1979/Burgosja e kompozitorit Zef Leka

0
305
blank

Relacioni për arrestimin e shtetasit Zef Luc Leka, i lindur në vitin 1924 në Hot të Ri të Shkodrës, me arsim të lartë, kompozitor, me punë në pallatin e kulturës “18 tetori” Qyteti Stalin (sot Kuçovë), hartohej në maj 1979. Ishte pa datë. Relacioni i drejtohej Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Bëhej biografia, disa të dhëna nga dosja formulare dhe tre kallëzime. Dy vëllezër të Zefit ishin dënuar. Kushëriri i parë Prela ishte arratisur në vitin 1949 dhe kish vdekur në vitin 1979 në SHBA. Po në SHBA kishte dy kushërinj të parë të babait.

Ishte martuar me Fatbardha Lekën (Jahon), me origjinë nga Gjirokastra, shtresë e pasur bejlerësh. Prindërit e saj vlerësoheshin “me qëndrim të keq politik”. Dy vëllezërit e saj Syrjai dhe Isufi kishin pas një kafe në Gjirokastër. Me “vendim të partisë” Isufit iu bë atentat gjatë luftës, por ngeli i plagosur. U vra me atentat nga partizanët. Ishin pa triskë Fronti dhe cilësoheshin “me qëndrim të keq”.

Zefi kishte qenë në Jugosllavi në vitin 1946, por një vit më pas ishte kthyer nga thirrja e shtetit. Në vitet 1947-1964 punoi kompozitor në pallatin e Bashkimeve Profesionale në Shkodër. Në vitin 1964 u vendos me punë si kompozitor në pallatin e kulturës në Qytetin Stalin.

Në vitin 1972 erdhi në Berat një “grup kosovarësh” (nga Tuzi në fakt), i cili i bëri një vizitë në shtëpi. Nga viti 1977, agjentura e raportonte Zefin se zhvillonte agjitacion e propagandë. Më 25.4.1978 u mor në përpunim paraprak dhe më 2.8.1978 u ngrit në përpunim aktiv 2A. Ishte raportuar nga agjentura dhe 3 kallëzimtarë.

Më 13.12.1977 “Aktori” raportonte se Zefi ishte shprehur: “Bota jashtë ka artistë të mëdhenj, kurse ne shqiptarët mburremi me një Moisi që është apo s’është i joni. Ja ç’ka dhe njeh bota, këta janë artistë (duke treguar një album fotografik me artistë italianë). Italianët e kanë të zhvilluar muzikën, kurse ne nuk kemi traditë. Për këtë arsye, e jona nuk ka ecur e ka ngelur në vend”.

Më 25.5.1978 “Aktori” raportonte se Zefi ishte shprehur: “Arti ka vdekur që nuk paguhet krijimtaria e autorit. Në televizor shikojmë të njëjtat gjëra. Mjafton masivizimi”.

Më 23.4.1978 “Vëzhguesi” raportonte se Zefi ishte shprehur: “Nuk ka asgjë të keqe. Kjo është gusto e njeriut, për qejf dhe nuk ka të bëjë me politikë, bile mua po të më linin do lija mjekër”.

Më 6.11.1978 “Fortuna” raportonte se Zefi ishte shprehur: “Italianët bëjnë ceremoni të mëdha. Janë një popull me fe katolike. Në ceremoninë e varrimit të Papës kishte drejtues nga shumë vende të botës, bile edhe nga Bashkimi Sovjetik. Kjo tregon se gjysma e botës është katolike. Katolikët janë të vendosur, nuk e duan komunizmin, i thonë hapur pikëpamjet e tyre”.

Më 23.12.1978 “Stilografi” raportonte se Zefi ishte shprehur në lidhje me një vepër të E.Hoxhës: “Edhe në vendim tonë kemi formë të vetadministrimit, konkretisht vetadministrimi e gjen vetë formën. Kur grupet amatore si estrada, teatri, etj, dalin turne, për të dhëna shfaqje në qytete të ndryshme të vendit, shpenzimet e ushqimit dhe të fjetjes së kësaj trupe përballohen nga fitimet e shfaqjeve të dhëna. Këta të japin vetën 13-50 qindarka, pavarësisht nga fitimet e bëra të trupës”.

blank

Më 29.3.1979 “Stilografi” raportonte se Zefi ishte shprehur: “Fishta është pranuar nga Akademia Italiane si akademist, është shkrimtar i madh, por këta nuk duan të njihet Fishta në shkollat tona si shkrimtar i talentuar. Po të njihet Fishta errësohen shkrimtarët tanë”.

Materialit i ishin lidhur edhe tre kallëzime të shtetasve: Pjetër Filipi, Sadik Ibrahimi dhe Luto Hasani. Këto ishin denoncime për fushën e artit, për skeçet kundër Ballit Kombëtar, vlerësimi për Fishtën dhe klerin katolik.

Dënimi

Më 2.7.1989 Drejtoria e Hetuesisë në MPB, me shkresën nr.413/2, datë 2.7.1979 i kthen Degës së Punës të Brendshme Berat, dosjen formulare nr.1758 me 80 fletë gjithsej, duke kërkuar zhvillimin e një hetuesie të shpejtë.

U arrestua më 4.7.1979. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal. Gjykata e Rrethit Berat, me vendimin nr.137, datë 10.11.1979, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe heqjen e dekoratës për shërbime të shquara shtetërore. U la në fuqi me vendimin nr.354, datë 4.12.1979 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Në vendim të gjykatës citohet se kish thënë: “Vendi ynë nuk mund të ecë përpara në rast se nuk i hapen dyert kapitalit të huaj”.

U lirua nga burgu më 24.5.1987.

 

Lexoni edhe Pranga në duart e kompozitorit të këngës "Qingji i vogël"

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here