Dëshmia/Bujar Sala: Në burg në '90-ën, kur turmat kalonin kufirin

0
499

Kishte nisur të shqetësonte Tiranën me traktet e tij në vitet '80, por erdhi koha dhe do të pikasej dhe arrestohej. Bujar Sala tregon vuajtjet në kampin e Qafë-Barit dhe Shën Vasilit, ku vazhdonte të vuante dënimin dhe të pësonte tortura megjithëse vendi ishte përfshirë në zhvillimet demokratike

Kur keni lindur?

Unë kam lindur në prill të '55-ës në Tiranë.

Cila është familja juaj?

Familja ime është familje e vjetër, tiranase, autoktone. Më tepër kemi qenë zanatçinj, me pak pasuri, me një dyqan te Pazari i Vjetër që i kemi pas thënë atëherë. Pastaj në kohën e komunizmit, u sekuestruan dhe ne vazhduam punë si shoferë, profesionet e lira që ishin në atë kohë, që ishin mundësitë më të shumta.

Si lindi armiqësia juaj me regjimin?

Në ato vite, unë, sidomos nga gjyshi i babës dhe më tepër nga dajallarët e mi, një vëlla i nënës dhe një xhaxha i nënës që flisnin gjithmonë me urrejtje ndaj sistemit në fuqi, u ndikova në rininë time me një urrejtje të madhe kundër këtij sistemi. Unë, gjatë kohës që punoja shofer në territorin e Shqipërisë, kudo që shkoja, sidomos në fshatra, shikoja një mjerim të madh në popullsinë e vendit tonë. Bëja një krahasim me Tiranën që ishte kryeqyteti, pavarësisht që kishte mungesa ekonomike dhe të të drejtave të njeriut që ishin të theksuara, në fshatrat dhe në qytetet e vogla kjo ishte akoma më e theksuar. Duke parë këtë diskriminim të madh në popullin shqiptar dhe luksin në të cilin jetonte byroja politike, anëtarët e Komitetit Qendror, sekretarë Partie e shefa Dege të Ministrisë së Brendshme, hierarki ushtarake, disa njerëz të privilegjuar, unë, në ato vite, me urrejtjen time vendosa t'i kundërvihem këtij regjimi me forma dhe mjete të ndryshme, si me ndonjë thyerje të bustit të Enver Hoxhës, të diktatorit shqiptar, me shkarravinat që u bëja revistave të ilustruara që dilnin atëherë, që ishin vetëm për pjesën e udhëheqjes dhe  aktivitetin tim e ushtrova sidomos në vitet '80, në vendosjen e trakteve në Tiranë.

Çfarë shkruanit në ato trakte?

Sidomos flisja për të drejtat e njeriut që në Shqipëri nuk ekzistonin fare. Herë pas here dëgjoja Zërin e Amerikës, dëgjoja radio të huaja që flisnin shqip dhe duke parë edhe televizor, me mundësitë që na jepeshin në atë kohë deri sa u ndërprenë me format e tyre, kuptoja që, për të drejtat e njeriut, ishte një krim që njeriu mos të kishte të drejtë të fliste, të shprehej lirë, të jetonte lirë. Edhe në traktet e mia, tekstualisht, shkruaja: "Populli shqiptar luftoni për liritë demokratike! Liritë demokratike ju sigurojnë jetët tuaja! Partia Komuniste ka shkelur mbi gjakun e dëshmorëve të atdheut". Plus kësaj, aktivitete të tjera, agjitacion mes shokësh. Pakënaqësitë e mia i shprehja kudo që shkoja, derisa dhe unë si gjithë rinia që kaloi nëpër burgje, u bëra pjesë e tyre duke u ndjekur në fillim nga Drejtoria e Survejimit që ishte një drejtori e posaçme që ndiqte njerëzit me precedent penal që të ndëshkoheshin në të ardhmen: me cilin rrija, me cilin flisja, ku agjitoja...Donin si të më kapnin, që të kishin sa më shumë prova materiale.

Si u zbulua që ishit ju autori i trakteve?

Tani, këto trakte, pasi dhanë një jehonë atë kohë, u gjetën nga populli i Tiranës: lexoheshin, raportoheshin, diku edhe hiqeshin nga frika, ose kush e kapte, e lexonte dhe e hidhte... Kjo vazhdoi gjatë...Në survejimin tim, merrte pjesë një suitë të rinjsh që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme. Këta ishin me turne. Biles më vinte keq, thosha: "Djem të rinj këta dhe vijnë më ruajnë, gjëmojnë njerëzit, nuk bëjnë një punë tjetër".

Është bërë ekspertiza, pasi hetuesia dhe prokuroria kanë ardhur në ndërmarrjen time. Unë punoja shofer në Degën e Farnave në atë kohë. Kanë ardhur me pretendimin që një shofer juaji, se ishin mjeshtra në survejimin dhe zbulimin e krimit ata, ka bërë një aksident në zonën e Peshkopisë, ku periudhën e shtatorit '72, kishim punuar me zona ne, se me sezone mblidhnim patate, prodhime bujqësore të asaj periudhe... Këto ishin kot, sa për të justifikuar marrjen e fletëve të udhëtimit. Këto diheshin, pak a shumë, mendja ime e kuptoi që këta do bënin ekspertizë shkrimi. Dhe pasi kanë realizuar këto ekspertizat grafike, kategorike që bëheshin nga ekspertët e specializuar në Ministrinë e Brendshme, vendosën që këto trakte i kisha bërë unë, sigurisht që i kisha bërë unë dhe vendosën të më arrestojnë. Unë kisha makinën në ofiçinë. Ndërmarrja, sekretari i Partisë, drejtori, shefi i shfrytëzimit të mjeteve, ishin porositur që personit tim mos t'i jepej rrugë në zona kufitare, si Shkodra, Korça... Mendonin që ky ka këto mendje dhe mos të na ikë e të ngelemi me gisht në gojë. Një mendje edhe e kisha, por për hir të familjes, duke e ditur që internonin familjen në masë, nuk ika, plus që unë kisha jetuar me këto vrasje dhe me këto dënime që bënin këta. Në rininë time, herë pas here shkoja në gjykatë. Kot. Më tepër më ishte bërë si dhembshuri dhe lexoja aty për persona që do dilnin në gjyq për agjitacion dhe propagandë. Këta ishin zakonisht të hënë edhe të premte. Ishte bërë një metodë në Tiranë që Gjykata e Tiranës, ditë të hënë dhe të premte do dënonte një, dy, tre, sipas planit që kishin këta, për agjitacion dhe propagandë. Edhe më vinte shumë keq, me thënë të drejtën. Inxhinierë, punëtorë, për një fjalë goje... pse "është Enver Hoxha me diabet", dëgjoja atje, pse "s'ka patate", "Ku po shkon?-Në pazar të Ri. -Nuk kishte asgjë atje", shoku-shokut edhe kështu me dhjetë vjet, me tetë vjet. Tentativa arratisjeje, të rinj që donin të arratiseshin, edhe me emra biles i mbaj mend.

Si ishte momenti i arrestimit?

Në momentin që u arrestova më vjen një oficer i Ministrisë së Brendshme, aty jashtë. Banoja te pallatet e komunales, te Porcelani, te parafabrikatet. Pashë shefin e policisë të zonës, një civil dhe një banor të shkallës sime, për të cilin më erdhi keq biles që dhe ai ishte pjesë e Sigurimit të Shtetit, unë  kisha respekt edhe ndieja që ishin njerëz hallexhinj e punëtor, por ai gjithmonë më kishte ruajtur mua. Plus banorë të tjerë që, për çudi, u bashkuan me këtë suitë që do të më arrestonte. Edhe një civil zbret nga një Aro e Ministrisë së Brendshme, edhe më thotë: "Bujar do vish pak me ne". I thashë: "Po mirë, të lë pak çelësin këtu te komshijtë". Se kisha çelësin e shtëpisë, kisha një djalë shtatë vjeç me një fjalë që luante me shokët aty. Unë e kuptova menjëherë që kjo ishte "dasma" ime, që unë aty do të arrestohesha se edhe Aro, makina Xhip erdhi te këmbët e mia...Më tha: "Pak punë kemi, vetëm një shpjegim". Sa u futëm, brenda ishte hetuesi që do më ndiqte mua, Fatos Trebeshina, ishte një oficer tjetër civil dhe një Pelivan Luçi. Pelivani dhe në hetuesi, kur më arrestuan, është sjellë keq me mua. Më marrin dhe pyesin njëri-tjetrin ku do të drejtohej makina. I thotë ky Pelivani: "Te 313-a", te burgu ku do të vazhdonte hetuesia ime. Aty, sa u futa brenda në makinë, "Armik i Partisë, je i arrestuar!"- m'u tha. "Do të shohësh se çfarë do të bëjmë ne. Çfarë të ka bërë partia ty, që të vësh trakte kundër Partisë?" Presione psikologjike ishin këto më tepër. Pastaj, si më fusin në burgun 313, më çojnë në një dhomë izolimi. Në darkë pastaj, vijnë, bëjnë ato ritualet e tyre: qethjen e kokës, lidhëset e këpucëve... Edhe e gjej veten në dhomat e 313-ës, një tmerr i vërtetë. I vetëm aty në birucë. Edhe do prisja tani thirrjet herë pas here, seancat e hetuesisë. Më thërrasin në mes të natës, fillojnë kërkojnë shpjegime për traktet. Fillimisht si çdo njeri që "nuk kam bërë gjë unë" edhe unë iu përmbajta formulës. Pas nja 3-4 muajsh, dhunë fizike, pranova.

Çfarë metodash dhune përdorinin në hetuesi?

Po metoda më e tmerrshme ishte e shtrëngimit të duarve. Ishin një palë hekura. Ato duhet të jenë, për mendimin tim, në çdo muzeum, edhe nëpër shkolla. Me një fjalë edhe ky brez që rritet sot të shikojë se sa ka vuajtur ky brezi ynë që ka ardhur kjo demokraci, se ka filluar që në '43-shin, '44-ën me vdekje në hetuesi, ka filluar me burgime afatgjata, me marrje jete. Rinia e shqiptarëve, pjesa më e madhe që ishin për jetë, për liri demokratike, kaluan në ferrin, atje ku shkova dhe unë, bashkë me të. Ajo ishte dhuna më e madhe. Ishte dhuna psikologjike. Të dënonin pa cigare. Të sillte familja dy paketa, që mezi t'i sillte e shkreta familje. Edhe ato, një cigare nuk e pije dot se vendoste hetuesi: një muaj prerje cigareje. Ishte luftë psikologjike, me një fjalë. Me goditje me shqelma me ato këpucët e tyre ushtarake, deri dhe dhëmbë të thyer. Biles mua më është thyer një dhëmb aty dhe kam ndenjur një muaj me hemorragji. Me hemorragji dhe ata nuk më çonin në spital. Imagjino. Pastaj, kur kërkoje të shkoje në mjekim, në birucë: "Pse për çfarë ke ardhur, për kovaleshencë?", thoshte hetuesi pa pikën e turpit.

Si vazhdoi hetuesia?

Kishin bërë ekspertizat përpara dhe ishte një veprim që unë e kisha bërë me koshiencë... Më thotë hetuesi, Fatos Trebeshina...E mbaj mend si tani atë pyetje dhe shprehjen e tij në fytyrë duke shkruar në makinë. Thotë: "I pandehur! Në çfarë beson në Zot, apo në shkencë?". Të thosha në Zot, kisha frikë, mos më fusnin, plus agjitacionit edhe nenin që "beson në fenë e ndaluar", se këta, imagjino, prishën në '67-ën kisha dhe xhami. Çfarë s'kanë bërë këta! Krimet e tyre nuk shkruhen, si ideologjikisht edhe në mënyrë fizike. I thashë: "Në shkencë". "E po në katër miliardë banorë,- më tha...nuk e harroj këtë përgjigje që më dha- nuk ka dy shkrime njëlloj". Me një fjalë që kjo ishte mëse e vërtetë edhe unë e dija këtë që dy shkrime nuk bëhen njëlloj, por ishte ajo ideja që "hë, nuk do tregoj, hë, se do shpëtoj", kështu që pranova pastaj, nuk kisha çfarë bëja. Kisha disa njerëz kur dola në gjyq. Kot ishin ata, nja dy-tre që kishin gjetur: banorë të lagjes aty, të një ndërmarrjeje, të komunales dhe të zonës këtej nga pallatet. Se te pallatet me tulla silikate ishin banorë ish-shefat e Sigurimit dhe këta të Ministrisë së Brendshme. Edhe, me mbylljen e hetuesisë, më nxorën në gjyq edhe më çuan pastaj në kampin e Qafës së Barit.

Si ishte kampi i Qafë-Barit?

Atje në Qafë-Bari ishte një tmerr i vërtetë. Kampi ishte i dënuar si kamp, me përvojën e Spaçit se u bë dhe revolta. Aty, puna fizike ishte shumë më e rëndë. Aty duhet të mbushje me normë një Skodë me rimorkio, i themi ne me gjuhën e shoferave, ose pesë vagona të uzinës Dinamo, që ishin me mineral, që peshonin deri në 2 ton vagoni. Atje do ta bëje normën me dhunë. Kampi kishte një televizor, ku të burgosurin shikonin ato çfarë jepte televizioni i asaj kohe. Ishte tri herë në javë. I ndaluar edhe televizori. Vetëm për lajmet e orës 20.00 që do t'i shihnin të dënuarit me detyrim. Edhe propaganda që bëhej me leximin e gazetës në mëngjes dhe pas dreke, pas një pune të lodhshme që bënim në galeri, punë jo e lodhshme, por tepër e lodhshme që është në kujtesën time. Aty përdorej edhe dhuna në qoftë se nuk do të bëje normën si i dënuar.

Çfarë lloji dhune përdorej në Qafë-Bari?

Ishte dhuna fizike. Po një dhunë e tmerrshme. Në trupat e galerisë, punëtorët, sidomos punëtorët e fuqishëm, që u kërkohej një normë dyfish, u vinin këmbët mbi trupa edhe, sa të jepte urdhër komandanti i kampit, ose shefi i policisë, me 30-40 bishta kazme, derisa u bëheshin këmbët gjak të shkretëve. Ishin masa të tjera prerje takimesh që vinin familjet nga ana e anës e Shqipërisë, për të parë fëmijët e tyre me ato sakrificat, me ato dhimbjet me ato mundësitë financiare të pakta që kishin... prerje takimesh. Imagjinoje të bënte një nënë ose një motër një udhëtim nga Tirana deri në Qafë-Bari, po marr Tiranën, jo nga Saranda, që i thoshin rreth 220 kilometra dhe të vinte te telat e burgut dhe t'i thoshte oficeri i rojës që ishte: "Bujar Salës i është prerë takimi!", sa e dhimbshme ishte, çfarë torture ishte të ktheheshe prapa.

Ndodhte shpesh kjo?

Shpesh, shpesh, shumë shpesh... kjo ishte një metodë e komandës së kampit, e bërë nga vetë njerëzit që komandonin atë repart riedukimi, që i thoshin këta, por një tmerr i vërtetë. Prerje korrespondence! Një faqe fletoreje të fëmijëve, do shkruaje...Kishe të drejtë të shkruaje vetëm në një faqe. Dhe ato dëshira, dashuria që ishte për prindin, për fëmijën, për motrën, për vëllanë, gjithë ajo pasqyrë, gjithë ajo jeta jote për një muaj, do hidhej aty në atë letër. Ai ta priste atë letrën: "prerje korrespondence", thoshte. Kthente letrat që sillnin nga familja. Me një fjalë, sa e trishtueshme ishte për një familje që mezi kishte shkruar dy rreshta, shkonte letra e të dënuarit dhe aty te komanda: "refuzohet, i është prerë takimi" dhe familja merrte mbrapsht letrën. Mendonte, "Çfarë ka bërë djali? Çfarë ka ndodhur me djalin, me vëllain, me burrin?". Dënimi me birucë ishte i tmerrshëm, akoma më i keq. Me një muaj birucë. Një muaj birucë, po këta kishin një metodë: o ta ruanin birucën në kohën që ishte një vapë e tmerrshme se bënte dhe atje vapë, pavarësisht se ishte me -20, Qafa e Barit, me termometër ose ta ruanin në janar, në mars, që ishte i ftohti më i madh, acar. Me një batanije, me dy batanije, aty, çfarë do bëje? Me një nga ato panelet, me ato dërrasat e këqija, me lagështirë, me të gjitha. Dilnin të sëmurë, me turbekuloz. Vriteshin në galeri, dëmtoheshin në galeri.

Kujtoni emra të të dënuarve që u plagosën?

Kujtoj...kishim atë shefin e policisë... Biles ai është emër i njohur, njihet edhe kështu si i dënuar, ai Namik Ajazi, atë e zuri vagoni në brinjë. E morën shokët, bashkëvuajtësit e tij, e nxorën për në infermieri. Qëllova që shkova dhe unë me një shok tjetër aty edhe shefi i policisë, si tani më kujtohet, me një urrejtje dhe me një fytyrë të bërë si bishë, na tha: "Çfarë doni ju këtu? Këtu ka infermier". Me një fjalë që nuk i dhamë dot një ndihmë, as një shokut tonë. E lamë aty me atë infermierin.

Kush ishte shefi i policisë?

Ludovik Cali, një nga kriminelët më të mëdhenj, mendoj që ka pasur Ministria e Brendshme. E them me plot gojën edhe ishallah kam qejf që dhe ai të më dëgjojë. Ishte kriminel i lindur. Ai; ishte dhe një Nikollë Lluka, polic.

Po policët e tjerë si silleshin me ju?

Tani policët, edhe ata bij nënash, po pse ishin gatuar me atë urrejtje për ne? A u bënin propagandë, a e quanin luks atë lloj pune, që të rrihnin të dënuar? Edhe këta tipa gjuanin edhe më me mllef, ishin më të zellshëm. Ishin me një urrejtje kundër nesh. Ata kishin krijuar një urrejtje dhe te të tjerët. Unë nuk kam qenë në Spaç, por është e jetuar nga bashkëvuajtësit e mi. Shoferat e transportit që vinin në kamp, nuk i merrnin familjet. Imagjino një familje me fëmijë të vegjël, apo pleq, të bëjë 8 km rrugë nëpër ato male, të pambrojtur. Gënjenin nënat tona. Ku po shkon?-i pyesnin. "Kam vajzën të martuar me oficer, thoshin, ose -me mësues, në Fushë-Arrëz". Detyrohej të gënjente se nuk e merrte shoferi. Imagjino çfarë është bërë me këtë popull, që të gënjente një nënë që po shkonte të shihte fëmijën e vet, gjakun e vet, dhimbjen e vet në burg! Ajo thoshte: "Po shkoj, kam gocën të fejuar, ose të martuar, ose të caktuar arsimtare në Fushë-Arrëz, ose në Pukë", si e si që ta merrte shoferi se te profesionet ishte trashëguar dhuna klasore që bënin këta në popullin shqiptar.

Kam qenë në Qafë-Bari. E kam të fiksuar këtë skenë: ka ardhur operativi i kampit. Nuk e mbaj mend atë, një Loni, Loni, se edhe ndërroheshin. Edhe më kujtohet për një Kujtim Xhaja, një shoku ynë. 11 vjet burg bëri, një tiranas. Erdhi aty në kamp, pa pikë turpi, tha: 11 vjet bëri Kujtim Xhaja, 11 plumba i dha Partia e Punës. Po thuhet ajo?! Ose për Havzi Nelën. Kam qenë aty kur është liruar, në Qafë-Bari. I gëzuar pas 20 e ca vjetësh burg. Kur marrim vesh ne, këta Ramiz Alija, Fehmi Abdiu e kompani firmosën që të varej një poet. Plus vrasjet në kufi që na vinin të dhëna nga familjarë. Vriteshin akoma në kufi, në '90-ën!

Si ka qenë të ishe i burgosur gjatë vitit 1990?

Më kujtohet kur na transferuan. Kishte filluar tronditja. Jo rënia e Murit të Berlinit, jo dënimi i Çausheskut...Më kujtohet një skenë e tmerrshme në Sarandë. Atë kohë e kanë jetuar të gjithë shqiptarët kur vjen kryeministri grek edhe e shoqëron Adil Çarçani në kufi. Edhe me sa mbaj mend unë, turma i thotë që të hapet kufiri, edhe turma shkoi me ta. Ne na mbanin në burg. Shikonim popullin e Jugut që vërshonte nëpër rrugë, për të dalë në Sarandë, për të shkuar në kufi, sepse atje ishte kampi i Shën Vasisë. Ne, nga kampi, shikonim njerëzit që iknin, këta na mbanin akoma në burg ne. Krijohej një psikologji që "duan të na vrasin, na mbajnë peng për interesa të tyre".

Në '90-ën ne vendosëm të bënim një grevë. Rreth 80 të dënuar, hipëm në tarracë: Fatos Kërluku, Qani Sadiku, Adem Xhaferi, Gëzim Beja, Lirak Bejko, shumë shokë, rreth 80 të dënuar... Mbas 10 ditëve, thanë: "Do vijë prokurori për takim". Na zbritën poshtë. Na prenë dhe ujin kur ishim lart. Imagjinoje, ne në tarracë, këta na prenë ujin. Vunë policinë aty rreth e rrotull dhe as ujë nuk na jepnin shokët dot më se ishim në tarracë: katërkatëshe ajo godina me sa më kujtohet. Po më e madhe ishte: Kishim dëgjuar, se kishin filluar të hynin fjalë, që po bëhen ca tolerime, jo në gazetë shkrimi i Sali Berishës, Ylli Popës që ne na dukeshin çudi: "Me çfarë guximi shkruanin ata!" dhe shpresonim me thënë të drejtën dhe i them komandantit të kampit, Agim Vrana: "Do hapësh televizorin të shohim se ka sot Ramiz Alija takim". Bëri takimin me intelektualët, në atë periudhë, në gusht. Ky, si me marifet: jo, "nga je?", jo, "sa je dënuar?", jo, "a të ka ardhur familja?", jo, "s'të ka ardhur familja"...dhe ishte një tunel aty, ku unë, pa dashje, zbrita duke biseduar me të dhe shokët duke më shoqëruar mbrapa. Biles shokët më thanë: "Mos ik poshtë, o Bujar!". Kur në atë kohë, policët mbrapa më mbyllën derën, më çuan atje poshtë...Ishte një Xhelal, Xhelal, një kriminel ai, oficer prapavije, ishte në Sarandë. Nuk e di, thonë "ka biznes në Sarandë, ka hotele". Nuk e di si këta vrasës deri dje të kenë hotele! Si ai Nikollë Lluka, kishte hotel në Pukë; ky Ludovik Cali, biznes me ndërtime, ose të tjerë sa të duash, oficerë të ish-Sigurimit. Edhe i thotë komandanti i kampit: Merreni edhe këtë! Edhe fillojnë drurin aty, 11 veta të lidhur me një zinxhir. Me një zinxhir, 11 shokë. Filluan dhunën. Një Zyhdi Krymit i thyen duart, një Gjergji i thyen dhëmbët, një tjetri... Në '90-ën. Kjo është një absurditet që mund të ndodhte me të burgosurit politikë. Edhe unë nuk i thashë asgjë: "Hap televizorin, se ne çdo ditë i kemi parë lajmet me detyrim, pse sot mos t'i dëgjojmë?" se donim të dëgjonim, të merrnim informacion. Ishte si shpresë për ne. Kur vinte ndonjë delegacion i huaj, ne shpresonim më shumë. Na ishte rritur shpresa...turmat e popullit i shihnim me sytë tanë, që ato shkonin në Greqi, ne na mbanin në burg, ata!  Pastaj në janar të '91-shit, filluan edhe ato dekretet, u lirova.

Pas sa vitesh burg?

Unë u dënova 8, bëra 7.

Si erdhi lirimi?

Ndodheshim në Sarandë, në kampin e Shën Vasisë. Ishim rreth 50 veta që u liruam atë ditë. Na kishin prurë dhe një autobus, se na merrnin si me të mira. Kjo ishte një lojë e këtyre që mos të hakmerreshim kundër tyre. Këta na vunë në gjumë ne në atë periudhën e lirimit dhe shpresuam te demokracia. Erdhi demokracia pastaj, Partia Demokratike ishte krijuar kur ishim ne në burg, dolën ca ligje për t'u dënuar këta ish-oficerët e Sigurimit...

Ku shkuat pasi dolët nga burgu?

Unë kur na ka shkarkuar autobusi këtu te Banka e Shtetit, kam marrë nja 5-6 shokë të mi, që ishin nga Veriu, se ku do shkonin ata? I kam marrë në shtëpinë time, i kam çuar direkt, i kam rënë portës te nëna ime. Nëna, si nënat e dhimbshme, me gëzim, se as nuk e prisnin.

Nëna nuk e priste që ju do të liroheshit atë kohë?

Jo, po asnjë nuk e priste. Kishin dëgjuar kështu që po lirohen të burgosurit politikë. Nuk ishte lajmëruar me një fjalë. Ne hymë kështu pa pandehur. Një gëzim i madh në familje. Na priti me ato që kishte ajo në atë orë të vonë të darkës. Edhe shokët, sa herë e përmendin edhe sot, me respekt. Natyrisht, se ata kishin një jetë me mua nëpër burgje dhe nuk do t'i lija jashtë, ashtu si po të isha në Shkodër unë, apo në Pukë...

Nga arkiva e familjes Doko/Kujto.al

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here