Lufta ndaj “kulakëve”, platformë e posaçme kundër tyre në vitin 1978

0
675
blank

Dega e 8-të e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit, ishte dega më e rëndësishme e këtij organi. Ajo quhej dega e grupimeve kundërrevolucionare dhe në objekt të punës së saj kishte “armikun e popullit” dhe akuzat për krime kundër shtetit të Kodit Penal. Te “armiku i popullit” hynin ato që cilësoheshin “klasa të deklasuara”: me origjinë balliste, legaliste, ish pushtetarë, ish tregtarë, ish pronarë, etj. Një kategori specifike ishin edhe ata që quheshin “kulakë”, që njiheshin ndryshe si kapitalistët e fshatit, familjet më të mira të atyre anëve. Pas reformës agrare që bënë komunistët në vitin 1945, të bërë me parimin “toka i takon atij që e punon”, për pronarët që e punonin vetë tokën, u la 5 hektarë sipërfaqe. Nga kjo kategori doli edhe klasa që u quajt “kulakë” (fjala vinte nga rusishtja e do të thoshte grusht, d.m.th. dhënie grushti). Nëse fshatari i zakonshëm tatohej 10%, këta tatoheshin 25% e më shumë. Kjo mënyrë e padrejtë nuk kishte si qëllim prodhimin bujqësor, por goditjen e kësaj shtrese e varfërimin e saj. Shpallja “kulak” bëhej me vendim të komiteteve të Partisë së Punës. Vetëm këto mund të hiqnin titullin kulak. Përveçse e rraskapiti këtë shtresë, ndër më punëtoret e vendit, regjimi e burgosi dhe keqtrajtoi. Dega e 8-të e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit i trajtonte vazhdimisht kulakët. Edhe pas vitit 1967, kur u kolektivizua toka bujqësore dhe rrjedhimisht nuk mund të kishte më kulakë, ata vazhduan të trajtohen si të tillë në aspektin politik si kategori kundërshtari. Në vitin 1978, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, miratoi planin që kishte synim studimin e veprimtarisë së tyre për të dhënë goditjet sipas rastit.Vihej re që i jepej rëndësi karakterit historik dhe të dhënave të grumbulluara.

***

Tiranë 28.7.1978

 

Plan detyrash

Mbi studimin e veprimtarinë armiqësore të elementit kulak dhe kundërvënien e organeve të Sigurimit të Shtetit për zbulimin e goditjen e tij gjatë periudhës nga çlirimit e deri sot

Sipas planit të miratuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, lidhur me studimet gjatë vitit 1978, parashikohet të bëhet edhe studimi mbi veprimtarinë armiqësore të elementit kulak, e kryesuar nga Dega e 8-të e Drejtorisë së Parë.

blank

 

1-Në zbatim të kësaj detyre, në muajin qershor të vitit 1976 u caktua grupi për përgatitjen e këtij materiali, i përbërë nga shokët:

1-Mehdi Bushati, kryetar i Degës së 8-të

2-Ramadan Sançolli, zëvendëskryetar i Degës së 8-të

3-Enver Zeneli, zëvendëskryetar i Degës së Punëve të Brendshme Fier

4-Luan Gjonçaj, zëvendëskryetar i Degës së Punëve të Brendshme Elbasan

5-Belul Zoto, oficer drejtimi i Degës së 8-të

6-Josif Basha, oficer drejtimi i Degës së 8-të

7-Luan  Bega, oficer drejtimi i Degës së 8-të

8-Mark  Deda, shef seksioni i Degës së Shkodrës

Kryen Mehdi Bushati deri më 25 qershor 1978

 

2-Mbasi u dhanë disa detyra lidhur me një studim paraprak të veprimtarisë armiqësore të kulakëve, në disa rrethe kryesore, ku ai e ka ushtruar më shumë këtë aktivitet, si dhe u përcaktuan materialet arkivale që gjenden për të, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, u vendos që të diskutohet në të ardhmen për konkretizimin e temës dhe caktimin e formës që të punohet ky material.

Kryejnë gjithë shokët

Kontrollojnë M.Bushati, R.Sançolli

 

3-Më datë 15.5.1978 sipas planit të parashikuar u mblodh grupi i caktuar dhe pasi përcaktoi periudhat e mënyrën e trajtimit përcaktoi këto detyra konkrete:

a-Hyrja e materialit dhe statistikat 30-vjeçare gjyqësore, etj. të kulakëve që t’i përgatisë oficerë i drejtimit Luan  Bega (deri më 4 shtator e vazhdim).

b-Veprimtaria armiqësore e kulakut nga periudha pas çlirimit e deri në vitin 1949 do të trajtohet nga shokët: M.Bushati, Enver Zeneli e Josif Basha (të cilët do të përcaktojnë edhe çështjet që do të trajtohen për këtë periudhë). Kjo detyrë do të realizohet deri më 4.9.1978.

c-Periudha 1950-1960 do të përgatitet nga shokët Luan Gjonçaj e Belul Zoto, (të cilët do të përgatisin edhe çështjet që do të krijohen gjatë kësaj etape). Kjo detyrë do të realizohet deri më 4.9.1978.

Kontrollojnë M.Bushati, R.Sançolli

ç-Periudha e tretë dhe e fundit do të trajtohet nga shokët Ramadan Sançolli e Mark  Deda (të cilët do të trajtohen dhe çështjet kryesore që dalin gjatë kësaj periudhe). Kjo detyrë do të realizohet deri më 4.9.1978.

Kontrollojnë M.Bushati, R.Sançolli

 

4-Më datën 4.9.1978 grupi do të mblidhet për të parë ku është me materialin, të diskutojë, debatojë e të konsultohet për problemet që na dalin, vuajtjet e detyrat për përmirësimin e studimit, sipas pjesëve të ndara. Secili grup do të raportojë për arritjet e veta, sipas detyrës së caktuar dhe do të përcaktojë objektiva të tjera për përmirësimin e thellimin e materialit.

Kontrollojnë M.Bushati, R.Sançolli

 

5-Më datë 1.11.1978 grupi me pjesëmarrjen edhe të shokëve të degës së studimeve, do të mblidhet të shikojë materialet e përgatitura sipas etapave të përcaktuara e kuadrove të ngarkuara dhe pas vërejtjeve të dala në këtë drejtim, përfundimisht materiali do të dorëzohet në Degën e 8-të të Drejtorisë së Parë deri më datën 15 nëntor 1978.

Kryejnë gjithë kuadrot e caktuar

Kontrollojnë M.Bushati, R.Sançolli

 

6-Secili kuadër të marrë të gjitha masat me kohë për realizimin e kësaj detyre të ngarkuar nga Këshilli Shkencor i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtoria e Parë e Sigurimit dhe të miratuar nga ministri i Punëve të Brendshme, që ajo të dalë sa më mirë dhe t’i shërbejë agjenturistëve për ngritjen e vigjilencës dhe të nivelit politiko-operativ të tyre, në luftë kundër veprimtarisë armiqësore e keqbërëse edhe me këtë kategori të rrezikshme armiqësore, konsekuencat në rrugën e tij kundërrevolucionare.

 

7-Me detyrat, objektivat e afatet e caktuara në këtë plan, të njihen gjithë kuadrot pjesëmarrës kundrejt firmës.

 

Kryetari i Degës së 8-të

Mehdi Bushati

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here