Varka e lirisë, historia e arratisjes së familjes Fezollari

0
2381
blank

Babai i familjes, Hakiu, ishte arratisur në vitin 1949, pasi i kishte shpëtuar pushkatimit  dhe ndodhej në Australi prej më shumë se 20 vitesh. Bashkëshorten e tij, Kushen, fillimisht e kishin internuar në Kamëz dhe pas kthimit në Pogradec, e kishin lënë në mes të skamjes me katër fëmijët e vegjël. Ata u rritën nën peshën e përndjekjes dhe në vitin 1961, djali i madh, Feridoni, u dënua me burg për tentativë arratisjeje. E kishte kuptuar që nuk kishte asnjë shpresë nën diktaturë, ndaj pasi doli nga burgu, u angazhua, bashkë me vëllezërit, Et'hem dhe Beshir, për të ndërtuar një plan arratisjeje. Përfshinë në këtë plan të gjithë familjen pas thirrjes së të ëmës për të menduar çfarë do të ndodhte më pas me gratë dhe fëmijët dhe, korrikun e vitit 1975, ndërsa diktatori pushonte pikërisht në Pogradec, hodhën në liqen varkën që kishin ndërtuar vetë dhe u nisën drejt Maqedonisë së Veriut.

8 orët e lundrimit drejt jetës ose vdekjes.

Një intervistë rreth arratisjes së bujshme me Ethem Fezollarin, që, historinë e tij dhe të familjes, e ka përshkruar edhe në librin “Varka e Shpëtimit- Arratisja që tronditi diktaturën”

Nga Blerina Gjoka

Imagjinoni vetëm për një moment një natë të errët buzë liqenit ku ju dhe familja juaj po prisni të ngjiteni në një varkë primitive të bërë me mushama, një udhëtim që do të zgjasë për orë të tëra deri në bregun tjetër…kthim pas nuk ka! Në varkë bashkë me burrat, gratë e fëmijët gjendet dhe një kuti me dinamit me fitilin gati për t’i vënë shkrepësen, për t’u bërë shkrumb e hi nëse rojet e kufirit ju pikasin. Jeni ju, fëmijët që flenë, frika në stomakun tuaj që rëndon më shumë se rrobat e lagura, hëna e fshehur pas një reje të zezë dhe jeta e varur mbi një fije shprese.

Me pak fjalë ky është peizazhi që mund të përshkruhet ajo natë e 3 korrikut në të gdhirë 4 korriku i vitit 1975 në liqenin e Pogradecit…këto ishin orët e gjata drejt lirisë, udhëtimi i patëdytë i familjes Fezollari. Ata kishin vënë bast me vdekjen. Për ta jeta nuk ishte më asgjë pa lirinë, ndaj ndërmorën këtë udhëtim, këtë arratisje, që do të merrte epitete nga më të ndryshmet në vazhdimësi, e denjë për një film për ‘Oscar’ sigurisht.

blank
Nje nga vellezerit, Feridon Fezollari, qe udhehoqi ndertimin e varkes dhe planin e arratisjes, me familjen

Tre vëllezër me gratë, fëmijët dhe nënën e tyre në një varkë Noe që vozisnin vetëm në dëshirën për liri, sfiduan vdekjen që ishte gati e sigurt, për t’iu dorëzuar fatit. Nuk e di se ç’forcë njerëzore duhet të ketë një prind që vendos të marrë fëmijët në atë barkë, ndoshta askush prej nesh që lexojmë këtë histori nuk do ta bënim këtë….por për tre djemtë e Haki Fezollarit kjo ishte përpjekja e fundit për t’i shpëtuar nga ajo jetë, që siç e përshkruan Et'hem Fezollari; ishte veçse ferri çnjerëzor që zgjaste prej 26 vitesh.

Vuajtje, varfëri, uri, humbje e dinjitetit njerëzor, frikë për jetën, burgje, internime, të afërm që s’u flisnin me gojë, të afërm që i spiunonin pas krahëve, sigurimsa që i përgjonin, punë të rëndomta dhe frikë..frikë…frikë.

Në një ditë të bukur qershori ata vendosën të mos jetonin më me frikë, por të bënin një hap me guxim, një hap që do t’i çonte drejt vdekjes ose drejt jetës. Ndërtuan një varkë primitive me mushama, rrjeta dhe dy dërrasa dhe ngjitën mbi të fëmijët nga 16 vjeç deri 6- muajsh, nënën e tyre që i kishte rritur me vuajtje të mëdha e pa burrë në krah, gratë e tyre të cilat nuk pranuan të qëndronin në Shqipëri, dhe u nisën. U nisën në një mjet lundrues që kishte vetëm 5 cm mbi ujë, ndërsa dy lopatat e gdhendura keq u nxirrnin gjak në duar burrave që vozisnin.

Kur e ke përballë Ethem Fezollarin, nuk mund të mos të bëjnë përshtypje sytë e tij, janë kaq të qeshur dhe kaq të qetë. Historinë e tij e tregon sikur t’i kishte ndodhur dikujt tjetër, ashtu siç tregon pjesën e historisë së të atit që ia kanë treguar të tjerët. Me të ai u nda vetëm kur ishte 4 vjeç, për t’u bashkuar në Australi pas një gjysmë shekulli. Me përpikëri dhe ftohtësi tregon natën në liqen, natën që do të ndryshonte jetën e tyre përgjithmonë. Fati i tij desh që të mos pendohej kurrë për atë vendim, që të jetë krenar për netët e çuara në fshehtësi duke qepur rrjetën dhe mushamanë në ato pak dërrasa që do të bëheshin skeleti i varkës së shpëtimit. “Kur shtyja lopatat, këmbët shtypnin fundin e varkës që ishte prej mushamaje, poshtë mushamasë ishte uji, dhe mua më dukej sikur shtypja barkun e një njeriu, ndërsa në barkun tim ndjeja një ankth sa një liqen i tërë”,  thote ai.

Historinë e tij dhe të familjes e ka treguar në librin “Varka e Shpëtimit-Arratisja që tronditi diktaturën”, botuar nga UET Press në 2015-ën. Një histori që na ndihmon të kuptojmë komunizmin. Siç na ndihmon historia e babait të tij, Hakiut, burri dy metra i gjatë, i cili kur luftonte partizan kishte thënë: “Një sy e një dorë të mos e kem, vetëm partia të fitojë”, ndërsa vetëm disa vite pas vendosjes së regjimit, në vitin 1949, në gjyqin e tij do të deklaronte: “Do të preferoja që të m’i nxirrnin dy sytë, vetëm kjo parti të shporret”.

Varka primitive e bërë me mushama dhe disa dërrasa, ndodhet sot e kësaj dite, në Muzeun Ushtarak të Akademisë së Shtetit të Maqedonisë së Veriut në Shkup dhe ruhet aty si relike e veçantë. Ajo tregon për një nga arratisjet më të mëdha nga Shqipëria komuniste.

Intervista/ Ethem Fezollari tregon për vendimin për t’u arratisur dhe orët e tmerrit mbi liqen

Ethem Fezollari, autor i librit që tregon me detaje të qarta dhe të sakta jetën e tij, familjes së vet dhe arratisjen nga Shqipëria, tregon për ato orë të vështira kur ai dhe 15 anëtarët e tjerë të familjes së tij kaluan liqenin e Pogradecit me një varkë primitive. Ethemi është kthyer në Shqipëri pas vitit 1990, për të plotësuar amanetin e të atit për t’i sjellë eshtrat në vendlindje.

Fezollari, a mund të ktheheni pas dhe të kujtoni si e morët vendimin për t’u arratisur?

Pas arratisjes së babait tim që më 1949-n, ne kemi përjetuar gjysmë shekulli kalvarin e vuajtjeve. Hoqëm vuajtje pa fund, burgje, persekutime, internime. Vëllai u dënua 13 vite burg, por kur doli nga burgu lufta e klasave bënte kërdinë, ajo ishte e padurueshme, e papërballueshme. Ne kërcënoheshim vazhdimisht të arrestoheshim. Vendosëm që ne, tre vëllezërit të iknim pa pjesëtarët e tjerë. Por fati i mirë i yni dhe i familjes ishte që mami e pikasi planin tonë, pasi na gjeti kamerdaren me të cilën do të iknim. Ajo filloi të qajë dhe na tha: ‘Nëse jeni burra, nuk do ikni t’i lini gratë t’ua përdhunojnë këta, pak hoqëm ne nga baba’. Kur sheh nënën duke qarë, sigurisht që tërhiqesh. Ajo në fakt na mbolli në tru një mendim, o të vdesim të gjithë, o të shpëtojmë të gjithë, rrugë të tretë nuk kishte.

Ndërkohë komunikonit me babain?

Jo, kishte 12 vite që ishte ndërprerë, nuk na vinte më asnjë letër prej tij, i grisnin.

Si e ndërtuat varkën?

Kur e morëm vendimin të tre për të bërë një varkë, me ndërtimin e saj u mora unë se më vinte doresh nga saldimi e këto gjëra. Mora lejen e zakonshme nga puna si kuzhinier që bëja dhe e kam bërë për tri ditë. Varka është bërë me mushama, pa gozhdë, sepse po t’i vinim gozhdë do duhej ta merrnim të përgatitur, të ndërtuar, deri në liqen dhe do na shihnin rrugës. Mënyra më e mirë ishte që ta bënim të montueshme, të çmontueshme dhe e çuam pjesë-pjesë në breg, e fshehëm.

Pak a shumë bëmë disa llogari me ligjin e Arkimedit, sa kubikë do varka që të zhvendoset uji duke llogaritur peshën e njerëzve.

Fillimisht menduam që unë dhe vëllai i vogël t’i lëmë fëmijët dhe gratë, por kjo nuk u realizua sepse vëllai në fund tha “unë nuk vij pa fëmijë”’. Na rrezikoi shumë në fakt, sepse varka u rëndua dhe nga pesha mbeti vetëm pesë gisht mbi ujë.

Me kalimin e viteve njeriu mund t’i harrojë detajet e historisë, por mënyrën si është ndier nuk e harron dot kollaj, a mund ta kujtoni si jeni ndier atë natë?

Kam ndier pjesën më të vështirë të jetës sime, s’e kam parë më jetën time të më rëndojë kaq shumë. Kishim lënë këpucët kur hipëm nga frika mos dëmtonim mushamanë poshtë, kur e shkelje mushamanë që kishte poshtë ujin, sikur shkelje dikë në bark. Por për ne një gjë ishte e ngulitur, ishte më e ëmbël vdekja sesa të jetoje në ato kushte ku jetonim ne. Sot ndaj jam ulur e kam shkruar historinë e asaj arratisjeje dhe të familjes sonë, që të mos harrohet ajo çfarë ishte komunizmi.

Sa shkoi udhëtimi? Çfarë mendonit gjatë atyre orëve?

Udhëtimi zgjati 8 orë, u nisëm në orën 12:00 dhe në 8.00 të mëngjesit ishim në bregun maqedonas. Ne i kishim marrë masat tona, por rreziku ishte njëlloj, si të mbyteshim, si të na kapnin. Por ne kishim një kuti me tritol, i kishim vënë dhe fitilin dhe në çdo rast do t’i vinim shkrepësen të shpërthenim, sepse e dinim se çfarë na priste, më mirë vdisnim aty sesa si minj. /kujto.al

Shenim Intervista eshte dhene per gazeten MAPO disa vite me pare. 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here