Atë e bir të ekzekutuar

0
246
blank

Nga Xhafer Sadiku

Një ngjarje që bëri bujë asokohe në Përmet ishte vrasja e dyfishtë e Muke Mezinit, i njohur edhe si Muke Përmeti dhe birit të tij, Rahmiut. Rahmiu ishte një i ri i talentuar, që kishte pasion pikturën dhe i binte violinës.
Sipas historikut të sigurimit të shtetit të rrethit Përmet, Rahmiu u vra nga celula komuniste e Përmetit, në shtator 1943, ndërsa një muaj më vonë u vra edhe i ati, Mukja.
Faji i tyre i vetëm ishte ndikimi që kishin në popullin e zonave të Përmetit për kontributin që kishin dhënë në të mirë të atdheut. Muke Përmeti shikohej nga komunistët si kundërshtar politik. Emigrant i hershëm në SHBA, e kaluara e tij patriotike atje si aktivist i shquar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, i kishte dhënë autoritet dhe ndikim në qarqet atdhetare.
Në kuvendin e federatës, mbajtur në korrik 1918, Muke Përmeti u zgjodh në krye të një komisioni për të sheshuar mosmarrëveshjet midis dy organizatave të diasporës së shqiptarëve, Federatës “Vatra” dhe Partisë Politike që kryesohej nga Kristo Dako, anëtar i së cilës ishte edhe Ismail Qemali.
Në atë kuvend, Muke Përmeti u propozua dhe garoi për kryetar të Federatës Panshqiptare “Vatra”, ku me shumicë votash u zgjodh Kolë Tromara. Muke Përmeti mori pjesë edhe në Kuvendin e Federatës, në korrik 1919, ku përsëri ishte ndër më aktivët.
Pas kthimit në atdhe, ai u mor me biznes, ku falë ndershmërisë dhe kontributit si atdhetar, gëzonte emër të mirë dhe fjala e tij peshonte.
Për karakterin e tij dëshmon një ngjarje e veçantë e vitit 1933. Ali Kamja nga katundi Fratar bëri një udhëtim për në Francë. Përpara nisjes, rastësisht u takua në Këlcyrë me Muhamet beun. Duke qenë mik i bejlerëve të Këlcyrës, u dyshua se mos e dërgonte Muhamet beu për t’u takuar me Ali Këlcyrën, asokohe emigrant politik në Francë. U njoftua Prefekti i Gjirokastrës dhe shpejt filluan hetimet. Muke Përmeti që ndodhej aty pranë kur u takua Ali Kamja me Muhamet beun, u thirr për të dëshmuar.
Ai sqaroi përse kishte vajtur Ali Kamja në Francë, madje i bindi hetuesit se vërtet nuk kishte dijeni se ku i kishte marrë Ali Kamja të hollat "me shkue në Francë", por theksoi se e dinte “…se asht në pozitë me gjet kredi ndër tregtarë pasi ka pasuni. Nuk kam dëgjuar që Ali Kamen ta ketë dërguar Muhamet bej Këlcyra në Francë…” Dëshmia e tij e mbylli çështjen e Ali Kames.
Me ekzekutimin e tyre u rrit klima e terrorit në Përmet. Akuza që i bënin komunistët se “bashkë me të birin…ka luajtur rol me rëndësi në djegien e Përmetit në ditët e para të korrikut” (AQSH), ishte pretekst për vrasjen e tyre.
Shkaku i djegies së qytetit ishte prerja e ujit që komunistët u bënë kazermave të ushtrisë italiane. Në raportin e celulës komuniste të Përmetit përshkruhet gjendja në qytet ato ditë dhe hidhet dritë mbi të vërtetën:
“…Majori italian ka thirrur kryetarin e bashkisë dhe i ka thënë që të lirojë ujët e kazermave, ja ay, do të çkatërrojë të gjithë qytetin. Vazhdon të jetë i prerë….”
Vite më vonë, njëri nga autorët e vrasjes, i cili do ta pësonte edhe vetë nga regjimi të cilit i shërbeu, u deklaronte të afërmve të Muke Mezinit, se Mukja nuk dinte gjë për vrasjen e të birit, madje përpara pushkatimit, u tha komunistëve që xhaketën e tij t’ia jepnin të birit. Por vrasësit iu përgjigjën se, atje ku kishte shkuar Rahmiu, nuk kishte nevojë për xhaketë.
Ndryshe nga çfarë lexohet në komunikatën e 20 tetorit 1943, të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Qarkut të Gjirokastrës, të dhënat arkivore rrëzojnë pretendimet dhe shpifjet e komunistëve. Në të gjitha dokumentet arkivore dhe bibliotekare, rezulton se veprimtaria e Muke Mezinit (Përmetit) ishte ajo e një atdhetari, që kishte punuar për të mirën e vendit të tij.

Shënim: Marrë nga libri “Skenarë të Përgjakur Përmeti 1943-1990”, i autorit Xhafer Sadiku, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë 2016

Fotoja kryesore: Rahmi Mezini

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here