Barbara Orgocka (Gluc), një histori dhimbjeje në komunizëm

0
384
blank

Një nga historitë më të dhimbshme të grave të huaja që vuajtën dënime të padrejta në Shqipëri i takon shtetases polake Barbara Wladislaw Gluc, e cila në vitin 1955 njihet me Vasillaq Orgockën në Varshavë, në kohën kur ky i fundit kryente studimet e larta atje. Barbara, lindur më 4.4.1936 ishte me arsim të mesëm, nëpunëse, nënë e dy fëmijëve. Erdhi në Shqipëri më 20.9.1956 me bashkëshortin Vasil Orgocka. Me profesion laborante ajo punoi në fabrikën e birrës së qytetit.

blank

Më 2.8.1962, me propozim të punëtorit operat kapiten I Petro Jani, pëlqim të shefit të Seksionit të 1-rë kapiten I Thimi Kosta dhe miratim të kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, Jani Naska, Barbara u vu në përpunim paraprak. Arsyeja që përmendet ishte se në letrat që ajo shkruante e të kontrolluara nga kontrolli postar, kishte dyshime. Në letrat që dërgonte ajo, citohen këto fjalë:

“Te ne situata është keqësuar shumë, aq sa nuk e merr dot me mend. Në punë nuk kam qetësi. Kur ju ishit këtu ishte mirë, por tani jo. Me një fjalë mund të luash mendsh. Çfarë të bëjmë?”.

“Jetesa këtu është shumë e shtrenjtë, kurrgjë nuk hamë, mizerje”.

Më 15.2.1963 vihet në përpunim aktiv 2A. Raportet ishin vetëm të bashkëpunëtorit “Vetëtima” dhënë rezidentit “Arsimtarja”. Në asnjë rast nuk vlerësohej drejtimi i përpunimit, por në rastin e dytë thuhej se mund të kishte lidhje me ambasadën polake.

Në Korçë kishte miqësi me Keti Shomon, polaken Vanda Tiko, bashkëshorte e Lefter Tikos, si dhe me familjen Stefanllari. Në vitin 1963, i kishte ardhur për vizitë nëna, Janica Gluc. Barbara evidentohej se “bënte kontrabandë” se shiste plaçkat që i vinin nga Polonia. Përpunimi bëhet bashkë me bashkëshortin. Jeta e saj është e një personi të pakënaqur nga gjendja ekonomike, por që nuk kishte asnjë mundësi apo lidhje të bënte spiunazh.

Në vitin 1964, futet në përpunimin e saj agjentja “Dëshira”, e më pas agjenti “Pushka”, “Vrulli”, “Paketa”, “Morava”. Nga Durrësi, raportonte “Molla e kuqe”, por edhe bashkëshorti i saj “Amuri”, të cilët në veçanti i drejtonte operativi Ylli Hila. Raportet që sillen janë kryesisht mbi gjendjen ekonomike të vendit, si dhe faktin se Barbara kishte shtetësi polake, duke nënkuptuar se duhej të largohej. Në fund, del edhe “Minatori”.

Kur nga përpunimi nuk kishte dalë asgjë, më 13.3.1968, cilësohej drejtimi ndaj Barbaras si “agjente e mundshme e zbulimit polak”. Sipas planit të kësaj date, në zyrën e Vasilit do vendoseshin përgjues. Po ashtu edhe në shtëpinë e Gaspër Ljarjës me të cilin kishin miqësi.

Operativi Petro Jani vijon përpunimin. Më 20.6.1968 raporton agjenti “Amuri” i operativit Ylli Hila nga Durrësi. Fjala ishte për ndonjë shitje që bënin me Barbarën. Këtu lidhej me Arif dhe Barbara Mullain.

Dy degë të punëve të brendshme, e Durrësit dhe Korçës, me propozim të operativëve të çështjes, më 15.12.1968, hartojnë një plan të përbashkët kundër Barbara Orgockës. Ideja ishte që mos përdorej nga polakët arrestimi i të shoqit të saj.

Propozimi për arrestimin e Barbarës u nënshkrua më 10.2.1969 nga zëvendëskryetari i Degës së Punëve të Brendshme Korçë, Nusret Dataj, i cili argumentonte se arrestimi i saj do hapte një “horizont veprimi më të gjerë për punën operative”.

Arrestimi

Barbara u arrestua më 26.2.1969. Disa javë më parë ishte arrestuar i shoqi. Pyetet një ditë pas arrestimit në Tiranë nga hetuesi i DPB Elbasan Qemal Metaj, në prani të hetuesit Mark  Nika. Mohon të ketë bërë veprimtari të paligjshme. Më 10.3.1969 i komunikohet akuza. Pranon se kish bërë agjitacion apo shkeljen e dispozitave valutore, por kurrsesi se kishte zhvilluar spiunazh. Më 14.3.1969 largohet hetuesi Qemal Metaj dhe vjen hetuesi Odise Porodini, i cili kishte ardhur me objektiva të qarta. Më 8.4.1969, Porodini arrin ta detyrojë të nënshkruajë aktet e bëra prej saj (hetuesisë) rreth fantazisë së “spiunazhit”, i cili nuk del në asnjë element të dosjes formulare. Vijon edhe hetuesi Koço Josifi. Në fund janë të pranishëm përveç hetuesit Mark  Nika edhe hetuesit Piro Vangjeli dhe Ali Xhunga. Më 28.6.1969 (fundi i hetuesisë) pasi është shtuar edhe prokurori Sotiraq Samara, Barbara refuzon të nënshkruajë hetuesinë e ballafaqimit me Kostandin Papën. Dosja e përpunimit e nisur me nr.1003 në DPB Korçë, përfundon dhe arkivohet më 30.11.1971 nga Dega e 2-të e Drejtorisë së 1-rë të Sigurimit të Shtetit në Tiranë.

Barbara u akuzua në bazë të neneve 65, 73/1, 91/II, 100 të Kodit Penal.

U përfshi në procesin kundër 11 personave gjithsej. Gjykimi u zhvillua në një shkallë, me dyer të hapura. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i drejtuar nga Kleanthi Koçi, me pjesëmarrjen e prokurorit Pandi Konomi, me vendimin nr.6, datë 22.8.1969, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Në grup ishin futur edhe: tekniku gjeolog në minierën e Mborje-Drenovës, Vasillaq Orgocka; inxhinieri Kostandin Papa me banim në Durrës; Barbara Kwiatkowska (Mullai), me banim në Durrës; mjeku Lefter Tiko, me banim në Korçë; inxhinieri gjeolog në minierën e Mborje-Drenovës, Mina Kote, banues në Korçë; inxhinieri kimist Gaspër Ljarja, banues në Korçë; Bora Pashko, lindur në Tetovë, banuese në Korçë; agronomi Sadik Zharri, banues në Durrës; Tushi Foto me banim në Korçë; infermiere Lefteri Robo, banuese në Korçë.

Vasillaq Orgocka dhe Kostandin Papa u dënuan me vdekje dhe konfiskim të pasurisë, por më pas dënimi iu kthye me 25 vjet heqje lirie nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekretin nr.4530, datë 6.9.1969. Barbara u lirua më 24.6.1971 pas ndërhyrjes e presionit të ambasadës polake në Tiranë. Ishte shkatërruar nga torturat e vazhdueshme që iu bënë. Vuajti gjithsej 2 vjet, 3 muaj, 29 ditë. U lejua më pas të riatdhesohej, por duke mos e marrë veten kurrë nga ajo që kaloi në Shqipëri.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here