një statistikë të të internuarve të çdo prefekture: sa janë internuar gjithsej, sa janë liruar, dhe sa mbetën:

 

  1. Të internuar në Kampin e Beratit

Prefektura Shkodër

Të internuar deri në mars 1946, 270 persona

Liruar deri në mars 1946,  130 persona

Mbetur sot në kamp, 140 persona

Prefektura Kukës

Të internuar deri në mars 1946, 331 persona

Liruar deri në mars 1946,  231 persona

Mbetur sot në kamp, 100 persona

Prefektura Peshkopi

Të internuar deri në mars 1946, 178 persona

Liruar deri në mars 1946,  70 persona

Mbetur sot në kamp, 108 persona

Prefektura Elbasan

Të internuar deri në mars 1946, 173 persona

Liruar deri në mars 1946,  64 persona

Mbetur sot në kamp, 109 persona

Prefektura Durrës

Të internuar deri në mars 1946, 234 persona

Liruar deri në mars 1946,  108 persona

Mbetur sot në kamp, 126 persona

Prefektura Tiranë

Të internuar deri në mars 1946, 89 persona

Liruar deri në mars 1946,  56 persona

Mbetur sot në kamp, 33 persona

Gjithsej:

Të internuar : 1275

Të liruar deri në mars ’46:  659

Mbetur në kamp: 616

 

2. Të internuar në Kampin e Krujës

Prefektura Korçë

Të internuar deri në mars 1946, 344 persona

Liruar deri në mars 1946,  207 persona

Mbetur sot në kamp, 137 persona

Prefektura Gjirokastër

Të internuar deri në mars 1946, 299 persona

Liruar deri në mars 1946,  179 persona

Mbetur sot në kamp, 120 persona

Prefektura Vlorë

Të internuar deri në mars 1946, 128 persona

Liruar deri në mars 1946,  65 persona

Mbetur sot në kamp, 63 persona

Prefektura Berat

Të internuar deri në mars 1946, 129 persona

Liruar deri në mars 1946,  80 persona

Mbetur sot në kamp, 49 persona

Gjithsej:

Të internuar: 900

Të liruar: 531

Mbetur në kamp: 369

***

Gjithsej janë internuar 2175. Janë liruar 1190 veta dhe mbeten të internuar në të dy kampet 985 veta. Ndërmjet tyre ka një numër të madh grash e fëmijësh./kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here