Vrasja makabre e Riza Alizotit dhe letra e kantierit të vajgurit Kuçovë

0
5708
blank

"Shokë Gjyqtarë! Duke kujtuar të gjitha veprat e tradhtisë, kërkojmë që shpata e drejtësisë të bjerë pa mëshirë mbi ata tradhtarë. Jemi të bindur se trupi gjykues si përfaqësues i dëshmive të popullit do t'iu japë dënimin që meritojnë, dënim me vdekje. Ne kërkojmë që kjo letër të këndohet në procesin e Riza Alizotit ku janë prezentë dhe një grup të deleguarish të kantierit tonë”

Ishte vetëm 36 vjeç inxhinieri Riza Alizoti, kur diktatura i vendosi litarin në fyt për ta ekzekutuar në mënyrë barbarë në Kuçovë, atje ku kishte punuar me përkushtim për të vënë në punë dy puse të rëndësishme të naftës, bashkë me kolegët e tij, inxhinierët italianë. Riza Alizoti, kreu Kolegjin Robert në Stamboll, vazhdoi Tekniken e Fultzit në Tiranë dhe më pas studimet e larta në Oksford si inxhinier nafte. Ishte ndër të rinjtë më të shkolluar në Shqipërinë e varfër të asaj kohe. Pikërisht për këtë arsye, ai u akuzua si “armik i popullit” pjesë e gjyqit të grupit të deputetëve dhe u dënua me ekzekutim.

blank

Procesi i njohur  si “Gjyqi i deputeteve” u zhvillua në 27 shtator 1947 në sallën e kinemasë “17 Nëntori”.

Është e pazakontë, e ulët e makabre  sjellja e disa njerëzve në Kuçovë, të cilët kërkonin varjen në litar të inxhinierit të talentuar dhe ajo duhet të ndodhte pikërisht atje, te puset e naftës, që i kishte ndërtuar vetë. Padyshim ata njerëz të paditur dhe gjaksorë, ishin të orjentuar nga Partia e Sigurimi i Shtetit.

Letra e tyre drejtuar në sallën e gjyqit, bashkë me të tjera letra nga populli, është një ndër njollat e zeza të historisë sonë, të etjes për gjak ndërmjet shqiptarësh. Më poshtë botohet letra e plotë e marrë nga studimi i AIDSSH-së për gjyqin e grupit të deputetëve

Letër drejtuar gjykatës ushtarake

Punëtorët e kantierit të vajgurit Kuçovë

Shokut Gjyqtar! Gjyqi që zhvillohet kundër grupit të deputetëve dhe pseudo- intelektualëve, spiunë-sabotatorë, ka ngjallur tek ne punëtorët e Kuçovës një interesim të madh dhe nga faktet e atij gjyqi neve shohim se sa e madhe dhe e poshter është tradhëtia e këtyre njerëzve.

Neve veprat kriminale të tyre i kemi parë në kantierin tonë, të kryer prej Alizotit me shokë që në atë kohë kur neve me çlirimin e Shqipërisë iu përveshëm punës për ngritjen e kantierit të shkatërruar, me bukë e pa bukë, zbathur e zhveshur, me copëra të vjetra hekuri e llamarine ngrinim centrale, ofiçina, distileri dhe impiante të tjera për të ndërtuar jetën tonë, për t'i dhënë popullit dritën që i mungonte, për t'iu dhënë maqinave shpirt që të shpinin bukën atje te populli, në këtë ndërmarrje të shenjte e patriotike del fytyra e poshtër prej tradhëtari e Alizotit me shokë për të sabotuar veprën tonë të  madhe të popullit tonë. Neve shoku gjyqtar nuk do të harrojmë kurrë veprën e tyre tradhëtare.

blank

Shokë Gjyqtarë!

Duke kujtuar të gjitha veprat e tradhëtisë, kërkojmë që shpata e drejtësisë të bjeri pa mëshirë mbi ata tradhëtarë. Jemi të bindur se trupi gjykues si përfaqësues i dëshmive të popullit do t'iu japë dënimin që meritojnë, dënim me vdekje.

Shokë gjyqtarë

Ne kërkojmë që kjo letër të këndohet në procesin e Riza Alizotit ku janë prezente dhe një grup të deleguarish të kantierit tonë

Kuçovë. Më 9. 9. 1947

Letra u lexua në sallën e gjyqit mes ovacioneve shtazarake të njerëzve që ishin në sallë, ku po dënohej me vdekje elita e kombit. Riza Alizoti u dënua me vdekje, varje në litrar dhe akti makabër u krye pikërisht në Kuçovë.

Në mënyrë demonstrative ai u var pranë disa rrepeve në Kuçovë dhe u mbajt për dy ditë i pajetë në litar, me qëllim që të ngjallte terror te punëtorët dhe drejtuesit e ndërmarrjes së nxjerrjes së naftës. Eshtrat e tij ende nuk janë gjetur.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here