Apeli makabër!

0
510
blank

"Ishte apeli, në të cilin, të gjallët thërrisnin të vdekurit që po zhvarroseshin! Ishte një përzierje çmendurie, të gjallë me të vdekur! Bëheshin monologë. Derdheshin lot. Përqafoheshin eshtra. Putheshin kafka foshnjash!…"

Rrëfimi rrënqethës i njërit prej të mbijetuarve të kampit famëkeq të Tepelenës, në një prej momenteve më drithëruese, për lojën e xhelatëve me kufomat e njerëzve që hanë shpirt në atë kamp. Kurt Kola ishte asokohe djalë i ri dhe mban mend me saktësi se çfarë ndodhi atje, momentet më të frikshme të nënave që humbisnin fëmijë, motrave që humbisnin vëllezër e anasjelltas... Kurt Kola i ka përmbledhur në një libër me titull “Në Shqipërinë burg” edhe vuajtjet e kampit të Tepelenës.

Nga Kurt Kola

Ishte një shesh para portës së kampit, të cilin komanda e përdori për të varrosur të blankvdekurit e përditshëm. Ishte goxha i madh ai shesh, që sot ka mbetur një copëz e vogël si edhe vetë kampi i gjenocidit, prej ndërtimeve private e shumëkatëshet shtetërore. Por, si kampi, edhe shesh-varreza e kanë ruajtur të freskët atmosferën e krimit, sepse sapo afrohesh, të mbërthen ndjenja e trishtimit. Fëmijë, të rritur e të moshuar i varrosnin para portës së kampit. Ata qenë të vetmit fqinj që ne kishim afër, thuajse ngjitur me kazermën e parë të kampit. Dhe këtë fqinjësi me të dashur e të vdekur, nuk e krijuan sepse mungonte vendi diku tjetër. Jo, ishte një mënyrë tjetër që nënave, motrave e vëllezërve t’u rrinte shpirti i helmuar, duke i patur para syve! Edhe kur erdhi urdhri për t’i hequr prej aty, nuk ishte qëllimi të zbusnin dhimbjen e njerëzve, ishte shumë më djallëzore se kaq…

Komanda e kampit përzgjodhi një grup të rinjsh, fizikisht të fortë, për t’u marrë me zhvarrosjen e mbi pesëqind vetëve të vdekur, në një hark kohor më pak se trevjeçar. Grupi i të rinjve përbëhej nga Daut Muzhaqi, përgjegjës i grupit, Pajazit Kaloshi, Viktor Dosti, Ndue Nika, Ali Kaso, Bush Dërguti, Seit Uka, Ali Dema, Hysen Golja, Ferit Daci, Gani Muzhaqi dhe Bam Brahimi. Policë shoqërimi të grupit të këtij “misioni”, u caktuan kapterët, Tomi e Koçi, nga efektivi i prapavijës. Së pari, bënë numërimin e varreve para portës së kampit, që, po kaq të hapeshin edhe në Bënçë, në vendin ku do të rivarroseshin.

blankNorma u caktua dy varre për çdo anëtar të grupit në ditë. Meqenëse toka ishte zhurishte tepër e vështirë, do të gërmohej me kazmë, kështu që, i binte të hapeshin njëzet e katër varre në ditë dhe për të gjithë varret, do të duheshin njëzet e pesë ditë. Ditën e fundit të hapjes së varreve, njëri nga anëtarët e grupit, Ali Kaso, një i ri njëzetvjeçar nga Librazhdi, u shtri në varrin që hapi dhe tha: “Ky qenka fiks për mua!”. “Pusho mor budalla!” – i bërtitën njëzëri të tjerët. “Nuk do të thotë gjë”, – ia ktheu shqetësimit të tyre Aliu.

Filloi zhvarrimi pa kurrfarë dezinfektimi, asgjë sanitare, as maskë garze te hunda e goja. Një llahtar i vërtetë! Do zhvarroseshin qindra kufoma, shumë syresh pa u dekompozuar! Familjarët, nëna kryesisht, por edhe motra apo vëllai, rrinin buzë varrit me një batanije të vjetër shtrirë, për të hedhur eshtrat ose trupin e të vdekurit. Disa qëndronin të heshtur, të mpirë e të përfshirë në marramendjen që krijon zhvarrosja e kufomave, disa të tjerë qanin, rivajtonin e bërtisnin në kupë të qiellit, kur shikonin se nga varri dilte trupi i fëmijës, ashtu siç qe varrosur para një muaji! Toka, ende e kishte ruajtur njomëzakun, pa e prekur nga grabitqarët e nëndheshëm! Nënës, me sy të rrëmbushur me lot, i dukej si i gjallë e sulej ta rrëmbente për ta shtrënguar në gjoksin e tharë nga uria, por, kur në duart e saj binte një masë akull e ftohtë, e lëshonte mbi batanije, duke e shoqëruar me britmën e dashurisë pafund!…

Erë e rëndë! Atmosferë mbytëse! Varrezë e mbushur me kufoma e me njerëz! Prisnin e përcillnin njëri-tjetrin! Situatë e jashtëzakonshme! Të gjallët prisnin të vdekurit për t’i përcjellë diku tjetër! Dramë e llahtarshme, krijuar nga komunizmi i llahtarshëm!

“Vëllai im!” – tha Zefi, sapo pa kafkën boshe të hedhur mbi batanije nga Ganiu.

blank“Motra ime!” – bërtiti në krahun tjetër Diana, teksa Ali Kaso mblidhte eshtrat e Zanës në thellësinë e varrit. Thirreshin emrat njëri pas tjetrit. Nuk ishte apeli i mëngjesit apo i mbrëmjes, që bënte zakonshëm shkurtabiqi, kapter Selfo. Ishte apeli, në të cilin, të gjallët thërrisnin të vdekurit, që po zhvarroseshin! Ishte një përzierje çmendurie, të gjallë me të vdekur! Bëheshin monologë. Derdheshin lot. Përqafoheshin eshtra. Putheshin kafka foshnjash!…

Ndërkaq, Mara Prenga nga Shkodra, shpërtheu në të qeshura frenetike, ndërsa shihte eshtrat e tre fëmijëve të saj të hidheshin mbi batanijen e shtrirë. Ishte një çmenduri e papërshkruar, që të rrëqethte çdo qelizë të helmuar nga ajo vdekje masive, nga e para. Dhe kështu vazhdoi me ditë të tëra, tragjizmi panoramik i varrim-zhvarrimit…

Po a nuk ishte mrekulli kjo që Zoti bëri në këtë atmosferë krejtësisht të ndotur, të qelbur e helmuese, pa masa karantine?! Asnjë epidemi shfarosëse dhe as edhe një të infektuar: as nga ata që u morën me varrim-zhvarrimin, as nga familjarët që ndenjën aty gjatë gjithë kohës që u desh të bëhej zhvendosja! E kjo mrekulli u zu ngoje gjatë nga të dy palët e përfshira. Për këtë shkak, efektivi i Degës së Punëve të Brendshme, që e kishte urdhëruar vetë këtë vepër makabre, qëllimisht për përhapje epidemie, turfullonte, ndërsa të internuarit falenderuan dhe iu lutën Zotit.

U zhvarrosën të gjitha kufomat dhe u rivarrosën përtej urës së lumit në Bënçë, në varrezat që ishin hapur posaçërisht. Mbeti pa kufomë vetëm një varr, që sigurisht, ishte bërë gabimisht tepër. Nuk ishte në pjesët anësore të varrezës së re, por diku afër qendrës. Kur u vëzhgua me vëmendje, varri i mbetur pa kufomë ishte pikërisht ai, në të cilin ishte shtrirë Ali Kaso, ditë më parë. Mirë që ai varr ishte hapur gabimisht, por edhe koha që nuk vdiq njeri në kampin e internimit, zgjati në një afat që kurrë s’kish ndodhur më parë.

***

Burrat, që prisnin lëndë druri në malin e Bënçës, i dhanë fund shpyllëzimit dhe i çuan në Luzat, fshat tjetër i Tepelenës, ku do të vazhdonin të prisnin lëndë druri për Degën e Punëve të Brendshme dhe do të flinin atje. Në këtë kontingjent u përfshi si punëtor edhe Ali Kaso. Po kalonte një gjendje depresive. Përpara një jave i qe vrarë i vëllai, i cili ra me parashutë, i ardhur si diversant nga Italia. Pikërisht, për faj të këtij, e kishin internuar Aliun, bashkë me nënën që pati vdekur në Berat. Humbja e vëllait e rëndoi shumë. Sipas praktikës me të cilën vepronte regjimi, tani duhej ta lironin nga internimi, veçse…

blankNë një mëngjes, teksa ishin vënë në rresht për t’u nisur në pyll për të prerë lëndë, kapter Kamber Çeli, i sapo dalë nga bujtina e policisë, që të shoqëronte punëtorët në punë, heq pushkën nga krahu, e mbështet në një degë lisi dhe merr shenjë… Një vajzë e fshatit, rreth 12 vjeç, e ndodhur aty e pyet: “Xhaxhi polici, çfarë po bën?”. Kapteri trembet dhe kthen kryet mbrapa. “Nga mbive këtu, moj djalle? Hajt, zhduku, ik shpejt që këtu!”

Fëmija u turr teposhtë drejt të internuarve, mbi të cilët gjuajti kapteri e që, po merreshin me një të goditur nga plumbi. Ishin të shokuar nga ndodhia e papritur. Disa merreshin me të plagosurin që po jepte shpirt, disa shikonin nga erdhi plumbi, nga u bë qitja e të tjera, kur sosi vajza e alarmuar, e frikësuar, duke bërtitur: “Xhaxhi polici! Xhaxhi polici qëlloi! Ja ku është fshehur atje lart në ferra”, – bënte shenjë me dorë fëmija.

Tre katër djem guximtarë u lëshuan me vrap përpjetë rrëpirës për të kapur kriminelin, por ai e pikasi rrezikun që e priste dhe ia mbathi pyllit e drejt në Degën e Punëve të Brendshme Tepelenë… Polici vrasës kishte qëlluar në turmë, por plumbi kishte kapur vetëm një. Ai ishte Ali Kaso! Supersticion?! Gjykoje si të duash! Kështu ka ndodhur. Ky është fakt! Shokët u pikëlluan dhe mbarë kampi i internimit: gra, burra, deri te fëmijët që ishin në dijeni të gjestit të Aliut. U qa nga gjithë kampi. U derdhën lot sa për qindra të vdekur të mëparshëm dhe u dërgua, pikërisht, në varrin që kishte hapur vetë! Rasti i tij, që u fut në varrin e hapur vetë, ishte sporadik, por ka me qindra herë kur xhelatët, skuadrat e pushkatimit, i detyronin të hapnin varret, përpara se t’i pushkatonin shqiptarët!

Me një frymë e kapi Degën e Brendshme, kapter Kamber Çela, nga frika se mos e zinin djemtë që e ndoqën. Në organet kriminale të Diktaturës, pjesë e së cilave ishte, ai e deklaroi si një akt heroik: – Po shkoja për të marrë shërbimin, kur një grup të internuarish prej tre-katër vetash, më sulmuan të më çarmatosin! Unë qëllova drejt tyre, pasi nuk ndaluan nga paralajmërimi im. Mbeti i vrarë njeri, por të tjerët përsëri nuk ndaluan dhe unë e gjykova më mirë të iki e të vij në degë, se sa të qëlloj me armë. Ky është veprimi im, Partia të më gjykojë!

– Nuk ke vepruar tamam si të mëson Partia! – i thanë. – Ajo të mëson t’i vrasësh pa mëshirë armiqtë e saj. Këta janë armiq të Partisë dhe kur sulmojnë anëtarin e saj, siç je ti, zëre se kanë sulmuar Partinë. Ti paske vrarë një nga katër armiqtë që të sulmuan, ndaj do të marrësh një gradë, duke mbetur përsëri nënoficer. Po t’i kishe vrarë të katër, sot do të bëja toger! – i tha kryetari i Degës së Brendshme, Majro Xhelo, nga Kurveleshi.

Nuk u mor kush me këtë krim makabër. Nuk u hetua, nuk u pyet asnjeri, as në fshat e as nga të internuarit. Shtoi këtyre ato çka Major Xhelo tha dhe se si e vlerësoi veprimin kriminal, e bindesh plotësisht se ka qenë i porositur nga autoritetet e regjimit në Tiranë. Policin nuk e sollën më në kampin e internimit.

Varrezën e kthejnë në Kopsht!

blankTë internuarit, sapo mësuan se varreza, ku qenë kufomat e të afërmve të tyre, do të bëhej kopsht perimesh, nga Dega e Brendshme, morën vendimin të mos punojnë aty dhe të mos hanë asnjë lloj prodhimi të saj. Vendimin ia çuan me shkresë komandës. Kjo njoftoi Degën e Brendshme për vendimin e kampit dhe ajo solli tri të diela, gjithë efektivin e policisë, përfshi oficerët; e punuan, e mbollën dhe sollën disa punëtorë nga Tepelena, për t’u marrë me kopshtin.

U bë prodhim i bollshëm zarzavatesh e perimesh: domate, speca, patëllxhanë, bamje, tranguj e të tjerë. Të internuarit kalonin përmes këtij kopshti, ditë për ditë, kur shkonin e vinin në punë, por as sytë nuk ia hidhnin. Në fillim, gratë tepelenase që punonin aty, mbushnin përparëset dhe u dilnin përpara të internuarve për t’ua dhënë, ngase u vinte keq, por kur mësuan se çfarë kishte qenë ai vend dhe arsyen pse nuk pranonin të internuarit, nuk e përsëritën sjelljen e tyre bujare, duke iu dhënë të drejtë atyre.

Të internuarit vazhdonin të refuzonin ngrënien e gjithçkaje nga kopshti-varrezë, edhe pse rrezikonin shikimin nga mungesa e ushqyerjes me perime. Komanda s’mund ta pranonte sfidën që po i bëhej makabritetit të saj dhe praktikoi masa më të djallëzuara. Duke njohur karakterin e pathyeshëm të këtyre njerëzve të pafajshëm, gjeti si të luaj me jetët e tyre, jetët tona; gjellën e drekës e të darkës, që ishin supë makarona ose orizi, nisi ta pasurojë me zarzavate nga kopshti-varrezë.

Pa përjashtim, i madh e i vogël, refuzuan marrjen e gjellës. Të gjithë bukë thatë! Ditët e para, kazanët e gjellës së pa prekur i derdhën kuzhinierët, pastaj, komanda nuk e lejoi më; i mori dhe ua dha derrave që mbante Dega e Brendshme. Gjendja shëndetësore u keqësua tepër! Komanda nuk shqetësohej, ishte në rregull me ligjin. Edhe po të mos ishte nuk i kërkonte kush llogari. Përkundrazi, ajo me mënyrën për t’i ndihmuar, kishte gjetur rrugën për t’i vdekur!

Në këto kushte, kleri katolik, që ishte brenda në kamp, nisi të shqetësohet. Ishin pesë priftërinj: tre Françeskanë dhe dy Jezuitë. Patër Gardini, prift italian, Patër Ferdinanti e Patër  Viktori, Dom Nikoll Mazreku e Dom  Zefi. Secili kishte bërë pesë vjet burg në Burrel dhe pas burgut i kishin sjellë në internim…

Priftërinjtë, nuk ishin pjesë e vendimit të kampit, por ishin bërë pjesë e refuzimit të gjellës, duke u solidarizuar me bashkëvuajtësit. Kur e panë se kjo zgjati dhe po rrezikohej seriozisht jeta e njerëzve, gjykuan në prizmin fetar, të cilit i ishin përkushtuar.

Patër Gardini tetëdhjetëvjeçar, më i moshuari, i grupoi në një qosh kazerme dhe u foli:

Para syve tanë po luhet një dramë që, shpejt, do të kthehet në tragjedi. Populli është grigja e Perëndisë e ne jemi barinjtë e saj. Si po e ruajmë këtë grigjë, që Zoti na e ka lënë hise neve? A jemi njëmendje të dielën, t’i mbledhim në këtë kazermë të djegur e t’iu dalim zot?

Kaq tha Patër Gradini, prifti tetëdhjetëvjeçar. – Nuk bëjmë tjetër veç shërbesës në misionin e Krishtit, që i kemi kushtuar jetën tonë! -shtoi Dom Nikolla, më i riu ndër ta, prifti dyzetvjeçar, i cili mori përsipër organizimin e misionit.

blankAfati i shkurtër mes momentit të vendimit të klerit dhe ditës së diel, vetëm katër ditë për të bërë MREKULLI!

I ndihmoi “Vllaznia e Vlorës”! Dakord! Po si u morën vesh midis tyre? Si erdhën aq shpejt të gjitha gjërat që duheshin për shërbesën kishtare? Kjo ishte gjëja e parë, që habiti banorët e izoluar në kamp, por po kaq të habitur ishin dhe ushtruesit e gjenocidit, për atë që po bëhej “nën hundën” e tyre dhe nuk ishin të zotët ta ndalonin.

Sa bosh ndihem sot që nuk përshkruaj dot me ngjyrat reale mrekullinë e së dielës së dytë të korrikut 1951. Kjo për shkak të moshës atë botë, por edhe të distancës së gjatë në kohë. Gjithçka ka mbetur si përhitje e atij momenti, por e pashlyer në mendjen time e do të përpiqem ta sjell ashtu siç ka ndodhur.

Kazerma rrënojë u shndërrua në Kishë

Ishte djegur nga ushtria gjermane dhe ashtu kish mbetur, pa çati, pa dritare, me mure pjesërisht të rëna, thjesht një rrënojë. Në dyshemenë prej çimentoje të copëzuar qenë ulur djem e vajza, gra e burra, plaka e pleq e deri fëmijë, që e kalonin numrin dy mijë vetë. Ngjitur njëri-tjetrit, në kuadrate katërkëndëshe, ndarë nga rrugica ku qëndronin në këmbë oficerët e Sigurimit e policisë, prisnin në heshtje celebrimin e meshës, që do ta jepnin pesë klerikët katolikë.

Në rreshtin e parë të kuadratit të parë ishin ulur zonja të familjeve të mëdha që kishin kontribuar me gjithçka në shërbim të atdheut, si: Mrika Gjonmarkaj me të bijat, Martën e Bardhën, Caje Merlika, me të renë Elenën dhe nipin gjashtëvjeçar Eugen, Xhina Miraka, me Cubën dhe Kunen, Prena Pervizi, Vasfije Dema etj.

Priftërinjtë kishin veshur uniformë kishtare, sjellë nga vllaznia katolike e Vlorës. Me flokë të thinjura e shumë të bardhë, nën uniformën e hijshme dukeshin si hyjni të shkëlqyeshme që mbushnin rrënojën me dritë. Kishin ndarë detyrat e shërbesës: dy më të moshuarit, padër Gardini dhe padër Viktoti, qëndronin në të dy anët e altarit të improvizuar si statuja të shenjta. Padër Ferdinandi do të bënte psalmin, duke kënduar këngë kishtare. Dom Zefi do bënte kungimin, Dom Nikolli fjalën ceremoniale dhe shandanin e temjanit.

Oficerët e Sigurimit e komandanti i kampit ishin shastisur dhe qëndronin si gurë kilometrazhi. Me vështrim të akullt shihnin lëvizjet e klerikëve e nuhasnin diçka të palejueshme nga Partia e tyre. Si injorantë, që s’kishin parë ndonjëherë meshë, druanin ndonjë të papritur të hatashme. Ishin në dilemën për ta ndaluar, por, tani s’mundnin më dhe po prisnin me ankth përfundimin. Dom Nikolli nisi celebrimin:

blank– Në respekt të thellë të vllaznisë katolike të Vlonës, që na bani të mundun celebrimin e kësaj meshe në kampin e internimit, sot, këtu, në këtë kishë të shejtë, shpirtrat e përvuajtun i falen e i luten të plotfuqishmit Zot. Shihni, shihni, nuk jena në kazermë të djegun e të rrënueme, jena në katedralen e Shën Pjetrit! Shiheni me sytë e shpirtit tuej të pastër! Shiheni lart mbi krye kuben e kishës mbushun plot drita që shndrijnë e hedhin rreze të prarueme në ftyrat tueja verdhake, nga përvujtnia, t’u dhanë gjallni, shpresë e kurajë për shpëtim! A ndini si mbushen mushknitë me frymën e shejtë, që vjen me puhinë e lehtë nëpër dritaret e kësaj kishe! Shihni, shihni, si po dalin dreqnit nga nandheu me armët vrastare që sulmojnë engjëjt me pëllumba në duer! U përleshën, shihni, shihni si thyhen e coptohen shpatat e çelikta në krahët e pëllumbave! Shihni! U mposhtën, u mundën djajtë nga pëllumbat! E shihni juve Shën Pjetrin me degën e ullinit në dorë, qi po vjen t’na dhurojë paqen e amshueme! Ja, po vjen drejt altarit!…

– E shohim, e shohim! – bërtitën zonjat e rreshtit të parë, tashmë të përfshira në magjinë e fjalëve të Dom Nikollit.

Oficerët e Sigurimit e komandanti i kampit ia mbathën me vrap, duke nuhatur në nëntekstin e priftit, se djajtë ishin ata vetë dhe përleshje mund të ndodhte mes tyre e të internuarve që personifikonin engjëjt e priftit. I madh e i vogël, të gjithë pjesëmarrësit në meshë, gjatë fjalës së Dom Nikollit, përjetonin shmillin e gjallë të figurave biblike që shtjellonte Ai.

Ajo ditë u quajt: Dita e Shendimit (Ngazëllimit). Të nesërmen e saj, komanda nuk hodhi më në kazanët e gjellës perime nga kopshti-varrezë. Gjithashtu, të pafetë, autoritetet e regjimit komunist, që asistuan në meshën e shenjtë për herë të parë në jetën e tyre, kuptuan fuqinë e madhe që ushqen feja tek njerëzit. Kjo fuqi u kalli datën, prej nga morën shkas të jenë cinikë e më brutalë ndaj klerikëve, në përgjithësi, dhe ndaj institucionit të tyre, Kishës së Shenjtë.

“Sa bukur e celebrove meshën! Pak, fare pak tingëllon në vesh “aksenti” yt prej të huaji”, – i kish thënë një zonjë e lartë italiane, dom Nikoll Mazrekut, kur pat dhënë meshën e parë në Katedralen e Shën Palit në Romë. Ishte i sapo diplomuar në teologji aso kohe, në moshën njëzetepesëvjeçare. Në atdheun e tij, në Shqipëri, ky teolog i madh e po aq i madh si historian i diplomuar, bëri dyzet e pesë vjet burg e internim!!

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here