6 shkurt 1967 / I pari ishte fjalimi

0
291
blank

Nëse viti 1967, kur u ndalua feja në Shqipëri, do kishte një kalendar të veçantë për ngjarjet që sollën këtë vendim, dita e tij e parë, do të ishte 6 shkurti. Më 6 shkurt, Enver Hoxha mbajti një fjalim që, sipas shumë studiuesve, i hapi rrugën shpalljes së Shqipërisë vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë. Kjo ligjërisht ndodhi më 13 nëntor 1967, kur me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor u shfuqizuan të gjitha dekretet që aprovonin veprimtarinë fetare në vend, megjithatë kur vjen puna te ndalimi i fesë në Shqipëri, data që përmendet më shpesh është 6 shkurti 1967.

Po çfarë fjalimi ishte konkretisht ai dhe çfarë thoshte për fenë?

Ndryshe nga ç’mund të përfytyrohet sot, në atë fjalim nuk urdhërohej ndalimi i fesë, por po të njohësh diktaturën dhe peshën e çdo fjale të artikuluar nga numri një i saj, e kupton që kjo nuk ishte aspak e nevojshme.

Enver Hoxha ishte duke mbajtur një fjalim në mbledhjen e përbashkët të organizatave-bazë të Partisë të Minierës së Qymyrgurit të Kërrabës, uzinës «Enver», kooperativës bujqësore “Vilhelm Pik”, Repartit Ushtarak nr. 5009 dhe Universitetit të Tiranës. Në këtë fjalim kërkonte ndryshime rrënjësore në rendin e deriatëhershëm në ushtri, në burokraci dhe luftimin e zakoneve prapanike, por duke qenë që në këto zakone, komunizmi dhe Hoxha përfshinin edhe fenë, fjalët e thëna rreth saj, siç tregojnë ngjarjet e mëpasme, u morën si urdhër i prerë kundër fesë. Ky ishte synimi dhe mesazhi i tyre duke qenë që brenda vitit, feja u ndalua me dekret; në Kushtetutën e vitit 1976 u sanksionua se "Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor" dhe së fundi, në Kodin Penal të 1977-ës, ushtrimi i fesë dënohej me ligj me nenin 55.

Çështja e fesë del që në fillim të atij fjalimi rreth 14 mijë fjalësh kur Enver Hoxha pyet: “Si mund të quhet në pozita pararojë ajo organizatë-bazë partie e Portit në Durrës dhe si mund të quhet në pozita revolucionare ai punëtor i këtij porti që ditën punon mirë, dallohet, bile edhe lavdërohet, kurse në mbrëmje në shtëpi bën ikona kishe dhe i shet në mëngjes në besimtarë privatë?”

Këtë dhe “zakone të tjera prapanike”, sipas Hoxhës,gjithë Partia dhe vendi duhen ngritur në këmbë që “t’i djegin me zjarr”.

Fjalimi u botua të nesërmen, më 7 shkurt në gazetën “Zëri i Popullit”. Reagimi qe i menjëhershëm. Një ditë më vonë, më 8 shkurt, siç shkruan Pirro Prifti, gazeta “Zëri i Popullit” boton nismën e nxënësve të gjimnazit "Naim Frashëri" në Durrës që kërkonin mbylljen e kishave e të xhamive, duke qenë se pjesë e rrafshit kulturor që duhej revolucionarizuar ishte edhe prania e fesë sipas fjalimit që ndoqën.

Më pas, gjithmonë sipas Pirro Priftit, u mbajtën fjalime të tjera kundër fesë më 17 dhe 23 shkurt.

Tashmë, feja, kleri, objektet e kultit u vunë nën sulm dhe pasojat qenë shkatërruese në rrafsh njerëzor, kulturor dhe shpirtëror.

“Më 15 shkurt, dyert e institucioneve fetare u gdhinë të mbushura me fletë-rrufe me kërcënime për kë do të donte t'i hapte se do të shkonin para përgjegjësisë”, shkruan Azem Qazimi në “Procesi i asgjësimit të fesë në komunizëm”, botuar nga ISKK.

 

Sipas Vatikan News, më 19 shkurt 1967 u ndalua kremtimi i Meshës Shenjte i orës 10.00 në Katedralen e Shkodrës. Françeskanët shkodranë morën urdhrin të zbraznin Kuvendin e Gjuhadolit, duke mbartur gjithë ç’kishin në Kuvendin e Arrës së Madhe. Pas një kontrolli të rreptë të sigurimit, u mbyll edhe Argjipeshkvia katolike. Njëkohësisht nisën mbledhjet komuniste nëpër lagje për demaskimin e klerit, ndër të cilat u dha sinjali i sulmit për mbylljen e të gjitha Kishave. Më 4 mars u mbyll Kisha katedrale e Shkodrës e mbas saj, njëri pas tjetrit, të gjithë tempujt e Zotit. E fundmja u mbyll Kisha e fshatit Delbinisht, ku fshatarët rezistuan derisa nisën arrestimet.

Mjaft klerikë që i kishin shpëtuar valës së parë të arrestimeve, pasi komunistët morën pushtetin, u burgosën. Disa edhe u riburgosën. Asnjë nuk lejohej të ushtronte profesionin e tij, por as edhe besimtarët nuk lejoheshin të ushtronin rite fetare. Çfarë mbijetoi, ushtrohej fshehurazi e me frikë në zemër dhe në rast se zbulohej, pasojat ndëshkuese ishin të sigurta: demaskime, internime, burgime. Numri i klerikëve të ekzekutuar e burgosur është e vështirë të thuhet me saktësi. Kisha katolike ka shpallur 38 martirë të vrarë nga komunistët. Edhe fetë e tjera patën gjithashtu shumë të ekzekutuar e të burgosur nga radhët e veta.

Jo vetëm njerëzit, por dhe godinat u bënë objekt sulmi. Një pjesë u shkatërruan e të tjera u transformuan. Synimi ishte zhdukja e gjithçkaje kishte të bënte, nderonte ose të kujtonte fenë.

Siç bën të ditur Pirro Prifti, vendimi për të prishur kultet fetare u mor nga një një urdhëresë me shënimin tepër sekrete, e datës 27 shkurt 1967 (Partia e Punës e Shqipërisë Komiteti Qëndror, Nr. 133 prot. Tepër–sekret, Tiranë, më 27.II. 1967; Komiteteve të Partisë së Rretheve) e nënshkruar në fund nga sekretari i parë i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha. Fillimi shkatërrimet u morën përsipër nga organizatat e Rinisë të PPSH dhe e para që filloi shkatërrimin ishte rinia e Durrësit.

Nga shkurti 1967 deri në vitin 1971, u prishën një numër i madh objektesh kulti. Ky numër mendohet që arrin gjithsej 2169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj. Dëshira për të treguar revolucionarizmin e kërkuar nga Hoxha në fjalimin e shkurtit, verboi masat të cilat, në ethet e shkatërrimit, përbuzën edhe vlerat kulturore e arkitektonike të këtyre ndërtesave, para të cilave edhe pushtuesit tregohen të kujdesshëm. Në vitin 1967, u hodh në erë me dinamit kisha e madhe e Vaut të Dejës, e cila tregohet në foto, pranë së cilës, në kishën e vjetër, sipas Marin Barletit, Gjergj Kastrioti kishte pranuar sakramentin e martesës. Një nga kishat monumentale që u shkatërruan ishte dhe e Shën Gjergjit në Korçë, në vitin 1971.

Shumë objekte fetare u transformuan në mjedise me qëllime të tjera të fushës shoqërore apo ekonomike. Pati edhe raste kur vlerat e tyre u ruajtën nga ndërhyrjet e zgjuara të arkitektëve që iu ishin ngarkuar punimet, por vetëm në disa raste dhe  gjithmonë fshehtas. Me zë të lartë, nuk mund të thuhej asgjë që kishte të bënte me besimin dhe praktikat fetare. Komunizmi në Shqipëri, e kishte shpallur Zotin të paligjshëm.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here