“Djalli me dorë të hekurt”, torturuesi i piktorit gjerman

0
1634
blank

Hans Trochel, piktori gjerman nën torturat e burgjeve komuniste në Shqipëri. Si përfundoi në burgjet e diktaturës miku e bashkëpunëtori i Eqrem Çabejit, Hasan Cekës e profesorëve të tjerë shqiptarë të kohës

Një piktor gjerman, i quajtur Hans Trochel, i biri i Ernestit Elisia Schuzit, lindur në Pommer (territor që iu aneksua Polonisë, ndërsa në dokumentet shqiptar, shkruhet se ka lindur në Berlin) më 1899, i martuar, me një vajzë, profesor gjimnazi në lëndët vizatim e gjeografi, erdhi për herë të parë në Shqipëri në vitin 1938 për të bërë piktura dhe punoi deri në vitin 1941 në Tiranë, Shkodër e Mirditë. Kishte bërë punime edhe për Ministrinë e Arsimit, (me porosinë e Hasan Cekës). Gjatë qëndrimit në Shqipëri bashkëpunoi me inxhinier Ahmet Ndroqin, profesor Ndue Palucën, Eqrem Çabejin, Ethem Carën, Omer Nishanin dhe Vehip Hoxhën. Italianët e detyruan të largohej në Gjermani. Në shtator 1943 erdhi i mobilizuar forcërisht ushtar në Manastir, Elbasan, Tiranë  duke bërë pjesë e një kompanie e cila varej prej Komandës së Aviacionit e komanduar nga gjeneral Charaniko. Gjatë pushtimit vizitoi Tiranën, Shkodrën, Podgoricën, lumin Drin, Divjakën. Në Divjakë konstatoi malarien sepse merrej me shkenca natyrale.

Më datë 8 shtator 1944, u largua nga ushtria gjermane dhe shkoi në Gjepalaj të Shijakut te Myslim Ndroqi. Më vonë, shkoi në teqenë e Ndroqit. U arrestua te shtëpia e Ahmet Ndroqit më 29.11.1944 në Tiranë.

Në hetuesi deklaronte se “ndonjë të keqe popullit shqiptar nuk i kam bërë, përkundrazi kam bërë mirë”.

Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake e Korpusit të 1-rë Tiranë, e drejtuar nga nënkolonel Biblil Klosi, i ndihmuar nga anëtarët Argjir Lipivani (oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit) dhe Gjylhani Shehu (oficer i korpusit të parë), me vendimin nr.s’ka, datë 22.6.1945, e deklaroi fajtor “si vegël e verbër e okupatorit nazist që ka pasur lidhje me gjermanët dhe e dënoi me 30 vite burg”. Dënimin e vuan në Burgun e Tiranës dhe atë të Burrelit. Gjatë kësaj kohe ka marrë pjesë në punën e detyruar në kampet e Jubës, Urës Vajgurore dhe Rinasit në Tiranë. U orvat të vrasë veten. Sipas burimeve të dyta, u lirua më 17.1.1954 (mund të jetë edhe 1956) dhe u riatdhesua në Berlin.

Në verën e vitit 1992, profesor Karl Reddmann, banues në Munster u interesua për të kaluarën e Hansit në Shqipëri. Ai zotëronte ditarin e tij. Duke kërkuar ndihmë te një familje në Elbasan, bëri të njohura edhe disa fakte. Ai bëri të njohur portretin e një torturuesi.

Pjesë nga letra e parë e profesor Karl Reddmannit, plotësuar me mbiemrat e të përmendurve

“Një djalë me emrin Hamit do të pushkatohej në moshën 16 vjeçare. Kjo për Hans Trochelin ishte diçka e llahtarshme. Ai vizatoi portretin e një të vdekuri. Gjithashtu është përpjekur të shkruajë mbi metodat e ushtrimit të pushtetit në Shqipëri, për Sigurimin, terrorin dhe tradhtinë, për torturat dhe ekzekutimet. Emrat e torturuesve më të tmerrshëm mund të gjenden në shkrime të vitit 1955, të përgatitura bashkë me Helmut Mutzen (i cili vdiq më 1956):

-Manoli (Milo), oficer Sigurimi, kryetar dege

-Stavri (Xharra), zëvendës i tij

-Mitati, kapter i dytë përgjegjës i birucave

-Kopi (Niko), major

-Maqo, kapter i dytë deri në vitin 1953, më vonë përgjegjës për sigurinë e lartë

-Hekurani, kapter i dytë, drejtues Sigurimi kundër Austrisë dhe Gjermanisë.

-Galip  Sojli, kapter i dytë, arratiset gjoja në Jugosllavi, në fakt agjent i fshehtë i Sigurimit.

-Ismail beu, kapter i parë i Sigurimit, përgjegjës për ndërlidhjen.

Trocheli përmend “burrin me dorë të hekurt, djallin”. Në një skicë, ai shihet me uniformë, me dekorata e me kamxhik në dorë.

Tragjedia shqiptare konsiston në faktin se pas pushtimit të vendit nga Italia më 1939 dhe më pas nga Gjermania, aty lind dhe kristalizohet një konflikt që do të çonte patjetër në luftë vëllavrasëse. Kjo luftë civile bëri që intelektualët me pikëpamje perëndimore të paralizohen sepse më 1943-1944, sovraniteti i Shqipërisë duke i bashkuar asaj Kosovën ishte arritur në dukje. Trocheli besonte sinqerisht në këtë ëndërr.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here