Dëshmia/ Pashk Lala: 11 veta të familjes sime u pushkatuan dhe vdiqën në burgje

0
691

Në fisin e Pashk Lalës, 11 veta janë pushkatuar dhe kanë humbur jetën në burgjet komuniste, 48 janë burgosur dhe internuar, ndërsa të tjerët jetonin të survejuar dhe pa të drejta, sepse të parët e tyre kishin dalë hapur kundër komunizmit, siç kishin bërë dikur kundër pushtuesve turq e më pas nazi-fashistëve.

Kujto.al sjell rrëfimin e Pashk Lalës, që ishte vetëm 11 vjeç kur komunistët pushkatuan të atin dhe që nga ajo kohë, ai dhe fëmijët e tij, mbajtën damkën e armikut të popullit. Pashkut i duhej të bënte punët më të rënda e të duronte poshtërimin, ndërsa i biri, sado nxënës i mirë që ishte, nuk u lejua të vazhdojë studimet...

Dëshmia e plotë, si në vijim:

Zoti Pashk, kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?

Unë kam lindur më 13 janar të vitit 1941. Unë rrjedh nga një familje tradicionalisht në luftë ndaj çdo lloj okupatori. Në luftë kundër turkut, në luftë kundër fashizmit, nazi-fashizmit edhe në luftë kundër komunizmit. Se tri herë është okupuar Shqipëria: nga turku, nga fashizmi dhe nga komunizmi. Por sa ngushtë na ka sjellë komunizmi, familjes sime edhe të gjithë kombit shqiptar, asnjë nuk na ka sjellë se në direktivën e tij, e kishte për ta hequr traditën familjare, traditën krahinore. Çdo njeri që ruan traditën familjare dhe krahinore, ai njeri e shfaq atë që ka në traditë, nuk merr mendim nga ai tjetri, por ka traditën e vet dhe atë mbron, atë jeton. Familja ime që në kohën e turkut, me në krye Dom Nikoll Kaçorrin, ka luftuar, i ka dhënë 4 djem për të luftuar turkun. Ishin mbledhur, e gjithë zona e Veriut, për t’u bindur ata që ishin të brumosur me turkun. Kanë shkuar në Shijak, në Durrës, në Tiranë, në të gjitha zonat edhe u bindën e i ranë turkut. Po njëkohësisht edhe me fashizmin, në Luftën e Dytë Botërore. Në luftën e dytë, kushëriri i babait tim, me gradën kapiten, është vrarë për çlirimin e Kosovës, e organizuar nga shteti shqiptar, në atë kohë. Edhe me okupimin e komunizmit të Shqipërisë... se nuk ka okupator më të madh për vendin, se ai që të vret, ai që të pushkaton, ai që nuk të pyet, se ai që të masakron familjen, ai që të dënon familjen. Komunizmi na i bëri këto. Unë për shembull kam 48 vetë, po të doni jua them edhe me emra, që më kanë bërë burg edhe internim, kam 11 vetë që janë pushkatuar nga regjimi komunist dhe kanë vdekur nëpër burgje.

Nga të afërmit tuaj, kush është pushkatuar ?

Babai, Pjetër Llesh Lala.

Në çfarë viti?

Në vitin ’52.

Për çfarë arsye?

Po sepse nuk e donte regjimin komunist, sepse ishte në luftë të ashpër kundër komunizmit. E patën futur edhe në burg më përpara, i kanë pas futur, këtu, në thonjtë e duarve, kunja pishe. E ndiznin pishën dhe digjej pisha nëpër thonj, vezë të ziera këtu nën sqetull, çfarë torture! Edhe kështu, babai im nuk u pajtua kurrë me komunizmin dhe ishte në flakë të hapura kundër asaj diktature çnjerëzore. Edhe kështu që babai im, në përpjekje me komunistët, është vrarë më 5 maj 1952. Unë kam edhe vëllazërinë time që janë vrarë edhe kanë vdekur nëpër burgje. Në burg ka vdekur Nikollë Ndre Bardhoku, xhaxhai i babait tim. Në internim ka vdekur, edhe Ndrec Prenga, Ndrec Preng Ndreca se ndërrojnë mbiemrat sipas emrit të babait. Sot është liruar nga internimi, nesër ka vdekur,  nga internimi erdhi në shtëpi, “vdek e në tokë”. Kurse Gjergj Nikollë Ndreu, një kushëri i babait tim është vrarë, bashkë me babain tim. Zef Gjergj Ndreu ose Zef Gjergj Nikolla si të thuash, se Ndreu është mbiemri i vjetër, edhe ai është vrarë 17 vjeç. Prengë Gjergj Nikolla po edhe ai është vrarë 22 vjeç dhe Mark Gjon Ndreu, 19 vjeç, Kolë Gjon Ndreu është vrarë 17 vjeç, Mark Preng Ndreca ai është vrarë në ’45-ën, e kështu me radhë. Regjimi komunist më ka djegur edhe shtëpinë, ka qenë dykatëshe dhe “mëdheckë” i themi ne asaj njëkatëshes,... komandanti për djegien e shtëpive ka qenë Zenel Shehu dhe një Kosta Jonxhi. Është djegur në  vitin 1945-ën. Se pashë në një fotografi, në Tiranë, në një zyrë: “Zenel Shehu falënderohet e nderohet”. “Ët- i thashë-, po ky më ka djegur shtëpinë mua si qenka ky në këtë shkallë kështu?” Nejse, se i gatuajnë njerëzit punët sipas terezisë së tyre. Kurse në vitin 1961, bëhej një festë, e bënin komunistët në Shullaz te shkolla e vjetër. Mirëpo kishin vendosur portretet e byrosë politike, të Enver Hoxhës. Unë, si person, me një Pashk Ndrecën, kushëriri im, shkuam i grisëm, i leckosëm, çfarë nuk i bëmë me thënë të drejtën. Ishim në ’61-shin, kam qenë 19 vjeç edhe i grisëm. Mirëpo, ai besnik edhe unë kështu, edhe nuk i treguam askujt dhe shpëtuam pa na futur në burg, kërkuan sa kërkuan, por burgun nuk e kapëm. Kurse në 11 prill të ’67-ës ishte ajo parrulla me prish kishat e xhamitë e ç’janë këto, kultet fetare, ishin direktivat e komunistëve për t’i hequr edhe në Delmnisht. Unë punoja në atë brigadë të Delmnishtit, në kooperativë bujqësore. Se sa jam bërë për të gërmuar, në kooperativë kam punuar. Ku ishte kanali më i madh, ku ishte balta më e madhe, ku ishte puna më e vështirë. Zoti është hak se kam bërë dy norma, edhe me datë i kam. Dy norma, më kanë shkruar një; kam bërë një normë, më kanë shkruar gjysmë norme e shko e kërkoje, por kujt t’ia kërkoje?

Pasi pushkatuan babain çfarë ndodhi me familjen tuaj?

Ne nuk kishim të drejtë me ndejt me shokë, nuk kishim të drejtë me ardh në dasmë, kur kishim ndonjë martesë ose ndonjë fejesë, nuk kishim të drejtë me na ardh njerëzit në morg. Kam 48 vetë që i kam të burgosur e të internuar, fillon te Llesh Lala, Nikollë Ndreu. Babai im, ka bërë burg përpara se të vritej, kurse Nikollë Ndreu ka vdekur në burg. Edhe tjetri, hyj e dil disa herë, bëj 4-5 vjet burg e nxirrnin, shko fute sërish në burg edhe 3 vite të tjera. Me një fjalë ka bërë 7 vjet burg dhe 5 vjet në internim, gjyshi, edhe babai e të gjithë me radhë, edhe gratë edhe kalamajtë. Ne na kanë lind njerëzit në burg, Gjovalin Lala, djali i Ndue Lalës, ka lindur në burg. Pra nuk e kishim as të drejtën e shkollës. Kisha djalin tim, shkonte në shkollë, ishte gjeni në shkollë me thënë të drejtën. Shkonte i thoshte një i fshatit, sekretar këshilli e i organizatave atëherë: “A mëson gjë?”. I thoshte mësuesi: “Gjeni”. “Mëso mirë, mëso mirë se je i biri  i këtij, nipi i këtij, nipi i atij”. Se kapte si nga babai im, gjyshi i vet, kapte edhe nga babai i nënës sime se dhe i ati i plakës sime, Mark Piroli është vrarë nga diktatura komuniste. Edhe kështu ne kemi përjetuar një reprezalje antinjerëzore. S’kishim të drejtë shkolle, s’kishim të drejtë fjale, s’kishim të drejtë të asnjë gjëje që i takon njerëzimit.

Zoti Pashk, kaluat një  periudhë  të  gjatë  nën  diktaturën  komuniste. Ndërkohë në Shqipëri, erdhi viti ’90, ’91 dhe filloi hapja, erdhën ditët e demokracisë. Si i keni përjetuar? Ku keni qenë në ato momente?

Një herë po të them një gjë: falë Zotit një, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dy, që bënë luftën e ftohtë dhe zhdukën paktin e Varshavës dhe erdhi demokracia në Shqipëri e në Kosovë, e në të gjitha vendet lindore komuniste, se mos të kishin qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që bënë këtë luftë të ftohtë, sa hiqet qelbësira në WC, aq hiqej era e komunizmit. Mirëpo tani erdhi demokracia në ’92-shin, u ajrosëm, dëgjuam një herë ajër të pastër, ndejtëm lirisht, shkojmë te njëri-tjetri, te miq, te nipi, te daja, pa ndrojtje.

Demokracia është e shtrenjtë, demokracia, me e kuptu drejt, është e shtrenjtë dhe është e shenjtë se të thuash demokraci, do të thotë ke liri, ke të drejtë fjale, ke të drejtë shprese, ke të drejtë jetese. Të thuash demokraci do të thotë shtet ligjor, shtet demokratik, të thuash demokraci, nuk ka diktaturë. Mirëpo, çfarë na lind këtu, kjo është një demokraci e brishtë. Pse është e brishtë? Janë pjellë e komunistëve edhe sot... Ne kemi qenë të okupuar brenda fshatit, s’kishim të  drejtë që të shkonim në fshat tjetër, se vinte spiuni mbrapa e vrojtonte se çfarë ishim duke bërë, ku ishe duke shkuar, çfarë ishe duke ngënë sot, a thua ishe duke ngrënë bukë e fasule se e kishe qejf. Unë kam ngrënë petë me hi. Kam qenë kalama e kam ngrënë petë me hi, se s’kishim, se ishim fukarenj... Ne prandaj na kanë persekutuar, prandaj na pushkatuan. Na kanë pushkatuar se ishim kundër komunizmit edhe ishim pro demokracisë, pro shteteve perëndimore, na thoshin “je armik” pa asnjë shkak tjetër. Nuk kishin asnjë lloj motivi, s’kishim vrarë arushën.

Nga arkiva e familjes Doko

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here