“Vallëzimi fatal”

0
279
blank

Rrëfim për jetën e vështirë të një të riu në diktaturë

Nji shoqe simpatike e klasës, me të cilën kishim qenë së bashku  qysh në fillore, e kishim edhe miqësi familjare, me iniciale Ç.R, më dha me kuptue se donte me vallëzue, me mue. Vallëzuem së bashku me ritmin e nji tango e, në nji moment, partnerja e vallëzimit më thotë me za shumë të ultë e me shumë emocion: "Filip, kam diçka shumë me randësi me të thanë, por ma parë due me më dhanë  fjalën, se njeriut të gjallë s'ke me ia tregue, sepse, po fole e ma qite bisedën, jeta e ime rrezikohet...!”. Mbasi u përbetova me sinqeritet, shoqja e klasës vazhdoi me lot, në sy: "Sigurimi i Shtetit, nëpërmjet U.S, më ka ngarkue detyrën e raportimit për të tana bisedat, që ban ti Filip! Rueje veten e më ruej edhe mue! Po fole, më more në qafë!"! 

“At çast për mue mbramja mbaroi! Nuk vallzova ma, e pak ka pak, për mos me ra në sy, për ndryshimin e gjendjes sime shpirtnore, u largova prej mbramjes! Shkova në shtëpi i dërmuem shpirtnisht, ngjarjen e mbajta mbrenda vetes; atë natë nuk mbylla sy... “

Nga Filip Guraziu

Adoleshenca mund të përkufizohet edhe kështu: Mosha në të cilën shoku e shoqnia përbajnë, mbas dashunisë familjare, gjanë ma të shtrejtë në jetë. Së paku, ky asht konceptimi im, rezultat i përvojës së jetës. Shokët e fëminisë në Shkodër (Ndoku, Viktori, Bepi, Franko, Franci, Tonini) ishin edhe shokët e adoloshencës së parë; me ta ndajsha përvojat e para në jetë, gëzimet e para, sukseset e para, shqetësimet e para dhe sekretet e para. Na bashkonte mendimi politik, na bashkonte veprimtaria sportive, na bashkonte besimi e ndihma reciproke. Ndihesha fatlum në shoqninë e tyne, e kurrë nuk mendojsha se, ndoj herë kishim me u nda, por jeta të ballafaqon me të paprituna...

blank
Kopertina e librit, nga eshte marre teksti, botim i ISKK

Në shtator të vjetit 1957, në moshën 14-vjeçare, isha nxanës i vitit të dytë në gjimnazin "29 Nandori", Shkodër. Me përfundimin e semestrit të parë mësimor, dhe me rastin e vjetit të ri, drejtoria e shkollës kishte planifikue mbramje vallëzimi me pjesëmarrjen e të gjithë nxanësave të vjetit të dytë. Jo vetëm për mue, por për të tanë nxanësat, kjo lloj veprimtarie ishte nji risi e, natyrisht e përjetojshim me emocione...U mundova me u veshë sa ma mirë për mbramjen e vallëzimit; pantallona tip kilot (si punë brakeshash në fund) e xhup leshi me fyt, i punuem prej nanës). Shkova pak me vonesë, mbramja kishte fillue. Në palestrën e shkollës  kishin vendosë, në të tanë anët, banka si ato të mencave ku ishin ulë nxanësat; djelmt e vajzat ishin grupue në pozicione të ndryshëm, kurse në qendër ishte vendi i orkestrës, fizarmonikë e kitarë. Megjithëse muzika kishte gjallni, fillimi i mbramjes ishte i "voktë", sepse asnjeni nuk po merrte nismën me shkue deri te grupi i vajzave, për me i kërkue të drejtën e vallzimit. Sapo, "ma guximtarët" e thyen akullin dhe filluen me vallzue, menjiherë mbramja mori "hov", e vendi pothuej nuk mjaftonte për të gjithë ato çifte vallëtarësh. Vallëzova edhe un, kjo lloj përvoje më jepte kënaqësi, të gjithë ishim të gëzuem.

Mbas do kohe, nji shoqe simpatike e klasës, me të cilën kishim qenë së bashku qysh në fillore, e kishim edhe miqësi familjare, me iniciale Ç.R, më dha me kuptue se donte me vallëzue, me mue. Vallëzuem së bashku me ritmin e nji tango e, në nji moment, partnerja e vallëzimit më thotë me za shumë të ultë e me shumë emocion: "Filip, kam diçka shumë me randësi me të thanë, por ma parë due me më dhanë  fjalën, se njeriut të gjallë s'ke me ia tregue, sepse, po fole e ma qite bisedën, jeta e ime rrezikohet...!"

Mbasi u përbetova me sinqeritet, shoqja e klasës vazhdoi me lot, në sy: "Sigurimi i Shtetit, nëpërmjet U.S, më ka ngarkue detyrën e raportimit për të tana bisedat, që ban ti Filip! Rueje veten e më ruej edhe mue! Po fole, më more në qafë!"

U ngriva prej bisedës, megjithatë gjeta forcë, për me e falënderue, me gjithë zemër, shoqen besnike për ndihmën që më dha, tue e sigurue se, do t' isha tepër i kujdesshëm.

At çast për mue mbramja mbaroi! Nuk vallzova ma, e pak ka pak, për mos me ra në sy, për ndryshimin e gjendjes sime shpirtnore, u largova prej mbramjes! Shkova në shtëpi i dërmuem shpirtnisht, ngjarjen e mbajta mbrenda vetes; atë natë nuk mbylla sy...

Ajo bisedë kishte ndryshue çdo gja mbrenda meje, nuk isha ma Filipi i djeshëm, nuk kisha ma entuziazëm, deri shokët m'u dukeshin ndryshe, edhe qyteti kishte ndryshue, shkolla nuk ishte ma, ajo, e para...

Pyetsha veten, pse ky ndryshim në psiken time? A thue prej frigës?

"Altroego", prej thellësisë së shpirtit, më dha përgjigje: - "Jo, nuk asht friga, sepse ti nuk ke ba asgja kundër pushtetit, por asht "neverija"; neverija që të shkakton politika e ndytë e "lufës së klasave", neverija që ndien dhe të futet në stomak, në bark, në gojë e gjithkund dhe të pshtjellon, deri psikën, kur ballafaqohesh me llomin, me intrigen, me shpifjen e me krimin!

Kjo neveri më kishte shkërmoqë fillin e entuziazmit të adoloshencës së parë...

Të nesërmen vendosa: Do të largohem prej Shkodrës, axha Tonin e Dila, në Tiranë më pritshin me krahë hapë! Do ta provoj: vend i ri,  jetë e re, shpresë e re!

Atë mbramje, mblodha shokët për komunikimin e vendimit tim, tue u tregue thelbin, por jo bisedën dhe personin. "Duhet ta dini, iu drejtova, se jam e jemi të survejuem prej agjentave të Sigurimit, unë po largohem prej Shkodrës, ju tregohuni të kujdesshëm, evitoni qëndrimin në grup”. Nuk pati asnji diskutim, heshtje e plotë, lajmi i bllokoi...

Fati më ndihmoi, Tirana ndryshoi rrjedhën e jetës sime, atje gjeta nji atmosferë krejt tjetër (ishin vjetët e liberalizmit, pro politikës hrushoviane).

Në klasën e nandtë të shkollës së "Kuqe" (Tiranë), gjeta përkrahje dhe mundësi për aktivizimin tim, në sportin e basketbollit. Së bashku, me dy shokët e ngushtë të shkollës; Vaso Shaken e Bujar Shehun, mbas pak vjetëve u bamë lojtarët kryesorë të përfaqësueses shqiptare të basketbollit...

Dy vjetë mbrapa, në 1959, u shpalla Kampion i Spartakiadës së Parë Kombëtare Sportive të shkollave të mesme në basketboll, që u zhvillue në Shkodër dhe, po atë vjet në shtator, u nderova me Medaljen e Artë, si lojtari i ri ma i dalluem, në sportin e basketbollit.

Falë "vallëzimit fatal" jeta ime ndryshoi dhe ritmi i "vallzimit të ri", më tërhoqi me forcën e tij...por...por, zig-zagu i "luftës së klasave", më doli përpara, gjatë tanë jetës, dhe deri sot, që po shkruej këto rreshta!

Fillimi e sportit, bashkë me persekutimin politik

Në vjetin 1955, në moshën 13 vjeçare, vazhdojsha klasën e shtatë, në shkollën "11 Janari", Shkodër. Pasioni për futbollin ishte në kulmin e tij. Atë vjet u inkuadrova në skuadrën e futbollit të Shtëpisë së Pionierit Shkodër, që e drejtonte ish-futbollisti veteran, Ernest Halipiani. Gëzimi, qe tepër i madh, kur mora kostumin sportiv (kanotjerë, tuta sportive e këpucë futbolli të vjetra). Këpucët m’i riparoi gjyshi, te nji këpuctar në lagje, dhe unë fillova stërvitjen me shumë pasion.

Mbas nji mueji na lajmëruen, se ekipi i futbollit të pionierëve, ku unë bajsha pjesë, do të luente për 15 minuta në fushën e stadiumit të Shkodrës, kundër nji tjetër ekipi të moshës, gjatë pushimit ndërmjet dy pjesëve, të nji ndeshje të kategorisë së parë. Rasti ishte shumë i bukur, dëshira e madhe, për me luejtë para mija spektatorëve. Shkova me gëzim në stadium, së bashku me shokët e mij, por mbeta krejtësisht i zhgënjyem prej trajnerit; të gjithë u futën në lojë përveç meje! U ktheva në shtëpi shumë i mërzitun, nuk e bana muhabet në familje, por mendova e konkludova me veten time: Ndoshta, dikush për motive politke, e ka urdhnue trajnerin mos me më aktivizue, ose varianti i dytë; unë nuk isha i aftë për futboll. E dyta, nuk me bindte, sepse për aftësitë e mija isha zgjedhe kapiten skuadre i shkollës, pra...

Të nesërmen u paraqita te trajneri dhe i dorëzova kostumin sportiv, tue i thanë se: "dje, e kuptova, që nuk baj për futboll". Pata mbetë pak i çuditun se, si trajnerit Ernest Halipiani nuk i bani aspak përshtypje veprimi i im dhe u tregue komplet indiferent! Duket i shkoi "për shtat", largimi i im!

Megjithëse pata kët "disfatë", aktivizimi në sport më grryente përmbrenda. Kujtoj se, mbas nji vjeti, fillova arsimimin në gjimnazin "29 Nandor", Shkodër. Në atë kohë, Shkodra kishte nji skuadër shumë të mirë në basketboll. Unë, me shokët e mi, hishim "msheftas" rojes në shkollë, dhe prej dritareve, admirojshim stërvitjet e ndeshjet e kampionatit. Lojtarët kryesorë, në atë kohë, ishin: Muhamet Sokoli, Vehbi Ademi, Skender Tafilica, Luan Shatku, Skënder Osmani, Sandër Laca etj.. Në atë periudhë, u kristalizue pasioni për sportin e basketbollit. Ky pasion më shtyni me u regjistrue në skuadrën e të rijve, të klubit Spartak, ku trajner ishte Sandër Laca. Aty fitova elementët bazë për lojën e baskebollit, dhe më kujtohet se veprimin se si "bahet finte para gjuejtjes" - ma pati mësue trajneri i mirënjohun, i basketbollit, Esat Haxhi.

Nji ditë në fushën sportive "Spartak", gjatë pushimit ndërmjet dy pjesëve të ndeshjes së të rritunve, u zhvillue nji ndeshje ndërmjet të rijve, të shoqnive sportive “Puna” dhe “Spartak”, ku unë luejta me “Spartak”-un, e shënova pikë. Duket, se rashë në sy, sepse sekretari i Komitetit Ekzekutiv, i Qarkut Shkodër, "shoku" Sadik Rama, i kishte pasë thanë Rifat Uruçit, që Filip Guraziun për arsye politike, mos ta lejoni me u aktivizue ma, në sport! (Shumë vjetë ma vonë, vetë i ndjeri Rifat Uruçi ma pati tregue kët bisedë)

Në shtator të vitit 1957, vazhdova shkollën në klasën e dytë, të gjimnazit “29 Nandor”, në Shkodër.  Mësuesi i ri (i sapo ardhun) i gjuhës ruse,  Xh. V., që më shihte ashpër, në ditën e parë të shkollës më qiti jashtë prej mësimit, krejtë kot, ende sot, nuk e di se, pse! Shumë kohë mbrapa, pata kuptue motivin e asaj sjellje; Xh. V., paska pasë qenë në grupin e studentave komunista në Shkodër, të cilët patën ba terror (1945) mbi studentat shkodranë, të cilët nuk demostrojshin simpati për komunizmin!

Duket se mësuesi Xh.V., jetonte ende me psikozën e ngarjeve të Hungarisë, të nji vjeti ma parë dhe, në gjurmët e veprimeve, që kishte pasë ba në rininë e tij, vazhdonte luftën e klasave kundër meje, si djali i Armikut të Popullit...!

Ajo që pata ndi, në mbrendësinë time në atë kohë, pa qenë në dijeni se, si paskan qenë udhëzimet... etj., ishte ndjeja e diskriminimit, sepse kuptojsha se, as që u bante fjalë që, unë, t’i bashkohesha skuadrës së basketbollit të shkollës. Në heshtje isha i përjashtuem.

Për këto arsye, e të tjera të tregueme, (te "vallzimi” që ndrroi rrugën e jetës time, dhjetor 1957), u largova prej Shkodrës e vazhdova arsimimin te "Shkolla e Kuqe", në Tiranë. Aty gjeta atmosferë tjeter, shumë ma liberale, se në Shkodër. Drejtor ishte Sofokli Afezolli, mësuesat ishin të sjellshëm e të afërt me nxanësat, veçoj me shumë respekt mësuesin e landës së fizikulturës, Abdullah Stërmasin. Me shokët e shkollës e të lagjes u miqësova shpejt (Alfons Gurashi, Bardhyl Martiniani, Ibrahim Konjari, Festim Tërshana) sidomos me ato nxanësa, që kishin pasion sportin; Vaso Shaka, Bujar Shehu, etj. Së bashku, filluem karrierën sportive në basketboll, tue shkrue nji faqe të re cilësore, në historinë e  basketbollit shqiptar.

Shënim: marrë nga “Mollat e vjetit te ri” me autor Filip Guraziun, botuar nga ISKK, 2021.

Fotoja ilustruese: “Bar bufe "Zambaku" në plazhin e ri, mbrëmje vallëzimi 1959”, 1959, Arkiva Digjitale Shqiptare, https://adsh.al/s/adsh/item/3705

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here