Dëshmia/Fran Ndocaj: 13 vjet burg për akuza të pavërteta

0
258

Nuk e mendonte kurrë që mund të shkonte në burg sepse gjithë jetën kishte punuar me kokën ulur dhe nuk kishte bërë asgjë për t’u dënuar, por ra viktimë e planit për të ridënuar Dom Shtjefën Kurtin. Duke qenë që nuk pranoi të dilte dëshmitar kundër tij, u kthye vetë në të dënuar. U akuzua sikur kishte minuar monumentin e Stalinit, apo sikur kishte sabotuar punën. Nëse akuza e parë ra poshtë, e dyta e çoi në burg.  Kujto.al sjell dëshminë e Fran Ndue Ndocajt që vuajti 13 vite nëpër kampe të rënda pune, me akuza të sajuara

Fran, nga çfarë familje vini?

Unë kam lindur në vitin 1943, në fshatin Gurzë, sot rrethi Kurbin. Familja ime ka qenë një familje tregtare, babai ka studiuar jashtë, në kohën e Zogut. Edhe pas ardhjes së tij, ka hapur një tregti, një dyqan ku shiste sipas kohës, edhe furrë kishte. Pas kësaj kohe, erdhi Partia Komuniste Shqiptare edhe pa kaluar shumë ditë apo muaj nxori një urdhër për sekuestrimin e pasurive të të gjithë pronarëve që i quante pronarë të vegjël a të mëdhenj. Një nga këto fatkeqësi pësoi dhe babai im. Iu morën dyqanet dhe kaloi thjesht bujk, fshatar. Punoi në bujqësi gjatë jetës. Unë isha djalë i vetëm me dy motra, të martuara motrat, isha më i vogli në shtëpi. Nëna më vdiq.

Për çfarë arsye ju arrestuan?

Në fshatin tonë erdhi një prift i quajtur Dom Shtjefën Kurti, u lirua nga burgu mbasi bëri 16 vet e ca burg dhe Sigurimi nuk ishte i kënaqur për burgun e tij dhe kishte qëllime për ta pushkatuar, priftin. Dhe për ta pushkatuar priftin, tani ne, një pjesë njerëzish që kishim një farë prejardhje tregtare ose të prekur nga sistemi komunist, na arrestuan. Mua personalisht një ditë me Dom Shtjefën Kurtin më 11 shtator të 1970-ës. Nuk e dija se pse po arrestohesha. Duke parë vuajtjet se unë jam nga një fshat që janë pushkatur rreth 13-14 vetë, në fshatin Gurzë... Mbajtën nja 17 vetë, i futën në izolim, në kishë ndër ata ishte edhe babai im, Ndue Gjon Ndocaj. Nga këta, morën e pushkatuan 13 edhe 4, mbasi i torturuan mirë e mirë sa deri në moshën që ka vdekur babai ka pasur një të çarë këtu në kokë. I liruan, shpëtuan të katërt. Nuk kishte gjyq, gjyqi ishte “filani del jashtë”, kur dilte jashtë pushkatohej.

Pa gjyq?

Vetëm kaq, pa gjyq. Kur i erdhi emri i babait tim u fal bashkë me 3 të tjerë. Erdhi koha që edhe mua nuk më lanë, duke më thënë pasi u arrestova që na shpëtoi baba yt, por ty nuk do të të lëmë të na shpëtosh.

A ju kujtohet momenti i arrestimit?

Mua më arrestuan në fshatin Fushë-Milot. Po punoja në traktor. Duke punuar tokat, punëtor. Edhe erdhi kryetari i kooperativës, një Ndrec Kola, e më tha: “Të kërkojnë-tha-të kërkojnë deri te zyrat”. “Po, mirë”,-thashë. Kisha punuar tërë natën. As nuk më vinte ndërmend se kishte burg gjëkund se gjithmonë punoja me kokën ulur. Shkova te zyra, më thotë: “Të kërkojnë ata që janë në atë makinë”. Ishte një makinë e Sigurimit, aty gjeta  Reshat Leskan, se ia mësova emrin mbrapa. Është në Tiranë, edhe sot jeton. Më morën, më futën në makinë. Më thonë mua: “Do të shkosh...” Pasi ecën makina pak, më thonë: “Ti je filani, Fran Ndocaj”? “Po”. “Arrestohesh”. “Për çfarë” ? “E dimë ne se për çfarë”. Kur shkoj drejt e në Tiranë. Te burgu i ri që quhej, në Tiranë. Aty më futën në një birucë numër 1. Ndejta disa kohë. Filloi hetuesia, torturat e veta, lidhje me hekura, heqje nga flokët... Gjithmonë, shumicën nga ky Reshati që është akoma gjallë. Ndejta aty në birucë. Mbas 11 muajsh...

Njëmbëdhjetë muaj në hetuesi?

Njëmbëdhjetë muaj në hetuesi.

Çfarë kërkonin gjatë kohës në hetuesi?

Ata kërkonin gjithmonë në lidhje me priftin. Qëllimi i tyre ishte për priftin. Nga më të ndryshmet. U akuzova se kam minosur monumentin e Stalinit në Tiranë, në një kohë që monumentin nuk e kisha parë ndonjë herë. Gjetën nja dy dëshmitarë, dolën thanë: “E ka minosur Frani”. Për fat, për mos t’u pushkatuar, se ishte neni 73, 72 ishte 15 deri në vdekje, monumenti paska qenë shumë i lartë. Kur i marrin këta, i çojnë te monumenti, i thonë: “ Si e ka vendosur Frani dinamitin?” “Me dorë”. Kur i çojnë atje, ai paska qenë i lartë sa me hip me shkallë, nuk mbërrihej me dorë. Kështu që dolën jashtë... U hoq neni edhe ngela me nenin 72-73 për sabotim ekonomik duke më thënë që: “Ke hequr bimët e mira dhe ke lënë të këqijat duke punuar”. Kur unë s’kisha punuar në fakt. Duke më thënë se: “Ke mbjellë hardhinë në kooperativë, e ke mbjellë me këmbë përpjetë”. Që ishte plotësisht gënjeshtër. Kërkonin nga unë që t’i dal dëshmitar Dom Shtjefën Kurtit. Unë nuk i dola ç’është realiteti edhe bënë ç’bënë, gjetën disa njerëz të tjerë. Unë u dënova 14 vjet. Dhe mbas 3 muajsh të burgut, Dom Shtjefëni u dënua me pushkatim.

Ku e kryet dënimin?

Na morën edhe na çuan në Vlorë. Aty iu shtruam punës. Çoheshim dy orë me këmbë, na duhej të merrnin lopatën, karrocën në krah për të shkuar për të mbajtur dhe për të bërë oxhakët e kripores. Më kujtohet një rast i dhembshëm për mua. Më kishte ardhur motra dhe babai në takim. Ishin të dy të vjetër, motra e para e babai ishte shumë i vjetër. Më  thotë  një  shok i burgut, për mua shumë i nderuar, një  Skënder Shaholli nga Korça. Më tha: “Të ka ardhur babai dhe motra në takim”, më thotë mua. I thashë: “Po mirë”. Prisja të më thërrisnin, s’më bënë zë. Prit, tërë natë zgjuar se më tha në darkë ky. Prit, prit, s’ka. Nesër në mëngjes, na nxorën në punë. Mbas nja dy orësh, më bëjnë zë. Më bëjnë zë dhe më thanë: “Hajde për takim”. Bëj takim me ata, më thonë: “Ne kemi ndejtur tërë natën duke qarë se ne na thanë se është vrarë”. I thashë: “Jo, nuk jam vrarë, po nuk e di se pse nuk më nxorën”. Këtu paska qenë e gjithë puna se ne ishim të paditur se Sigurimi paska pas sjell një inçizim aty për të na inçizuar mua dhe babain se çfarë flasim. Punova 5 muaj aty në atë kamp, në Vlorë. Mbas 5 muajsh, u transferua kampi dhe shkoi në Ballsh të Fierit. E gjetëm kënetë, Gjanica gurë. Filluam punën. Kalova në Ballsh 10 vjet. Dhe kur erdhi koha, edhe 5 muaj pa plotësuar dënimin, se një vit e fitova me punë se kishte një shpërblim 5 ditë në muaj po punove, dha një urdhër shteti, nxori një urdhër dhe thotë që: “Gjithë bota revizioniste po i mbushin burgjet ndërsa partia jonë po i zbraz burgjet”. Unë kisha bërë 13 pa 5 muaj, më kapi 5 muajshi dhe u lirova. Mbas lirimit shkova në kooperativë bujqësore. Aty një tmerr, frikë ku nuk shkonte më. Familja kishte vuajtur me këmbë zbathur pa asnjë përkrahje duke punuar në kooperativë.

Çfarë viti ishte?

Ishte në ’82-shin. Në 15 nëntor të ’82-shit, u lirova. Fillova punë 2-3 ditë më mbrapa. Na thirri kryetari i këshillit. Thotë: “Do të dilni në punë në filan brigadë”. Shkova atje, mblidhej brigada, njerëzit punonin në një vend.

Si silleshin me ju në punë?

Ndonjë që kishte dhembshuri të thoshte: “mirëmëngjes”, të tjerët nuk flisnin. Punova në kooperativë deri në vitin ’90-të që filloi lëvizja demokratike.

Nga arkiva e familjes Doko

kujto.al

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here