O ma, ka Zot!

0
6849
blank

Një histori nga Adriana Simoni Neti, e bija e të dënuarit politik, Pashk Simoni, e cila tregon një nga rrugët e kthimit, nga burgu i Ballshit ku kishte shkuar të takonte të atin, për në Gjirokastër ku kishin mbetur të vetme tri motra dhe nëna e tyre. Një rrugë, trishtimin karakteristik të së cilës, e theu mirësia e dy njerëzve, që e rrallë siç ishte në atë kohë, pati një ndikim domethënës në ditën e Adrianës dhe nënës së saj, siç ka një dritëz në një dhomë të errët

Nga Adriana Simoni Neti

Ne fëmijët e dyerve të burgjeve të dikurshëm, kemi kaq shumë histori...Dikush do mendojë e pse na i tregoni???? Akoma një pjesë e mirë vazhdojnë të injorojnë dhe përbuzin vuajtjet tona. Këtyre do t'ju thosha me gojën plot, të heshtni nëse s’ju pëlqen, të ulni kokat para fëmijëve të pafajshëm të dikurshëm dhe të mendoni dhe të reflektoni siç duhet. Personalisht kërkoj falje kur gaboj. Mendoni vetëm një moment: Sikur të qenë njerëzit dhe fëmijët tuaj????

Humbëm padrejtësisht njerëz të dashur në atë luftë të egër...e ujitëm me lot atë baltë, nuk jemi humbës, jemi fitimtarë. Mësuam dhe nxorëm mësime nga jeta...

Nuk po shkruaj për takimet në burgun famëkeq të Ballshit. Nuk po flas hiç. Shumica e dinë. Në familje ishim 4. Të katërta femra mbas largimit të babait.

Dy motrat e mëdha ishin përkatësisht 22 dhe 20 vjeç. Dhe kështu në takimet e radhës në burg ndaheshim dy nga dy.

Unë shkoja me mamanë time dhe dy motrat e rritura bashkë. Arsyet të ndryshme, por mbi të gjitha gjendja ekonomike përtokë.

Shpesh i lutesha Zotit në heshtje: "Ah që s’kishim një vëlla, ah! Ato vite e kam ndjerë plotësisht mungesën e një vëllai në familje.

Mos zgjatem....Ishte vapë e madhe, muaji qershor 1979...Kishim mbaruar takimin me babanë dhe po iknim nga kampi me mamanë.

Isha rreth 12 vjeçe atëhere. Nuk harroj kurrë largimin nga kampi. Ecja me këmbët zvarrë dhe ktheja kokën shpesh. Dielli i fortë nuk më pengonte për asgjë. Qaja dhe fshija lotët herë mbas here me duar.

Mamaja më shihte dhe më thoshte: Mos u merzit xhan i mamit, do vijmë prapë, të jap fjalën!

Unë e dija se radha jonë qe mbas 8-9 muajsh prapë. E dija fare qartë këtë. Ecnim të dyja dhe mamaja më tërhiqte vëmendjen me ndonjë bisedë. Diskutonim ku do flinim, si do ktheheshim për Gjirokastër.

Autobusat e linjës kishin ikur. Na duhej të flinim në hotel në Ballsh dhe i vetmi qe turizmi. Hej Zot!

Nuk di sa lekë kishim, as e kujtoj. Mamaja kishte një portofol mikroskopik me rruaza nga ato të veriut (nga sa di dhuratë nga hallat e mia) dhe shihte orën herë mbas here. Vendosëm atë natë të flinim aty. Nuk kishte asnjë mundësi kthimi. I tregoj mamasë me gisht një fushë. I them: O ma po të futemi këtu, shkurtojmë rrugë. -Mirë e ke -m’u drejtua mamaja- Atë do bëjmë.

Sapo filluam t'i shmangemi asfaltit dhe ecnim mes fushës, para nesh u duk një peshore nga këto industrialet e dikurshme, si han me dy porta. Ndaluam pak. Ishim shumë të lodhura, po kaq të mërzitura dhe kisha dhe uri.

Mamaja më tha: Se mos harrojmë, do blejmë diçka të hamë.

Nuk pyesja dot sa lekë kishim. Di që ato lekë mblidheshin muaj të tërë dhe qindarka- qindarka. Ndërkohë, bisedën tonë e ndërpreu një thirrje...

Nëne,nëne, prit një minutë! Një djalosh që foli nga peshorja na bëri shenjë të ndalonim..

Nuk arritëm të ndërronim asnjë fjalë. Djaloshi u afrua dhe me mirësjellje na përshëndeti: Si jeni?

Mamaja iu përgjigj prerë: Shumë mirë jemi.

-Më fal nëne, mos ma merr për ters.

Ktheva sytë nga nëna ime, qe kaq e re dhe vuajtjet e kishin transformuar kaq shumë. Dhe pse nëna ime kishte një trup aq të bukur. Më erdhi keq për të, qe nëna ime e shtrenjtë.

Çfarë do?- iu drejtua mamaja me një ton të prerë dhe ashpërsinë e saj që shpesh e përdorte me të panjohur.

Ai më hodhi një sy shkarazi dhe iu drejtua mamasë me sy të përlotur. -Jam dhe unë si ju. Jam nga Fieri dhe xhaxhai im është dënuar me 25 vjet, në “grupin e naftës” po e keni dëgjuar. Dal çdo ditë këtu përballë dhe qaj për xhaxhain tim, por nuk e takoj dot sepse më heqin nga puna. Ju e dini- tha ai- çar bëhet-dhe fshiu me dorën e tij lotin në cep të syrit...

U bindëm se qe një si Ne. Djaloshi e dinte se ku po shkonim, rruga të çonte drejt te hotel turizmi.

Nëne,- tha ai, - do ju ndihmoj të ktheheni në qytetin tuaj sot. Kam ndihmuar plot nga tanët këtu ku punoj, mos shkoni të prishni lekë, kthehuni rehat në qytetin tuaj. Sikur na lexoi mendimin. -Po si??- tha mamaja.

Ecëm 15 hapa mbas djaloshit, ndërkohe dy skoda u shfaqën para nesh.

Dëgjo Xhevat,- iu drejtua djaloshi që as emrin s’ia mësuam, do marrësh ngarkesën për Memaliaj dhe andej do marrësh ngarkesën për Sarandë.

Djaloshi preu diçka nga blloku dhe ia dha shoferit. Shoferi pohoi me kokë.

Të lutem,- i tha,- do i lësh këto të dyja deri në Gjirokastër kur të kalosh. Janë të njohurat e mia. Djaloshi na dha dorën, na përshëndeti. Mamaja dhe unë e falenderuam për sjelljen tepër humane. Ai u shpreh: Sa herë keni nevojë, jam këtu, mos nguroni!

Të mira t'u bëfshin mor djalë!- i uroi mamaja.

Ndërkohë sa kthyem kurrizin, shikojmë në cepin e peshores një civil me një valixhe nga ato me zinxhir, modernet e kohës. Sapo do hipnim dhe ai iu drejtua shoferit: Mund të vij dhe unë me ju???

Shoferi i tha: Deri ne Memaliaj jam unë, andej e tutje s’e di.-Po mire,- iu drejtua civili,- po vij.

Me vonë kuptova se qe nga zona e Mallakastrës dhe e kish bërë dhe herë tjetër këtë rrugë. Hipëm: unë mbas shoferit, civili para me shoferin dhe mamaja mbrapa tij. Na u duk i huaj që në fillim. Trup mesatar, lëkurëthatë dhe dy sy të vegjël të shpëlarë. Nuk na pëlqeu ideja që erdhi me ne. Por s'vendosnim ne. Shoferët, atëherë, mblidhnin ndonjë lekë në këtë mënyrë.

U nisëm...Ishim të lodhura e të rraskapitura e të uritura. Por ishim të gëzuara që gjetëm një mënyrë të ktheheshim në shtëpi. Makina gjarpëronte kthesave të Ballshit dhe era e puseve futej në skodë...O Zot! Shoferi dukej njeri i qetë dhe i zoti në timon. Mbasi kishim bërë goxha rrugë, shoferi theu heshtjen.-Nga të kemi more shok????

Këndej nga Mallakstra -u përgjigj ai,-dhe po shkoj në Gjirokastër. -Me se merresh?- këmbënguli prapë shoferi. -Jam hetues në D.P.B.

M’u duk sikur më ra diçka në kokë. Hodha sytë nga mamaja dhe ajo njësoj. Një moment rrëshqiti dorën mbi motor dhe shtrëngoi timen fort. Kuptohesha aq mirë me nënën time dhe pse fëmijë. Kjo qe shenja që duhej heshtje.

Një moment mamaja bëri një shenjë te buza. Dmth rrëshqitja e dorës, tregonte se duhej të mbyllja gojën, pra asnjë fjalë!

E mora mesazhin qartë. Makina ecte e ecte. Në Memaliaj, shoferi ndërroi vetëm ngarkesën, nuk kujtoj se çfarë ngarkoi për Sarandë dhe u nisëm.

Nuk qe errur akoma dhe mamaja ndiente siguri më shumë, e njihja nënën time mirë. I ishim afruar Tepelenës. Shoferi ndaloi dhe mbushi në një lokal ujë. Na dha dhe ne një pagur.

E falenderuam të dyja. Udhëtari i çuditshëm nuk lëvizi nga vendi, as ne kuptohet. Qe bërë "hija" jonë në këtë udhëtim. Shoferi hipi dhe filloi t'i jepte makinës.

Pa ngrënë, të rraskapitura. Numëronim akoma dhe sekondat sa të arrinim. Ndërkohë, shoferi theu heshtjen:

Moj shoqe kemi bërë kaq rrugë dhe s’ju pyeta: nga jeni e sa fëmijë keni?

Mamaja i tha: Jam nga Gjirokastra dhe kam tre vajza. Shoferi kërceu nga vendi. -Dhe unë tre kam,- tha ai-...vajzat janë flori-dhe, i kënaqur, i ra timonit me dorë.

-Po me çfarë mbiemri je dhe në çfarë lagje rri? Mamaja i tha shkurt: Palorto.

Ua! Kam miq plot aty- tha shoferi.-Si ta quajnë burrin? Mamaja nuk donte të vazhdonte. Më hodhi një sy dhe unë i shkela syrin. Mamaja i tha: Jam gruaja e filanit. Shoferi shqeu sytë. Ndryshoi tonin e zërit.

-Moj motër, unë e kam mik atë......çar thua???

blank
Adriana, me te atin, Pashk Simoni

Hetuesin sikur e pickoi bleta, sigurisht e kish dëgjuar emrin. Qenë të paktë të dënuarit e qytetit tonë dhe bënin bujë.

Na hodhi një sy me përçmim dhe shoferit njësoj.

Shoferi vazhdoi bisedën.-Po ku gjendet tani????Mamaja nuk dinte si t’ia kthente. Po sikur ai mos e dinte qe që dënuar? E di që është dënuar, po ku gjendet?

Mamaja nuk ngurroi më. I tha: Në Ballsh. Shoferi tundi kokën me keqardhje. Vërtet me keqardhje dhe pa çarë kokë për udhëtarin.

Donte të pyeste më shumë. Ngurronte. Më hodhi një shikim në pasqyrë me keqardhje, tundi kokën lehtë. Nxori tri biskota dhe, me lëvizje të shpejtë, i la mbi motor.

-Merri, moj xhan i xhaxhait- u kthye nga unë pa çarë kokë për hetuesin. I drejtoi dhe atij një, por ai e refuzoi.

E falenderova, i dhashë dy mamasë, por ajo e refuzoi. Mori vetëm një. I hëngra me shpejtësinë e erës. Kaq e uritur isha. Po i afroheshim Mashkullorës. Filloi të binte muzgu.

Makina ecte dhe liqeni i Viroit u shfaq para nesh. Morëm frymë thellë. Ishim thuajse në Gjirokastër. Arritëm tek Ura e lumit. Shoferi iu kthye mamasë: Nuk ju çoj dot lart në Palorto se kam ngarkesë. Mamaja i tha: Jo, jo, të falenderojmë pa masë, na solle kaq mirë.

Ndërkohë mamaja hapi kuletën mikroskopike dhe i la në dorë lekët e biletës shoferit për dy persona...unë dhe ajo.

Shoferi nuk bëri zë. I drejtohet hetuesit: Ja sa t'i zbres pak këto.

Mamaja zbriti mbasi hapi vendin udhëtari i heshtur. Mua më dha dorën shoferi dhe kërceva, nga ana e tij.

Kur zbriti ai, hapi derën dhe ndërkohë mori një stekë cigare DS dhe erdhi drejt meje.

Hodhi një sy në pasqyrë dhe më ra në sup: Xhani i xhaxhait, këto jepja babit kur të shkosh, nga Xhevati- dhe lekët siç ia dha mamaja m'i la në grusht dhe nuk arrita të flisja- dhe bëji shumë të fala nga Xhevati.

Hipi rrufe dhe Skoda u bë erë.

O ma,- i thashë, shiko! I tregova lekët në dorën time. Ua- u habit mamaja,-çfarë njeri i mirë!

Ia dhashë mamasë. I futi në portofol. Ishim të rraskapitura, por të gëzuara njëkohësisht që dy njerëz të mirë na e bënë më të lehtë udhëtimin.

Rrugës, malores më të lartë, mbaja mamanë nga krahu dhe ajo pëshpëriste: Ka akoma njerëz të mirë në këtë botë! Ecnim ashtu të përqafuara dhe të heshtura.

O ma ka Zot!- pëshpërisja unë.- Një ditë do mbarojnë dhe vuajtjet tona. Sikurse dhe ndodhi.........

Shënim: Marrë nga muri i FB të Elona Casllit. Në foton kryesore: në të majtë, Adriana Simoni Neti dhe në qendër, e ëma 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here