“Do vriste Hrushovin”/ Çobani që u kthye në enciklopedi në burgjet e diktaturës

0
366
blank

Ca batuta mes shokësh, në fshat, në kohën kur Hrushovi do vizitonte Shqipërinë, u kthyen në akuza që e dënuan me shumë vite burg për terrorizëm. Gjatë atyre viteve, Namik Hasanaj u kthye nga një çoban i pashkolluar në një enciklopedi të vërtetë që ishte e vështirë ta shihje pa një libër në duar. Nga nxënës i profesorëve të shquar të burgut, nisi të bëhej vetë përcjellës i dijeve për më të rinjtë, por, gjithmonë, përulësisht, si dikush që nuk e ka të drejtën të jetë mësues. Njihuni me një nga personazhet e rrallë të burgjeve të komunizmit, që diktatura e dënoi dhe e ridënoi duke ia mbyllur të gjithë rininë pas hekurave

Nga Shkëlqim Abazi

Një nga individualitetet më interesantë që më ka rastisur të njoh në burgje, ishte Namik Zeneli.

I përkiste kategorisë autodidakte, nuk kish kryer as shkollën e mesme, gjithë ç’kishte arritur, ishte meritë vetjake.

E kishin dënuar që tetëmbëdhjetë vjeç, me një nen paksa ndryshe, për terrorizëm kundër figurave të larta shtetërore.

Namiku kishte kaluar vite në burgun e Burrelit, me intelektualë të shquar. Atje, nisur nga nevoja për të shtyrë ditët, iu fut leximeve. Ky qe sebepi, si fillim…

Rastësia e poqi me poetin brilant të ndjenjave të holla, vlonjatin Kudret Kokoshi, i cili si krahinor, e afroi në rrethin e tij shoqëror.

Bariu i dhive me vullnet të hekurt, me një intelekt të pakrahasueshëm, do përthithte vullshëm në trurin e virgjër, gjithçka. Shpejt ky “injorant profan” do tërhiqte vëmendjen dhe kureshtjen e intelektualëve të shumtë që vuanin dënimin atje.

Zelli i pazakontë dhe inteligjenca e paparë, i nxiti dijetarët e atyshëm t’i përkushtoheshin me shpirt këtij talenti. Ata vërenin me habi, që gjeniu i gjymtuar ishte një nxënës mbinatyror, që përparonte dukshëm, gjë që i bëri të mos kurseheshin. Secili në fushën e vet, i dha më të mirën e mundshme.

Rrufeshëm djali nga Vajza, zgjeroi horizontin, mësoi nga poliglotët e atyshëm gjuhët kryesore, përvetësoi shkencat dhe artin, arriti të grumbullonte aq shumë informacion sa edhe më të diturit nisën t’i kërkonin mendim, në fillim për kureshtje, më pas pse ia ndjenin nevojën.

Plotësoi bagazhin me dije nga të gjitha fushat, mund të shprehej lirshëm në biseda akademike për probleme specifike, linguistikë, letrare, historike, filozofike, estetike etj.

Çobani i kërrabës, pak nga pak u shndërrua në enciklopedik.

Kur liroheshin të burgosurit e vjetër, ish bërë zakon që bibliotekën personale t’ua dhuronin të rinjve. Tashmë personi që përfitonte nga kjo indulgjencë, ishte Namiku; për faktin e veçantë se te ai gjenin pasuesin pasionant që mund të shtynte dhe përçonte më tej, dijet. Kështu, u shndërrua edhe në bibliograf burgu.

Çdo libër, e gjeje te Namiku!

Në hetuesi e kishin gjymtuar, kishte mbetur sakat i pariparueshëm nga një dorë. Për shkak të saj ishte gjashtëqindësh (racioni në gramë i bukës në ditë në kampin e Repsit, për të dënuarit që nuk punonin), rrjedhimisht i papunë non stop.

…Kur i kërkoja mendim për njërën apo tjetrën temë, tregohej i papërtueshëm. Asnjëherë s’e pashë të ngutej apo të merrte atributet e kompetentit arrogant, apo të thoshte: “është kështu apo ashtu, si them unë!”, jo.

Por me modesti shprehej:

“Mendoj se duhet të jetë kështu apo ashtu, por sidoqoftë duhet të konsultohemi me librin përkatës, ta hapim në iks kapitull, në ypsilon faqe se mund të jetë edhe ndryshe!”

Sigurish, kur hapnim librin në atë faqe, kapitull apo paragraf dilte ashtu si kish thënë ai.

Sërish modest, shtonte:

“S’isha fort i sigurt, se elbete jemi njerëz të pashkolluar!”

Në të vërtetë përfaqësonte një fenomen të habitshëm që rrallë mund të haset në jetë. Në këtë përfundim s’kam dalë vetëm unë, po shumë të tjerë para meje; unë thjesht konfirmoj mendimin e specializuar të këtyre mësuesve.

Namiku fliste për letërsinë si kritik letrar, për historinë si filolog, për artin si estet, për shkencat ekzakte si inxhinier, matematicien apo ekonomist, për gjuhët e lashta dhe të reja si poliglot, për politikën si analist, për fenomenet shoqërore si filozof, për kulturën dhe sportin si artist apo kampion i madh, pra, ai tru përmblidhte në vetvete një enciklopedi të gjallë.

Edhe pse luante modestin e nuk ekspozohej, të gjithë ia njihnin këto vlera dhe secili e shfrytëzonte sipas rastit, në fushën ku kish interes.

…Çudi, për gati dy vjet që qemë bashkë asnjëherë s’ma zuri syri pa libër.

…Ai i mbështillte librat me kujdes, siç mblidhet një foshnje e porsalindur me pelena. Atij mund t’i mungonte shumëçka, po kurrë fleta e mashkës për kulisje.

Qe ndër të rrallët që me greva urie të zgjatura, mposhti komandën e kampit. Pas ndërhyrjes së autoriteteve qendrore, të vënë në lëvizje nga letrat e panumërta të tij, detyroheshin t’ia rikthenin librat e sekuestruar gjatë kontrolleve.

Po aq i rregullt dhe i kujdesshëm paraqitej individi Namik.

Megjithëse sakat nga njëra dorë ai ishte shembull pastërtie, i larë e i shpëlarë, dritë si i thonë.

…Kur përmenda më lart se Namiku ishte dënuar me një nen paksa të veçantë, këtë s’e bëra i nxitur nga synimi për ta veçuar nga të tjerët që ishin dënuar, po për terrorizëm. Jo, po për arsyen e thjeshtë se ai dhe miku i tij, ishin vërtet të dënuar paksa të ndryshëm.

Kjo që do rrëfej më poshtë, është nxjerrë nga akt-akuza autentike, siç e kam lexuar vetë.

Theksoj, ishin dy akt-akuza, e para dhe e dyta që kishin të njëjtin subjekt dhe ngjanin si dy pika uji.

Ja teksti:

“Në qershor 1959, udhëheqësi i shquar i proletariatit ndërkombëtar…shoku Nikita Sergejeviç Hrushov, zhvilloi një vizitë historike në vendin tonë.

…(Ai)…u mirëprit me madhështi dhe brohori nga populli ynë liridashës, por iu vrau sytë kapitalistëve dhe imperialistëve, ndaj nëpërmjet kundërzbulimit armik, futën në veprim veglat e tyre të brendshme për të eliminuar udhëheqësin e madh, në tokën tonë.

…Gjetën dy aventurierë sharlatanë, Namik Zenel Hasanaj dhe një tjetër të ngjashmin e tij…kriminelin Mustafa Iljaz Iljazi, i organizuan dhe i armatosën me armë të sofistikuara të prodhimit amerikan, i stërvitën në bazat e fshehta dhe i instruktuan si të organizonin atentatin…”

Kështu pra, me këtë frymë, vazhdonte akt-akuza disa dhjetëra faqe…

Përveç disa neneve të thatë, asgjë tjetër juridike s’kish në brendinë e saj…

Pas një viti hetuesi speciale, ku shquhej pjesëmarrja e famëkeqit Nevzat Haznedari, mbasi i gjymtuan dhe i katandisën nga tridhjetë kilogramë dhe kur s’arritën të zgjeronin grupin e kompllotistëve me agjentë vendas apo të huaj, si bashkëpunëtor në këtë atentat imagjinar, dy kufomat e sakatuara i nxorrën para ca mumje-gjyqtarë dhe i dënuan me vdekje me pushkatim edhe pse vetë fabrikuesit e kësaj farse ishin të bindur se fabula ishte e stisur.

Më tej, iu falën jetën dhe i flakën në qelitë e burgut të Burrelit.

Por, pak pas dënimit të këtij grupi atentatorësh të famshëm, vëllai i Madh doli renegat dhe tradhtari më i rrezikshëm i marksizëm-leninizmit proletar.

Por…o ironi e hidhur! Akuza ndërroi subjekt, po jo objektin.

…Një mbrëmje sterrë, i rrëmbyen nga burgu ku kryenin dënimin me batanije në kokë dhe i rikthyen edhe një herë nga e para, në birucat e sterrosura, tashmë në hetuesi speciale.

Aty, sigurimsat u sulën si korbat mbi kërma, nisën sërish vallen e dajakut.

Tani, s’iu përmendën më eliminimin e tradhtarit Hrushov, përkundrazi këtë e konsideruan koperturë për të fshehur synimin e tyre të vërtetë, asgjësimin e udhëheqjes së lartë të Partisë së Punës së Shqpërisë…

Po tani dy djemtë nusëronin përsëdyti. Vunë në zbatim përvojën që fituan nga të dënuarit e vjetër në burgun e Burrelit, duke mos pranuar asnjë nga akuzat që u bënin.

Po edhe kjo, s’iu vleu për gjë, se në vend të pafajësisë i ridënuan edhe një herë me vdekje. Më pas, dënimin ua konvertuan në njëzetepesë vjet për secilin dhe sërish, përfundua në burgje e kampe.

Po e vërteta lakuriqe e kësaj tragjikomedie, cila ishte?

Ja sipas fjalëve të tyre:

“Vlora me nahijet e saj, sidomos fshatrat e Lumit të Shushicës, të Kurveleshit e në veçanti, brezi Tragjas-Radhimë-Dukat, banohen nga fshatarë krenarë e trima, sipas konceptit të tyre për këto veti.

…Banorët mburravecë të kësaj nahije mendojnë se çdo ngjarje deçizive, duhet të kalojë nga fshati i tyre, në mos nga pragu i avllisë!

Edhe rasti i vizitës së të madhit të komunizmit botëror, s’mund të kalonte pa tërhequr vëmendjen e këtyre hallçakëve…

Por kish edhe nga ata që mendonin se pritja me temenara i këtij birbos nga moskovi nënkuptonte nënshtrim pa kushte, ndaj të mëdhenjve të botës:

“Dre, dre, po këtu në Vlorë kanë thyer turinjtë kushedi sa perandori dhe perandorë”

…Me këtë thashethemnajë kolektive, ishin bashkuar edhe dy djemtë e rinj.

Namiku qe shprehur:

-Ah, po të kisha një dyfek e t’ja këpusja një koqe plumbi, t’ja shpoja atë plëncin që ma ka si thes!

-E di, nuk e ke keq ti Miku, ama do kënaqesha t’ja çpoja unë thesin!-kish shprehur dëshirën Muçua.

Të nesërmen, kur u takuan sërish në mera, e kishin harruar ç’kishin folur dje dhe po çaprashisnin në ugare të tjerë.

Vërtet, ata harruan ç’folën, por llafin e hapi era dhe mori dhenë. Spiuni veshngrehur e kapi fluturimthi dhe s’harroi t’ia çonte të ngrohtë operativit të zonës.

Kaq iu mjaftoi ustallarëve që shtrinë rrjetën në sterre. Sajuan legjendën: “Sikur”!

Ky “Sikur” qe kalvari që do të përshkonin të dy, mbasi herë pas here gjyqi rikthehej nga e para.

Namiku doli nga burgu rreth dyzetvjeçar, i gjymtuar fizikisht, po i kompletuar intelektualisht.

Mirëpo sa para bënte kjo kulturë, komunizmi s’kish nevojë për ekzemplarë të tillë.

Kur u kthye në fshatin e lindjes, bashkëfshatarët e pritën me simpati. E respektonin për dijet e thella që zotëronte, por për ç’përfaqësonte dhe vendin nga ku kthehej, e takonin me frikë. Nëse bashkëfshatarët më guximtarë, i shprehnin hapur adhurimin për horizontin e gjerë, zyrtarët dhe pushtetarët lokalë e shihnin me dyshim e smirë, pikërisht për shkak të diferencës në dije.

I gjendur mes simpatisë dhe antipatisë, si mes Shilës dhe Karbidës, ai arriti të përshtatej…Madje ia mbërriti të krijonte edhe familje, paçka se në kushte të pafavorshme dhe me vonesë.

Një zanë guximtare, nga ato që vetëm ajo zonë mund t’i pjellë, flaku tej me neveri paragjykimet politike dhe u martua me njeriun e mirë e të zgjuar.

Por s’thonë kot: “delja e zezë, lind e zezë dhe ngordh e zezë!”

Fati i keq e ndoqi prapa.

Namiku s’pati pasardhës. Dhe më e keqja, i ndodhi para dy vjetësh!

Bashkëshortja besnike, ajo që i ushqente shpresën për jetë, e braktisi. Vdiq, shpirti i fluturoi në parajsë.

Kur dëgjova për kobin që e kish gjetur, i telefonova mikut tim t’i shprehja ngushëllimet e keqardhjen për fatkeqësinë që i kish pllakosur, njëkohësisht ta inkurajoja të përballonte me dinjitet këtë sprovë.

E dini si m’u përgjigj?

“I nderuar miku im, Zoti më dënoi me vetmi, njerëzimi me dashuri të munguar, historia me harresë, por një aleat s’më ka braktisur ende, libri! Tashmë po punoj, të bëj një muze me librat e burgut!”

Shënim: Marrë me shkurtime nga “Repsi (Kampi i punës së detyruar)”, Shkëlqim Abazi, botim i ISKK, 2017

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here