35 vjet burg/ U arratis, por e kthyen jugosllavët

0
1767
blank

I nisi burgimet në komunizëm në moshën 17 vjeçare kur ishte gjimnazist. Jetoi vetëm dy vjet jashtë burgut dhe u dënua për herë të dytë. Doli nga burgimi 54 vjeç. Kjo është historia e trishtë e Ilia Vasil Thereckës, lindur më 15.2.1935 në Berat. Nga dy dënimet, Ilia vuajti 34 vjet, 8 muaj, 9 ditë heqje lirie.

 

Dënimi i parë

 

U arrestua më 16.1.1952 në Gjirokastër, së bashku me shokët e tij gjimnazistë: Thanas Dhespo (nga Zheji i Gjirokastrës) dhe Bajram Mesi (nga Shkodra), kur ishte në vit të tretë të shkollës. Këtë kohë ishte gjimnazist dhe banonte në konviktin e shkollës në Gjirokastër. Të gjithë u akuzuan në bazë të neneve 3/8, 4, 8 të ligjit nr.372, datë 12.11.1946 si pjesëtarë të një grupi armiqësor, kundërrevolucionar, që agjitonin kundër pushtetit, si dhe për akte diversioni apo vendime kundër drejtuesve të regjimit. Sipas akuzës Th.Dhespo nga Zhej i Zagorisë, qysh kur kish ardhur në konviktin e Gjirokastrës në vitin 1947 “propagandonte kundër pushtetit dhe pro imperializmit anglo-amerikan”, ndërsa në shkurt 1948 formoi “grupin” me dy shokët e tjerë. U pyet nga hetuesi aspirant Dhimitër Kareco.

Për këtë hetuesi, vite më vonë, në procesin e dytë do të dëshmonte: “Hetuesi im gjatë gjithë kohës së hetimit s’ka lënë mjet pa përdorur që të më bindte mua që të firmosja çdo gjë që ai shkruante në letër. Me rrahje, shtrëngim jashtë mase të duarve me hekura, bile edhe me korrent, ndërsa një natë më kërcënoi me armë se do të më vriste kur po dilja nga hetuesia, në mënyrë që të nënshkruaja ato që ai shkruante. Kur unë u binda, pashë një dashamirësi e butësi të papritur. Të gjitha këto bënë që unë në moshë të njomë të ngre mbi veten time akuza të tilla si: vrasës, helmues i shokëve të shkollës, spiun i Asfalisë greke, etj”.

Gjykata i cilësoi tre shokët se kishin krijuar “grup kriminal”, të cilët pasi të kryenin veprime “kundërrevolucionare” do arratiseshin në Greqinë “monarko-fashiste”, në një kohë që ata vetëm 3-4 takime kishin bërë e asnjë veprim konkret. Gjykata Ushtarake Gjirokastër, e drejtuar nga kapiten I Tasi Blushi, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten I Shaban Skënderi, me vendimin nr.34, datë 20.6.1952 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet privim lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. Thanasi u dënua me 20 vjet dhe Bajrami me 12 vjet privim lirie. U la në fuqi me vendimin nr.358, datë 31.7.1952 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. U lirua më 31.1.1965.

 

Dënimi i dytë

 

U arrestua më 17.6.1967 së bashku me shokun e tij Luftar Çalën nga fshati Rërëz i Beratit. U akuzuan në bazë të nenit 64 të kombinim me nenin 14 të Kodit Penal. Të dy ishin punëtorë në NSHN (Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimit) Berat. Pavarësisht se punonte, Ilian e fyenin vazhdimisht duke e quajtur “gënjeshtar, i poshtër, armik, sabotator”, se “nuk ishte si të tjerët”. Ai lexonte e përkthente, por poshtërimi nuk i ndahej. Një jetë e padurueshme dhe gjendje dëshpëruese. Në maj 1967, Luftari pushohet nga puna dhe i kërkohet të punojë në kooperativë bujqësore. Në këto rrethana, halli i përbashkët i bashkoi. Mundën të arratisen më 13.6.1967 nga Rrethi i Kukësit në Jugosllavi, por katër ditë më vonë, me kërkesë të organeve shqiptare dhe këmbënguljes së tyre, autoritetet jugosllave i kthyen në postën kufitare të Morinës.

Gjykata e Qarkut Vlorë, Dega Berat, e drejtuar nga Lavdosh Zotaj, me pjesëmarrjen e prokurorit Irakli Puka, me vendimin nr.8, datë 6.10.1967, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, pushkatim, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. Luftari u dënua 20 vjet heqje lirie (u lirua më 14.1.1986, shih). U ndryshua nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.182, datë 21.10.1967, nga me vdekje në me 25 vjet heqje lirie. U lirua më 11.2.1989, nga Reparti nr.325/1 Tiranë, pas shumë vitesh mungese e lirie dhe lodhjes nga puna e detyruar. Sot Ilia jeton në SHBA.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here