Bedri Çoku: Si i mbijetova 20 viteve burg në diktaturën komuniste

0
253

Ishte vetëm 3 vjeç kur nisi rruga e mundimeve për të kaluar 50 vjet nën diktaturë, burgjeve dhe internimeve. Ka shumë momente të vështira në jetë por një prej tyre ka lënë më shumë gjurmë, kur u nda nga jeta motra e vogël Vathe, ishte vetëm 6-muajshe

“Unë kam qenë i vogël, kur u arrestua babai dhe na i morën të gjitha. Nëna jonë na mblodhi të gjithë ne fëmijët, vajza e djem, ku më i madhi vëlla ishte nëntë vjeç dhe motra më e madhe rreth 14-15 vjeç, dhe morëm rrugën për në qytetin e Fierit, ku nëna kishte të motrën.  Ka qenë një udhëtim i tmerrshëm. Bëhet fjalë për vitin ’51. Unë kam qenë rreth 3-4 vjeç, dhe nuk kam si e mbaj mend mirë, por disa gjëra më kujtohen. Ishte baltë e madhe. Dilnim nëpër Myzeqe, nëpër fshatra, dhe kërkonim bukë derë më derë, por s’na jepte njeri; s’na afronte njeri. Në fshatin tonë jo e jo, por edhe kur dolëm nga fshati, njerëzit kishin frikë të na ndihmonin për shkak të terrorit psikologjik që kishte krijuar sistemi në popull, sepse në atë periudhë, nuk u arrestuan vetëm nga fshati ynë, por edhe nga fshatrat e tjerë. Domethënë qe fushatë arrestimesh, dhe për shkak të propagandës komuniste, cilësimi “kulak” ishte një etiketim i tmerrshëm, që të bënte që në sy të njerëzve të dukeshe si përbindësh. Njerëzit e pushtetit bënin mbledhje natë e ditë, për të demaskuar ata që gjoja kishin grabitur popullin, varfëruar popullin, dhe shfrytëzuar mundin e tyre. Saqë arritën pastaj dhe nxorën edhe barcaleta të tipit që “kur shkonte për gjueti Azem Çoku në kënetën e Karavastasë, merrte fshatarët, u hipte mbi shpinë edhe gjuante për rosa në shpinën e tyre”, kështu kthehet në kujtesë Bedri Çoku kur ishte vetëm 3 vjeç. Është fillimi I një rrugë të mundimshme që do të kalonte përmes urisë së frikshme, të ftohtit, pastaj burgjeve e internimeve. Është një jetë e mundimshme, shumë e mundimshme që I kalon kufinjtë e imagjinatës.

Do të mbetet përjetë në kujtesë ajo rrugë e tmerrshme nga fshati i tij i lindjes në Muçias të Lushnjes, për të mbërritur në një moment “lumturie” kur do të kishte mbi kokë një çati, në një tjetër vënd, në Fier. Do të vinin më pas ditë e shumë vite të tjera të vështira. Pasi bedri Çoku kaloi 20 vjet burg në rini. Por në ketë artikull do të përqëndrohemi tek jeta e vështirë në fëmijëri e deri sa përfundoi gjimnazin. Nis me udhëtimin e vështirë kur xhelatët i burgosën të atij dhe plaçkitën gjtihçka kishin e dëbuan nga shtëpia. 

 “Ishim tetë fëmijë veç me nënën. po ngjisnim atë kodrën ku ndodhet Manastiri në Ardenicë. Ajo e gjora, merrte një pjesë nga ne dhe na ngjiste, dhe kthehej e merrte pjesën tjetër, që pastaj dilnim në xhaden kryesore se as rrugën nuk e dinim mirë dhe veç po shkonim me hamendje. Në Manastir ndodheshin disa murgj, të cilët kur na panë ne duke u tërhequr ashtu zvarrë, e të rraskapitur, u turrën dhe na ndihmuan. Na morën në krahë, na zbritën poshtë, por fillimisht na dhanë për të ngrënë aty në Manastir. Poecnim në klëmbë nga drejt Fierit. Na kishin nxjerrë vetëm me rrobat e trupit dhe ca enë kuzhine, ca lugë e ca pjata...Pa dyshek, pa asgjë. I morën të gjitha. Komunistët zbritën të uritur nga mali, dhe zhvatën gjithçka. Pa pikë mëshire. Nuk e di si nuk iu dhimbseshin fëmijët e vegjël, ashtu të zbathur e në mes të rrugës. Ishte shi, dimër, saqë se si kemi arritur në Fier, nuk e di. Kur arritëm në Fier mbas tri ditësh, u strehuam në ndonjë ndonjë zgavër a ndonjë shtëpi të vjetër e të braktisur dhe aty flinim. Si nuk na ofroi njeri strehë!? Diku afër në fshatin Mbrostar, kishim disa të njohur, domethënë të tezes së babait që na njohën, u afruan dhe na mbajtën aty një natë. Madje na sollën edhe një kalë, në të cilin ngarkuam ato tesha që kishim, dhe të nesërmen shkuam në Fier. Por para se të na merrnin këta, mbaj mend, dhe këtë fakt e kujtonte edhe nëna herë pas here, që aty afër në fshatin Mbrostar ishte një urë, Ura e Mbrostarit, dhe nëna jonë u bë gati që të na merrte të gjithëve, e të hidhej me të gjithë ne në lumë. Poshtë rridhte Semani. Donte të mbyteshim të gjithë, se çfarë të bënte tjetër? Ishte e tmerruar: tri ditë e tri netë gjithë ai ferr! Çfarë të bënte, ku të mbështetej? Ne të gjithë ishim të vegjël. Po mbaj mend që atë moment e kapën prej fustani vëllezërit më të mëdhenj Esati dhe Nexhipi, dhe bërtisnin: “Mos! Mos! Mos! Mos!” E ajo qante. Bile nëna ishte shtatzanë atë kohë. Domethënë, kur e kujtoj këtë skenë, nuk marr guximin të ulem e ta shkruaj nga frika se nuk do të arrij ta jap ashtu siç duhet. Megjithëse shkuam në Fier, nëna nuk donte që të shkonim direkt e te tezja.

Druhej se mund t’i prishte punë?

Po. Edhe çfarë bëmë? Gjetëm një shtëpi të vjetër në Fier, pa dritare e pa tavan, që kishte mbetur ashtu e prishur nga lufta me sa dukej. Atje u futëm. Ne fëmijët, dilnim dhe lypnim në rrugë. Lypnim se ishim të gjithë të vegjël, të paaftë për të sajuar ndonjë punë. E me ato pak të holla që arrinim të siguronim, nëna me vrap shkonte në furrë e blinte bukë. Merre me mend: neve që kishim pasur gjithë atë pasuri, na katandisën që të merrnim rrugët e të lypnim. Kjo gjendje e tmerrshme zgjati nja një javë. Një ditë, erdhi tezja që nuk e di nga e kishte marrë vesh, bashkë me burrin e saj Ali Boriçin, dhe na morën në shtëpinë e tyre, gjë që ne nuk ia harrojmë gjithë jetën. Aliu, ishte me origjinë nga Dibra dhe burrë shumë i mirë. Tezja ime, pra njerëzit e nënës, ishin nga Elbasani, por edhe këta ishin zhvendosur në Vilisht të Roskovecit. Disa njerëz të fisit të nënës, unë i kam takuar dhe në burg.

Tezja dhe i shoqi na strehuan në shtëpinë e tyre, ku kemi ndenjur një vit. Ndërkohë nëna, që siç ju thashë ishte shtatzanë, lindi. Lindi vajzë. Ia vumë emrin Vathe, me qëllim që të rronte gjatë. Mbaj mend që isha unë që i sillesha rrotull, se dy vëllezërit e mëdhenj ruanin delet e fqinjve bashkë me motrat, në mënyrë që të mund të siguronin ndonjë lek. Më i madhi ishte 10 vjeç dhe i vogli, mund të ishte nja 5 a 6 vjeç. Ndërsa nëna, filloi punë në fabrikën e tullave; i gjeti punë burri i tezes, të cilin ne e thërrisnim “dajë Aliu”. Vajza e vogël rrojti 6 muaj dhe vdiq. Bile më kujtohet që vëllai i madh Çaushi, i cili është poet shumë i mirë, ka shkruar një poezi shumë të bukur për Vathen.

Babai ishte në burg. Nëna punonte, bile preu dhe tre gishtat duke nxjerrë tulla, se s’dinte të punonte e gjora, se nuk ishte mësuar. Ndejti disa kohë në spital, dhe pastaj ka punuar gjithë kohën te drutë, te stiva e druve në Fier. Po me ato duar ka punuar deri në vitin 1966. Pastaj filloi punë edhe vëllai i madh.

Sa vjeç ishte vëllai i madh?

Vëllai madh, kur ka filluar punë, ka qenë nja 14 vjeç. Në fillim e mori dikush që i jepte një rrogë fare minimale që të punonte në lulishten e qytetit, megjithëse për ne ishte goxha ndihmë. Por për një vit që ne ndejtëm te tezja, vetëm nëna punonte, ndërsa vëllezërit dhe motrat merreshin me delet e shkonin pastronin shtëpitë apo ç’të gjenin për të mbijetuar. Se çfarë mund të bënte tezja e shkretë? Ajo vetë nuk punonte, ndërsa i shoqi shofer ishte. Në atë kohë tezja vetë kishte 6 fëmijë.

Domethënë, ishit shumë ngushtë...

Ata kishin një shtëpi me dy kate por prapë ishim shumë ngushtë: tetë vetë ishim ne, dhe gjashtë fëmijë ata, kështuqë llogarit se me çfarë sakrifice na kanë mbajtur. Pastaj Këshilli i Lagjes, na dha një shtëpi te Llambi Caco, a se si e kishte emrin... Shtëpia ishte beton, vetëm me një dhomë, por të paktën kishte banjë. Aty kemi ndenjur nja një vit e gjysmë. Pastaj të zotët e shtëpisë u ankuan se “nuk mund t’i mbajmë se janë shumë”, dhe i vunë kusht atyre të Lagjes, që të na hiqnin prej andej. Pastaj na çuan në një haur kuajsh, në haurin e Taq Bozos po në lagjen “Liria”, që ishte afër xhades, pranë shkollës numër dy. Kjo ishte pa çati, pa dritare dhe pa banjë. Kishte vetëm një dollap të madh. Aty kemi qendruar nëntë vjet. Djemtë e tij ishin lidhur me komunizmin, kishin poste dhe jetonin në Tiranë. Edhe vinte Taq Bozo-ja çdo muaj, dhe i kërkonte qiranë nënës. I binte derës, dhe me një zë të rëndë thoshte: “Zonjë, o zonjë: erdha për qiranë!” Qiraja ishte 121 lekë e gjysmë; edhe gjysmën e lekut e kërkonte. Nëna ia jepte; ishim të detyruar.

Qiranë e haurit?

Po qiranë e haurit pa dyer e pa dritare; vetëm derën kishte, dhe një dollap të madh. Me një varfëri të skajshme. E filloi Esati i pari shkollën, edhe e mbaj mend duke shkuar në shkollë me një palë shapka; ngaqë rruga ishte gjithë gurë të mëdhenj, ai kalonte gjithë kujdes gurë mbi gurë derisa arrinte. Jeta ishte e rëndë sidomos në dimër, sepse ishim zbathur, se ku t’i gjenim këpucët? Me një palë rroba jemi rritur: i linte i madhi, e i vishte ai pas tij në moshë, e kështu me radhë, se ishim katër djem. Nëna e shkretë, ditën punonte dhe natën lante rrobat. Dhe nuk kishim as drita. Por për fat, te rruga kryesore afër shtëpisë, ndodhej një shtyllë telefoni e cila kishte dritë. Dhe nëna, natën vinte govatën poshtë shtyllës dhe lante rrobat nën dritën e asaj llambe. Ka qenë një punëtore e jashtëzakonshme, dhe në lagje e respektonin të gjithë.

Nuk kishit as ndriçim në haur?

Jo nuk kishim asgjë. Vetëm një llambë kandili.

Po për banjo si ia bënit?

Kishim sajuar diçka për nënën aty brenda, ndërsa ne djemtë dilnim jashtë. Ku të mundnim.  Se motrat u larguan ndërkohë; i mori vëllai nga babai, Rrapi, i cili mbasi u lirua nga ushtria, nuk erdhi te ne në Fier, por ndenji ca kohë i fshehur në fshat. Pastaj u strehua te xhaxhai, të cilin këta nuk e trazuan.

Ndërkohë komunikonit me babain?

Po. Shkonim dhe e takonim në Vlorë, në burgun e Vlorës. Por në fillim, ishte në Berat, dhe e shkuara në Berat ishte tepër e vështirë. Nëna një herë merrte me vete njërin prej nesh, e njëherë tjetrin, sepse babai na kërkonte me radhë, ngaqë donte të bindej që ishim të gjithë gjallë e mirë me shëndet. Dhe kur shkonim në Berat, flinim në Urën Vajgurore. Kishte edhe familje të tjera që shkonin në burgun e Beratit, familje të të dënuarve politikë, të cilët gjithashtu strehoheshin në Urën Vajgurore. Flinim bashkarisht aty të gjithë, ndihmonim njëri - tjetrin edhe ktheheshim po bashkë pastaj. Mbaj mend nënën kur na mbështillte si klloçka rreth vetes. Pastaj, kur e sollën në Vlorë babain, na ndihmonte shumë burri i tezes meqë ishte shofer; herë na çonte me makinën e vet, e herë na gjente ndonjë makinë tjetër. Shkonte edhe vetë sa herë dhe e takonte.

Aty, siç ju thashë, filluam shkollën. Esati i pari, pastaj unë, pastaj Çaushi. Për fat, atë kohë, kishim mësues shumë të mirë. Ka qenë Njazi Çami, vëllai i atij Çamit nga Balli Kombëtar, të cilin e pushkatuan; një Vjollca Omari, e cila kishte qenë sekretare e Rinisë së Ballit për Durrësin, që ishte martuar në Fier dhe jepte Gjuhë-Letërsi për klasat e pesta... Kur shkonte nëna në fund të vitit që të merrte dëftesat tona, e thërrisnin të parën: “Esma Çoku, këtu është?” Dhe nëna ngrihej. “Hajde se ke tri fletë lavdërimi për të marrë!” - i thoshnin. Se ne vërtetë ishim shkëlqyeshëm me mësime. Njerëzit habiteshin se “ç’ne këta të rritur në mes vuajtjesh të dalin shkëlqyeshëm?!” Ne në të vërtetë, vetë mësonim, sepse nëna ishte në punë gjithë ditën. Kishim Esatin, vëllain e madh që kujdesej dhe na mbante ne të tjerëve nën tutelë. Pastaj Esati hyri në vitin e parë në gjimnaz. Por pas godinës së gjimnazit, ndodhej fusha e druve ku punonte nëna. Dhe shihte nënën prej dritares së shkollës, dhe i dhimbsej shumë. Ajo e gjora jo vetëm që bënte gjithë atë punë të rëndë atje, por mblidhte edhe shkarpa e copa drush kur dilte nga puna, dhe i sillte në shtëpi. Por të gjithë në Fier e njihnin dhe e respektonin, dhe neve na thërrisnin “djemtë e Esmasë”. Atëherë vëllai tha me vete: “Unë, të rri në shkollë rehat e nëna ime të rraskapitet?!” Kështuqë semestrin e dytë e la shkollën e rregullt, dhe e ktheu natën. U fut në punë me nënën, te drutë.

Unë qeshë më me fat sepse mbarova 7-vjeçaren dhe vazhdova gjimnazin pa ndërprerje. Dhe çuditërisht, ishim edhe të shëndetshëm, me faqe të kuqe. Nuk e di nga vinte. Na ndihmonte  Zoti, me sa duket. Dhe atë vit që fillova gjimnazin, fillova të merresha edhe me sport, sepse marrja me sport, përveç të tjerash, kishte edhe një avantazh tjetër: të jepnin rroba, këpucë dhe veshëmbathje, gjëra aq të nevojshme për ne. Ndodhi kështu: një ditë, ndërsa po ushtrohesha në paralele në veglat gjimnastikore të shkollës, më pa trajneri i gjimnastikës Pipi Nati, dhe më tha: “O Bedri, po ti qenke mirë, paske talent. Si thua, do të vish?” Unë pranova, dhe më dhanë veshjet. Në vitin 1964, unë u bëra gjimnast i kategorisë së parë dhe dola i gjashti në shkallë Republike si gjimnast. Ndërkohë kisha pasion edhe fizarmonikën. Shkoja vjedhurazi, kur nuk kishte njeri në Shtëpinë e Pionierit se nuk më linin të futesha atje dhe gjeja një fizarmonikë dhe i bija, por rrija me kurriz që të mos më dallonin se kush isha. Kur erdhi një shkodran, një me mbiemër Shestani, më pa që e kisha pasion dhe më futi në trajnim njësoj si të tjerët. Dhe arrita që në vitin e parë gjimnaz, të mbaja mbrëmjet e vallëzimit në shkollë. Pastaj krijuam një orkestër me kitarë e me xhaz, dhe në vitin e tretë, ajo u bë orkestra më e kërkuar në Fier në atë kohë. Pra u bëra edhe gjimnast edhe fizarmoniçist.

Akoma i bini fizarmonikës?

Tani, jo. Kur dola nga burgu, mbas njëzet e tre vjetësh, kur u martova, më sollën shokët një fizarmonikë që t’i bija si dhëndërr që isha. E unë nuk mundesha. Kishte kaluar shumë kohë. “Po ta lësh muzikën një ditë, e ndiej unë, thotë muzikanti, por ditën e dytë ma ndien publiku që s’jam në rregull”. E jo më ta lësh muzikën për 23 vjet. Pastaj, gishtat me ishin bërë si trungje me kallo prej punës.

Çaushi, vëllai i vogël, bëri një vit gjimnaz dhe nuk e vazhdoi më. Nuk i jepej për matematikë. Atëherë e çuam te Rezervat e Punës në Vlorë, shkollë profesionale, ku mbaroi një dy-vjeçar. Por pasioni i tij ishte poezia. Bile në burg ai ka bërë poezi të mrekullueshme, por kurrë nuk ka dashur t’i botojë. Ndërsa unë, përgjithësisht, nuk kam patur kohë të shkruaja, megjithëse mësuesja në gjimnaz i veçonte hartimet e mia. Shkrimin e fillova kur na çuan në fshat, mbas vitin 1966, se s’kisha çfarë bëja tjetër.

Shënim: Intervista është marrë nga libri “Zërat e Kujtesës", realizuar nga Luljeta Lleshanaku e Agron Tufa.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here