1960/Urdhëresa për “zakonet prapanike” dhe listimi i 8.903 personave pa triskë Fronti

0
204
blank

 Lufta kundër “zakoneve prapanike” nuk ishte një proces që u zhvillua në vitin 1967 kur u ndalua besimi fetar, por kohë më parë. 

Në një informacion të nënshkruar nga zëvendëssekretari i përgjithshëm i Frontit Demokratik, Hilmi Selenica, me objekt “punën e organizatave të Frontit për zhdukjen e zakoneve prapanike dhe për diferencimin e elementëve që nuk gëzojnë kartën e Frontit”, hidhej dritë mbi masat e marra deri në këtë kohë mbi këtë problem, raporti ndahej në dy pjesë: punën kundër zakoneve prapanike dhe punën diferencuese mbi ata që nuk e gëzonin triskën e Frontit, e cila u jepej shtetasve shqiptarë me detyrim një herë në vit. Ata që nuk e paguanin, ose nuk iu jepej kjo e drejtë, cilësoheshin kategori kundërshtare ose e deklasuar. Sa për festimet për ditë të veçanta duhet të shkurtoheshin dhe shumica e festave të eliminoheshin sepse, sipas Frontit Demokratik,  në këtë mënyrë kurseheshin miliona lekë.

 

Pjesë nga shkresa e Frontit Demokratik e vitit 1960 (është pa datë)

 

1-Puna për zhdukjen e zakoneve prapanike

Për pikën e parë ishin marrë takime në Shkodër, Peshkopi, Pukë, Kukës, Krujë, Lezhë, etj., pra në rrethet e veriut.

Për të bindur sidomos fshatarët për dëmet që vijnë nga mbajtja e këtyre zakoneve, organizata e Frontit ka përdorur dy forma:

a-Duke zhvilluar punë sqaruese dhe bindëse me fakte për dëmet e mëdha që sjellin zakonet prapanike si therja e kaut ose bagëtisë kur vdes një pjesëtar i familjes, festat e shumta fetare me miq, shpenzimet e kota në dasma.

b-Në organizimin e konsultave me përfaqësuesit e fshatrave në lokalitete ose qendrën e rrethit. Këto konsulta kanë marrë vendim për unifikimin e festave fetare, për mostherjen e kaut e bagëtive të tjera dhe mosnxjerrje raki në rast vdekjesh, për mosshpënien dhuratë për martesën të dhjetëra e qindra deshëve.

blank

Vetëm nga shkurtimi i festave dhe ditëve të tyre (se më parë vazhdonin 3 ditë), i kursehen popullit me miliona lekë. P.sh. në Rrethin e Pukës, përpara vitit 1959 festoheshin 38 festa fetare me nga 2-3 ditë. Gjatë vitit 1960, festohen 4 festa dhe vetëm 1 ose 2 ditë. Sipas një llogaritjeje që bëri kryesia e Frontit të Rrethit Pukë për disa fshatra të mëdha si Berishë, Iballë, Kokdardhë dhe Fierzë, janë kursyer rreth 500 kokë bagëti, që vlerësohen në 50 mijë lekë, pa llogaritur bukën, kafen, sheqerin, orizin dhe pa llogaritur se kur këto shenjte festoheshin si më parë, çdo anëtar kooperative ose fshatar individual humbte rreth 45 ditë pune, duke mos shkruar në punë.

 

Një punë të mirë për eliminimin e zakoneve prapanike ka bërë kryesia e Frontit për Rrethin e Peshkopisë, ajo ka aktivizuar mirë arsimtarët, sidomos ata të fshatrave dhe ka aktivizuar mirë disa klerikë përparimtarë, të cilët kanë shpjeguar se edhe feja nuk lejon të bëhen shpenzime të kota, etj. Komiteti i Partisë Peshkopi dhe personalisht shoku Jashar Menzelxhiu, ka treguar një kujdes të veçantë për të orientuar dhe ndihmuar organizatën e Frontit në drejtim të zhdukjes së zakoneve prapanike.

Kryesia e Frontit të Rrethit Shkodër, ka zhvilluar deri diku një punë të mirë politike e bindëse për eliminimin e zakoneve prapanike. Në Lokalitetin e Dukagjinit, ishte zakon në rast vdekjeje të therej edhe penda e qeve pse shkonin qindra veta për të ngrënë mish e për të pirë raki. Festoheshin 6 festa në vit, të cilat zgjasnin 3 ditë. Tani kanë vendosur të festojnë 1-2 festa në vit, duke kursyer disa miliona lekë.

 

2-Diferencimi i elementëve pa triskë Fronti

Numri i elementëve të padëshirueshëm i cili nuk është i pajisur me kartën e Frontit nga viti në vit ka ardhur duke u pakësuar. Kështu nga 11.916 elementë të këtyre kategorive që kishim në vitin 1958, deri në fund të gushtit 1960 kanë mbetur 8.903.

Si rezultat i një pune të mirë që është bërë, gjatë vitit 1959 dhe deri në gusht 1960 janë diferencuar nga familjet e kulakëve 1.114 elementë dhe 1.025 nga familjet që kryefamiljari nuk mban qëndrim të mirë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here