Dëshmia/Flora Hoxhalli: Amaneti për varrin e humbur të gjyshit

0
266

Një burg që prodhoi shumë të vdekur e të zhdukur ishte edhe burgu i Gjirokastrës. Maliq Ibro, oficeri i Ballit Kombëtar ishte një prej tyre. Në maj të ’45-ës ai arrestohet, dënohet me 10 vjet burg dhe cilësohet “armik i popullit”. E vuan dënimin në burgun e Gjirokastrës, por në vitin 1948 ai vdes për shkaqe natyrale dhe nuk dihet ku është varrosur. Mbesa e tij, Flora Hoxhalli, thotë se nuk kanë asnjë të dhënë ku mund ta gjejnë trupin e tij.

Nga Najada Pendavinji

Dëshmia e plotë për Kujto.al   

Jam Flora Hoxhalli, Maliq Ibron e kam gjysh, është babai i nënës sime. Ndryshe njihet dhe me emrat: Maliq Backa, ka përdorur për mbiemër, emrin e fshatit dhe Maliq Mersini, ka përdorur për mbiemër, emrin e të atit. Është i datëlindjes 1885.

Çfarë përfaqësonte figura e Maliq Ibros?      

Ka qenë luftëtar me çetën e Lace Backës, ka luftuar e ka marrë pjesë në luftimet që janë bërë nga Masakra e Grekëve në 1913, ai ka luftuar në Tepelenë në atë periudhë. Për këtë kam fakt historik edhe një shkrim të gazetës Telegraf, atje përmendet me emrin Maliq Mersini. Ka marrë pjesë në luftën e Vlorës në 1920. Madje italianët e arrestojnë për katër vjet në Itali. Kthehet nga Italia ndërkohë kishte bërë dhe shkollën për oficer në Itali, kthehet dhe bëhet komandant i doganës së Tre Urave në Çarshovë, ka punuar për disa vjet atje. Përkrahës i qeverisë së Fan Nolit, madje ka qenë dhe një nga financuesit e varrit të Avni Rustemit. Avni Rustemit i është bërë një varr madhështor për kohën dhe një nga 24 financuesit ishte dhe gjyshi im. Pastaj merr pjesë me forcat e Ballit Kombëtar, ka qenë oficer në Ballin Kombëtar deri në 1945.

Si erdhi arrestimi nga regjimi komunist dhe cila ishte mënyra e vdekjes së tij?

Në maj të ’45-ës ai arrestohet, dënohet me 10-vjet burg dhe cilësohet si armik i popullit. E vuan dënimin në burgun e Gjirokastrës, por në 1948 ai vdes për shkaqe natyrale pas tre vjet burgimi. Domethënë vdes dhe ne nuk kemi asnjë të dhënë ku mund ta gjejmë trupin, eshtrat. Ky ishte merak i gjithë fëmijëve të tij që nuk mundën që ta gjenin pas viteve ’90. Nëna ime dhe ajo me një merak të madh ka vdekur. Unë e quaj si një amanet të nënës sime, e kam edhe unë merak; Pse?! Gjyshi im, në fund të fundit një patriot, të mos njihet dhe të mos kemi edhe ne sot një vend ku të vemë t’i çojmë një tufë me lule, ta nderojmë, ta respektojmë!

Kur dhe si e morën vesh lajmin e vdekjes së gjyshit tuaj Maliq Ibros?

Lajmi i vdekjes… Ai ka qenë në Berat megjithë familjen e vet, me fëmijët dhe me gruan. E arrestojnë dhe gjyshja ime ngelet në mes të katër rrugëve me gjithë fëmijët duke mos patur asnjë mbështetje. Madje vet gjyshi Maliq Ibro i thotë: “Kjo ishte jeta ime e mirë apo e keqe, unë kështu e gjykova”! Këto janë fjalët e tij të cituara shumë herë nga gjyshja dhe nga nëna ime dhe “Unë nuk dua që ti të vish të më vizitosh në burg, vetëm po të lë amanet vajzat m’i marto në derë të mirë”!! Dhe gjyshja ime duke mos pasur… djali më i madh ishte 16 vjet në atë kohë, nuk kishte mbështetje, frika ishte e madhe, kthehet në Backë. Dhe atje pati mbështetje nga njerëzit. Figura e gjyshit tim ka qenë e vlerësuar dhe njerëzit gjithmonë e përmendnin si një patriot, por edhe regjimi i Enver Hoxhës bënte të vetën, kështu që sikush mbronte veten e vet. Duke mos pasur asnjë mbështetje, ajo vjen në fermën e Maliqit, vendoset atje me gjithë familjen dhe atje jeton në kushte mizerable, në barakë. Aty vjen një Riza Cerova, mbështetës i gjyshit tim, ndonëse i kishte thënë që “Maliq ti kthehu me partizanët mos u bëj me ballistët”, por gjyshi kishte bindjet e veta. Por duke parë mjerimin e gjyshes sime, ai e ndihmon dhe ajo vendoset në një shtëpi se jetonte në barakë. Jeton në një shtëpi, ndërton jetën e vet dhe atje vdes gjyshja dhe atje jetojnë dhe fëmijët e dajallarve të mi, akoma në Maliq.

 

A e keni ndjerë edhe ju si mbesa e patriotit Maliq Ibro, peshën e persekutimit komunist?

Nuk është se nga regjimi i Enver Hoxhës ata patën ndonjë trajtim të egër, për vetë faktin që gjyshi vetë në ’48 vdes dhe nuk është se pati ndonjë veprimtari. Megjithatë, pasojat e komunizmit janë ndjerë deri tek unë që jam mbesa e fundit e Maliq Ibros. Dënimi dhe persekutimi kanë qenë. Nuk kemi pasur mundësi shkollimi. Madje unë në ’85-ën, kur shkoj në gjimnaz, vjen karakteristika e personit tim dhe unë duhet të dëbohesha nga Organizata e Rinisë, bëhet mbledhja që Flora Lami të dëbohet, të mos jetë pjesë e Organizatës së Rinisë. Nuk u mor ndonjë masë, thjesht erdhi si orientim në atë kohë, më mbrojtën mësuesit që më njihnin, duke ditur që ishte edhe ’85-a dhe diku u lirua, si mund të thuash, nuk ishte aq i egër sistemi. Por dua të them dënimi ka qenë, persekutimi ka ekzistuar pavarësisht se jo i egër, nuk mund të them që na kanë internuar. Një farë internimi ishte edhe ai që jetoi gjyshja ime. Por nuk kanë qenë as në postet drejtuese, as kemi pasur mundësi shkollimi.

Kur keni filluar kërkimet për gjetjen e eshtrave të gjyshit tuaj?

Në burgun e Gjirokastrës ka vdekur, ai u sëmur dhe në spital i bie të ketë vdekur, në spitalin e burgut. Por nuk kemi asnjë të dhënë. Gjyshen e njoftojnë që vdes dhe duke e respektuar dhe dëshirën e tij që mos hajde të më shikosh dhe të më vizitosh, dhe frika ishte e madhe dhe ata nuk bëjnë kërkime në atë kohë, ndonëse ai 10 vjet ishte ende në dënim dhe nuk ia jepte njeri eshtrat, por dhe pasi ka mbaruar dënimi nuk e ka kërkuar. Kërkimet janë bërë pas viteve ’90, por të dhënat ishin shumë të pakta. Dajat e mi mezi arritën të marrin një vërtetim që ai vërtet ka qenë i burgosur politik dhe morën statusin e të përndjekurit politikë, por të dhëna se ku ndodhet nuk kishim. Nuk e gjejmë. Prandaj dhe unë kërkoj ndihmë dhe nga ju, nëse do arrij ta gjej do jetë…

Cili është pengu juaj kaq vite pas zhdukjes së gjyshit tuaj?

Pengu im është ky i pari, që nuk janë gjendur eshtrat dhe pastaj e dyta, një figure, vërtet patriot do ta quaj unë, se ai i tillë është, përse të mos njihet dhe të mos flitet për figurën e tij? Ka punuar dhe ka dhënë për Shqipërinë, që në 1913-ën ka qenë luftëtar.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here