Auto-burg!

0
900
blank

Ai shkonte dhe vinte gjithkah e gjithkund! Mund të përfundonte njëherësh në 23 burgjet apo në secilin nga 48 kampet e internimit që funksiononin në Shqipërinë burg... në të gjithë pa mbërritur kund, apo drejt e në varret pa emër.

Nga Shkëlqim Abazi

Mbi shasinë e një zizi të shkalafitur, saldohej një kthinë metalike me përmasa tri-katër metra gjatësi, një metër e gjashtëdhjetë gjërësi dhe dy metër e njëzet lartësi, me një skutë të ngucur në pjesën e  parme për të ngujuar togën e shoqërimit, nga pas hapej një dopio derë që mbyllej nga jashtë me lloz e me kyç. Në tavan ishte sajuar një tip kamareje e siguruar me dyfish skarë hekurash të trashë mbi të cilën saldohej një kapak që lejonte pak ajër.  Kujt i ra për hise të udhëtojë qoftë edhe një herë të vetme nbrenda atij pusi lëvizës, s’ka për t'iu fshirë nga kujtesa deri ditën e xhanit. Mund të harrohen të gjitha travajat, egrasia e mureve të qelisë, uria gërryese, dhimbjet pa skaj dhe torturat pa cak, sharjet, fyerjet, ulurimat e hetuesve sadiste, kryqëzimet me tela pas shtyllave në Golgotë, ftohtësia dhe nxehtësia e birucave, zinxhirët, tubi me xhufka, zorra me rërë, huri prej shkoze apo gështenje, kaskat e vdekjes, dhëmbë e dhemballë të shkërmoqur nga kundrat me gozhdë, rreshtimet pafund në acarin dimëror, nën llohë borë e rrebeshe, në vapë e zheg, mund të harrohet Burreli, Spaçi, Qafë Bari, por kurrsesi nemuri auto-burg.

Në të, të rrasnin si të zinte dekika, kapllosur me gjermanka e me batanije mbi kokë, nga terri të zhysnin në errësirë e të plasmin mbi dyshemenë dopio llamarinë.

Por ai s’nisej pa u mbushur dëng, herë-herë kapica njerzore tejkalonte disafish kapacitetin mbajtës, sa mjeranët kapërtheheshin si karavidhet mbi kurrizin e shoqi-shoit. Rënkonin, mallkonin, urinonin, villnin pa ia parë fytyrën të ngjashmit në krah.

Në arkë bashkëudhëtonin të gjallë e të vdekur nga ferri në ferr, shpesh në përtejferr.

Auto-burgu nuk kishte sërë të përcaktuar. Vinte e ikte pa pra’ sepse si kërkonte hesap nga erdhi, ku iku, sa çoi gjallë e sa vdekur. Madje as do guxonin sepse ai përfaqësonte memecërinë, vuvërinë, varrin.

S’i njihej saktësisht ora, dita apo java, muaji apo viti, kur shfaqej Virani, shtërzente, mbushej dhe rikthehej nga kish ardhur.

Ai punonte tinëz, mbushej në fshehtësi, zbrazej në fshehtësi, mandej rimbushej dhe rizbrazej në fshetësi. Dilte nga nata dhe zhytej në natë, ndonëse veprimet i kryente ditën për diell.

Pra ishte vetë nata, përfaqësonte misterin dhe simboilizonte tmerrin.

Ani pse mallin që shpërndante e kishte të rëndësisë së veçantë, s'kishte ndonjë itinerar të caktuar. Shoqërues e shoferë bënin të paditurin, s’flisnin për destinacionin edhe kur e dinin.

Ai shkonte dhe vinte gjithkah e gjithkund! Mund të përfundonte njëherësh në 23 burgjet apo në secilin nga 48 kampet e internimit që funksiononin në Shqipërinë burg. Apo në të gjithë pa mbërritur kund, apo drejt e në varret pa emër.

Askush nuk i kërkonte hesap. Askujt nuk i interesonte çfarë mbante as vëndin ku i çonte, mjaft të transportonte kufoma të gjalla e të vdekura nga burgu në varr e në ferr.

Fragment nga libri "Spaçi", i shkruar nga ish-i burgosuri politik Shkelqim Abazi.

blank

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.