Dëshmia/ Avni Sali: Nuk më lanë të ngjallja emrin e vëllait të pushkatuar

0
266

I pushkatuan vëllanë vetëm 22 vjeç. Nuk ua treguan kurrë ku i kishte eshtrat dhe nuk e lanë as t’i vinte emrin e tij të birit. Edhe pse Avniun nuk e futën në burg, mbi të dhe fëmijët e tij, vazhdoi përndjekja deri në shembjen e komunizmit.

Kujto.al sjell dëshminë e Avni Salit, anëtarit të familjes që komunizmi i pushkatoi tre burra dhe i dënoi me 18 vjet burg një tjetër.

Dëshmia e plotë nga arkiva e familjes Doko:

Zoti Avni, kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?

Unë kam lindur në 2 korrik të ’39-ës, në fshatin Piskaj. Në kohën e demokracisë erdhëm në Ersekë, që u hapën rrugët, shyqyr Zotit, na u hapën sytë. Familja ime, ka qenë kurdoherë, mund të thuash, e persekutuar, për arsye të regjimit komunist, që na pushkatuan e nuk na jepnin asnjë të drejtë.

Kë ju kanë pushkatuar?

Mua më kanë pushkatuar 2 xhaxhallarët, vëllanë edhe xhaxhanë tjetër, 18 vjet burg. Në ’87’ën e dënuan 18 vjet për agjitacion dhe propagandë.

Më thuaj të lutem, si i kanë quajtur xhaxhallarët?

Osman dhe Myhdi Sali.

Kur i kanë pushkatuar?

Në ’45-ën.

Cila ishte arsyeja?

Arsyeja: armiq të partisë dhe të pushtetit popullor, kështu ishte.

I kanë pushkatuar me gjyq apo...

Xhaxhain e vogël e kanë pushkatuar “meqë je i vëllai i Osmanit”, pa gjyq.

Pa gjyq fare?

“Je i vëllai i Osmanit” dhe e pushkatuan. Kurse Osmanin pa gjyq edhe atë, e pushkatoi partia.

Si armiq  të pushtetit.

Po.

Thjesht kjo ishte?

Po.

I kanë pushkatuar këtu në Ersekë?

Në Ersekë. Ai, xhaxhai i vogël është pushkatuar këtu, Osmani është pushkatuar në Selenicë të Piskës, në një fshat atje.

I keni gjetur varret? Ku i varrosën?

Këtu në Ersekë. Kur ndodhi ajo që i zhvarrosën që andej dhe i sollën.

Më pas thatë që pushkatuan dhe vëllanë tuaj. Në ç’vit?

Në atë vit edhe vëllanë, po vëllait s’ia dimë varrin fare se ku është, se ku ndodhen eshtrat.

Si ndodhi? Pse e pushkatuan vëllanë?

Po e pushkatuan se ishte kundra regjimit komunist.

Ç’moshë kishte?

Aq ishte edhe ai, 22 vjeç.

Çfarë kishte mbaruar?

Ai s’kishte mbaruar shkollë. Vetëm ky xhaxhai që shkoi në Itali. Ky kishte mbaruar shkollën në Itali.

Vëllai ishte në moshën 22-vjeçare, djalë i ri fare. Si ndodhi?

Unë jam i vogël po nga të thënat e tregimet e babait dhe  të nënës. Erdhi në Ersekë aty, kaluan aty...S’e dimë as varrin, as njërën e as tjetrën. “Është vrarë”, thanë. Edhe plaku nuk vinte dot se ishte luftë edhe ngeli ai, as varrin s’ia dimë, eshtrat e tij. Se ku e shpunë, s’e dimë.

Të kuptoj. Si e quanin vëllanë?

Shaqir.

Ç’ndodhi me familjen tuaj më pas?

Me familjen tonë më pas… mua m’u shtie në ëndërr, se mos është qesharake edhe thotë kështu: “Pse nuk më ngjallet emri,-thotë,- se unë nuk kam bërë gjë”. Edhe më ngeli gruaja shtatzënë, lindi. Unë e kisha parasysh, vura emrin. Më thërret organizata bazë e Partisë. “Akoma po e shton këtë,-thotë-, kriminel, reaksionar, që do të na ngjallësh emrin e vëllait, tradhtarit”. Domethënë na ka përdorur, keq. Një anëtar këshilli nuk na vinin, një anëtar këshilli të thjeshtë. Bursën, fëmijës... Djali m’u bë për shkollë. Ai i kishte të tëra 10-a. Ishte ai sistemi që duhet ta kishe 10 Marksizmin që të shkoje në shkollë të lartë. Ishte një nga Starja, Xhevdet Memja. Ai një t’ia ulur notën, e la djalin pa shkollë. Domethënë jemi ndjekur nga sistemi, na ka ndjekur në mënyrë të atillë që... Unë nuk kam bërë burg, që të them që kam bërë burg, po asnjë të drejtë, për atë kohë që ishte sistemi komunist.

Çfarë pune keni bërë?

Po, punë, në bujqësi, kohët e fundit vajta në baxho, pastaj në ’76-ën, luftë e klasave, më hoqën edhe nga puna, se i helmoja unë, po të isha në atë punë. Ja kështu ka qenë puna.

U martove?

Po.

Fëmijët nuk u shkolluan, nuk iu dhanë të drejtë?

Jo, shkollë të lartë, jo.

Nuk u jepnin të drejtën e shkollës së lartë. Çfarë pune bënë fëmijët?

Po fëmija tani... djali mbaroi shkollën e mesme, atëherë. Se gjoja ishte më e zbutur shkolla mesme. Tani në demokraci e vunë polic.

Tani në demokraci. Në atë kohë nuk bëhej fjalë fare për asnjë gjë.

Jo, jo, s’bënte vaki ajo punë.

Më thuaj, gjatë gjithë kohës punuat punëtor?

Punëtor.

Të survejuar nga regjimi i kohës. Ju ndiqnin?

Të ndjekur. Fëmija kur vinin në aktivitet, që kryeshin ato aktivitetet, i distanconin dhe qanin fëmijët. “Pse ne na hoqën nga kjo punë? Pse? Ne vijmë së bashku në shkollë.” I distanconin fëmijët e mi. Edhe nuk i vinin në aktivitete. Kur bëheshin këto çetat, të tërëve u jepnin pushkë, gruas sime i jepnin pushkë druri. Edhe ne na hoqën nga zbori e na vunë me gratë me pushkë druri.

Më thuaj, në vitet ’90, ’91 filloi shembja e regjimit komunist në Shqipëri...

Unë në vitin ’90, ’91… Ne jemi nga një fshat që mban 5 orë larg, ne mund të thuash i ngritëm rreckat, nuk thamë që kishim para, por shyqyr që erdhi kjo ditë edhe erdhëm këtu te kryetari i këshillit të qytetit, se thanë se jepej vend. Morëm vendin e erdhëm këtu, u çliruam se ishim… Ca ishte vendi, ca nga sistemi edhe e kishim litarin, -iu thashë-, këtu në grykë. Nuk shihnim diell me sy. Ky ishte gëzimi, që erdhi demokracia.

E pritët me gëzim?

Po, si s’e pritëm me gëzim! Me gëzim të madh bile.

Si jetoni tani?

Po jetojmë shumë mirë, punoj për veten time, s’më thotë njeri, te vendi.

Bisedon me kë të duash, çfarë të duash, është liria e fjalës.

Liria e fjalës, liria e njeriut. Nuk thotë që u llafose me Metin edhe operativi të rrinte atje, të thoshte: “Hajde këtu,-thoshte.- Pse bisedove?” Kështu ka qenë puna.

Nga arkiva e familjes Doko

Prodhim i Fondacionit Kujto

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here