Do mungosh Maks Velo, njeriu-shenjë i kohëve!

0
382
blank

Vepra arkitekture, piktura, vizatime, libra me krijime letrare dhe publicistikë. Janë shumë, të thella, të çmuara, shenjat që la Maks Velo. Por do të mungojë njeriu!

Pak njerëz e duan artin sa e donte Maks Velo. Shumë më pak janë artistë si ai.

Artist kohësh të errëta, artist i çdo kohe.

Maks Velo u lind në Paris dhe u rrit në Korçë. Ishte djali i një mjeku, por ndërsa i vëllai zgjodhi profesionin e të atit, Maksi, i apasionuar pas vizatimit, u diplomua për Inxhinieri Ndërtimi dhe u specializua për Arkitekturë, ndërkohë që shtëpia e tij, ishte e vështirë të thuhej që nuk ishte shtëpia e një piktori. Ai ishte një piktor i vërtetë edhe pse nuk kishte mbaruar një akademi arti. Jo thjesht i talentuar, i çlirët, i vërtetë mbi të gjitha në pikturat e tij. “Piktori në çdo pikturë duhet të fusë ndjenjat e tij”, mendonte Maks Velo dhe ndonjëherë edhe e kishte thënë. Dhe ngase mendonte kështu dhe piktura e tij inspirohej “nga Modigliani, Braque dhe Picasso, duke iu kundërvënë metodës së realizmit socialist” u dënua me 10 vjet burg.

Një njeri origjinal, i dashuruar me jetën, i frymëzuar vazhdimisht nga arti dhe artistët e mëdhenj, që i bënin shoqëri mendjes dhe shpirtit të tij në një kohë e në një vend ku ai e kishte vështirë të jetonte, ishte e pamundur të mos dënohej nga diktatura. Edhe pse Maks Velo nuk e kërkoi me zë të lartë dënimin e tij, edhe pse dukej se mendonte që ndoshta me pikturën, artin, librat do i mbijetonte diktaturës, ai nuk u shpëtoi syve që modernen e kishin halë. Më shumë për të mbrojtur veten nuk mund të bënte Maks Velo. Ai nuk mund të pushonte së qeni artisti i cili kishte lindur. Dhe ndaj u dënua. Në fillim e hoqën nga puna në Tiranë, ku ai mori pjesë në projektimin e parë të vitit 1960 dhe ku ende sot ekzistojnë godina të projektuara prej tij ose në bashkëpunim, si shkolla "Emin Duraku", godina e ATSH-së, ish-hotel Arbana, pallati ku ka banuar Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli etj.. Dhe pas disa vitesh survejimi dhe penalizimesh, në 1978 e arrestojnë për agjitacion dhe propagandë. Përjetoi izolimin, hetuesinë, përballjen zhgënjyese me dëshmitarët dhe më pas vendimin e dënimit: 10 vite burg. Maksimumi për akuzën e tij. Dhe pikturat ia dogjën. Dënimi nuk matet vetëm me vite!

blank

Maks Velo e vuajti dënimin në Spaç, nga u lirua vetëm në vitin 1986. Nuk do të ishte as arkitekt, as piktor në vitet e mbetura të regjimit diktatorial, por ishte bërë gjatë atyre 8 viteve një “artist burgu” si pak të tjerë, çfarë publiku dhe kritika e pa dhe e vlerësoi me ekspozitat dhe botimet e tij, pas viteve ’90, si "Kokëqethja", "Palltoja e burgut", "Thesi i burgut", "Paralele për arkitekturën", "Kohë antishenjë", "Jeta ime në figura " etj.

blank

“Brezi ynë e kishte një detyrë të madhe, por po të mos hyje në burg, këtë detyrë nuk mund ta realizoje plotësisht. Kjo detyrë ishte të përshkruaje kuçedrën. Dhe në përralla kuçedrën e njohin vetëm ata që futen te shpella e saj. Shpella e kuçedrës ishte burgu. Mendoj se po të mos kisha bërë burgun nuk do të kisha shkruar ata libra që kam botuar. As cikli i madh me VIZATIME MBI DIKTATURËN nuk mund të ishte bërë. Jam i gëzuar që së fundi po vlerësohen në botë lart nga personalitete të shquara. Nuk mund të shpikësh dhembjen as torturën, as vuajtjen. Janë këto që krijojnë laboratorin e shenjave”, ka thënë Maks Velo në një intervistë në librin “Jetë Paralele”, ku ka botuar të plotë dosjen e tij të Sigurimit, të mbushur me dhjetëra detaje mendjengushtësie, varfërie shpirtërore dhe ligësie të paimagjinueshme, që e bëjnë të dhimbshëm takimin me çdo jetë, por edhe më shumë me jetën e një njeriu që kish qëndruar gjithmonë mbi këto dhe që qëndroi deri në fund, si Maksi. Ai ishte i pakompromistë në mbrojtje të vlerave ku besonte dhe një qytetar i angazhuar si pak të tjerë gjatë viteve të fundit. Ai nuk hoqi dorë për asnjë çast nga të jetuarit sipas mënyrës së tij dhe nga pasionet që ia mbushnin jetën, nga shëtitja e zakonshme në Parkun e Liqenit Artificial ku gjithashtu ndodhet një vepër e tij, Bisedka, nga piktura, nga ekspozitat, nga botimet.

“E mendoj jetën time të përmbushur sepse gjëja më me rëndësi në jetë është të mos i bësh keq njeriut. Kam ndjerë kënaqësi të jashtëzakonshme nga arti. Unë mendoj se energjia vjen nëse je i vërtetë, nëse je fals nuk ka energji. Po t’i duash njerëzit dhe po të mos e harxhosh jetën për paratë, je i vërtetë”, ka thënë Maks Velo.

Dhe sot, kur ai u nda nga jeta në moshën 84-vjeç, shumë miq, por edhe të panjohur, nderojnë artistin, por edhe njeriun e vërtetë Maks Velo. E falënderojnë në mënyra të ndryshme për artin dhe jetën e tij që është një frymëzim. Vetëm se Maks Velos, askush nga ata që e spiunuan dhe i dolën dëshmitarë nuk i tha “më fal” sa ishte në jetë. Ndoshta i ka falur vallë, në këto ditë të fundit, kur qetësisht po shuhej në spitalin “Nënë Tereza” për të qëndruar edhe një herë mbi të rëndomtën dhe ligësinë?

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here