Dënimi i gjermanes Erna Schubert

0
224
blank

Erna Wilhelm Schubert, lindur në Berlin më 31.12.1920, e arrestuar së bashku me dy shoqet e saj, më 5.9.1944 në Bardhoc të Kukësit, u thirr dhe u pyet nga komisioni hetimor për krimet e luftës, i cili përbëhej kështu: Frederik Nosi-përfaqësues i ushtrisë, Munir Tirana, i KANÇ-it të Qarkut, Nikolla Profi i Frontit, Jahja Hatibi i rinisë antifashiste.

Ajo nuk e dinte gjuhën shqipe këtë kohë e për këtë arsye u përkthye prej Mentor Xhemal Sojlit.

E pyetur nga komisioni përgjigjej: “Jam arrestuar më datë 5 shtator 1944 kur u godit autokolona në rrugën Kukës-Prizren. Në Shqipëri kam ardhur më datë 3 qershor 1944 drejtpërdrejt nga Berlini për në Beograd, Elbasan e Tiranë. Në Shqipëri kam ardhur si nëpunëse për llogari të Shoqërisë “Olpsesallschaft” dhe jam marrë me punët e zyrës. Në Kuçovë kishte një repart gjerman për ruajtjen e puseve të vajgurit të komanduar nga toger Eirich. Në këtë shoqatë kam punuar prej datës 6 qershor 1944 deri më 26 gusht 1944, datë kur u largova se isha e sëmurë me malarie. Deri më 3 shtator 1944 qëndrova në Tiranë. Në bazë të urdhrit të gjeneralit Fitzum, të gjitha gratë gjermane duhet të largoheshin nga Shqipëria. Kështu më datën 3 shtator 1944 u nisëm me autokolonë gjermane dhe më 5 shtator 1944 u zumë rob prej partizanëve.

Tjetër gjë nuk kam për të thënë”.

Procesi gjyqësor

Erna ndër të tjera në gjyq deklaroi:

“Na ka thirrur këtu shoqëria e benzinës. Na paguanin 150 franga shqiptare, ushqimin e fjetjen. Ishim daktilografiste dhe asnjë shërbim tjetër nuk kryenim...Nuk e dija se si shkonte lufta në atë kohë...Gjeneralin Fitzum nuk e kam njohur fare, është faji i tij që u zumë ne. Kur jemi zënë kemi qenë në një kamion. Njoh vetëm ing.Toptanin që ka punuar në depo dhe asnjë tjetër. Banonim në Devoll brenda”.

Më 21.10.1945, prokurori deklaroi: “E pandehura ka ardhur drejtpërdrejt nga Gjermania në Shqipëri si agjente e Gestapos duke pasur lidhje me oficerët e lartë gjermanë. Pretendimi i saj se gjoja ka ardhur për punë nuk i përshtatet aspak të vërtetës, pasi si sekretare e thjeshtë mund të punonte në vendin e vet e jo të vinte këtu. Këta janë kapur në luftë nga partizanët ndërsa tentonin të kalonin me autokolonë gjermane dhe për këtë gjenerali Fitzum i ka kërkuar me këmbëngulje duke kërcënuar që do të bënin reprezalje, gjë që vërteton se këta ishin elementë me rëndësi të nazizmit gjerman. Me qenë se veprimtaria e tyre parashikohet prej nenit 15 të ligjit mbi organizimin e funksionimin e gjykatave ushtarake, kërkoj të ndëshkohet, në bazë të nenit 18, me 2 vjet burg".

Ka diçka qesharake në vendimin e gjykatës kur arsyetonte se gratë ishin të rafinuara e nuk treguan gjë, por nga ana tjetër me gjithë atë akuzë të rëndë siç është spiunazhi, japin një dënim të butë me dy vjet burgim. Ndër të tjera në arsyetim të vendimit thuhej:

“Elementë të Gestapos gjermane. Të ardhura apostafat nga Gjermania për t’i shërbyer më së miri Gestapos. Në kohën kur këta largoheshin me autokolonë, kapen në luftë e sipër nga ushtrua nacionalçlirimtare. Fakti që janë elementë me rëndësi për Gestapon e provon insistimi i gjeneralit gjerman Fitzum, i cili bënte çmos për të liruar të pandehurën bashkë me shoqen e saj, kur panë se nuk u dorëzuan pasi ishin zënë në kufi, atëherë gjenerali Fitzum masakroi popullsinë e pafajshme të Kukësit në mënyrë hakmarrjeje. Gjatë zhvillimit të gjyqit, e pandehura nuk u tregua e sinqertë, por trupi gjykues nuk u çudit nga qëndrimi i tyre. Është e natyrshme që elementë të Gestapos të jenë të pajisur me të gjitha cilësitë e poshtra për të ndërruar të vërtetën”.

Gjykata Ushtarake e Tiranë, e drejtuar nga major Irakli Bozo, me pjesëmarrjen e prokurorit toger Skënder Kosova, me vendimin nr.401, datë 21.10.1945, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 2 vjet burgim.

Erna dhe Irmgrandi u internuan në kampin e fabrikës së tullave nr.5 në Tiranë e pas mbylljes së këtij kampi në tetor 1953, u zhvendosën në kampin e Plugut në Lushnjë. Këtu erdhi edhe shtetësja tjetër e huaj, Elsa. Me përjashtim të Elsës, dy gratë e tjera u larguan nga Shqipëri më 17.1.1954 së bashku me piktorin gjerman Hans Trochel.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here