Dëshmi nga terri /Si i torturan, para kampit, të kapurit që tentuan të arratiseshin

0
211
blank

Ish-i dënuari politik Barjam Dervishaj, tregon një episod të paharrueshëm sesi policët e burgut të Elbasanit, me Dushan Alian në krye, torturuan të kapurit pas një tentative për arratisje, para syve të gjithë të dënuarve.

Ata që tentonin të arratiseshin nga burgjet e diktaturës ishin sigurisht specie të rralla me një guxim të jashtëzakonshëm. Mosuksesi, më i mundshëm sesa suksesi, siç e tregonin rastet e ngjashme, do të thoshte që mund të vriteshin gjatë ndjekies ose në tortura.

Kurt Lika dhe Mëhill Gjini, megjithatë, e morën guximin për t’u arratisur nga Reparti Nr. 303 i Elbasanit një natë të acartë dimri, por nuk ia dolën. Ata i kapën dhe i sollën të gjakosur në oborrin e kampit ku vazhduan t’i torturonin, por këtë herë me publik gjithë shokët e vuajtjeve. Desh qielli pa mbetën gjallë. Barjam Dervishaj, që në dimrin e vitit 1966, vuante dëninim në atë kamp, ka përshkruar në një postim të hershëm në faqen e tij në FB, atë ngjarje të paharrueshme.

Postimi

Ishte dimri i vitit 1966 në repartin 303, burgu Elbasan. Një borë e madhe kishte mbuluar gjithçka dhe e rëndonte më shumë trishtimin tonë. Dhe një ngricë që të thante. Në orën 03:00 zgjohemi nga buçimat e mitralozëve dhe automatikëve. Dy burra kishin çarë rrethimin dhe ishin arratisur. Në këtë kohë, binte çanga e kampit dhe qindra policë hynë brenda në kamp duke bërtitur: “Apeli, apeli!”.

Na numëruan 2-3 herë, duke na vendosur në rresht për dy. Por një çift mungonte. Komunistët na bën apel duke na folur gjithkujt në emër, mungonin dy emra, dy burra.

Këta ishin burra trima që ishin arratisur nga kampi-burg. Këta ishin Kurt Lika nga Kruja e Mëhill Gjini nga Mirdita, të cilët ishin arratisur. U deshën dy ditë e dy net që t’i kapnin. Kur pas dy ditësh i futën në kamp për t’i parë ne dhe për të parë reagimin tonë, ata ishin të gjakosur, me rroba të grisura, pa këpucë.

Një polic, fytyra dhe emri i tij nuk më harrohen kurrë, ai ishte Dushan Alia nga fshati Salari i Tepelenës…në një gropë që ishte aty afër, e ngrirë kallkan, polici Dushan Alia e theu akullin me çizmet e tij dhe i futi ashtu zbathur si ishin, brenda atij uji të ftohtë. Aty i mbajtën mbi 4 orë, në një pozicion të palëvizshëm. Pashë uji mori ngjyrën e gjakut, ata ishin gjakosur dhe këmbët e tyre rridhnin gjak.

Më vonë, i morën dhe i çuan në Degën e Brendshme të Elbasanit ku i ridënuan për arratisje. Më pas këta njerëz i takova. Kurt Lika sot nuk jeton, ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij, ndërsa Mëhill Gjini jeton dhe është shëndoshë e mirë. Këto ishin burgjet komuniste. Kjo ka qenë mbijetasa jonë. Komunizmi ka qenë, është dhe do të mbetet në mendjen tonë si ajo natë e egër me borë dhe acar.

Shënim: Postimi i takon vitit 2017.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here