Dashnor Kazazi, i arrestuar në fundin e revoltës së Spaçit

0
185
blank

Dashnor Eshref Kazazi (1951-2020), ishte një nga të dënuarit e grupit të parë të revoltës së Spaçit. Nisi dënimet në moshë fare të re, kur ishte duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe kreu plot 20 vjet, 1 muaj, 21 ditë burgim në vitet 1970-1990. Hyri në burg në moshën 19-vjeçare dhe doli prej andej 39 vjeç. Rezulton se ishte një nga katër të arrestuarit e fundit, ditën kur u shtyp revolta dhe që nuk pranoi të dorëzohej.

Dënimi i parë

U arrestua më 7.11.1970. U akuzua në bazë të neneve 64 në kombinim me nenin 10 dhe 305/1 të Kodit Penal. Gjykata e Rrethit Fier, me vendimin nr.5, datë 30.3.1971, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 8 vjet heqje lirie. “Gjatë kohës që ka vuajtur dënimin, ka mbajtur qëndrim të keq, si edhe në frontin e punës kundërshtonte, nuk zbatonte urdhrat e komandës dhe si i tillë është dënuar nga komanda e futur në birucë”,- shkruanin në opinionin e datës 23.5.1973 komandanti Haxhi Gora dhe komisari Shahin Skura të Repartit nr.303 Spaç.

Dënimi i dytë, ridënimi në revoltën e Spaçit

U arrestua më 23.5.1973. U akuzua në bazë të neneve 72 (sabotimi), 73/2 (agjitacioni me pasoja të rënda), 76 (pjesëmarrja në organizatë kundër pushtetit) të Kodit Penal. U përfshi në revoltën e Spaçit të 21-23 majit 1973. Ai u dënua në grupin e parë të revoltës. Para hetuesit Shaban Dani, mbajti qëndrim mohues ndaj akuzës. Fillimisht u akuzua për pjesëmarrje në një organizatë kundërrevolucionare që synonte përmbysjen e pushtetit dhe sabotimin e ekonomisë socialiste, por edhe për tentativë goditjeje të nënoficerëve të kampit. Nuk i pranoi akuzat. Nuk pranoi se revolta kishte drejtues dhe secili fliste sipas dëshirës së vet.

Në mbrëmjen e ditës kur nisi revolta, rreth orës 22.30, teksa gjendej i izoluar në birucë me 9 persona të tjerë (mbante mend emrat: Shuaip Seiti, Selim Peçi, Ilia Stojani, Jorgo Papa, Xhafer (mbase Dushku), Mexhit Fiku), kanë ardhur të dënuarit dhe kanë shpërthyer birucat duke i liruar të gjithë. Kur janë shpërthyer birucat, rojet kanë qëlluar në ajër me kallashnikov. Atë natë nuk doli në punë turni i tretë. Dëshmonte se në fund, të burgosurit ishin dorëzuar të gjithë me përjashtim të 4 vetave: Dashnor Kazazit, Jorgo Papës, Dervish Bejkos dhe Skënder Dajës, të cilët ishin kapur për dore me njëri-tjetrin dhe rrinin në tarracë. Me vete mbajtën nga një copë dërrasë. U hodh nga tarraca, por ushtarët e policët e kapën shpejt.

Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me veprim në Spaç, me vendimin nr.1, datë 24.5.1973, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. Të dënuar të tjerë ishin: Lush Vata, Hodo Sokoli, Syrja Lame, Sami Dangëllia, Jorgo Papa, Luan Burimi, Luan Koka.

U lirua nga burgu më 28.12.1990.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here